Libri i Barukut - Lutje e shpresë Emërtimi dhe vendi në Bibël - Libri emërtohet kështu sipas emrit të sekretarit të profetit Jeremi. Libri, megjithëse duhet të ketë qenë shkruar hebraisht, Bibla hebraike nuk e ka. Teksti ekziston në përkthimin e të LXX /greqisht/. Këta e quajnë thjesht BARUK, kurse Vulgata e ka me këtë emërtim: Libri i Barukut. Shën Jeronimi nuk e përktheu latinisht kështu që mbeti përkthimi latinisht i vjetër. Të LXX e kanë menjëherë pas Jeremisë e para Vajtimeve, kurse Vlg e ka pas Vajtimeve. Autori dhe koha e krijimit - Megjithëse Libri i mbështetet Barukut, birit të Nerisë, sekretarit të Jeremisë, s’ka dyshim se është pseudoepigrafi, dhe kritika e biblistëve e mban se duhet të ketë qenë një autor ose edhe më mirë, disa autorë, që qëllimisht ia kanë mbështetur Barukut, pasi duket se libri ka qenë shkruar shumë pas vdekjes së Barukut. Për kohën e krijimit biblistët nuk janë plotësisht në përkim. Mendohet se duhet të ketë qenë krijuar kah fundi i të tretit qindvjetor para Krishtit, ose edhe më vonë. Përmbajtja e ndarja - Libri ndahet: Hyjra 1, 1 - 14 Lutja pendestare 1, 15 - 3, 8 Poemë urtësisë të barazuar me ligjin 3, 9 - 4, 4 Poemë nxitjeje e ngushëllimi 4, 5 - 5, 9 Shtojcë: Letra e jeremisë. Libri është shkruar në katër gjini të ndryshme letrare: lutje, poezi urtësie, predikim profetik dhe satirë. Porosia - Libri përmban analizë të thellë të mëkatit qoftë individual qoftë edhe kolektiv - të mbarë kombit. Mëkati është çrregullim i rendit moral, prishje krenare e urtësisë hyjnore me kryengritje qëllimore kundër mirësisë së Hyjit. Shërim s’mund të ketë po qe se mëkatari me përvujtëri nuk kthehet kah Zoti që është burim i çdo të mire. Baruku na sjell një emërtim krejt të ri lidhur me Hyjin: I Amshueshmi, të cilin nuk e gjejmë askund gjetiu /4, 10. 14. 22. 24/. Porosi e madhërishme për Izraelin në mërgim, sepse ngjall shpresën e madhe të kthimit, riatdhesimit, në një Jerusalem të ripërtëritur dhe më të lumë se në të gjithë të kaluarën, me një Besëlidhje të amshueshme, thirrje kjo, edhe për të gjitha kombet që rënkojnë nën zgjedhën e padrejtë të robërisë, veçanërisht të robërisë së mëkatit, që është më e rënda skllavëri, por edhe të robërisë politike. Ky libër na e shtjellon në një mënyrë të mrekullueshme qëndresën e madhe historike të popullit të Izraelit, sepse na tregon se si ata, edhe në skllavëri të shpërnguljes me dhunë, janë të bashkuar me vendasit e vet, sado të mjerë, në atdheun e vet. “A e ke lexuar Barukun? - shkruante La Fontaine - Ka qenë një gjeni i madh!” /La Fontaine sipas Luigjit Racine/. I. HYRJA Baruku dhe bashkësia e judenjve në Babiloni 1 1 Këto janë fjalët që i shkroi Baruku, biri i Nerisë, të birit të Masajës, të birit të Sedecisë, të birit të Asadeut, të birit të Helcisë, në Babilon 2 në vitin e pestë, të shtatën ditë të muajit, në kohën kur kaldenjtë e pushtuan Jerusalemin dhe kur e dogjën me zjarr. 3 Baruku i lexoi fjalët e këtij libri në prani të Jekonisë, birit të Joakimit, mbretit të Judës, dhe në prani të mbarë popullit që erdhi ta dëgjojë leximin e librit, 4 po ashtu në praninë e parisë, para bijve të mbretërve dhe në praninë e mbarë popullit, prej më të voglit e deri tek më i madhi i të gjithë atyre që banonin në Babiloni, në brigjet e lumit Sud. 5 Qanin, agjëronin e luteshin në praninë e Zotit. 6 Të gjithë, sipas mundësisë së secilit, mblodhën parà 7 dhe ia dërguan në Jerusalem priftit Joakim, birit të Helcisë, të birit të Salomit, dhe priftërinjve të tjerë e mbarë popullit që ishte bashkë me të në Jerusalem. 