Mateu: 1. Breznitë e Jezu Krishtit si njeri

1

1 Breznitë e Jezu Krishtit, të birit të Davidit,

të birit të Abrahamit.

2 Abrahamit i lindi Izaku.

Izakut i lindi Jakobi.

Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij.

3 Judës i lindi prej Tamarës Faresi dhe Zara.

Faresit i lindi Esromi.

Esromit i lindi Arami.

4 Aramit i lindi Aminadabi.

Aminadabit i lindi Naasoni.

Naasonit i lindi Salmoni.

5 Salmonit i lindi prej Rahabës Boozi.

Boozit i lindi prej Rutës Jobedi.

Jobedit i lindi Jeseu.

6 Jeseut i lindi Davidi mbret.

Davidit i lindi prej ish‑gruas së Urisë Salomoni.

7 Salomonit i lindi Roboami.

Roboamit i lindi Abiai.

Abiait i lindi Asafi.

8 Asafit i lindi Jozafati.

Jozafatit i lindi Jorami.

Joramit i lindi Ozia.

9 Ozisë i lindi Joatami.

Joatamit i lindi Akazi.

Akazit i lindi Ezekia.

10 Ezekisë i lindi Manaseu.

Manaseut i lindi Amosi.

Amosit i lindi Jozia.

11 Jozisë i lindi Jehonia dhe vëllezërit e tij në kohën e shpërnguljes në Babiloni.

12 Pas shpërnguljes në Babiloni,

Jehonisë i lindi Salatieli.

Salatielit i lindi Zorobabeli.

13 Zorobabelit i lindi Abiudi.

Abiudit i lindi Eliakimi.

Eliakimit i lindi Azori.

14 Azorit i lindi Sadoku.

Sadokut i lindi Akimi.

Akimit i lindi Eliudi.

15 Eliudit i lindi Eleazari.

Eleazarit i lindi Matani.

Matanit i lindi Jakobi.

16 Jakobit i lindi Jozefi, fati i Marisë,

prej së cilës lindi Jezusi që quhet Krisht.

17 Gjithsej, pra, katërmbëdhjetë brezni prej Abrahamit deri te Davidi; prej Davidit deri në shpërnguljen në Babiloni katërmbëdhjetë brezni; e prej shpërnguljes në Babiloni deri te Krishti katërmbëdhjetë brezni.

Lindja e Jezu Krishtit

(Lk 2, 1 ‑ 7)

18 Lindja e Jezu Krishtit ndodhi kështu:

Maria, nëna e tij, pasi u fejua me Jozefin, para se të banonin së bashku, u gjend shtatzënë për virtyt të Shpirtit Shenjt.

19 Tashti Jozefi, i fejuari i saj, pasi ishte njeri i drejtë e nuk donte ta çnderonte botërisht, mendoi ta linte fshehtazi. 20 Posa në mendjen e vet vendosi të bëjë kështu, ja, iu duk në ëndërr engjëlli i Zotit dhe i tha: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. 21 Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.” 22 E gjithë kjo ndodhi që të shkonte në vend fjala e Zotit e thënë nëpërmjet profetit:

23 “Ja, Virgjëra do të mbesë shtatzënë e do të lindë një djalë,

të cilit do t’ia ngjesin emrin Emanuel ‑

që do të thotë: Hyji me ne!

24 Jozefi, si u zgjua nga gjumi, bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet. 25 E, pa pasur marrëdhënie martesore me të, ajo lindi djalin, të cilit ia ngjiti emrin Jezus.

Mateu: 2. Vizita e Dijetarëve

2

1 Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, 2 e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”

3 Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. 4 I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Mesia. Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti:

6 “E ti, o Betlehem tokë e Judës,

ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi

ndër qytetet princërore të Judës,

sepse prej teje do të dalë prijësi,

që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”

7 Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej tyre rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: 8 “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe vetë e t’i shpreh nderimet e mia.”

9 Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa zuri vend aty ku ishte fëmija. 10 Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. 11 E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrnë. 12 Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rruge tjetër në vendin e vet.

Ikja në Egjipt

13 Pasi u nisën Dijetarët, ja se, engjëlli i Zotit iu dëftua në ëndërr Jozefit e i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e ik në Egjipt. Rri atje derisa të them unë, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë.” 14 Ky u çua, natën e mori fëmijën dhe të ëmën e tij e shkoi në Egjipt. 15 Banoi atje derisa vdiq Herodi që të plotësohej fjala e Zotit e thënë me gojë të profetit: “Nga Egjipti e thirra Birin tim.”

Vrasja e fëmijëve të pafajshëm

16 Atëherë Herodi, kur pa se e mashtruan Dijetarët, u zemërua së tepërmi dhe urdhëroi të vriteshin të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Betlehem dhe në mbarë rrethinën e tij dy vjeç e poshtë ‑ sipas kohës që me kujdes e mori vesh nga Dijetarët.

17 Atëherë u plotësua fjala e Jeremisë profet:

18 “U dëgjua një klithmë në Ramë

‑ vaj e gjëmë e madhe:

vajton Rakela fëmijët e vet

e nuk do të pajtohet ‑ sepse nuk i ka më!”

Kthimi nga Egjipti

19 Kur vdiq Herodi, engjëlli i Zotit iu duk në ëndërr Jozefit në Egjipt 20 dhe i tha: “Çohu, merre fëmijën dhe të ëmën e tij e shko në dhe të Izraelit, sepse vdiqën ata që kërkonin t’ia merrnin jetën djalit.”

21 Atëherë ai u çua, mori fëmijën e të ëmën e tij dhe shkoi në dhe të Izraelit. 22 Por, si mori vesh se në Jude mbretëronte Arkelau në vend të Herodit, të atit, pati frikë të shkojë atje; dhe i mësuar në ëndërr prej Hyjit, shkoi në krahinën e Galilesë. 23 Si arriti atje, zuri vend në një qytet që quhet Nazaret, për t’u plotësuar fjala që thanë profetët: Do të quhet Nazarenas.

Mateu: 3. Predikimi i Gjon Pagëzuesit

3

1 Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretëtirën e Judesë 2 e thoshte: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!”

3 Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha:

Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë:

përgatitni udhën e Zotit,

rrafshoni shtigjet e tij!

4 Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijëve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. 5 Asohere vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit. 6 E pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan.

7 Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: “Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? 8 Bëni, pra, vepra të denja kthimi! 9 As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: ‘Kemi atë Abrahamin!’ sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve! 10 Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr.

11 Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalet: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarrr. 12 Ai e ka në dorën e vet terplotën e do ta pastrojë lëmin e vet; grurin e vet do ta mbledhë në grunar, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.”

Pagëzimi i Jezusit

(Mk 1, 9‑11; Lk 3, 21‑22)

13 Atëherë erdhi Jezusi prej Galilesë në Jordan te Gjoni për t’u pagëzuar prej tij. 14 Gjoni donte t’i kundërshtonte e i thoshte: “Mua më duhet të pagëzohem prej teje, e ti po vjen tek unë?” 15 Por Jezusi iu përgjigj: “Lëre tani! Sepse kështu na ka hije të kryejmë çdo gjë që përkon me vullnetin e Hyjit.”

Atëherë e lejoi.

16 Menjëherë pas pagëzimit Jezusi doli nga uji. Dhe, ja! Iu hapën qiejt dhe e pa Shpirtin e Hyjit duke zbritur porsi pëllumb e duke ardhur mbi të. 17 Dhe, ja, një zë që vinte nga qielli, tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër!”

Mateu: 4. Jezusin e tundon djalli

4

1 Atëherë Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkretëtirë që ta tundojë djalli. 2 Dhe, pasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund u urit. 3 Atëherë iu afrua tunduesi dhe i tha:

“Nëse je Biri i Hyjit, urdhëro që këta gurë të shndërrohen në bukë!”

4 Por Jezusi iu përgjigj: “Shkrimi i shenjtë thotë:

Njeriu nuk jeton vetëm prej buke,

por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit. ’“

5 Atëherë djalli e mori dhe e çoi në Qytetin e shenjtë, e vuri në majë të Tempullit 6 dhe i tha:

“Nëse je Biri i Hyjit, hidhu poshtë, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Për ty Hyji do t’i urdhërojë engjëjt e vet,

dhe ata do të të mbajnë para duarsh, që këmba jote të mos vritet në ndonjë gur!”

7 Jezusi iu përgjigj:

“Porse Shkrimi i shenjtë thotë edhe:

Mos e sprovo Zotin, Hyjin tënd!

8 Djalli e çoi sërish në një mal shumë të lartë, ia dëftoi të gjitha mbretëritë e kësaj bote dhe madhërinë e tyre 9 e i tha:

“Të gjitha këto do të t’i jap nëse bie përmbys para meje e më adhuron”.

10 “Atëherë Jezusi tha:

“Ik, o djall, sepse Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Adhuroje Zotin, Hyjin tënd,

dhe shërbeji vetëm Atij!’

11 Atëherë djalli e la dhe, ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.

Jezusi e fillon veprimtarinë e vet në Galile

(Mk. 1, 14‑15; Lk 4, 14‑15)

12 Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. 13 E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit, 14 që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet:

15 “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit,

në drejtim të detit, përtej Jordanit,

Galileja pagane,

16 populli që gjendej në errësirë,

pa një dritë të madhe;

atyre që banonin në krahinën e hijes

së vdekjes u lindi drita.”

17 Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!”

Jezusi bën nxënës të vet katër peshkatarë

(Mk 1, 16‑20; Lk 5, 1‑11)

18 Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. 19 E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!”

20 Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij.

21 Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllëzër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. 22 Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij.

Jezusi mëson dhe shëron

(Lk 6, 17‑19)

23 Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo pamundësi.

24 E u hap zëri për të anembanë Sirisë; i sillnin tek ai të gjithë ata që i mundonte ndonjë e keqe prej sëmundjesh e ndeshtrashash të larmishme ‑ të djallosur, epileptikë, të shituar; dhe i shëronte. 25 E pas tij shkonte një mori e madhe njerëzish prej Galilesë, prej Dekapolit, prej Jerusalemit, prej Judesë dhe prej krahinës përtej Jordanit.

Mateu: 5. Lumturitë

5

1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

Lumturitë

(Lk 6, 20‑23)

3 “Lum skamnorët në shpirt

sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

4 Lum ata që qajnë

sepse do të ngushëllohen!

5 Lum ata që janë të butë

sepse do ta trashëgojnë tokën!

6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi

sepse do të ngihen!

7 Lum të mëshirshmit

sepse do të gjejnë mëshirë!

8 Lum ata që janë të pastër në zemër

sepse do ta shohin Hyjin.

9 Lum pajtuesit

sepse do të quhen bijtë e Hyjit.

10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon

sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.

11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

Kripa e tokës e drita e botës

(Mk 9, 50; Lk 14, 34‑35)

13 “Ju jeni kripa e tokës. Po qe se kripa prishet, me çka mund të kripet? S’vlen më për asgjë, përveçse të hidhet jashtë e ta shkelin njerëzit.

14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur në majë të malit. 15 As nuk ndizet dritëza për ta vënë nën magje, por për ta vënë mbi pishtar për t’u bërë dritë të gjithëve në shtëpi. 16 Ashtu të shndrisë edhe drita juaj para njerëzve, që t’i shohin veprat tuaja të mira e ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiell.”

Qëndrimi i Jezusit ndaj Besëlidhjes së Vjetër

17 “Mos t’ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s’erdha të shlyej, por të përkryej. 18 Për të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë germë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit, por do të zbatohen të gjitha.

19 Prandaj, kushdo që do ta shlyejë njërin ndër këta urdhra, qoftë edhe më të voglin, dhe do t’i mësojë njerëzit të bëjnë ashtu, do të jetë më i vogli në Mbretërinë e qiellit; ndërsa ai që do t’i mbajë dhe do t’i mësojë, do të jetë i madh në Mbretërinë e qiellit.

20 Sepse, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e skribëve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit.”

Zemërimi

21 “Keni dëgjuar se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos vra!’ Kush vret do të jetë përgjegjës para gjyqit.

22 E unë po ju them: Kushdo zemërohet kundër vëllait të vet, do të jetë përgjegjës para gjyqit; e kush t’i thotë vëllait të vet: ‘Budalla’, do të jetë përgjegjës para Sinedrit; kush t’i thotë: ‘I marrë’, do të përgjigjet në zjarrin e ferrit.

23 Pra, nëse e sjell dhuratën tënde për ta kushtuar në lter e aty të bie në mend se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre dhuratën tënde aty para lterit, shko e pajtohu më parë me vëllain tënd e pastaj eja e kushtoje dhuratën tënde!

25 Rregullohu shpejt me kundështarin tënd sa të jesh ende në udhëtim me të, që kundërshtari të mos të të dorëzojë te gjykatësi e ky te rojtari i gjyqit, që të mos të ndryejnë në burg. 26 Për të vërtetë po të them: s’do të dalësh prej andej para se ta paguash edhe paranë më të fundit.”

Mësimi mbi kurorëthyerjen

27 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Mos e the kurorën!’ 28 E unë po ju them: kushdo që me dëshirim e shikon një grua, në zemrën e vet e ka bërë fëlligështinë me të. 29 Nëse syri yt i djathtë të çon në mëkat, nxirre e flake larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët e tua, se i tërë trupi yt të hidhet në ferr. 30 E nëse dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje e hidhe larg teje! Është më mirë për ty të humbasësh një gjymtyrë se i tërë trupi yt të hidhet në ferr.”

