Habakuku: 1. Ankimi i parë i profetit: cënimi i drejtësisë

1

1 Profecia që e pa profeti Habakuk.

I. DIALOGU NDËRMJET PROFETIT E HYJIT

Ankimi i parë i profetit: cënimi i drejtësisë

2 Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot,

e ti nuk do të dëgjosh?

“Dhunë”! ‑ do të klith kah ti,

e ti nuk do të më shpëtosh?

3 Pse ma qet para ta shikoj prapësinë

e ti vetëm e kundron mbrapshtinë?

Para meje është shkretim e dhunë,

bëhet rragatje e peshë çohet grindja!

4 Ja, pse s’ka fuqi më Ligji

e gjyqi s’ia del qëllimit!

Pse i pashpirti ngadhënjen mbi të drejtin,

këndej gjyqi del i shtrembëruar!

Profecia e parë. Kaldenjtë frushkulli i Hyjit

5 “Shikoni në popuj e vrojtoni,

çudituni e mrekullohuni,

sepse po e bëj një punë në ditët tuaja

që, po të tregohej, kush s’do ta besonte.

6 Ja, në këmbë po bëj të çohen kaldenjtë,

popull idhnak edhe i prapët,

që e përshkon anë e kënd vendin

për të bërë të vetat banesat jo të tijat.

7 I përfrigueshëm është edhe i tmerrshëm,

e drejta e nderi për të është forca!

8 Kuajt e tij më të shpejtë se leopardi,

më të egjër se ujqërit e malit,

ngarendin kalorësit e tij,

balozat i vijnë prej së largu,

fluturojnë porsi shqiponja

që flakë lëshohet për të ngrënë prenë!

9 Të gjithë vijnë për të bërë dhunime,

erë përcëlluese fytyra e tyre,

porsi rërë grumbullojnë robër.

10 Ky popull i përqesh mbretërit,

qeveritarët në gaz i vë,

lojë për të është çdo fortesë,

dhe afron dhe e pushton!

11 Kthen si era e pastaj vazhdon:

për të Hyj është forca e tij!

Ankimi i dytë: tagrambledhjet e shtypësit

12 Pse, a s’je, o Zot, që prejfillimit

Hyji im, Shenjti im

që nuk vdes kurrë?

E caktove, o Zot, që të ushtrojë të drejtën,

Shkëmbi im, e themelove për të ndëshkuar!

13 Ti, që sytë i ke aq të pastër

sa që s’mund ta shikojnë të keqen,

paudhësinë s’mund ta kundrosh,

pse i shikon të mbrapshtët dhe hesht

kur i keqi e përpin më të drejtin?

14 I bëre njerëzit si peshq deti,

zvarranikë që zot nuk kanë mbi vete.

15 Të gjithë i gjuan kaldeu me grep.

të gjithë i nxjerr jashta me rrjetë,

i bashkon në kariq të vet:

për këtë gjë gëzon e galdon!

16 Këndej edhe rrjetës i kushton fli,

kariqit të vet kem i djeg,

sepse i sjellin kafshatë të majme,

ushqim të shijshëm!

17 A për këtë, thua, do të nxjerrë shpatën

për të prerë popuj pa pikë mëshire?!

Habakuku: 2. i drejti do të jetojë në sajë të fesë së vet

2

1 Do të qëndroj në rojën time,

do të ngjitem në majë të vrojtores,

do të vëzhgoj të shoh çfarë do të më thotë,

ç’do të më përgjigjet në ankimin tim.

2 Zoti atëherë m’u përgjigj e më tha:

“Shkruaje vegimin,

gdhende përmbi rrasëza

që lexuesi ta lexojë rrjedhshëm.

3 Është vegim për kohë të caktuar,

kah përmbushja shkon, nuk gënjen;

nëse vonon, prite me shpresë,

se do të vijë e s’do të vonojë!

4 Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt:

në sajë të fesë së vet jeton i drejti!

II. MALLKIMET KUNDËR SHTYPËSIT

Hyrje

5 Vërtet kamja e gënjen krenarinë

e në skaj ai kurrë s’ia del.

Fytin e vet si ferri e hap

e, si vdekja, që kurrë s’ngopet,

i bën të vetat të gjitha kombet,

i përmbledh të gjitha fiset.

6 Porse këta, a thua, të gjithë së bashku

s’do ta vënë në bisht të lahutës,

s’do ta bëjnë, vallë, përrallë për qesëndi?

E do t’i thonë:

Pesë nëmat I

“Mjerë kush mbledh çka s’është e tija

‑ deri kur? ‑

që ngarkon pengje mbi vete”!

7 Vallë, s’do të ngrihen, thua, papritmas

për të të ngrënë?

S’do të mëkojnë ata që të tundin

e s’do të bëhesh preja e tyre?!

8 Pasi ti plaçkite popuj shumë,

kush të mbesë prej popujve ty do të plaçkisë,

për gjak njerëzish e shtypje të vendit

të qyteteve e të banorëve të tyre!

II

9 Mjerë kush nxjerr fitim të padrejtë

për të zezën e shtëpisë së vet

që të endë lart çerdhen e vet,

për të shpëtuar nga mjerimi!

10 Sendërgjove turpin e shtëpisë sate

shumë popuj duke shkallmuar

e mëkatove kundër shpirtit tënd!