8 Ishte më dhjetë të muajit Sivan kur Baruku i mori enët e Shtëpisë së Zotit, që kishin qenë marrë nga Tempulli, për t’i kthyer në tokën e Judës. Ishin enët e argjendta, që i punoi Sedecia, biri i Jozisë, mbreti i Judës, 9 pasi që Nabukodonozori, mbreti i Babilonit, i kishte marrë nga Jerusalemi dhe i kishte çuar në Babilon, Jekoninë, princat, çelëstarët, parinë dhe mbarë popullin e vendit. 10 Ata thanë: Ja, po ju dërgojmë ca parà. Me to bleni fli shkrumbimi, fli pendestare dhe kem, të cilat paraqitini dhe kushtojini në lterin e Zotit, Hyjit tonë. 11 Lutuni për jetën e Nabukodo- nozorit, mbretit të Babilonit, dhe për jetën e Baltazarit, birit të tij, që ditët e tyre përmbi tokë të jenë porsi ditët e qiellit. 12 Kështu Zoti do të na japë fuqi e do të na i shndritë sytë tanë e do të jetojmë nën hijen e Nabukodonozorit, mbretit të Babilonit, dhe nën hijen e Baltazarit, birit të tij, do t’i shërbejmë për ditë të shumta e do të gjejmë hir para tyre. 13 Lutiuni edhe për ne Zotit, Hyjit tonë, sepse mëkatuam kundër Zotit, Hyjit tonë, dhe nuk u largua prej nesh deri në ditën e sotme zemërimi i Zotit dhe zemërimi i tij. 14 Lexojeni këtë libër që jua dërguam për ta lexuar botërisht në Shtëpinë e Zotit në ditë feste e në ditë të përshtatshme. 15 E thoni: II. LUTJA E TË MËRGUARVE Rrëfimi i mëkateve Zotit, Hyjit tonë i përket drejtësia, kurse neve faqja e zezë, siç është sot për çdo njeri të Judës, për banorët e Jerusalemit, 16 për mbretërit tanë, për princat tanë, për priftërinjtë tanë, për profetët tanë e për etërit tanë: 17 sepse mëkatuam para Zotit dhe nuk i besuam. 18 Nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë, që të ecnim urdhërimeve të Zotit, që na i ka vënë përpara. 19 Që ditën kur Zoti i nxori etërit tanë nga toka e Egjiptit e deri në ditën e sotme ishim kokëtrashë kundër Zotit, Hyjit tonë, kemi vepruar paturpësisht për të mos ia dëgjuar zërin, 20 prandaj edhe na u ngjeshën të këqijat e mallkimi, që Zoti ia tha Moisiut, shërbëtorit të vet, ditën kur i nxori etërit tanë nga toka e Egjiptit me qëllim që të na dhuronte tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, siç është edhe sot e kësaj dite. 21 Por ne nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë, sipas të gjitha fjalëve të profetëve që na i ka dërguar; 22 por ne shkuam, duke ndjekur secili prirjen e zemrës së vet të keqe, që t’u shërbejmë zotave të huaj dhe bëmë çka s’është e pëlqyeshme para syve të Hyjit tonë. 2 1 E kështu Zoti e çoi në vend fjalën e vet që e tha kundër nesh e kundër gjyqtarëve tanë që e gjykonin Izraelin, kundër mbretërve tanë, kundër princave tanë e kundër çdo njeriu izraelit e judeas, 2 se do të sjellë mbi ne të këqija të mëdha që s’kanë ndodhur askund nën qiell, siç bëri në Jerusalem, siç shkruan në Ligjin e Moisiut, 3 sa që të mbërrijmë të hamë dikush mishin e djalit të vet e një tjetër mishin e vajzës së vet! 4 E Zoti i vuri nën sundim të të gjithë mbretërive përreth nesh, i bëri turp e mallkim për të gjithë popujt që janë përreth nesh, në mesin e të cilëve i shpërndau. 5 I bëri të jenë skllevër në vend që të zotëronin, sepse mëkatuam kundër Hyjit tonë duke mos e dëgjuar zërin e tij. 6 Zotit, Hyjit tonë, i përket drejtësia, kurse neve e etërve tanë, siç është sot, faqja e zezë! 7 Të gjitha áto të zeza që Zoti i kishte parakallëzuar kundër nesh, erdhën e ranë mbi ne. 8 E ne nuk e pajtuam fytyrën e Zotit duke u kthyer secili nga mendimet e zemrës sonë tejet të mbrapshtë: 9 atëherë Zoti ndenji gati të ndëshkojë dhe i çoi mbi ne këto të këqija sepse Zoti është i drejtë në të gjitha veprat e veta që na i ka urdhëruar. 