Mësimi mbi divorcin

(Mt 19, 9; Mk 10, 11‑12; Lk 16, 18)

31 “Qe thënë edhe: ‘Kush e ndan gruan e vet, le t’ia japë letrën e ndarjes.’ 32 E unë po ju them: kushdo e ndan gruan e vet ‑ përveçse në rastin e fëlligështisë ‑ e bën atë të thyejë kurorën; e nëse ndokush martohet me gruan e ndarë, then kurorën.”

Mësimi mbi betimin

33 “Keni dëgjuar gjithashtu se u qe thënë të vjetërve: ‘Mos e the betimin, por zbato çka i ke premtuar Zotit me betim!’ 34 E unë po ju them: assesi mos u betoni; as me Qiell, sepse ai është froni i Hyjit, 35 as me Tokë, sepse ajo është shtroja e këmbëve të tij as me Jerusalem, sepse ai është qyteti i Mbretit të madh. 36 Mos bëj be as në kokën tënde, sepse nuk je i zoti as një fije floku ta bësh të bardhë ose të zezë. 37 Fjala juaj le të jetë: Po, po; jo, jo! Çkado që është më tepër se kaq, vjen prej Qoftëlargut.”

Mësimi mbi hakmarrjen

(Lk 6, 29‑30)

38 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Syrin për sy e dhëmbin për dhëmb’. 39 Unë po ju them: Mos u kacafytni me të keqin, por atij që të bie shuplakë faqes së djathtë, ktheja edhe të tjetrën. 40 Atij që do të të qesë në gjyq për të të marrë këmishën, jepja edhe pallton. 41 E nëse ndokush të shtrëngon të ecësh me të një milje, ti bëji dy; 42 atij që të lyp, jepi, e atij që të kërkon hua, mos ia kthe shpinën.”

Dashuria ndaj armiqve

(Lk 6, 27‑28, 32‑36)

43 “Keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd’ e urreje armikun tënd. 44 E unë po ju them: Duajini armiqtë tuaj, lutuni për ata që ju salvojnë, 45 për t’u bërë bijtë e Atit tuaj që është në qiell, sepse Ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët e të bjerë shi për të drejtët e për të padrejtët. 46 Sepse, po qe se i doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni? Pse a nuk bëjnë kaq edhe tagrambledhësit? 47 E nëse i përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë të njëjtën gjë edhe paganët?

48 Jini, pra të përkryer siç është i përkryer edhe Ati juaj që është në qiell!”

Mateu: 6. Mësimi mbi lëmoshën

6

1 “Ruajuni të mos i bëni veprat tuaja të mira në sy të njerëzve për t’u parë prej tyre! Përndryshe nuk do të keni farë shpërblimi te Ati juaj që është në qiell.

2 Prandaj, kur të ndash lëmoshë, mos i bjer borisë para vetes, siç bëjnë shtiracakët në sinagoga dhe në rrugë të madhe për t’u nderuar prej njerëzve. Për të vërtetë po ju them: u ndanë me atë shpërblim! 3 Ndërsa ti, kur të bësh lëmoshë, të mos dijë e majta çfarë bën e djathta, që lëmosha jote të jetë e fshehtë, 4 e Ati yt që sheh në fshehtësi, do ta shpërblejë.”

Mësimi mbi lutjen

(Lk 11, 2‑4)

5 “Kur të luteni, mos bëni si shtiracakët, të cilëve u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshe të rrugëve, që t’i shohin njerëzit. Përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 6 Ndërsa ti, kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle pas vetes derën e lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.

7 E kur të luteni, mos e teproni me fjalë të kota porsi paganët: ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja nëse thonë shumë fjalë. 8 Mos bëni si ata, sepse Ati juaj e di mirë se për çka keni nevojë para se t’i luteni.

9 Prandaj lutuni kështu:

Ati ynë që je në qiell,

u shenjtëroftë Emri yt!

10 Ardhtë Mbretëria jote!

U bëftë vullneti yt

si në qiell ashtu në tokë!

11 Bukën tonë të përditshmen na e jep sot!

12 Na i fal fajet tona,

si i falim ne fajtorët tanë!

13 E mos na lër të biem në tundim,

por na shpëto nga i Keqi!

14 Vërtet, në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, edhe Ati juaj qiellor do t’jua falë juve; 15 por, nëse ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj qiellor nuk do t’jua falë juve gabimet tuaja.”

Mësimi mbi agjërimin

16 “Edhe kur të agjëroni, mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë: përnjëmend po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! 17 Ti, përkundrazi, kur të agjërosh, përeroje kokën tënde dhe laje fytyrën tënde, 18 që të mos e vënë re njerëzit se po agjëron, por Ati yt, që është në fshehtësi. Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.”

Thesari në qiell

(Lk 12, 33‑34)

19 “Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit birojnë muret e vjedhin! 20 Mblidhni për vete visare në qiell, ku s’brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure as nuk vjedhin. 21 Sepse, ku është thesari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.”

Drita e trupit

(Lk 11, 34‑36)

22 “Syri është dritëza e trupit. Në qoftë, pra, se syri yt është i shëndoshë, i tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. 23 Por në qoftë syri yt i sëmurë, i tërë trupi yt do të jetë i errët. Në qoftë, pra, se drita që është në ty është errësirë, sa terr i madh do të jetë!”

Hyji dhe mamona

(Lk 16, 13)

24 “Askush s’mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse: ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta duajë, ose do t’i mbështetet njërit e tjetrit do t’ia kthejë shpinën. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.”

Kujdesi i tepruar ndaj pasurisë dhe brengosja

(Lk 12, 22‑34)

25 “Prandaj po ju them: mos u brengosni për jetën tuaj se çka do të hani dhe çka do të pini, as për trupin tuaj se çka do të vishni: vallë a nuk është jeta më e vlefshme se ushqimi e trupi se petku? 26 Shikoni shpendët e qiellit! As nuk mbjellin, as nuk korrin, as nuk mbledhin në drithnikë, e Ati juaj qiellor i ushqen! A nuk jeni ju më të vlefshëm se ata? 27E kush prej jush, me gjithë përpjekjet shqetësuese që mund të bëjë, është i zoti ta zgjasë sado pak jetën e vet? 28 E për veshje, përse brengoseni aq? Shikoni si rriten lilat e fushës: nuk heqin keq as nuk tjerrin! 29 E unë po ju them: as vetë Salomoni me tërë madhërinë e vet nuk është veshur si njëri nga ata! 30 Tashti, nëse Hyji e vesh kështu barin e tokës, që sot është e nesër hidhet në furrë, vallë, a nuk do t’ju veshë më me ëndje ju, o fepakët? 31 Mos u brengosni, prandaj, duke thënë: ‘Çka do të hamë?’ e ‘Çka do të pimë?’ ‘Me çka do të vishemi?’ 32 ‑ këto gjëra i kërkojnë paganët ‑ sepse Ati juaj qiellor e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33 Kërkoni, pra, më së pari, Mbretërinë dhe drejtësinë e tij e të gjitha këto do t’ju jepen si shtesë! 34 Prandaj: mos u brengosni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i del mjaft mundimi i vet!”

Mateu: 7. Mos i gjykoni të tjerët

7

1 “Mos gjykoni, që të mos gjykoheni! 2 Sepse me çfarë gjykimi të gjykoni, me atë do të gjykoheni! E me atë masë që matni, me atë edhe juve do t’ju matet. 3 Pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd, kurse nuk e sheh traun në syrin tënd? 4 Dhe, si mund t’i thuash vëllait tënd: ‘Prit të ta nxjerr lëmishten nga syri yt’, ndërsa ke traun në syrin tënd? 5 Shtiracak, nxirre më parë traun nga syri yt, e pastaj do të shohësh ta nxjerrësh lëmishten nga syri i vëllait tënd.

6 Mos ua jepni qenve gjënë e shenjtëruar as mos i qitni para derrave margaritarët tuaj që, pasi t’i shkelin, të mos kthehen kundër jush e t’ju shqyejnë.”

Lyp, kërko, trokit

(Lk 11, 9‑13)

7 “Lypni e do t’ju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet! 8 Sepse, kush lyp, i jepet, kush kërkon gjen, e kush troket, i çelet. 9 Dhe, a gjendet njeri ndër ju, që po i lypi i biri bukë, i jep gur? 10 Ose, po i lypi peshk, i jep gjarpër? 11 Po ja, pra, nëse ju që jeni të këqij, dini t’u jepni gjëra të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj që është në qiell, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia lypin.

12 Gjithçka dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, bëjuani edhe ju atyre! Ja, vërtet Ligji e Profetët!”

Dera e ngushtë

(Lk 13, 24)

13 “Hyni nëpër derën e ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e gjerë rruga që çon në bjerrje e shumë janë nga ata që kalojnë nëpër të! 14 Sa e ngushtë është dera e sa e ngushtë është rruga që çon në jetë e janë pak nga ata që e gjejnë!”

Pema njihet prej fryteve të saj

(Lk 6, 43 ‑ 44)

15 “Ruajuni prej profetëve të rrejshëm, që vijnë tek ju e ju shtiren si dele, kurse përbrenda janë ujq grabitqarë. 16 Do t’i njihni prej fryteve të tyre. A thua vilet rrushi prej ferrave ose fiqtë prej murrizave?

17 Kështu çdo pemë e mirë, jep fryte të mira, kurse çdo pemë e keqe jep fryte të këqija. 18 Një pemë e mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një pemë e keqe nuk mund të japë fryte të mira. 19 Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr. 20 Kështu, pra, do t’i njihni profetët prej veprave të tyre.”

Unë nuk ju kam njohur kurrë

(Lk 13, 25‑27)

21 “Jo secili që më thotë: ‘O Zot, o Zot!’ do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, por ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell. 22 Shumë do të më thonë atë ditë: ‘O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në Emër tënd, a nuk i nxorëm shpirtrat e këqij në Emër tënd, a nuk bëmë shumë mrekulli në Emër tënd?’ 23 Atëherë unë do t’u them: Kurrë nuk ju kam njohur! Shporruni prej meje, o keqbërës!”

Dy themelet

(Lk 6, 49)

24 “Kështu, kushdo i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e urtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi shkëmb. 25 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat e u përplasën për atë shtëpi, por ajo nuk u rrëzua, sepse i kishte themelet në shkëmb. 26 Kurse, ai që i dëgjon të gjitha këto fjalë të mia e nuk i vë në veprim, mund të krahasohet me njeriun e marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet mbi rërë. 27 Ra shiu, u çuan përrenjtë, frynë erërat dhe u përplasën për atë shtëpi e ajo u rrëzua: rrënimi i saj qe i madh!”

28 Kur Jezusi i kreu këto fjalime, turma e popullit mbeti e habitur nga mësimi i tij, 29 sepse vërtet i mësonte si njeriu që ka autoritet, e jo si skribët e tyre.

Mateu: 8. Shërimi i të gërbulurit

8

1 Kur Jezusi zbriti nga mali, iu vu pas një turmë e madhe populli. 2 Dhe ja, një i gërbulur iu afrua, ra përmbys para tij e i tha: “O Zot, nëse ti do, mund të më shërosh.”

3 Atëherë Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua, shërohu!” Dhe përnjëherë u shërua gërbula e tij. 4 Jezusi i tha: “Ruaju se i tregon kujt! Por shko, paraqitu te prifti e kushtoje flinë që ka urdhëruar Moisiu, t’u vlejë atyre për dëshmi.”

Shërbimi i shërbëtorit të centurionit

(Lk 7, 1‑10; Gjn 4, 43‑54)

5 Kur Jezusi hyri në Kafarnaum, iu paraqit një centurion dhe iu lut:

6 “ Zotëri, shërbëtori im është i shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë.”

7 Jezusi i tha:

“Do të vij dhe do ta shëroj.”

8 Por centurioni iu përgjigj:

“O Zot, unë nuk jam i denjë të hysh nën pullazin tim, por vetëm jep urdhër e shërbëtori im do të shërohet. 9 Sepse, edhe unë që nuk jam tjetër, veçse një njeri i nënshtruar, kam nën urdhrin tim ushtarë dhe unë i them njërit: ‘Shko!’ dhe ai shkon e një tjetri: ‘Eja!’ dhe ai vjen, e shërbëtorit tim: ‘Bëje këtë!’ dhe ai e bën”

10 Jezusi, kur e dëgjoi, u mrekullua dhe u tha atyre që po i shkonin pas:

“Për të vërtetë po ju them: ende nuk e gjeta te asnjë njeri tjetër në Izrael një fe kaq të madhe! 11 Prandaj po ju them: shumë do të vijnë nga Lindja e nga Perëndimi e do të ulen në tryezë me Abrahamin, Izakun e Jakobin në Mbretërinë e qiellit, 12 ndërsa bijtë e Mbretërisë do të hidhen jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh.”

13 Atëherë i tha centurionit: “Shko e le të bëhet ashtu siç besove!”

Dhe shërbëtori i tij u shërua po në atë orë.

Shërimi i shumë të sëmurëve

(Mk 1, 29‑34; Lk 4, 38‑41)

14 Kur Jezusi shkoi në shtëpinë e Pjetrit, pa vjehrrën e Pjetrit të shtrirë me ethe. 15 Jezusi ia preku dorën, atë e lëshuan ethet, u çua dhe i shërbeu.

16 Kur u bë natë i sollën shumë të djallosur. Jezusi me fuqinë e fjalës i dëboi shpirtrat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët, 17 që kështu të plotësohej fjala e Isaisë profet që thotë:

“Ai i mori lëngatat tona e i mbarti sëmundjet tona”

Çka lypet për të qenë i krishterë i mirë

(Lk 9, 57‑62)

18 Jezusi, kur e pa turmën e njerëzve që po e rrethonte, dha urdhër të kalojnë në anën tjetër. 19 Ndërkaq u afrua një skrib e i tha:

“Mësues, do të vij pas teje ngado që të shkosh.”