11 Sepse guri prej murit do të thërrasë,

prej pullazit do t’i përgjigjet trau!

III

12 Mjerë kush në gjak ndërton qytetin,

mbi fajësi e ngre kështjellën!

13 Pse a s’është kjo prej Zotit të Ushtrive

që popujt për zjarr të punojnë,

për asgjë të mundohen kombet?

14 Vërtet toka do të mbushet plot

me të njohurit e lavdisë së Zotit

si ujërat që e mbulojnë detin!

IV

15 Mjerë kush pijen i jep mikut të vet,

i qet helm edhe e deh

për t’ia parë lakuriqësinë!

16 Në vend të nderit do të të mbulojë turpi!

Pi, pra, ti, e zhveshu vetë!

Mbi ty do të bjerë kupa e së djathtës së Zotit,

nderin do ta mbulojë çnderimi!

17 Do të të kaplojë shkretimi i Libanit,

do të të tmerrojë mjerimi i kafshëve,

për gjak njerëzish e shtypje të vendit,

të qyteteve e të banorëve të tyre!

18 Ç’vlerë mund të ketë idhulli i gdhendur

që e thadroi mjeshtri i tij,

idhulli i shkrirë e profecia e rreme?

Shpresoi mjeshtri në mjeshtri të vet

dhe punoi idhuj të pagojë!

V

19 Mjerë ai që i thotë drurit: “Zgjohu”!

gurit të pagojë: “Çohu nga gjumi!”,

a thua i tilli mund të mësojë?

Vërtet i veshur është me ar e argjend!

por kurrfarë fryme jetëdhënëse në të s’ka!

20 Kurse Zoti është në Tempullin e vet të shenjtë:

le të heshtë para tij mbarë toka!

Habakuku: 3. Hyrje. Përlutje

3

1 Lutja e profetit Habakuk. Me

melodinë e ankimeve.

Hyrje. Përlutje

2 Dëgjova, o Zot ç’thuhet për ty,

tmerr, o Zot, më ngjall vepra jote!

Përsërite në ditët tona,

në ditët tona nxirre në pah!

Kur të zemërohesh,

mos harro i mëshirshëm të jesh!

Teofania. Ardhja e Zotit

3 Prej Temanit do të vijë Hyji,

Shenjti prej malit Paran.

Madhëria e tij e mbulon qiellin,

plot është toka me Lavdinë e tij!

4 Shkëlqimi i tij është porsi drita,

lëshojnë rreze duart e tija:

aty fshihet fuqia e tij!

5 Ecën vdekja para tij,

gjurmët e tija i ndjek murtaja!

6 Kur i Amshueshmi për rrugë niset,

në këmbë ngrihet, shikimin lëshon,

toka trandet, kodrat përkulen

e popujt poshtë bien!

7 I pashë ngushtë çadrat e Kushanit,

dridhen tendat e dheut të Madianit!

Luftimi i Zotit

8 Pse, a në lumenj u hidhërove, o Zot?

Zemërimi yt kundër lumenjsh,

zemërimi yt, thua, kundër detit,

që po hipën mbi kuajt e tu,

mbi karrocat e tua ngadhënjyese?

9 Vrik e nxore harkun tënd,

me shigjeta mbush kukurrën tënde! ‑ Pauzë

Me lumenj tokën e ndan,

10 të panë malet e i kapën dhimbjet!

Derdhin retë shi me stuhi,

humnera lëshoi vigmën e vet

e lart i ngriti duart e veta.

11 Diell e hënë në banesë të vet ndryhen,

strukën prej dritës së shigjetave të tua,

prej shkëlqimit të heshtës sate vetëtuese!

12 Idhshëm tokës pash më pash i bie,

me furi kombet i shtyp.

13 Dole popullin tënd të shpëtosh,

ta shpëtosh të shuguruarin tënd.

Kulmin e shtëpisë ia shembe të patenzonit,

deri në shkëmb ia zbulove themelet.

Pauzë

14 Me heshtë ia shpove prijësin e ushtrisë

që si stuhi erdhi të më shfarosë

e kënaqeshin sikurse ai

që e përpin fshehtas skamnorin.

15 Kuajve të tu nëpër det ua hape udhën

nëpër baltë të ujërave të mëdha.

Përfundimi: frikë njerëzore e besim

në Hyjin

16 Dëgjova e m’u dridh zemra,

në atë zë m’u dridhën buzët.

Kalbësira në eshtra më përshkohet,

Dhe mua më dridhen këmbët.

Do të pushoj kur dita e zezë

t’i vijë popullit që më pushton!

17 Fiku më nuk do të lulëzojë,

fryt në hardhi më nuk do të ketë,

nuk do të japë fruta ulliri,

nuk do të japin ushqim arat,

zbrazët do të mbesë vatha pa dele,

në katua gjedhi nuk do të pëllasë!

18 Kurse unë do të gëzoj në Tenzonë,

do të gëzoj në Hyjin, Shëlbuesin tim!

19 Zoti Hyj është forca ime,

do të m’i bëjë këmbët si të kaprollit

e do të më çojë në malet e larta!

Për mjeshtrin e korit. Përcjellja: vegla muzikore me kordha.