10 Por ne nuk e dëgjuam zërin e tij, që të ecnim në urdhërimet e Zotit, që i vuri para fytyrës sonë. Lutja 11 E tani, o Zot, Hyji i Izraelit, ti që e nxore popullin tënd nga toka e Egjiptit me dorë të fuqishme, me shenja e mrekulli, me fuqi të madhe e me krah të shtrirë, dhe e nxorre në pah emrin tënd, siç është edhe sot: 12 ne mëkatuam, u sollëm si të patenzonë, vepruam paudhësisht, o Zot, Hyji ynë, në lidhje me të gjitha urdhërimet e tua! 13 Deh, le të largohet zemërimi yt prej nesh, sepse s’kemi mbetur përveçse një pakicë ndër paganë, mes të cilëve na shpërndave! 14 Dëgjoje, o Zot, lutjen e përlutjen tonë: na shpëto për nderin tënd e bëj të gjejmë hir para syve të atyre që na shpërngulën nga atdheu, 15 që ta marrë vesh mbarë dheu se ti je Zoti, Hyji ynë, pasi Izraeli e pasardhësit e tij e mbartin emrin tënd. 16 Na shiko, o Zot, nga Banesa jote e shenjtë e mendo për ne; prire veshin tënd, o Zot, e dëgjo! 17 Priri sytë e tu, o Zot, e shih: sepse jo të vdekurit që janë në Nëntokë, të cilëve u ka dalë shpirti prej trupit, i japin lavdi e nder Zotit, 18 por ai që gjëmon nën barrë, ai që ecën gërmuq e i këputur, ai që i ka sytë e përlotur, ai që është i uritur, këta, o Zot, janë ata që të japin lavdi e nder! 19 Ne nuk mbështetemi në meritat e etërve tanë e të mbretërve tanë, për t’i shtruar përpara fytyrës sate përlutjet tona, o Zot, Hyji ynë; 20 por pse e ke dërguar mbi ne zjarrin e zemërimin tënd pikërisht ashtu si na ke pasë përkujtuar me anë të shërbesës së profetëve të tu, kur the: 21 ‘Kështu thotë Zoti: Ulni zverkun tuaj e shërbejini mbretit të Babilonit që të jetoni në tokën që ua dhashë etërve tuaj. 22 Por, në qoftë se s’do ta dëgjoni zërin e Zotit për t’i shërbyer mbretit të Babilonit, do të bëj të mos dëgjohet më në qytetet e Judës e në rrugët e Jerusalemit 23 zë hareje e zë gëzimi, zë dhëndri e zë nuseje dhe mbarë vendi do të bëhet shkretëtirë pa banorë.’ 24 Por ne nuk e dëgjuam zërin tënd, për t’i shërbyer mbretit të Babilonit, atëherë ti i çove në vend fjalët, me të cilat kërcënove nëpërmjet gojës së shërbëtorëve të tu profetë: eshtrat e mbretërve tanë e të etërve tanë do të nxirren jashtë vendit të tyre. 25 Dhe, ja, u flakën në të nxehtë të ditës e në ngricë të natës. Vdiqën në dhembje të tmerrshme nga uria, nga shpata e nga murtaja! 26 Bëre që Shtëpia, e cila mban Emrin tënd, të jetë në gjendjen që është sot për shkak të paudhësisë së shtëpisë së Izraelit e të shtëpisë së Judës. 27 Megjithatë, ti, o Zot, Hyji ynë, u solle ndaj nesh sipas mirësisë sate të madhe e sipas mëshirës sate të dhimbshme, 28 siç the me anë të shërbëtorit tënd Moisiut atë ditë, kur e urdhërove ta shkruajë Ligjin tënd ndër sy të bijve të Izraelit. 29 Ti the: ‘Nëse s’do ta dëgjoni zërin tim, kjo mori, që tani është kaq e madhe, do të kthehet në një pakicë të vogël në mes të popujve, ndër të cilët do ta shpërndaj. 30 E di se me siguri nuk do të më dëgjojnë, sepse janë popull kokëfortë. Por në vendin ku do të jenë të humbur, ata do të vijnë në vete 31 e do ta kuptojnë se unë jam Zoti, Hyji i tyre. Unë do t’u jap një zemër që “kupton” e veshë që dëgjojnë. 32 Do të më lavdërojnë në tokën e mërgimit e do t’u bjerë ndër mend Emri im. 33 Kur ta kenë menduar fatin e etërve të vet, që mëkatuan ndër sy të Zotit, do të kthehen nga kryeneçësia e tyre e nga veprat e tyre të këqija. 