20 Jezusi iu përgjigj:

“Dhelprat kanë strofuj e zogjtë e qiellit çerdhe, kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën.”

21 Një tjetër nga nxënësit e tij tha:

“Zotëri, më lejo të shkoj një herë e ta varros tim atë.”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Eja pas meje e lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet!”

Stuhia e fashitur

(Mk 4, 35‑41; Lk 8, 22‑25)

23 Si hyri në barkë, pas tij u nisën edhe nxënësit e tij. 24 Dhe ja, në det u çua një stuhi e madhe aq sa valët po e mbulonin barkën; e ai flinte.

25 Atëherë nxënësit iu afruan, e zgjuan dhe i thanë:

“Ndore tënde, o Zot, se u mbytëm!”

26 “Pse po frikësoheni, o fepakët?” ‑ u tha dhe atëherë u ngrit, u urdhëroi erërave dhe detit e u bë qetësi e madhe. 27 Njerëzit të habitur thoshin: “Kush është ky që po i nënshtrohen erërat dhe deti?”

Të djallosurit prej Gadarës

(Mk 5, 1‑20; Lk 8, 26‑39)

28 Sapo kaloi në bregun tjetër ‑ në krahinën e gadarenëve, dy të djallosur që dolën nga varret, i erdhën para. Ishin aq të rrezikshëm, sa që askush s’guxonte të kalonte asaj rruge. 29 Dhe ja, bërtitën:

“Çka do prej nesh, o Biri i Hyjit? A erdhe këtu të na mundosh para kohës?”

30 Jo larg tyre kulloste një tufë e madhe derrash. 31 Shpirtrat e këqij iu lutën Jezusit:

“Meqë po na dëbon, na ço në tufën e derrave!”

32 Ai u tha: “Shkoni!”

Ata dolën e hynë në derra. Dhe ja, mbarë tufa u lëshua me turr e prej greminës ra në det dhe u mbyt në ujë. 33 Barinjtë ikën, e si mbërritën në qytet, treguan gjithçka, veçanërisht për të djallosurit. 34 Dhe ja, mbarë qyteti i doli para Jezusit. Kur e panë, iu lutën të largohej prej krahinës së tyre.

Mateu: 9. Shërimi i të paralizuarit

9

1 Jezusi hipi në barkë, kaloi në anën tjetër dhe shkoi në qytetin e vet. 2 Dhe ja, ia sollën para një të paralizuar, të shtrirë në vig. Jezusi, kur e pa fenë e tyre, i tha të paralizuarit: “Guxim, biro! Të janë falur mëkatet!”

3 Dhe ja, disa prej skribëve menduan me vete:

“Ky po blasfemon!”

4 Jezusi, duke i ditur mendimet e tyre, tha:

“Pse mendoni keq në zemrat tuaja? 5 Çka është më lehtë të thuhet: ‘Të janë falur mëkatet’ apo të thuhet: ‘Ngrihu e ec!?’ 6 ‘Por që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet mbi tokë ‑ i tha atëherë të paralizuarit ‑ Çohu në këmbë, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!”

7 I paralizuari u ngrit e shkoi në shtëpi të vet.

8 Kur pa turma, e kapi frika e i dha lavd Hyjit që u dha njerëzve pushtet kaq të madh.

Thirrja e Mateut

(Mk 2, 13‑17; Lk 5, 27‑32)

9 Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: “Eja pas meje!” Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.

10 Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, ja se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij. 11 Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij:

“Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?”

12 Jezusi, kur i dëgjoi, u përgjigj:

“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve! 13 Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.”

Çështja e agjërimit

(Mk 2, 18‑22; Lk 5, 33‑39)

14 Atëherë iu afruan nxënësit e Gjonit e i thanë:

“Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, kurse nxënësit e tu nuk agjërojnë?”

15 Jezusi u përgjigj:

“A është e mundur të mbajnë zi dasmorët derisa të jetë me ta dhëndri? Por, do të vijë koha, kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin. Atëherë edhe ata do të agjërojnë.

16 Askush nuk vë arnë pëlhure të re në petk të vjetër, sepse arna e shtrin petkun dhe grisja bëhet më e madhe.

17 As nuk shtihet vera e re në rrëshiqa të vjetër: përndryshe rrëshiqat shpohen, vera derdhet edhe rrëshiqat shkojnë dëm. Vera e re hidhet në rrëshiqa të rinj e kështu ruhen të dy.

Ngjallja e vajzës së kryetarit dhe gruaja që preku kindin e petkut të Jezusit

(Mk 5, 21‑43; Lk 8, 40‑56)

18 Ndërsa Jezusi po ua mësonte këto, ja se iu afrua një kryetar, ra përmbys para tij dhe i tha: “Posa më vdiq vajza. Megjithatë eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të ngjallet.” 19 Jezusi u ngrit dhe bashkë me nxënësit e vet shkoi pas tij.

20 Dhe ja, një grua e cila vuante nga derdhja e gjakut prej dymbëdhjetë vjetësh, iu afrua pas shpine e ia preku kindin e petkut të tij, 21 sepse thoshte në vete: “Do të shërohem nëse ia prek qoftë edhe vetëm petkun e tij! “22 Jezusi u soll, e pa dhe i tha: “Ki besim, o bijë! Feja jote të shpëtoi!” Dhe gruaja u shërua në atë moment.

23 Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit, dhe si i pa ata që u binin fyejve dhe njerëzit që po bënin zhurmë, 24 u tha: “Largohuni se vajza nuk ka vdekur, por po fle.” Ata e përqeshën. 25 Dhe, pasi u qitën njerëzit përjashta, hyri Jezusi, e mori për dore vajzën dhe ajo u ngrit. 26 Lajmi i kësaj mrekullie u përhap anembanë asaj krahine.

Shërimi i dy të verbërve

27 Kur Jezusi u nis prej andej, shkonin pas tij dy të verbër duke bërtitur e thoshin: “Ki mëshirë për ne, Biri i Davidit!” 28 Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan e Jezusi u tha: “A besoni se mund ta bëj këtë gjë?” Ata iu përgjigjën: “Po, Zotëri!” 29 Atëherë ua preku sytë e tha: “U bëftë sipas besimit tuaj!” 30 Dhe atyre iu çelën sytë. Atëherë Jezusi i urdhëroi: “Kini kujdes! Askush të mos e dijë!” 31 Por ata, posa dolën, e përhapën zërin për të nëpër mbarë krahinën.

Shërimi i memecit të djallosur

32 Posa dolën këta, ja se i sollën një memec të djallosur. 33 Pasi e nxori djallin, memeci foli. Njerëzit të mrekulluar, thoshin: “Kurrë s’u pa një gjë e tillë në Izrael!” 34 Ndërsa farisenjtë thoshin: “Ai i nxjerr djajtë me fuqinë e kryetarit të djajve.”

Dhembshuria e Jezusit për popullin

35 Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë.

36 Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. 37 Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. 38 Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.”

Mateu: 10. Dymbëdhjetë apostujt

10

1 Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund të dëbonin shpirtrat e ndytë dhe të mund të shëronin çdo sëmundje e lëngatë.

2 Emrat e Dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, që quhet Pjetër e vëllai i tij Andreu; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, i vëllai; 3 Filipi dhe Bartolomeu; Toma e Mateu ‑ tagrambledhësi; Jakobi i Alfeut dhe Tadeu; 4 Simon Kananeu dhe Judë Iskarioti ‑ ai që e tradhtoi.

Dërgimi i të Dymbëdhjetëve

(Mk 6, 7‑13; Lk 9, 1‑6)

5 Pikërisht këta të Dymbëdhjetët Jezusi i dërgoi dhe i urdhëroi:

“Mos shkoni ndër paganë as mos hyni në asnjë qytet të samaritanëve! 6 Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7 Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’ 8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni! 9 Mos grumbulloni në brezat tuaj as ar, as argjend, as të holla bakri; 10 as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë për ushqimin e vet.

11 Në çdo qytet apo fshat që të hyni, pyetni a është aty ndonjë njeri i ndershëm e banoni tek ai derisa të shkoni më tej. 12 Kur të hyni në shtëpi, uroni paqe. 13 Nëse shtëpia është e ndershme, le të zbresë mbi të paqja juaj; po nuk qe e denjë, paqja juaj le të kthehet tek ju. 14 Por, po qe se ndokund nuk ju pranojnë ose nuk i dëgjojnë fjalët tuaja, dilni prej asaj shtëpie e prej atij qyteti dhe shkundni edhe pluhurin prej këmbëve tuaja. 15 Për të vërtetë po ju them: Ditën e Gjyqit do ta ketë më lehtë Sodoma e Gomorra se ai qytet.”

Salvimet e ardhshme

(Mk 13, 9‑13; Lk 21, 12‑17)

16 “Ja, unë po ju dërgoj porsi dele mes ujqish! Jini, prandaj të mençur porsi gjarpërinjtë dhe të thjeshtë porsi pëllumbat!

17 Ruajuni prej njerëzve: sepse do t’ju padisin në gjyqe, do t’ju frushkullojnë në sinagogat e tyre. 18 Për shkakun tim do t’ju qesin para sundimtarëve e mbretërve, që të dëshmoni para tyre dhe para paganëve. 19 E kur t’ju dorëzojnë, mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jepet çka duhet të thoni, 20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuaj do të flasë nëpërmjet jush.

21 Vëllai vëllanë dhe babai fëmijën do ta dorëzojë në vdekje; edhe fëmijët do të ngriten kundër prindërve të vet dhe do t’i vrasin. 22 Edhe ju do t’ju urrejnë të gjithë për shkak të Emrit tim, porse, kush të qëndrojë deri në fund, ai do të shëlbohet.

23 Kur t’ju salvojnë në njërin qytet, ikni në tjetrin! Përnjëmend, po ju them: nuk do t’i përshkoni qytetet e Izraelit para se të vijë Biri i njeriut.

24 Nuk është nxënësi më i madh se mësuesi as shërbëtori më i madh se zotëria i tij. 25 Mjaft është për nxënësin të bëhet si mësuesi i tij edhe për shërbëtorin si zotëria i tij. Në qoftë se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebul, aq më tepër do të thonë për familjarët e tij!”

Kë të druani

(Lk 12, 2‑7)

26 “Mos ua kini, pra, frikën! Sepse nuk ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehtë që s’do të dihet. 27 Çka ju them në errësirë, thuajeni në dritë, e çka dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni nga pullazet!

28 Mos i druani ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin. Kini frikë më tepër nga Ai, që mund t’jua humbë në ferr shpirtin edhe trupin.

29 A nuk shiten dy trumcakë për një aspër? E, megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa lejen e Atit tuaj. 30 E ju? Madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kresë suaj janë të numëruara! 31 Pra, mos druani! Ju vleni më tepër se shumë trumcakë!”

Për Krishtin ose kundër Krishtit

(Lk 12, 8‑9)

32 “Kushdo, pra, pranon para njerëzve se është imi, edhe unë do të pranoj para Atit tim që është në qiell, se jam i tij. 33 E atij që më bie mohit para njerëzve, edhe unë do t’i bie mohit para Atit tim qiellor.”

Jo paqen, por shpatën

(Lk 12, 51‑53; 14, 26‑27)

34 “Mos mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë. Nuk erdha të sjell paqen, po shpatën. 35 Sepse erdha të ndaj

djalin prej të atit,

vajzën prej s’ëmës,

të renë prej vjehrrës,

36 Njeriu do t’i ketë armiq familjarët e vet.

37 Kush e do të atin e të ëmën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua. Kush e do djalin apo vajzën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua! 38 Kush nuk e merr kryqin e vet e nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua! 39 Kush do ta ruajë jetën e vet, do ta humbë, e kush do ta bjerrë jetën e vet për shkakun tim, do ta rifitojë.”

Shpërblimi

(Mk, 9, 41)

40 “Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua. 41 Kush e pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush e pranon të drejtin, pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. 42 Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!”

Mateu: 11. Të dërguarit e Gjon Pagëzuesit

11

1 Kur Jezusi i kreu porositë që deshi t’ua japë dymbëdhjetë nxënësve të vet, u nis së andejmi për të mësuar e për të predikuar në qytetet e atjeshme.

Të dërguarit e Gjon Pagëzuesit

(Lk 7, 18‑35)

2 Tashti, kur Gjoni dëgjoi në burg për veprat e Krishtit, dërgoi nxënësit e vet 3 për ta pyetur:

“A je ti ‘Ai që do të vijë,’ apo duhet të presim një tjetër?”

4 Jezusi iu përgjigj:

“Shkoni e tregojini Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni: 5 Të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli. 6 I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!”

7 Kur shkuan ata Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin:

“Çka dolët të shihni në shkretëtirë? Kallamin që e luhat era? 8 Apo çka dolët të shihni? Njeriun që vishet me petka të bukura? Ja, ata që vishen me petka të bukura, ata banojnë në pallate mbretërore! 9 Po, pse atëherë dolët? Të shihni një profet? Po, po ju them: edhe më tepër se një profet, 10 sepse Gjoni është ai, për të cilin Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje

që ta bëjë gati udhën tënde para teje!’