34 Atëherë unë do t’i kthej në tokën që me përbetim ua premtova etërve të tyre, Abrahamit, Izakut e Jakobit. Ata do ta ripronësojnë. Do t’i shtoj e nuk do t’i pakësoj. 35 Me ta do të bëj një besëlidhje të përhershme: unë do të jem Hyji i tyre e ata do të jenë populli im. Më nuk do ta tres popullin tim Izraelin nga toka që ua kam dhënë.’ 3 1 O Zot i gjithëpushtetshëm, Hyji i Izraelit, drejt teje klith një shpirt i ngushtuar, shpirti në ankth! 2 Dëgjo, o Zot, e ki mëshirë, sepse kemi mëkatuar para teje! 3 Ti zotëron përgjithmonë e ne vazhdimisht humbasim! 4 O Zot i gjithëpushtetshëm, Hyji i Izraelit, dëgjoje tani lutjen e të vdekurve të Izraelit e bijve të tyre, që mëkatuan ndër sy të tu, të cilët nuk e dëgjuan zërin e Zotit, Hyjit të tyre, e na mbuluan të këqijat! 5 Mos i kujto fajësitë e etërve tanë, por tani kujto pushtetin tënd e Emrin tënd, 6 sepse ti je Zoti, Hyji ynë, e ne do të të lavdërojmë, o Zot, 7 sepse pikërisht për këtë e mbushe zemrën tonë me frikë që ta thërrasim në ndihmë Emrin tënd. Ne dëshirojmë ta lavdërojmë Emrin tënd në mërgimin tonë, sepse e flakëm prej zemrës sonë çdo fajësi të etërve tanë, që mëkatuan ndër sytë e tu. 8 Ja, ne edhe sot gjendemi në këtë mërgim, ku na trete të jemi turp, mallkim, shpagim për të gjitha paudhësitë e etërve tanë, që u larguan prej Zotit, Hyjit tonë.” III. URTËSIA, VEÇORI E IZRAELIT 9 Dëgjoji, o Izrael, urdhrat e jetës, vërua veshin për ta njohur urtinë! 10 Po përse ti, o Izrael, përse je në tokën e armikut? 11 Ti u plake në dheun e huaj, po përdhosesh me kufoma, i çmuar si ata që në Nëntokë zbritën! 12 E le burimin e dijes! 13 Të kishe ecur udhës së Zotit, do të banoje në paqe të përhershme. 14 Mëso se ku është mençuria, ku fuqia e ku kuptimi, që njëherë e mirë ta dish ku është jeta e gjatë, drita e syve edhe paqja. 15 Kush e zb’loi vendin e saj? Kush hyri në thesaret e saj? 16 Ku janë sunduesit e popujve, ku zotëruesit e egërsirave të tokës? 17 Ku janë ata që luajnë me shpendët e qiellit, 18 që grumbullojnë argjend e ar - në të cilin njerëzit e vënë shpresën dhe fund nuk ka grumbullimi i tyre; ata që me kujdes punojnë argjendin, pa e zbuluar fshehtësinë e punës së vet? 19 Sharruan, zbritën në Nëntokë dhe të tjerë u ngritën në vend të tyre! 20 Brezni të reja dolën në dritë, por s’e njohën udhën e mësimit, 21 s’i mësuan shtigjet e dijes; nuk ia arritën as bijtë e tyre, madje u larguan prej udhës së tyre. 22 S’u dëgjua për të në Kanaan, as s’u pa ajo në Teman. 23 Bijtë e Agarës që mbi tokë dijen kërkojnë, tregtarët e Meranit e të Temanit, tregues përrallash e kërkues urtie: nuk e njohën udhën e urtisë, nuk i gjetën shtigjet e saj! 24 Sa e madhe është, o Izrael, banesa e Hyjit, sa i gjerë është vendi i zotërimit të tij! 25 I madh është sa që s’ka mbarim, i lartë edhe i pakufishëm! 26 Aty qenë viganët, moti të përmendur, të lartë me shtat e mjeshtra lufte. 27 Por ata s’i zgjodhi Hyji, as s’ua dha udhën e dijes. 28 U shuan pse u mungoi urtësia, sharruan për shkak të marrëzirës. 29 Kush u ngjit në qiell e atë e mori, e uli poshtë nga retë? 30 Kush e kapërceu detin dhe e gjeti dhe e bleu me ar të kulluar? 31 Askush s’e njeh udhën e saj, as s’e kupton shtegun e saj. 32 E njeh Ai që di gjithçka, e shqyrtoi me mendje të vet, Ai që e përftoi tokën për kohë të amshueshme, që e mbushi me kafshë katërkëmbëshe; 33 Ai që e nis dritën e ajo merr rrugë, e thërret prapa e kthen duke u dridhur! 34 Yjet ndriçojnë në vendin e vet e gëzohen: 35 i thirri e thanë: “Tek jemi!”; i ndriçuan me gëzim Atij që i krijoi! 36 Ky është Hyji ynë, një tjetër me Të s’mund të krahasohet! 37 Ai e shqyrtoi mbarë udhën e njohjes, ia dhuroi Jakobit, shërbëtorit të vet, Izraelit, të dashurit të vet. 38 Kështu ajo edhe u pa mbi tokë edhe mes njerëzve banoi. 4 1 Ajo është Libri i Urdhërimeve të Hyjit, Ligji që qëndron për amshim: kush ta mbajë, do të jetojë, kush të mos e mbajë, do të vdesë! 2 Kthehu, Jakob, e pranoje, ec drejt shkëlqimit, në dritën e tij! 3 Mos ia jep tjetërkujt nderin tënd, denjësinë tënde një populli tjetër! 4 Jemi të lumtur, o Izrael, sepse na u zbulua çka i pëlqen Hyjit. IV. VAJTIM DHE SHPRESË E JERUSALEMIT 5 Zemër, populli im, ju që ia ruani kujtimin Izraelit! 6 Qetë shitur ndër paganë, por jo për t’ju humbur fara, por, pse e hidhëruat Hyjin, ratë në dorën e armiqve. 7 Sepse e zemëruat Krijuesin tuaj duke u flijuar djajve e jo Hyjit. 8 E harruat Hyjin, të Amshueshmin, që ju mbajti në jetë, e trishtuat Jerusalemin, atë që ju rriti. 9 Pa Jerusalemi si bie mbi ju zemërimi i Zotit e tha: “Dëgjoni, fqinjë të Sionit: Trishtim të madh mbi mua çoi Hyji. 10 Pashë mërgimin e bijve e bijave të mia në të cilin i Amshueshmi ata i treti. 11 I pata rritur ata me gëzim, i lashë të shkojnë me vaj e me pikëllim! 12 Askush të mos gëzohet mbi mua, të mbetur të vejë e të lënë prej shumëve, më shkretuan mëkatet e bijve të mi, që iu shmangën Ligjit të Hyjit. 13 Nuk i njohën urdhrat e tij, as nuk ecën udhës së urdhërimeve të tij, as s’i ndoqën shtigjet e mësimit të tij të drejtë. 14 Le të afrohen fqinjët e Sionit! Mendojeni mërgimin e bijve e bijave të mia, ku i Amshueshmi po i humb. 15 E çoi mbi ta një popull prej së largu, një popull të mbrapshtë e të gjuhës së huaj, që nuk dinë ta nderojnë plakun e për foshnja mëshirë nuk kanë! 16 Zvarrë ia hoqën së vejës foshnjat, qyqe vetëm e lanë pa vajza!” 17 Po unë çfarë ndihme jam në gjendje t’ju jap? 18 Ai që mbi ju i solli këto të vështira, prej armiqve tuaj do t’ju shpëtojë. 19 Nisuni, o bij, nisuni! Unë po mbetem qyqe vetëm, e shkretë; 20 E hoqa petkun e paqes, vesha grathoren e mjerimit tim, në ditët që më mbesin, në ndihmë do të thërras t’Amshueshmin. 21 Zemër, o bij, në ndihmë thirreni Hyjin, Ai do t’ju shpëtojë nga dhuna, nga duart e armiqve tuaj! 22 Sepse shpresën e kam në të Amshueshmin, Ai do t’jua sjellë shpëtimin, prej Shenjtit e pres gëzimin: për së shpejti do t’ju mëshirojë, i Amshueshmi, Shëlbuesi juaj! 23 Me lot e vaj po ju shikoj kah shkoni, por Zoti Hyj do t’ju kthejë tek unë me gëzim, me hare të përhershme! 24 Siç e panë fqinjët e Sionit mjerimin e skllavërisë suaj, ashtu së shpejti do ta shohin shpëtimin që ju vjen prej Hyjit, mbi ju do të vijë me lavdi të madhe e me shkëlqim që e sjell i Amshueshmi. 25 Bij, mbarteni me duresë zemërimin që prej Hyjit erdhi mbi ju. Armiku yt të ka përndjekur, do t’ia shohësh së shpejti rrënimin që do ta pësojë mbi zverk të tij. 26 Njomet më ecën udhësh të thepisura, u grahën si grigj’s që rrëmben armiku! 27 Guxim, bijtë e mi, thirreni në ndihmë Hyjin: sepse Atij që ju vuri në provë do t’i bjerë ndër mend për ju. 28 Por, siç menduat të largoheni prej Hyjit tani të kthyer, shumëfishoni ta lypni kujdesin: 29 sepse Ai që mbi ju i çoi provat do t’ju çojë gëzim të përhershëm së bashku me shëlbimin tuaj. 30 Merr guxim, Jerusalem, do të të ngushëllojë Ai që të dha emrin. 31 Të mjerët ata që të kanë dëmtuar, që iu gëzuan rënies sate! 32 Mjerë qytetet ku shërbyen bijtë e tu, mjerë qyteti që i priti bijtë e tu! 33 Siç iu gëzua rrënimit tënd, siç u kënaq për rënien tënde, ashtu do të pësojë në rroposje të vet. 34 Do t’i heq gëzimin e qytetit të populluar, hareja në vaj do të kthehet. 