11 Përnjëmend po ju them: nga ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi, megjithatë, më i vogli në Mbretërinë e qiellit, është më i madh se ai. 12 Që prej ditëve të Gjon Pagëzuesit e deri tani Mbretëria e qiellit po depërton me vështirësi e vetëm të fortët e shtijnë në dorë. 13 Vërtet të gjithë Profetët dhe vetë Ligji paralajmëruan deri te Gjoni. 14 Ai është ‑ nëse doni ta merrni vesh të vërtetën ‑ Elia, që duhej të vijë. 15 Kush i ka veshët për të dëgjuar, të dëgjojë!

16 Me kë ta krahasoj këtë brezni? U përngjet djaloshave që rrinë në sheshe e u thërrasin shokëve 17 e u thonë:

‘Ne u ramë për ju fyejve e ju nuk kërcyet;

bëmë gjëmë e ju nuk vajtuat!’

18 Erdhi Gjoni: ai s’ha as s’pi e thonë: ‘Është i djallosur! 19 Erdhi Biri i njeriut: ai ha e pi, e thonë: ‘Ja, grykësi e pijaneci! Miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve!’ Por dija përligjet nga veprat e veta!”

Kërcënimi qyteteve të Galilesë

(Lk 10, 13‑15)

20 Atëherë zuri t’i qortojë qytetet, në të cilat Jezusi kishte bërë shumë e shumë mrekulli, e ato nuk u kthyen.

21 “I mjeri ti, Korazin, e mjera ti, o Betsaidë! Sepse, sikur të ishin bërë në Tir e në Sidon të gjitha ato mrekulli që u bënë ndër ju, kaherë do të kishin bërë pendesë të veshur me thes pendese e të përhimë. 22 Prandaj po ju them: Tiri e Sidoni do ta kenë më lehtë se ju Ditën e Gjyqit!

23 E ti, o Kafarnaum,

a thua do të ngritesh deri në qiell?

Ti do të plandosesh deri në ferr!

Sepse, sikur të ishin bërë në Sodomë mrekullitë që u bënë në ty, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite! 24 Prandaj po ju them: treva e Sodomës do ta ketë më lehtë se ti ditën e Gjyqit!”

Jezusi premton paqen shpirtërore

(Lk 10, 21‑22)

25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha:

“Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,

që i fshehe këto gjëra nga të dijshmit e nga të urtët,

e ua zbulove të vegjëlve.

26 Mirë, o Atë, pse të pëlqeu ty kështu!

27 Ati më dorëzoi mua gjithçka

dhe askush s’mund ta njohë Birin përveç Atit,

dhe askush s’mund ta njoh Atin, përveç Birit

e përveç atij kujt Biri do që t’ia zbulojë.

28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, 30 sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.”

Mateu: 12. Kallinjtë e shkokëlitura të shtunën

12

1 Në atë kohë ‑ një të shtunë ‑ Jezusi kaloi nëpër të mbjella. Nxënësit e tij të uritur, filluan të këpusin kallinj e të hanë. 2 Kur i panë farisenjtë, i thanë:

“Ja, nxënësit e tu po bëjnë çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën!”

3 Jezusi u përgjigj:

“Vallë a nuk keni lexuar ç’bëri Davidi kur u urit ai dhe shoqëruesit e tij? 4 Si hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngrën bukët e kushtuara, që nuk ishte e lejueshme t’i hante as ai as shoqëruesit e tij, por vetëm priftërinjtë? 5 Apo nuk keni lexuar në Ligj se priftërinjtë e prishin të shtunën në Tempull në ditë të shtuna e nuk bëjnë mëkat? 6 E unë po ju them: është këtu diç më e madhe se Tempulli! 7 Ta kishit kuptuar se ç’do të thotë fjala: ‘Dua mëshirën e jo flinë’, nuk i kishit dënuar këta njerëz që s’po bëjnë faj. 8 Biri i njeriut është me të vërtetë i zoti i të shtunës!”

Njeriu me dorë të thatë

(Mk 3, 1‑6; Lk 6, 6‑11)

9 Jezusi u çua prej andej e shkoi në sinagogën e tyre. 10 Dhe, ja, aty ishte një njeri që e kishte dorën e thatë. E pyetën me qëllim që të mund ta paditnin:

“A është e lejueshme që ndokush të shërojë ditën e shtunë?”

11 Jezusi u përgjigj:

“A ka ndër ju njeri të tillë që, po i ra e vetmja dele që ka në gropë të shtunën, nuk shkon e nuk e nxjerr? 12 E njeriu sa është më i vlefshëm se delja? Prandaj, kush thotë se nuk është e lejueshme të bësh mirë të shtunën?”

13 Atëherë i tha njeriut: “Shtrije dorën tënde!”

Ai e shtriu dorën ‑ e dora iu bë shëndoshë si tjetra.

14 Farisenjtë, si dolën jashtë, mbajtën këshillim kundër tij si ta vrisnin.

Jezusi “Shërbëtori i Hyjit i zgjedhur”

15 Kur Jezusi e mori vesh, u largua prej andej. Pas tij shkuan shumë vetë dhe ai i shëroi të gjithë. 16 I urdhëroi që të mos e shpallnin, 17 për të shkuar në vend fjala e Isaisë profet:

18 “Ja shërbëtori im, të cilin e zgjodha,

i Dashuri im, që e ka për zemër shpirti im.

Në të do ta vë Shpirtin tim.

Ai do t’u lajmërojë paganëve fenë e vërtetë.

19 Nuk do të kërcënojë as nuk do të bërtasë,

askush s’do ta dëgjojë zërin e tij në sheshe.

20 As kallamin e shkelur s’do ta thyejë,

as fitilin që veçsa tymon nuk do ta ndalë

derisa ta ketë çuar të drejtën në fitore.

21 Në Emrin e tij do të shpresojnë popujt.”

Jezusi e Beelzebuli

(Mk 3, 20‑30; Lk 11, 14‑23; 12, 10)

22 Atëherë i sollën një të djallosur që ishte i verbër e memec. Jezusi e shëroi, kështu që memeci mundi të flasë e të shohë. 23 Mbarë populli mbeti i habitur e thoshte: “A mos është ky Biri i Davidit?” 24 Por farisenjtë, kur dëgjuan, thanë: “Ky nuk i dëbon djajtë vetë, por i ndihmon Beelzebuli, kryetari i djajve.” 25 Jezusi, duke i ditur mendimet e tyre, u tha:

“Çdo mbretëri, e ndarë në vetvete, do të mbarojë dhe, s’ka qytet as shtëpi, të ndarë në vetvete, që mund të qëndrojë. 26 Nëse, pra, djalli e dëbon djallin ai është i ndarë në vetvete. E si atëherë do të mund të qëndrojë mbretëria e tij? 27 Nëse unë po i nxjerrkam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj! 28 Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Shpirtit të Hyjit, do të thotë se arriti ndër ju Mbretëria e Hyjit.

29 Ose prapë: si mund të hyjë ndokush në shtëpinë e të fortit e t’ia rrëmbejë orenditë, në qoftë se më parë nuk e lidh të fortin? Vetëm atëherë mund t’ia plaçkisë shtëpinë.

30 Kush nuk është me mua, është kundër meje e kush nuk mbledh me mua, ai shkapërderdh.

31 Prandaj po ju them: çdo faj e blasfemi do t’u falet njerëzve, kurse blasfemia kundër Shpirtit Shenjt, nuk do të falet. 32 E nëse ndokush thotë ndonjë fjalë kundër Birit të njeriut, mund t’i falet faji, por nëse ndokush thotë ndonjë gjësend kundër Shpirtit Shenjt, nuk do t’i falet as në këtë botë as në botën e ardhshme.”

Pema njihet prej fryteve të saj

(Lk 6, 43‑45)

33 Për të pasur fryt të mirë, duhet ta keni pemën e mirë; në paçit pemë të keqe, ju do të keni fryte të këqija, sepse pema njihet prej frytit. 34 Gjarpërinj gjarpërinjsh! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç’ka zemra qet goja! 35 Njeriu i mirë, prej visarit të mirë, nxjerr gjëra të mira, njeriu i keq, prej visarit të keq nxjerr të këqija. 36 Unë po ju them: njerëzit do të përgjigjen në Ditën e Gjyqit për secilën fjalë të kotë që do ta kenë thënë: 37 Sepse, në saje të fjalëve të tua do të shfajësohesh ose në saje të fjalëve të tua do të dënohesh.

Të dijshmit kërkojnë një shenjë

(Mk 8, 11‑12; Lk 11, 29‑32)

38 Një herë disa skribë e disa farisenj morën fjalën e i thanë:

“Mësues, prej teje duam të shohim një shenjë.”

39 Ai u përgjigj:

“Breznia e prapë dhe lavire shenjë kërkon! Shenjë tjetër s’do t’i jepet përveç shenjës së Jonës profet! 40 Sikurse Jona qe në barkun e përbindëshit të detit tri ditë e tri net, ashtu edhe Biri i njeriut do të jetë në zemrën e tokës tri ditë e tri net. 41 Njerëzit e Ninivës do të ngrihen Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojnë, sepse ata u kthyen në predikimin e Jonës. E ja, këtu diç më shumë se Jona! 42 Mbretëresha e Jugut do të ngritet Ditën e Gjyqit bashkë me këtë brezni dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji i botës për të dëgjuar urtinë e Salomonit, dhe ja, diç këtu më shumë se Salomoni!”

Kthimi i djallit

(Lk 11, 24‑26)

43 “Kur qoftëlargu del nga njeriu, endet nëpër vende të shkretuara duke kërkuar pushim. Por nuk e gjen. 44 Atëherë thotë: ‘Po kthehem në shtëpinë time, prej së cilës dola. ’Kur arrin, e gjen shtëpinë të zbrazët, të fshirë e të rregulluar.

45 Atëherë shkon, merr me vete shtatë shpirtra më të këqij se vetë, hyjnë e vendosen aty. Kështu gjendja e fundit e këtij njeriu bëhet më e keqe se e para.

Kështu do t’i ndodhë edhe kësaj breznie të prapë.”

Familja e vërtetë e Jezusit

(Mk 3, 31‑35; Lk 8, 19‑21)

46 Ndërsa ai ende po i predikonte popullit, përjashta prisnin nëna e tij e vëllezërit dhe po e kërkonin të flisnin me të. 47. Dikush i tha: [“Shih! Nëna jote dhe vëllezërit e tu presin jashtë dhe dëshirojnë të flasin me ty.”]

48 Ai iu përgjigj atij që e lajmëroi:

“Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?”

49 E shtriu dorën e vet drejt nxënësve të vet e tha:

“Ja, nëna ime e vëllezërit e mi! 50 Sepse vëllai im, motra ime e nëna ime është ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiell.”

Mateu: 13. Shëmbëlltyra e mbjellësit

13

1 Atë ditë Jezusi doli prej shtëpisë dhe u ul të rrijë buzë detit. 2 Një turmë e madhe populli ngarendi tek ai kështu që hipi në barkë e u ul ndenjur, kurse mbarë populli zuri vend në breg.

3 U foli për shumë gjëra në shëmbëlltyra.

Kështu u tha:

4 “Doli mbjellësi për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa kokrra ranë pranë udhës, erdhën shpendët dhe i hëngrën. 5 Disa ranë në zallinë, ku kishte pak dhe. Mbinë shpejt, sepse nuk e kishin tokën e thellë. 6 Porse, kur doli dielli, u vyshkën prej vapës dhe u thanë, pse nuk kishin rrënjë. 7 Disa të tjera ranë në ferra. Ferrat u rritën e ua zunë frymën. 8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë e ato dhanë fryt: njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish e tjetra tridhjetëfish.

9 Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

Përse Jezusi flet në shëmbëlltyra

(Mk 4, 10‑12; Lk 8, 9‑10)

10 Nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:

“Pse po u flet me shëmbëlltyra?”

11 Ai u përgjigj:

“Sepse ju e morët dhuratën t’i njihni fshehtësitë e Mbretërisë së qiellit, ndërsa ata nuk e morën. 12 Për të vërtetë, atij që ka do t’i jepet edhe më dhe do të ketë me shumicë, kurse atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. 13 Për këtë arsye atyre u flas në shëmbëlltyra, sepse shikojnë e nuk shohin, dëgjojnë e nuk ndiejnë as nuk kuptojnë. 14 Mbi ta plotësohet profecia e Isaisë që thotë:

Mirë do të dëgjoni ‑ por s’do të kuptoni,

mirë do të shikoni ‑ por nuk do të shihni.

15 Vërtet zemra e këtij populli s’ka më ndjenja,

u bë i rëndë ndër veshë,

sytë i janë mbyllur,

që të mos shohë me sy,

të mos dëgjojë me veshë,

që të mos kuptojë shpirti i tyre

e të mos kthehen.

E unë i kisha shëruar!”

16 Lum sytë tuaj që shohin e veshët tuaj që dëgjojnë! 17 Përnjëmend po ju them; shumë profetë e të drejtë dëshiruan të shohin çka ju po shihni, por nuk e panë, të dëgjojnë çka ju po dëgjoni e nuk e dëgjuan.”

Shtjellimi i shëmbëlltyrës mbi mbjellësin

(Mk 4, 13‑20; Lk 8, 11‑15)

18 “Tani dëgjoni ç’do të thotë shëmbëlltyra e mbjellësit: 19 Secilit që e dëgjon Fjalën e Mbretërisë e nuk e kupton, i vjen i Keqi dhe ia rrëmben atë që i qe mbjellë në zemër. Ky është ai që u mboll ‘pranë udhës’. 20 E i mbjelli ‘në zallinë’, është ai që e dëgjon Fjalën dhe me gëzim e pranon, 21 porse, për arsye se s’ka rrënjë në vetvete ‑ pse është i paqëndrueshëm, posa të vijë ndonjë ngushticë ose salvim për shkak të Fjalës, përnjëherë e bjerr besimin. 22 E i mbjelli ‘në ferra’, është ai që e dëgjon Fjalën, por kujdesi i tepruar i kësaj bote dhe gënjimi i pasurisë, ia marrin frymën Fjalës e ajo mbetet pa fryt. 23 E i mbjelli në ‘tokë të mirë’, është ai që e dëgjon Fjalën, e kupton dhe bie fryt: njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish e tjetri tridhjetëfish.”

Shëmbëlltyra e grurit dhe e egjrës

24 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:

“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me njeriun që mbolli farë të mirë në arën e vet. 25 Ndërkohë që njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij, mbolli egjër nëpër grurë e shkoi.

26 Kur u rritën të mbjellat dhe lidhën frytin, atëherë u duk edhe egjra. 27 Shërbëtorët iu afruan të zotit të shtëpisë dhe i thanë: ‘Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Nga doli, pra, egjra? 28 Ai u përgjigj: ‘Armiku e bëri këtë!’Atëherë i thanë shërbëtorët: ‘A të shkojmë e ta mbledhim?’ 29 Jo ‑ u përgjigj ai ‑ se duke e mbledhur egjrën druaj se, bashkë me të, nxirrni edhe grurin! 30 Lërini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohë të korrjes do t’u them korrësve: mblidhni më parë egjrën dhe lidheni në duaj për ta djegur e grurin mblidheni në drithnikun tim!’“

Shëmbëlltyra e sinapit dhe e tharmit

(Mk 4, 30‑32; Lk 13, 18‑21)

31 Pastaj u tregoi një shëmbëlltyrë tjetër;

“Mbretëria e qiellit është e ngjashme me kokrrën e sinapit, të cilën njeriu e mori dhe e mbolli në arën e vet. 32 Ajo është, pa dyshim, më e vogla ndër të gjitha farërat, por, kur rritet, bëhet më e madhe se të gjitha barishtet, zhvillohet në pemë, sa që shpendët e qiellit vijnë e bëjnë çerdhe në degë të tij.”

33 U tregoi edhe një shëmbëlltyrë tjetër:

“Mbretëria e qiellit i përngjan tharmit që e merr gruaja dhe e përzien me tri masë miell derisa të mbruhet e gjitha.”

Përse Jezusi flet në shëmbëlltyra

(Mk 4, 33 ‑ 34)

34 Të gjitha këto Jezusi ia tha popullit në shëmbëlltyra dhe asgjë nuk i thoshte pa shëmbëlltyra 35 që të plotësohej fjala e profetit:

‘Do të flas në shëmbëlltyra,

do të zbuloj gjëra të fshehura që nga krijimi (i botës)’.

Shtjellimi i shëmbëlltyrës së egjrës

36 Atëherë e shpërndau turmën dhe hyri në shtëpi. Nxënësit iu afruan dhe e pyetën:

“Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës.”

37 Ai u përgjigj:

“Ai që e mbjell farën e mirë, është Biri i njeriut. 38 Ara është bota. Fara e mirë janë ata që i përkasin Mbretërisë. Egjra paraqet ata që i përkasin Qoftëlargut. 39 Armiku që mbolli egjrën është djalli. Korrja është mbarimi i botës. Korrtarët janë engjëjt. 40 Siç mblidhet egjra e digjet në zjarr, kështu do të ndodhë në mbarimin e botës. 41 Biri i njeriut do t’i dërgojë engjëjt e vet për t’i mbledhur në Mbretërinë e tij të gjithë ngashnjyesit dhe ata që bëjnë keq, 42 e do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh. 43 Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre.

Kush ka veshë, le të dëgjojë!”

Tri shëmbëlltyra

44 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me thesarin e fshehur në arë: njeriu që e gjen, e fsheh prapë, dhe, plot gëzim, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë arë.

45 Pastaj Mbretëria e qiellit i përngjan tregtarit që kërkon perla të çmueshme. 46 Kur gjen një perlë me vlerë të madhe, shkon, shet gjithçka ka dhe e blen atë perlë.

47 Përsëri Mbretëria e qiellit i ngjan rrjetës që hidhet në det dhe mbledh çdo lloj peshku. 48 Kur mbushet, peshkatarët e qesin në breg, ulen dhe i mbledhin peshqit e mirë në enë e të këqijtë i tresin. 49 Kështu do të ndodhë edhe në mbarimin e botës: do të dalin engjëjt e do t’i ndajnë të këqijtë prej të drejtëve 50 dhe do t’i hedhin në furrë të ndezur, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.”

Thesari i ri dhe i vjetër

51 “A i kuptuat të gjitha këto?

“Po! ‑ iu përgjigjën ata.

52 E ai u tha:

“Kështu pra, çdo skrib, që e përvetësoi mësimin e Mbretërisë së qiellit i përngjan të zotit të shtëpisë, që nxjerr nga thesari i vet gjëra të reja e të vjetra.”

Jezusin e përbuzin në Nazaret

(Mk 6, 1‑6; Lk 4, 16‑30)

53 Kur Jezusi i kreu së treguari këto shëmbëlltyra, shkoi prej andej. 54 Si erdhi në qytetin ku ishte rritur, i mësonte qytetarët në sinagogën e tyre ashtu që, të mahnitur, thoshin: “Nga i erdhi këtij kjo dije dhe kjo fuqi mrekullish? Po a nuk është biri i zdrukthëtarit? 55

Po a nuk i quhet e ëma Mari e vëllezërit Jakob, Jozef, Simon e Judë? 56 Po a nuk janë ndër ne të gjitha motrat e tij? Nga, atëherë, i erdhën këtij të gjitha këto?” 57 E kjo u shkaktonte mosbesim në të. Prandaj Jezusi u tha: “Profetit nuk i jepet nderim vetëm në vendlindjen e vet e në shtëpinë e vet!”

58 Për shkak të mosbesimit të tyre nuk bëri aty shumë mrekulli.

Mateu: 14. Jezusi ushqen pesë mijë vetë

14

1 Në atë kohë Herodi tetrark dëgjoi ç’flitej për Jezusin 2 dhe u tha shërbëtorëve të vet: “Ky është Gjon Pagëzuesi! U ngjall së vdekuri! Ja, përse ka pushtet të bëjë mrekulli!”

3 E vërtet Herodi e kishte zënë Gjonin, e kishte lidhur dhe e kishte qitur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet. 4 Sepse Gjoni i kishte thënë: “Nuk guxon ta mbash për grua Herodiadën!” 5 Herodi donte ta vriste, por druante nga populli, sepse Gjonin e mbanin për profet.

6 Në ditëlindjen e Herodit, bija e Herodiadës vallëzoi para të ftuarve dhe aq i pëlqeu Herodit, 7 sa që me përbetim i premtoi se do t’i jepte çkado që t’i kërkonte. 8 Ajo, e mësuar prej së ëmës: “Ma jep ‑ tha ‑ këtu në pjatë kokën e Gjon Pagëzuesit!” 9 Mbretit i erdhi keq, por për shkak të përbetimit e të të ftuarve, urdhëroi t’i jepej. 10 Dërgoi dikë dhe ia preu Gjonit kokën në burg. 11 Kokën e Gjonit e sollën në pjatë, ia dha vajzës e kjo së ëmës.

12 Pastaj erdhën nxënësit e Gjonit, e morën trupin, e varrosën, shkuan dhe i treguan Jezusit.

Jezusi ushqen pesë mijë vetë

(Mk 6, 30‑44; Lk 9, 10‑17; Gjn 6, 1‑14)

13 Kur dëgjoi Jezusi, shkoi prej andej me barkë dhe u shmang në një vend të pabanuar ‑ në vetmi. Por, kur e hetoi populli, u nis pas tij në këmbë prej qyteteve. 14 Kur doli Jezusi prej barke, pa një turmë të madhe njerëzish, pati dhembshuri për ta dhe i shëroi të sëmurët e tyre.

15 Në mbrëmje iu afruan nxënësit e thanë:

“Vendi është i shkretë dhe u bë vonë; lëri njerëzit të shkojnë në fshatra e të blejnë ushqim.”

16 Jezusi u përgjigj:

“Nuk është nevoja të shkojnë: jepuni ju të hanë!”

17 Ata iu përgjigjën:

“S’kemi këtu veçse pesë bukë e dy peshq.”

18 Jezusi vijoi:

“M’i sillni këtu!”

19 Pastaj i dha urdhër popullit të ulet në bar.

I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës.

20 Të gjithë hëngrën e u nginë. I mblodhën tepricat: dymbëdhjetë shporta plot me copa. 21 E ata që hëngrën, pa i numëruar gratë e fëmijët, ishin rreth pesë mijë meshkuj.

Jezusi ecën mbi ujë

(Mk 6, 45‑52; Gjn 6, 15‑21)

22 Pastaj aty për aty Jezusi i urdhëroi nxënësit të hyjnë në barkë e të kalojnë para tij në anën tjetër derisa ai ta shpërndante popullin. 23 Jezusi, si e nisi popullin, u ngjit vetëm në mal për t’u lutur. Ishte bërë natë e ai ende gjendej aty vetëm.

24 Barka, që tashmë ishte shumë stadje larg tokës, përplasej prej valëve, sepse era fryente kundër. 25 Në rojën e katërt të natës erdhi Jezusi tek ata duke ecur përmbi det. 26 Kur nxënësit e hetuan duke ecur përmbi det, u frikësuan e thanë: “Diçka po na shtihet!” e prej frikës bërtitën. 27 Por, menjëherë Jezusi u tha:

“Guxim, jam unë, mos kini frikë!”

28 Pjetri u përgjigj:

“Zotëri, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti përmbi ujë!”

29 “Eja!” ‑ i tha.

Atëherë Pjetri zbriti nga barka e po ecte nëpër ujë për të shkuar te Jezusi. 30 Porse, kur e pa erën e fortë, u frikësua, filloi të humbasë në ujë dhe bërtiti:

“Më shpëto, o Zot!”

31 Jezusi përnjëherë shtriu dorën, e kapi dhe i tha:

“Fepakët! Përse dyshove!”

32 Kur hynë në barkë, pushoi era. 33 Ata që ishin në barkë u përkulën me nderim para tij e thanë:

“Me të vërtetë je Biri i Hyjit!”

Jezusi shëron në rrethet e Gjenezaretit

(Mk 6, 53‑56)

34 Pasi kaluan detin, u kapën në breg në Gjenezaret. 35 Njerëzit e atij vendi, posa e njohën, e vunë në dijeni mbarë krahinën dhe ia sollën të gjithë të sëmurët. 36 I luteshin t’i lejonte t’i preknin vetëm kindin e petkut të tij. Ata që e prekën, u shëruan.

Mateu: 15. Traditat e të parëve

15

1 Atëherë disa farisenj e skribë nga Jerusalemi iu afruan Jezusit e i thanë:

2 “Pse nxënësit e tu nuk i përfillin mësimet që na i lanë të parët? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë bukë!”

3 Ai u përgjigj:

“E ju pse e shkelni urdhrin e Hyjit për shkak të mësimit tuaj? 4 Sepse Hyji ka thënë: ‘Nderoje babain dhe nënën tënde’ dhe ‘Kush e mallkon të atin e të ëmën le të ndëshkohet me vdekje.’ 5 Kurse ju mësoni: ‘Kushdo i thotë babait e nënës: ‘Ndihma që prej meje të takon ty, le të jetë dhuratë e shenjtë Tempullit’, 6 ai s’është më i detyruar ta ndihmojë të atin. Kështu ju e shlyet fjalën e Hyjit në emër të mësimit tuaj. 7 Shtiracakë! Bukur parafoli për ju Isaia, kur tha:

8 ‘Ky popull më nderon me buzë

e zemra e tij është larg meje.

9 Nderimi që ma japin është i kotë

sepse si mësim të Zotit mësojnë

urdhra të nxjerrë prej njerëzve.’“

Pastërtia dhe papastërtia ligjore

(Mk 7, 14‑23)

10 Atëherë e grishi popullin t’i afrohej dhe i tha:

11 “Dëgjoni e merrni vesh mirë! Njeriun nuk e bën të papastër ç’hyn në gojë, por ç’del nga goja ‑ ajo e bën njeriun të papastër!”

12 Atëherë iu afruan nxënësit e i thanë:

“A e di se farisenjtë, posa e dëgjuan këtë fjalë, u shkandulluan?”

13 Jezusi u përgjigj:

“Çdo bimë që nuk e ka mbjellë Ati im qiellor do të nxirret me gjithë rrënjë. 14 Hiquni tyre! Janë të verbër dhe prijës të verbërish. E kur i verbëri i prin të verbërit, të dy bien në gropë.”

15 Atëherë Pjetri i tha:

“Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë!”

16 Ai u përgjigj:

“Si? As ju nuk po kuptoni? 17 Po a nuk e merrni vesh se gjithçka hyn në gojë, shkon në bark e del e mbaron jashtë? 18 Kurse çka del nga goja, del nga zemra e kjo e bën njeriun të papastër. 19 Sepse nga zemra dalin qëllimet e këqija, vrasjet, kurorëthyerjet, fëlligështia, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë. 20 Këto e përlyejnë njeriun. Të hajë njeriu me duar të palara, kjo s’e bën njeriun të papastër.”