35 Do ta pushtojë prej të Amshueshmit zjarri gjatë ditëve të shumta, do të banohet prej djajsh për kohë të gjatë! 36 Jerusalem, sytë silli kah lindja dhe shikoje kënaqësinë tënde që prej Hyjit mbi ty po vjen! 37 Ja se po vijnë bijtë e tu që ti i pe duke shkuar! Po vijnë të bashkuar prej ku lind e perëndon, me urdhrin e Shenjtit të gëzuar në lavdinë e Zotit! 5 1 Hiqe, Jerusalem, petkun e trishtimit e të mjerimit tënd e vishu me shkëlqim të lavdisë të nderit të përhershëm që po të vjen prej Hyjit! 2 Mbështillu me mantel të drejtësisë që vjen prej Hyjit, vëre në kokë kësulën e lavdisë së të Amshueshmit! 3 Sepse Hyji do t’ia dëftojë nderin tënd gjithkujt, gjithkund nën qiell. 4 Për amshim do ta qesë emrin: “Paqja e drejtësisë”, “Lavdia e hyjshërbimit!” 5 Ngrihu, Jerusalem, e qëndro në maje, shiko përreth në Lindje, shih si janë bashkuar bijtë e tu prej ku lind dielli e ku perëndon, në urdhrin e Shenjtit, plot gëzim për kujtimin e Hyjit! 6 Prej teje dolën në këmbë të dëbuar nga armiku, do t’i bjerë te ti Hyji të mbartur me nder porsi froni i mbretit, 7 sepse Hyji urdhëroi të rrafshohet çdo mal i lartë e qetë e thepisur, të mbushen luginat e të barazohen me tokën, që të kthehet Izraeli i sigurt nën lavdinë e Hyjit! 8 Me urdhër të Hyjit Izraelit hije do t’i bëjnë pyjet dhe të gjitha pemët e erëndshme. 9 Sepse Hyji me gëzim do t’i prijë Izraelit me dritën e lavdisë së vet, me mëshirë e me drejtësi që vijnë prej të Lumit V. LETRA E JEREMISË 6 Kopja e letrës së Jeremisë të dërguar skllevërve, të cilët së shpejti do t’i çonte mbreti i Babilonit në Babilon për t’i vënë në dijeni lidhur me porositë që kishte marrë si urdhër prej Hyjit. 1 Për shkak të mëkateve që keni bërë para Hyjit do të çoheni skllevër në Babiloni nga mbreti i babilonezëve, Nabukodonozori. 2 Si të keni hyrë në Babilon, do të qëndroni për shumë vjet e për një kohë të gjatë, deri në të shtatën brezni. E pas kësaj kohe do t’ju nxjerr prej andej në paqe. 3 Mirëpo, në Babilon do t’ju takojë të shihni zota të argjendtë, të artë e të drunjtë duke i mbartur në krah, të cilët u shtien tmerrin paganëve. 4 Kini, pra, kujdes që të mos bëheni porsi të huajt e t’ju kapë frika edhe ju prej tyre! 5 Kur ta shikoni turmën para e prapa si i adhuron, ju thoni në zemrën tuaj: ‘Vetëm Ty duhet të të adhurojmë, o Zot!’ 6 Sepse engjëlli im është me ju: ai do të kujdeset për jetën tuaj. 7 Në të vërtetë, gjuha e këtyre hyjnive ka qenë lëmuar nga mjeshtri. Mbi ta ka qenë vënë një veshje me ar e me argjend, por janë hyjni të rreme e nuk mund të flasin. 8 Dhe, siç bëhet me një vajzë mendjelehtë, marrin ar e punojnë 9 keza për kokat e zotave të vet. Por ndodh sa herë edhe që, priftërinjtë, marrë nga zotat ar e argjend, ta përvetësojnë 10 e prej tij t’ua japin lavireve të tarracave të lavirësisë. I stolisin me petka porsi njerëzit këta zota të argjendtë, të artë e të drunjtë, 11 por këta nuk janë të zotët të lirohen as nga ndryshku as nga tenja, 12 megjithëse të veshur me petk të purpurt. Ua fshijnë fytyrën nga pluhuri i tempullit që bie me shumicë mbi ta. 13 Njëri prej këtyre zotave mban në dorë skeptrin sikur të ishte qeveritar i një krahine, por s’është i zoti ta vrasë atë që e fyen. 14 Ka një tjetër në të djathtën e vet shpatën ose sakicën, por s’është i zoti ta shpëtojë veten nga lufta as nga vjedhësit. Këndej është e qartë se nuk janë zota: 15 prandaj aspak mos i kini frikë! Porsi një enë e thyer bëhet e pavlerë për njeriun, të tillë janë edhe zotat e tyre. 16 Të vendosur në tempull, sytë e tyre mbushen plot me pluhur prej këmbëve të atyre që hyjnë. 