Feja e gruas kananease

(Mk 7, 24‑30)

21 Jezusi doli prej atij vendi e kaloi në krahinat e Tirit e të Sidonit. 22 Dhe, ja, një grua nga Kananeja, që kishte ardhur prej atyre anëve, filloi të bërtiste e të thoshte: “Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Djalli po ma mundon tepër vajzën!” 23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Atëherë iu afruan nxënësit e tij e i thanë:

“Bëja këtë nderë e të shkojë, sepse po bërtet pas nesh!”

24 Ai u përgjigj:

“Unë jam i dërguar vetëm te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”

25 Por ajo u afrua, u përkul thellë në nderim para tij e tha:

“Më ndihmo, o Zot!”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk është mirë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua japësh këlyshëve të qenve.”

27 “Po, o Zot ‑ shtoi ajo ‑ se edhe këlyshët hanë dromcat që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”

28 Atëherë Jezusi iu përgjigj:

“O grua, e madhe është feja jote! Le të bëhet ashtu si dëshiron!”

Në atë moment bija e saj u shërua.

Shërime të ndryshme në popull

29 Jezusi u nis prej andej, ra bregut të detit të Galilesë, u ngjit në një kodër e u ul të rrijë atje. 30 Iu afrua një turmë e madhe e popullit që sillte me vete të shqepët, të verbër, dorëcungë, memecë e shumë të tjerë. I ulën para tij dhe ai i shëroi. 31 Populli u mrekullua duke parë se si memecët flisnin, dorëcungët u shëruan, të shqeptët ecnin drejt, të verbërit shihnin dhe i dha lavdi Hyjit të Izraelit.

Jezusi ushqen katër mijë vetë

(Mk 8, 1‑10)

32 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes nxënësit e vet e u tha:

“Më dhimbset ky popull se, ja, ka tri ditë që rri me mua e nuk ka çka të hajë. Nuk dua t’i nis të uritur që të mos u bie të fikët udhës.”

33 Nxënësit iu përgjigjën:

“Po ku të gjejmë këtu në shkretëtirë aq bukë sa të ngijmë gjithë këtë popull?”

34 Jezusi pyeti:

“Sa bukë keni?”

“Shtatë bukë e pak peshq të vegjël” ‑ iu përgjigjën ata.

35 Atëherë i dha urdhër popullit të ulej për tokë. 36 Pastaj mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi Hyjin, i theu, ua dha nxënësve të vet e nxënësit popullit.

37 Të gjithë hëngrën deri sa u nginë, e me copat që tepruan, çuan plotë shtatë shporta. 38 Ata që hëngrën ishin, përpos grave e fëmijëve, katër mijë burra.

39 Kur e shpërndau popullin, hyri në barkë e shkoi në Krahinën e Magadanit.

Mateu: 16. Farisenjtë e saducenjtë kërkojnë një mrekulli

16

1 Disa farisenj e disa saducenj iu afruan Jezusit me qëllim që ta zinin ngushtë e kërkuan prej tij t’u dëftojë një shenjë prej qiellit. 2 Ai u përgjigj:

“Kur bëhet mbrëmje, thoni: ‘Do të jetë mot i mirë se u skuq qielli.’ 3 Kurse në agim: ‘Sot kemi stuhi, sepse qielli është i kuq e i vranët.’ Kështu, ju dini t’i shpjegoni dukuritë e qiellit, por shenjat e kohës nuk jeni të zotët t’i kuptoni! 4 Breznia e prapë dhe lavire kërkon shenjë! Por s’do t’i jepet asnjë shenjë tjetër, përveç shenjës së Jonës.”

Dhe i la e shkoi.

Tharmi i farisenjve e i saducenjve

(Mk 8 14‑21)

5 Kur u nisën nxënësit të kalojnë në anën tjetër, harruan të marrin bukë. 6 Jezusi u tha: “Hapni sytë dhe ruajuni prej tharmit të farisenjve e të saducenjve!” 7 Ata mendonin me vete e thoshin: “Pse s’morëm bukë!” 8 Jezusi e hetoi dhe u tha:

“Fepakët! Pse mendoni me vete: ‘Pse s’kemi bukë?’ 9 Po ju a ende nuk kuptoni? Po a nuk u bien në mend pesë bukët për pesë mijë njerëz dhe, edhe sa shporta mblodhët?! 10 Edhe shtatë bukët për katër mijë vetë, dhe sa shporta mblodhët? 11 Si nuk kuptoni se nuk qe fjala për bukë kur thashë: ‘Ruajuni prej tharmit të farisenjve e të saducenjve!’“

12 Atëherë e morën vesh se nuk u tha të ruhen prej tharmit të bukës, por prej mësimit të farisenjve e të saducenjve.

Dëshmimi i Pjetrit mbi Jezusin

(Mk 8, 27‑30; Lk 9, 18‑21)

13 “Kur Jezusi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti nxënësit e vet:

“Ç’thonë njerëzit, kush është Biri i njeriut?”

14 Ata u përgjigjën:

“Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi; disa të tjerë Elia; do të tjerë Jeremia ose një ndër profetët.”

15 “Po ju ‑ u tha atyre ‑ ç’thoni: kush jam unë?”

16 Iu përgjigj Simon Pjetri:

“Ti je Mesia ‑ Biri i Hyjit të gjallë!”

17 Atëherë Jezusi i tha:

“I lumi ti, o Simon, biri i Jonës, sepse këtë nuk ta zbuloi mishi e gjaku, por Ati im që është në qiell! 18 Edhe unë po të them: Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj!

19 Ty do të t’i jap çelësat e Mbretërisë së qiellit: gjithçka të lidhësh mbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell e gjithçka të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.”

20 Atëherë i urdhëroi nxënësit që të mos i tregojnë askujt se është ai Mesia.

Jezusi paralajmëron vdekjen dhe të ngjallurit e vet

(Mk 8, 31‑9, 1; Lk 9, 22‑27)

21 Që atëherë Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të skribëve, se do ta vrisnin e të tretën ditë do të ngjallej.

22 Atëherë Pjetri e ndau veças e filloi ta qortojë:

“Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të të ndodhë një gjë e tillë!”

23 Jezusi u kthye e i tha Pjetrit:

“Shporru meje, he djallë! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”

24 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! 25 Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë.

26 Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet?

27 Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.

28 Përnjëmend po ju them: Disa nga këta këtu të pranishëm nuk kanë për të vdekur derisa ta shohin Birin e njeriut duke ardhur me mbretërinë e vet.”

Mateu: 17. Shndërrimi i Jezusit

17

1 Pas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllain e tij e i çoi në vetmi në një mal të lartë. 2 Atëherë u shndërrua para syve të tyre: fytyra i shkëlqeu porsi dielli e petkat iu bënë të bardha porsi drita. 3 Dhe ja, atyre iu dukën Moisiu dhe Elia e flisnin me të. 4 Atëherë Pjetri i tha Jezusit:

“Zotëri, është mirë për ne të rrimë këtu: nëse do ti, po ngre këtu tri tenda: një për ty, një për Moisiun e një për Elinë.”

5 E ende pa e kryer fjalën, ja, i mbuloi një re e shndritshme dhe u dëgjua një zë nga reja që tha: “Ky është Biri im i dashur, të cilin e kam për zemër. Atë dëgjojeni!” 6 Nxënësit, posa e dëgjuan këtë zë, ranë me fytyrë për dhe e u trembën së tepërmi. 7 Jezusi u afrua, i preku e tha: “Çohuni e mos u trembni!” 8 Ata kur i çuan sytë, s’panë tjetërkënd, përveç Jezusit vetëm.

9 Ndërsa po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi:

“Mos i tregoni askujt çka patë, para se Biri i njeriut të ngjallet prej së vdekuri.”

10 Atëherë nxënësit e pyetën:

“Pse, pra, skribët thonë se duhet të vijë përpara Elia?”

11 Ai iu përgjigj:

“Po, Elia do të vijë dhe do të vërë çdo gjë në vend të vet. 12 Porse, unë po ju them se Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën e bënë me të gjithçka deshën. Kështu edhe Biri i njeriut do të pësojë shumë prej tyre.”

13 Atëherë nxënësit e kuptuan se u foli për Gjon Pagëzuesin.

Jezusi shëron një djalosh të djallosur

(Mk 9, 14‑29, Lk 9, 37‑43a)

14 Kur mbërritën te populli, iu afrua një njeri, ra në gjunj para tij 15 dhe i tha:

“Zotëri, ki mëshirë për djalin tim: i bie e tokës dhe po vuan shumë. Shpesh bie herë në zjarr e herë në ujë! 16 E solla te nxënësit e tu, por ata s’mundën ta shërojnë.”

17 “O brezni e pafe dhe e prishur ‑ u përgjigj Jezusi ‑ deri kur do të jetoj mes jush? Po deri kur do t’ju duroj? Ma bini këtu!”

18 Atëherë Jezusi e urdhëroi djallin e ky doli prej djaloshit, që u shërua në atë çast.

19 Atëherë nxënësit, iu afruan veçmas Jezusit dhe e pyetën:

“Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?”

20 Ai u përgjigj:

“Për shkak të besimit tuaj të pakët! Përnjëmend po ju them: në paçit fe edhe vetëm sa një kokërr sinapi e i thoni këtij mali: ‘Dil këndej e shko atje!’, do të kalojë dhe asgjë s’do t’ju jetë e pamundshme!” [21]

Jezusi përsëri paralajmëron mundimin e ngjalljen e vet

(Mk 9, 30‑32; Lk 9, 43b‑45)

22 Kur u bashkuan në Galile, Jezusi u tha:

“S’do të vonojë e Biri i njeriut do t’u lihet në duar njerëzve 23 dhe ata do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet.”

Ata u pikëlluan së tepërmi.

Tagri i Tempullit

24 Kur arritën në Kafarnaum, iu afruan Pjetrit ata që mbledhin tagrin e Tempullit e i thanë:

“A nuk e paguan mësuesi juaj tagrin e Tempullit?”

25 “E paguan” ‑ iu përgjigj Pjetri.

Kur Pjetri hyri në shtëpi, Jezusi ia priti përpara:

“Simon, çka të thotë mendja, mbretërit e dheut, prej kujt e mbledhin taksën ose tatimin? Prej fëmijëve të vet apo prej të huajve?”

26 Kur iu përgjigj: “Prej të huajve”, Jezusi i tha: “Pra, fëmijët qenkan të lirë!”. 27 Por, për të mos i shkandulluar, shko në det, hidhe grepin dhe, peshkun e parë që të zësh, merre, hapja gojën e do të gjesh një staterë. Merre dhe jepua për mua e për ty.”

Mateu: 18. Më i madhi në Mbretërinë e qiellit

18

1 Në atë moment nxënësit iu afruan Jezusit dhe e pyetën:

“Kush, pra, është më i madhi në Mbretërinë e qiellit?”

2 Atëherë Jezusi thirri një fëmijë, e vuri para tyre 3 e u tha:

“Përnjëmend po ju them: nëse nuk ktheheni e nuk bëheni si fëmijët, nuk do të hyni në Mbretërinë e qiellit. 4 Prandaj, kush e përul vetveten e bëhet i vogël si ky fëmijë, ai është më i madhi në Mbretërinë e qiellit. 5 Dhe kushdo e pranon në Emër tim një fëmijë siç është ky, ai më pranon mua.”

Ngashnjimi në mëkat

(Mk 9, 42‑48; Lk 17, 1‑2)

6 “Prandaj, kushdo që e mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, të bëjë mëkat, për të do të ishte më mirë t’i varej për qafe guri i mullirit që e sjell gomari e të hidhej në fund të detit. 7 Ç’mjerim për botën që ka shkanduj! Vërtet, do të ketë patjetër shkanduj, por i mjeri ai njeri që jep shkandull!

8 Nëse dora jote ose këmba jote të çon në mëkat, preje e hidhe prej vetes! Është më mirë për ty të hysh në jetë pa dorë e pa këmbë se me të dy duart e me të dy këmbët të plandosesh në zjarr të pasosur. 9 E nëse syri yt të çon në mëkat, nxirre dhe flake larg teje! Është më mirë për ty të hysh në jetë vetëm me një sy, se me të dy sytë të hidhesh në gjehenën e zjarrit.”

Shëmbëlltyra e deles së humbur

(Lk 15, 3‑7)

10 “Ruajuni se përbuzni ndonjë prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them: engjëjt e tyre në qiell shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim qiellor. [11]

12 Ç’ju thotë mendja? Po pati ndokush njëqind dele dhe po i humbi njëra prej tyre, a nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në mal e nuk shkon për të kërkuar atë që i humbi? 13 Dhe, po ia doli ta gjejë, për të vërtetë po ju them: për atë gëzohet më tepër se për nëntëdhjetenëntë të tjerat, që nuk i humbën. 14 Kështu as Ati juaj që është në qiell nuk do të humbë asnjë ndër këta të vegjëlit.”

Qortimi vëllazëror

(Lk 17, 3)

15 “Në qoftë se vëllai yt mëkaton [kundër teje], qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllain tënd. 16 Po qe se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy njerëz të tjerë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. 17 Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoji Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës.

18 Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell dhe, çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell.

19 Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo gjëje, Ati im që është në qiell, do t’ua japë. 20 Sepse, ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, mes tyre.”

Shëmbëlltyra mbi shërbëtorin e pamëshirë

21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe e pyeti:

“Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!

23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.

28 Porse, pikërisht ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e futi në burg derisa të kthente detyrimin.

31 Kur shërbëtorët e tjerë ‑ shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin.

35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.”

Mateu: 19. Pandashmëria e kurorës së martesës

19

1 Si i kreu Jezusi këto fjalime, doli prej Galilesë e erdhi në krahinën e Judesë, matanë Jordanit. 2 Iu vu pas një shumicë e madhe njerëzish e ai i shëroi atje.

3 Atëherë iu paraqitën disa farisenj dhe, me qëllim që ta sprovonin, e pyetën: “A është e lejueshme ta lëshojë burri gruan për ndonjë arsye.” 4 Jezusi iu përgjigj:

“A nuk keni lexuar: Krijuesi, kur i krijoi në fillim i krijoi mashkull e femër 5 e tha: ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babain e nënën e vet e do të jetojë me gruan e vet e të dy do të jenë vetëm një trup?’ 6 Kështu ata nuk janë më dy, por një trup i vetëm. Prandaj: çka Hyji bashkoi, njeriu të mos e ndajë!”

7 Por ata vijuan:

“E përse atëherë Moisiu urdhëroi: ‘të jepet letërndarja e të lëshohet?’

8 Ai u përgjigj:

“Moisiu ju lejoi t’i ndani gratë tuaja për shkak të karakterit tuaj të pagdhendur. Por në fillim nuk ka qenë ashtu. 9 Kurse unë po ju them: Kush e lëshon gruan e vet ‑ përveç në rast të fëlligështisë ‑ e martohet me një tjetër grua, bën kurorëthyerje; po edhe ai që martohet me gruan e ndarë, bën kurorëthyerje.”

10 Nxënësit i thanë:

“Nëse qenka e tillë gjendja e burrit ndaj gruas, atëherë është më mirë të mos martohet njeriu!”

11 Ai u përgjigj:

“S’e kuptojnë të gjithë këtë fjalë, por vetëm ata që e morën dhuratë këtë kuptim. 12 Sepse, ka njerëz që janë që nga barku i nënës të paaftë për martesë, ka edhe nga ata që njerëzit i bënë të paaftë për martesë dhe ka nga ata që i bien mohit martesës për dashuri të Mbretërisë së qiellit.

Kush mund ta kuptojë, le ta kuptojë!”

Jezusi bekon fëmijët

(Mk 10, 13‑16; Lk 18, 15‑17)

13 Atëherë i sollën disa fëmijë të vegjël që t’i bekonte e të lutej mbi ta; porse nxënësit u bërtisnin. 14 Atëherë Jezusi u tha:

“Lërini fëmijët e mos ua ndaloni të vijnë tek unë! Sepse atyre që janë si këta u përket Mbretëria e qiellit.”

15 E, pasi i bekoi, u largua prej andej.

Djaloshi i pasur

(Mk 10, 17‑31; Lk 18, 18‑30)

16 Dhe ja, iu afrua një njeri dhe e pyeti:

“Mësues, çfarë të mire më duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

17 Ai iu përgjigj:

“Përse më pyet për të mirën? Sepse vetëm Njëri është i mirë! Por, nëse dëshiron të hysh në jetë, zbatoji urdhërimet!” 18 “E cilat? ‑ pyeti ai.

Jezusi i tha:

“Mos vra

Mos the kurorën!

Mos vidh!

Mos bëj dëshmi të rreme!

19 Ndero babain e nënën tënde!

Dhe duaje të afërmin tënd porsi vetveten.”

20 Djaloshi i tha:

“Të gjitha këto i kam zbatuar. Çka më mungon tjetër?”

21 Jezusi iu përgjigj:

“Nëse do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, faljua skamnorëve e ke për të pasur thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq mua!”

22 Por, kur djaloshi e dëgjoi këtë fjalë, shkoi i trishtuar, sepse kishte pasuri të mëdha.

23 Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet:

“Për të vërtetë po ju them: vështirë do të hyjë i pasuri në Mbretërinë e qiellit. Prapë po ju them: 24 Është më lehtë të përshkohet deveja nëpër vrimë të gjilpërës se i pasuri të hyjë në Mbretërinë e Hyjit.”

25 Nxënësit, kur i dëgjuan këto fjalë, u habitën së tepërmi dhe thoshin:

“Vallë, atëherë, kush do të shpëtojë?”

26 Jezusi i shikoi dhe u tha:

“Për njerëz është punë që s’bëhet, porse Hyji mund të bëjë gjithçka!”

27 Atëherë Pjetri mori fjalën dhe e pyeti:

“Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje, çka, pra, do të fitojmë?”

28 Jezusi u tha:

“Për të vërtetë po ju them: ju që erdhët pas meje, në ripërtëritje të botës ‑ kur Biri i njeriut të rrijë mbi fronin e lavdisë së vet ‑ edhe ju do të rrini mbi dymbëdhjetë frone dhe do të gjykoni dymbëdhjetë fiset e Izraelit. 29 Edhe kushdo që të lërë, për dashuri të emrit tim, shtëpi ose vëllezër, ose motra, ose babë ose nënë, ose grua ose fëmijë, ose ara, do të marrë njëqind për një dhe do të fitojë jetën e pasosur.

30 Shumë prej atyre që janë të parët, do të jenë të fundit, kurse shumë prej atyre të fundit do të jenë të parët.”

Mateu: 20. Punëtorët në vresht

20

1”Mbretëria e qiellit është e ngjashme me atë zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të gjejë punëtorë për vreshtin e vet. 2 E, si u mor vesh me punëtorët me nga një denarë në ditë, i çoi në vreshtin e vet. 3 Pastaj doli edhe rreth orës tre, pa disa të tjerë duke ndenjur të papunë në treg 4 e u tha: ‘Shkoni edhe ju në vreshtin tim e do t’ju jap sa të jetë e drejtë.’ 5 Shkuan edhe ata. Prapë doli rreth orës gjashtë dhe orës nëntë e bëri ashtu. 6 Doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti të tjerë që po rrinin të papunë dhe u tha: ‘Përse rrini këtu të papunë gjithë ditën?’ 7 Ata iu përgjigjën: ‘Sepse askush nuk na mori në punë.’ Ai u tha: ‘Shkoni edhe ju në vresht!’

8 Si u bë mbrëmje, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: ‘Thirri punëtorët dhe jepu pagën ‑ fillo prej atyre të fundit e deri në të parët.’ 9 Erdhën kështu ata të të njëmbëdhjetës orë e morën secili nga një denar. 10 Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë. Por edhe ata morën nga një denar. 11 Duke e marrë i ankoheshin të zotit të shtëpisë12 e thoshin: ‘Këta të fundit punuan vetëm një orë e ti i barazove me ne që mbartëm mundin e ditës e vapën.’

13 E ai iu përgjigj njërit prej tyre: ‘Mik, s’po të bëj padrejtësi! A nuk u more vesh me mua për nga një denar? 14 Merr sa të përket e nisu! Unë dua t’i jap edhe këtij të fundit sa ty! 15 A nuk kam të drejtë të bëj me pasurinë time si më pëlqen mua? Vallë a duhet të jesh ti smirëzi pse jam unë i mirë?’

16 Kështu të fundit do të jenë të parët, e të parët të fundit!”

Jezusi paralajmëron të tretën herë vdekjen dhe ngjalljen e vet

(Mk 10, 32‑34; Lk 18, 31‑34)

17 Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, i mori veçmas të dymbëdhjetët dhe udhës u tha:

18 “Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje, 19 e do t’ua dorëzojnë paganëve për ta vënë në lojë, për ta frushkulluar e për ta kryqëzuar. Por ai të tretën ditë do të ngjallet.”

Kërkesa e nënës së Jakobit e Gjonit

(Mk 10, 35‑45)

20 Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. 21 Jezusi i tha:

“Çka dëshiron?”

Ajo iu përgjigj:

“Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”

22 Jezusi u përgjigj:

“Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?”

“Mundemi!” ‑ iu përgjigjën.

23 Jezusi vijoi:

“Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.”

24 Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllëzërit. 25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha:

“Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. 26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”

Shërimi i dy të verbërve të Jerihonit

(Mk 10, 46‑52; Lk, 18, 35‑43)

29 Kur po dilnin nga Jerihoni, iu vunë pas shumë njerëz. 30 Dhe ja, dy të verbër, që rrinin në skaj të rrugës, si morën vesh se po kalonte Jezusi, ia filluan të bërtasin: “Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne!”

31 Populli u bërtiti të heshtnin, por ata klithën edhe më tepër: “Zotëri, Biri i Davidit, ki mëshirë për ne!” 32 Jezusi u ndal, i thirri dhe u tha:

“Çka kërkoni të bëj për ju?”

33 Ata iu përgjigjën:

“Zotëri, që të na çelen sytë!”

34 Jezusi pati dhembshuri për ta e ua preku sytë.

Ata menjëherë panë dhe u nisën pas tij.

Mateu: 21. Hyrja mesianike në Jerusalem

21

1 Kur iu afruan Jerusalemit e mbërritën në Betfage, në malin e Ullinjve, atëherë Jezusi dërgoi dy nxënës 2 e u tha:

“Shkoni në fshatin që është përballë! Aty menjëherë do të gjeni një gomare të lidhur e me të një gaç. Zgjidhini e m’i sillni! 3 Nëse ndokush ju thotë gjë, thuajini: po i duhen zotërisë dhe menjëherë do t’i lëshojë.”

4 Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e profetit që thotë:

5Thuajini bijës së Sionit:

ja, Mbreti yt po vjen te ti

i butë, kalor mbi gomare

e mbi gaç, zog të gomares.’

6 Nxënësit shkuan e bënë siç u urdhëroi Jezusi, 7 sollën gomaren e kërriçin. Mbi ta vunë petkat e veta, e Jezusi hipi mbi to. 8 Moria e popullit shtroi petkat e veta gjatë rrugës e të tjerët thenin degë lisash dhe i qitnin rrugës, 9e populli, që shkonte para e pas tij, brohoriste:

“Hosana Birit të Davidit!

Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit!

Hosana në qiejt më të lartët!”

10 Kur Jezusi hyri në Jerusalem, mbarë qyteti u çua në këmbë dhe pyeste: “Kush është?” 11 E turma i përgjigjej: “Ky është Profeti, Jezusi prej Nazaretit të Galilesë!”

Jezusi i dëbon tregtarët nga Tempulli

(Mk 11, 15‑19; Lk 19, 45‑48; Gjn 2, 13‑22)

12 Pastaj Jezusi hyri në Tempull dhe i dëboi të gjithë ata që shisnin e blenin në Tempull. Këmbyesve të të hollave ua përmbysi tavolinat e shitësve të pëllumbave bankat. 13 Dhe u tha: “Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Shtëpia ime do të jetë shtëpi lutjeje,’

ndërsa ju po e shndërroni në shpellë cubash!”

14 Në Tempull iu paraqitën të verbër e të çalë dhe i shëroi.

15 Kur kryepriftërinjtë e skribët panë mrekullitë që bëri dhe djelmoshat që po brohorisnin në Tempull: ‘Hosana Birit të Davidit!’ u zemëruan 16 dhe i thanë:

“A po dëgjon, ç’po thonë këta?”

“Po, si jo!? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Po ju, a kurrë nuk keni lexuar:

‘Prej gojës së foshnjave e të ferishteve ia përgatite lavdinë vetes?”

17 Atëherë i la, doli nga qyteti për të shkuar në Betani dhe atje e kaloi natën.

Fiku i mallkuar

(Mk, 11, 12‑14; 20‑24)

18 E në mëngjes, kur po kthehej në qytet, pati uri. 19 Afër rrugës pa një fik dhe iu afrua, porse, pasi në të nuk gjeti tjetër përveç gjetheve, i tha: “Kokërr më prej teje kurrë e për këtë jetë mos u lidhtë!” Dhe menjëherë fiku u tha.

20 Nxënësit, kur e panë këtë gjë, u habitën e thanë:

“Si mundi të thahej menjëherë fiku?!”

21 Jezusi u përgjigj:

“Për të vërtetë po ju them: në paçit fe dhe në mos dyshofshit, do të bëni jo vetëm sa iu bë fikut, por edhe nëse i thoni këtij mali: çohu e hidhu në det, do të bëhet ashtu. 22 Dhe nëse besoni, do të fitoni gjithçka të kërkoni me lutje.”

Pushteti i Jezusit

(Mk 11, 27‑33; Lk 20, 1‑8)

23 Kur Jezusi hyri në Tempull e aty po mësonte, iu afruan kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit dhe i thanë:

“Me ç’pushtet je duke bërë kështu? Kush ta dha këtë pushtet?”

24 Ai u përgjigj:

“Edhe unë do t’ju bëj një pyetje të vetme. Nëse ju më përgjigjeni, edhe unë do t’ju tregoj me ç’pushtet i bëj këto. 25 Nga ishte pagëzimi i Gjonit: Nga Qielli apo nga njerëzit?”

Por ata mendonin me vete: “Në qoftë se themi: nga Qielli’, ai do të na thotë: ‘Përse atëherë nuk i besuat?’ 26 e nëse i përgjigjemi: ‘prej njerëzve’, kemi frikë popullin, sepse të gjithë e mbajnë Gjonin për profet.”

27 Atëherë iu përgjigjën:

“Nuk e dimë!”

“As unë, pra, ‑ u tha ai ‑ s’po ju tregoj me ç’pushtet i bëj këto vepra!”

Shëmbëlltyra e dy djemve

28 “Më thoni si e mendoni këtë gjë: një njeri kishte dy djem. Iu drejtua të parit e i tha: ‘Biro, dil sot e puno në vresht!’ 29 Ai iu përgjigj: ‘Nuk dua!’ Pastaj ndërroi mendim dhe shkoi. 30 Atëherë iu drejtua të dytit po ashtu. Ai iu përgjigj: ‘Po shkoj, imzot!’, por nuk shkoi. 31 Cili prej të dyve e kreu vullnetin e të atit?”