17 Sikurse për një njeri që ka fyer mbretin mbahet mirë i mbyllur vendi ku ruhet pse do të çohet në vdekje, kështu priftërinjtë i sigurojnë tempujt e tyre me dyer, me kyça e me shula, që të mos vidhen prej vjedhësve. 18 U ndezin edhe dritëza, madje më shumë se për vetvete, por ata asnjë prej tyre s’mund t’i shohin. 19 Janë porsi trau në shtëpi: zemrën e tyre e brejnë krimbat që dalin prej dheut; ndërsa i brejnë ata dhe ua brejnë veshjet, gjë s’ndiejnë! 20 Fytyrat u nxihen nga tymi që bëhet në tempull. 21 Mbi trupin e tyre e mbi koka të tyre fluturojnë kukavajkat, dallëndyshet e shpendët; gjithashtu edhe macet! 22 Këndej mund ta dini se nuk janë zota: pra, s’keni pse t’i druani! 23 E njëmend, ari me të cilin janë të veshur që të duken të bukur, nëse ndokush nuk e heq ndryshkun, nuk do të shkëlqejnë. Ata as s’kanë ndjerë gjë kur i kanë shkrirë! 24 I kanë blerë me çmim fort të lartë e pra s’kanë frymë jete. 25 Pasi këmbë nuk kanë, mbarten në shpinë prej njerëzve, kështu ia dëftojnë padenjësinë e vet njerëzve: i skuqin edhe besimtarët e vet, 26 sepse, nëse rrëzohen për tokë, prej tyre duhet të ngrihen. Kur i vënë në këmbë, ata vetë s’mund të luajnë vendit, as, nëse varen, nuk mund të ndreqen; u sjellin dhurata porsi të vdekurve. 27 Flitë që u kushtohen, priftërinjtë e tyre i shesin e nxjerrin fitesë. Gjithashtu edhe gratë e tyre e kripin një pjesë e nuk u ndajnë gjë skamnorëve e nevojtarëve. Gratë deri edhe në mujore dhe në përgim i prekin flitë e tyre! 28 Pra, duke e ditur prej këtyre se nuk janë zota, aspak mos i kini frikë! 29 Po njëmend, e si do të mund të quhen zota? Kur gratë u kushtojnë fli këtyre idhujve të argjendtë, të artë e të drunjtë; 30 në tempujt e tyre priftërinjtë rrinë me petka të shqyera, me kokë e mjekërr të rruar, me koka të zbuluara; 31 ulërijnë e bërtasin në praninë e tyre porsi në drekë të të vdekurit. 32 Priftërinjtë u heqin petkat e me to i veshin gratë dhe fëmijët e vet. 33 Nëse ndokush u bën ndonjë të zezë ose ndonjë të mirë, ata nuk janë në gjendje t’ua shpërblejnë. S’mund të bëjnë ndokënd mbret as s’mund ta rrëzojnë nga froni. 34 Gjithashtu nuk janë në gjendje t’i japin ndokujt pasuri ose para. Në qoftë se ndokush u bën ndonjë kusht, e nuk e çon në vend, s’janë të zotët t’ia kërkojnë. 35 Ata s’munden njeriun ta shpëtojnë nga vdekja as ta shpëtojnë të ligshtin prej më të fortit. 36 Të verbërit nuk mund t’ia kthejnë dritën e syve, njeriun në nevojë nuk mund ta ndihmojnë. 37 Për vejusha nuk kanë dhimbje e bonjakëve nuk u bëjnë mirë. 38 Të ngjashme janë me gurë të marrë nga mali këto hyjni të drunjta të praruara e të argjenduara; ata që i adhurojnë do të mbeten të turpëruar. 39 Si atëherë mund të çmohet ose të thuhet se janë zota? 40 Pastaj, deri edhe vetë kaldenjtë i poshtërojnë. Këta kur e shohin ndonjë të pagojë që s’mund të flasë, e çojnë te Beli e i kërkojnë atij që ta bëjë të flasë, 41 a thua se ai mund t’i dëgjojë. Megjithatë, edhe pse e kuptojnë se s’janë gjë, nuk mund t’i lënë, sepse u mungon gjykimi i shëndoshë! 42 Gratë të ngjeshura me teje rrinë pranë udhëve e djegin krunde; 43 kur ndonjë prej tyre, merret prej ndonjë kalimtari e pasi të ketë fjetur me të, e vë në lojë të afërmen e vet, pse ajo nuk qe çmuar e denjë si ajo e që nuk iu këput teja si asaj! 44 Gjithçka, pra, lidhur me këto hyjni, është gënjeshtër. Si atëherë mund të çmohet e të thuhet se janë zota? 45 Të punuar nga mjeshtrit e arpunuesit, ata s’janë asgjë tjetër, por vetëm çfarë mjeshtrit deshën të jenë. 46 E vetë këta që i punojnë, s’e kanë jetën e gjatë; a thua mund të jenë zota ata që prej tyre u punuan? 47 Pasardhësve të vet ata u lënë gënjeshtra e turp. 48 E njëmend, kur u vjen ndonjë luftë ose ndonjë fatkeqësi, priftërinjtë këshillohen mes tyre ku të fshihen bashkë me këta zota! 49 Po si atëherë nuk mund të kuptohet se s’kanë si të jenë zota ata që s’mund ta shpëtojnë veten as prej luftës as prej fatkeqësisë? 50 Vërtet, pasi janë të drunjtë, të praruar e të argjenduar, atëherë merret vesh se s’janë tjetër por gënjeshtër; për të gjithë popujt e mbretërit do të jetë e qartë se nuk janë zota, veçse vepër e duarve të njerëzve dhe s’kanë në vetvete asnjë cilësi hyjnore. 51 Kush atëherë nuk e di se nuk janë zota?! 52 Sepse ata, s’mund t’i vënë mbretin ndonjë krahine as s’mund t’u falin njerëzve shiun; 53 s’janë të zotët t’i gjykojnë çështjet e veta as ta çlirojnë të nëpërkëmburin nga ndrydhësi, sepse s’kanë kurrfarë pushteti më shumë se sorrat ndërmjet qiellit e tokës! 54 E njëmend, nëse në tempull të zotave të drunjtë të praruar e të argjenduar ndizet zjarri, priftërinjtë e tyre do të ikin e do të shpëtojnë, kurse ata do të digjen në mes të tij porsi trarët. 55 S’janë të zotët ta përballojnë mbretin as armiqtë. Si atëherë mund të çmohet ose të pranohet se janë zota?! 56 Këta zota të drunjtë, të praruar e të argjenduar s’mund t’u shpëtojnë as vjedhësve as bracave: 57 këta janë më të fortë se zotat, sepse ua marrin arin, argjendin dhe veshjet me të cilat janë të mbuluar, e shkojnë e zotat s’janë të zotët t’i ndihmojnë vetvetes! 58 Prandaj më i mirë është mbreti që e dëfton trimërinë e vet ose një enë e dobishme në shtëpi që mund ta përdorë ai që e ka, se hyjnitë e rreme; ose edhe një derë në shtëpi, që i ruan ata që janë në të, se hyjnitë e rreme; ose edhe një shtyllë e drunjtë në pallat se hyjnitë e rreme. 59 E njëmend, dielli e hëna e yjet që ndriçojnë dhe kanë për detyrë të shërbejnë, dëftohen të dëgjueshme; 60 kështu edhe vetëtima, kur dëftohet, shihet mirë; po në të njëjtën mënyrë edhe erërat fryejnë në çdo krahinë; 61 edhe retë, kur u urdhërohet prej Hyjit ta përshkojnë mbarë gjithësinë, kryejnë çka u qe urdhëruar; 62 edhe zjarri, i dërguar prej së larti, për t’i përpirë malet e pyjet, bën çfarë i qe urdhëruar: këta zota as për kah bukuria as për kah fuqia nuk mund të krahasohen me ndonjërën prej tyre. 63 Këndej as s’ka si çmohet as s’ka si të thuhet se këta janë zota, kur s’janë të zotët as të gjykojnë as t’u bëjnë njerëzve ndonjë të mirë. 64 Pasi, pra, e dini se s’janë zota, aspak mos i druani! 65 Ata mbretërit as nuk i mallkojnë as nuk i bekojnë. 66 Në qiell popujve nuk u dëftojnë shenja, as nuk shndrisin si dielli as nuk ndriçojnë si hëna. 67 Kafshët janë më të mira se ata, sepse janë të zonjat të ikin e të strehohen e t’i ndihmojnë vetvetes. 68 Kështu, pra, në asnjë mënyrë nuk na është e qartë se janë zota: prandaj aspak mos i kini frikë! 69 Vërtet, porsi dordoleci në bastanore që s’mbron asgjë, të tilla janë edhe hyjnitë e tyre të drunjta, të praruara e të argjenduara. 70 Gjithashtu: zotat e tyre të drunjtë, të praruar, të argjenduar i ngjajnë murrizit në kopsht mbi të cilin pushon çdo zog; janë të ngjashëm me të vdekurin e hedhur në errësirë. 71 Nga purpura dhe liri i përpunuar, që mbi ta i bren tenja, do ta kuptoni se nuk janë zota. Në fund edhe ata vetë do të prishen dhe do të bëhen turpi i vendit. 72 Më i mirë është, pra, njeriu i drejtë që nuk ka idhuj, sepse ai i shpëton çnderimit.