I thanë:

“I pari!”

“Përnjëmend po ju them: ‑ vazhdoi Jezusi ‑ tagrambledhësit e laviret para jush hyjnë në Mbretërinë e Hyjit. 32 Sepse, erdhi Gjoni ndër ju udhës së drejtësisë e ju nuk i besuat, tagrambledhësit e laviret i besuan, ndërsa ju, edhe pasi i patë këto, nuk u penduat për t’i besuar.”

Shëmbëlltyra e vreshtarëve gjakësorë

(Mk 12, 1‑12; Lk 20, 9‑19)

33 “Dëgjojeni shëmbëlltyrën tjetër:

Ishte një zot shtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.

34 Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. 35 Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. 36 Prapë dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.

37 Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ 38 Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri‑tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ 39 E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë.

40 Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?”

41 Iu përgjigjën:

“Të këqijtë do t’i shfaros keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.”

42 Jezusi u tha:

“A nuk e lexuat asnjëherë në Shkrimin e shenjtë:

‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit

u bë guri i këndit;

kjo është vepër e Zotit,

sa mrekulli në sytë tanë!’

43 Prandaj ‑ po ju them ‑ juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saj!”[44].

45 Kryepriftërinjtë e farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e morën vesh se po fliste për ta. 46 Kërkonin ta zinin, por druanin popullin sepse e mbante për profet.

Mateu: 22. Shëmbëlltyra e kremtimit të dasmës

22

1 Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte:

2 “Mbretëria e qiellit është e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. 3 Mbreti dërgoi shërbëtorët e vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. 4 Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thuajini të ftuarve: gostinë e kam gati: i preva demat e mi e bagëtitë e majura! Gjthçka është gati! Ejani në dasmë!’

5 Por ata nuk ia vunë veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. 6 Të tjerët, pastaj, i zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. 7 Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre.

8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë. 9 Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’

10 Shërbëtorët dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu salloni i dasmës u mbush me të ftuar.

11 Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: 12 “Mik, si hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?” Ai s’e çeli gojën. 13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: ‘Lidheni këmbësh e duarsh e hidheni jashtë në errësirë, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’ 14 Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.”

Pagimi i tatimeve Cezarit

(Mk 12, 13‑17; Lk 20, 20‑26)

15 Atëherë farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë. 16 Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t’i thënë:

“Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush: ti nuk shikon ç’pozitë kanë njerëzit! 17 Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatimi apo jo?”

18 Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha:

“Shtiracakë, pse po më sprovoni? 19 Ma tregoni monedhën e tatimit!”

20 Ata ia sollën një denar.

“E kujt është ‑ u tha ‑ kjo fytyrë e ky mbishkrim?”

21 “E Cezarit!” ‑ iu përgjigjën ata.

Atëherë Jezusi u tha:

“Jepini, pra, Cezarit çka i përket Cezarit e Hyjit çka i përket Hyjit.”

22 Kur e dëgjuan përgjigjen, u habitën, e lanë dhe shkuan.

Ringjallja e të vdekurve

(Mk 12, 18‑27; Lk 20, 27‑40)

23 Atë ditë erdhën tek ai disa saducenj që thonë se nuk ka ringjallje të të vdekurish. Ata e pyetën:

24 “Mësues! Moisiu tha: ‘Nëse ndokush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij për t’i lindur vëllait të vet trashëgimtarë.’ 25 Tashti, ndër ne ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq e, pasi nuk pati fëmijë, ia la gruan vëllait të vet. 26 Kështu ndodhi me të dytin, me të tretin... deri tek i shtati. 27 Dikur, pas të gjithëve, vdiq edhe gruaja. 28 Në ringjallje, pra, gruaja e cilit ndër këta të shtatë do të jetë? Sepse, të gjithë e patën grua!”

29 “Ju jeni gabim ‑ u përgjigj Jezusi ‑ sepse nuk e merrni vesh Shkrimin e shenjtë as pushtetin e Perëndisë. 30 Sepse, në ringjallje as meshkujt s’marrin gra as femrat burra, por janë porsi engjëjt e Hyjit në qiell. 31 E për sa i përket ringjalljes së të vdekurve a nuk keni lexuar çka ju tha Hyji? 32 ‘Unë jam Hyji i Abrahamit, Hyji i Isakut, Hyji i Jakobit?’ Ai nuk është Hyji i të vdekurve, por i të gjallëve!”

33 Kur e dëgjoi populli, u mrekullua nga mësimi i tij.

Më i madhi urdhërim

(Mk 12, 28‑34; Lk 10, 25‑28)

34 Farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducenjve, u bashkuan 35 dhe njëri prej tyre [mësues Ligji], për ta vënë në provë, e pyeti:

36 “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?”

37 Jezusi u përgjigj:

Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! 38 Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. 39 I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ 40 Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.”

Krishti, Biri dhe Zotëria i Davidit

(Mk 12, 35‑37; Lk 20, 41‑44)

41 Kur u bashkuan farisenjtë, Jezusi i pyeti:

42 “Çka mendoni për Mesinë? Biri i kujt është?”

“I Davidit.” ‑ iu përgjigjën ata.

43 Ai u tha:

“E si atëherë Davidi, i shndritur prej Shpirtit Shenjt, e quan Zotërinë e vet, kur thotë:

44 ‘I tha Zoti Zotërisë tim:

rri në të djathtën time

derisa t’i vë armiqtë e tu

shtrojë për këmbët e tua?’

45 E nëse Davidi e mban për Zotëri të vetin, si mund ta ketë bir?”

46 Asnjëri s’qe i zoti t’i përgjigjë asnjë fjalë. E, që prej kësaj dite, askush s’guxoi ta pyesë më.

Mateu: 23. Fjalime kundër skribëve e farisenjve

23

1 Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet:

2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. 4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.

5 Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. 6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, 7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.

8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! 10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin! 11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.

13 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse ua mbyllni njerëzve derën e Mbretërisë së qiellit! Ju vetë nuk hyni as nuk i lini të hyjnë ata që duan të hyjnë![14].

15 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që kërkoni det e tokë për të fituar një proselit e, kur kthehet, e bëni bir të ferrit dy herë më të keq se veten!

16 Vaj për ju, udhëheqës të verbër, që thoni: ‘Nëse ndokush betohet me Tempull, ai betim s’detyron, por, nëse betohet me arin e Tempullit, atëherë e detyron betimi.’ 17 Të marrë e të verbër! Po cili është më i madh: ari apo Tempulli, që e shenjtëron arin? 18 Ju thoni edhe: ‘Kush betohet me lter s’detyron ai betim, porse, kush betohet me dhuratën që është mbi lter, atëherë e detyron betimi!’ 19 Të verbër! Po çka është më e madhe: dhurata apo lteri që e shenjtëron dhuratën? 20 Tashti kush betohet me lter, betohet me të dhe me krejt çka ka në të! 21 Kush betohet me Tempull, betohet me të dhe me Atë që banon në të. 22 Kush betohet me Qiell, betohet me fronin e Hyjit dhe me Atë që rri në të.

23 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë! Këtë është dashur ta bëni e nga ajo e para, s’është dashur të hiqni dorë. 24 Udhëheqës të verbër! Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini gamilen!

25 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës e të enës, ndërsa përbrenda janë plot rrëmbime e papërkormëri! 26 Farise i verbër! Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër!

27 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u përngjani varrezave të zbardhuara me gëlqere, që duken përjashta të bukura e përbrenda janë plot eshtra të vdekurish me gjithfarë ndyrësie. 28 Kështu edhe ju përjashta njerëzve u dukeni të drejtë, kurse përbrenda jeni krejt hipokrizi e padrejtësi.

29 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që u ndërtoni profetëve varrezat e u stolisni të drejtëve monumentet 30 dhe thoni: ‘Të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve.’ 31 Kështu ju vetë dëshmoni kundër vetvetes se jeni bijtë e atyre që vranë profetët. 32 Mirë, pra, kryeni ç’filluan baballarët tuaj!

33 Shlliga e gjarpërinj gjarpërinjsh! Si do t’i shpëtoni dënimit për ferr?!

34 Ja, pra, për këtë punë unë po dërgoj ndër ju profetë, dijetarë e njerëz të shkolluar. Disa prej tyre do t’i vritni, disa të tjerë do t’i kryqëzoni e disa të tjerë do t’i frushkulloni në sinagoga tuaja e do t’i salvoni prej qyteti në qytet 35 që të bjerë mbi ju tërë gjaku i drejtë që u derdh mbi tokë që prej gjakut të Abelit të drejtë deri te gjaku i Zakarisë, birit të Barakisë që ju e vratë ndërmjet shenjtërores e lterit. 36 Për të vërtetë po ju them: të gjitha këto do të bien mbi këtë brezni.”

Vajtimi mbi Jerusalem

(Lk 13, 34‑35)

37 “Jerusalem, Jerusalem, vrastar i profetëve e që me gurë i mbyt ata që Hyji i dërgoi te ti! Sa herë desha t’i bashkoj fëmijët e tu sikurse klloçka i bashkon zogjtë e vet nën krahë... por ju nuk deshët! 38 Ja, shtëpia juaj po ju lihet juve  e shkretë! 39 Jo, po, unë po ju them: nuk do të më shihni më që tani e derisa të thoni:

‘Bekuar qoftë ai që vjen në Emër të Zotit!’“

Mateu: 24. Fillimi i vështirësive

24

1 Kur Jezusi doli nga Tempulli e po largohej, iu afruan nxënësit e tij për t’i treguar ndërtesat e Tempullit. 2 Ai u tha:

“A po i shihni të gjitha këto? Për të vërtetë po ju them: këtu s’do të mbesë as gur mbi gur. Secili do të rrëzohet!”

Fillimi i vështirësive

(Mk 13, 3‑13; Lk 21, 7‑19)

3 Kur u ul të rrijë në malin e Ullinjve, iu afruan veçmas nxënësit e tij e i thanë:

“Na trego kur do të ndodhin këto dhe cila është shenja e Ardhjes sate dhe i mbarimit të botës?”

4 Jezusi iu përgjigj:

“Ruajuni mos t’ju gënjejë kush, 5 sepse shumë do të vijnë në emrin tim e do të thonë: ‘Unë jam Mesia!’ e do të gënjejnë shumëkënd.

6 Do të dëgjoni për luftëra dhe për ushtima luftërash. Mos u kushtrimoni! Të gjitha këto do të ndodhin, por ende nuk do të jetë mbarimi! 7 Sepse do të ngrihet një popull kundër një populli të tjetër e një mbretëri kundër një mbretërie tjetër e do të ketë uri e tërmete në vende të ndryshme. 8 Të gjitha këto janë veçse fillimi i mundimeve.

9 Atëherë do t’ju mundojnë dhe do t’ju vrasin. Të gjithë popujt do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. 10 Atëherë shumë do ta lënë fenë. Do ta tradhtojnë njëri‑tjetrin dhe do ta urrejnë shoqi‑shoqin. 11 Do të ngrihen shumë profetë të rrejshëm dhe shumëkënd do të gënjejnë. 12 E, ngase do të marrë hov padrejtësia, shumëkujt do t’i ftohet dashuria. 13 Por, ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shëlbohet.

14 Ky Ungjill i Mbretërisë do të shpallet në mbarë botën, që kështu të gjithë popujt ta kenë provën e së vërtetës së zbuluar. Atëherë do të vijë mbarimi”

Ngushtica e madhe

(Mk 13, 14‑23; Lk 21, 20‑24)

15 “Kur, pra, të shihni se ‘Në vendin e shenjtë hipi në fron Shkretuesi i Urrejtur’ për të cilin foli Danieli profet ‑ kush lexon, le ta kuptojë: 16 atëherë ata që do të ndodhen në Jude, le të ikin në male. 17 Kush të ndodhet mbi pullaz, të mos zbresë për të marrë ndonjë gjë në shtëpinë e vet. 18 As ai që të ndodhet në arë, të mos kthehet për të marrë petkun e vet.

19 Por vaj për gratë shtatzëna e për ato që do t’u japin gji fëmijëve, në ato ditë!

20 Lutuni që ikja juaj të mos jetë në dimër ose të shtunën! 21 Sepse atëherë do të jetë mjerim aq i madh, sa që mjerim të tillë nuk ka pasur që kur u krijua bota deri tani, as nuk do të ketë më!

22 Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, askush nuk do të shpëtojë; por, për hir të të zgjedhurve, do të shkurtohen ato ditë.

23 Nëse atëherë do t’ju thotë kush: ‘Ja, këtu është Mesia’, apo ‘Atje’ ‑ mos besoni! 24 Sepse do të paraqiten mesí të rrejshëm e profetë të rrejshëm dhe do të tregojnë shenja të mëdha e të çuditshme, aq sa t’i gënjejnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit.

25 Ja, ju paralajmërova!

26 Prandaj, nëse ju thonë: ‘Ja, tek është në shkretëtirë’, mos luani vendit! ‘Ja, tek është në dhomën e strehimit’, mos besoni! 27 Sepse Ardhja e Birit të njeriut do të jetë si vetëtima që del në lindje e duket deri në perëndim!

28 Ku të jetë cofëtina, aty do të mblidhen shqiponjat!”

Ardhja e Birit të njeriut

(Mk 13, 24‑27; Lk 21, 25‑28)

29 “Menjëherë pas mjerimit të atyre ditëve

‘Dielli do të terratiset,

hëna nuk do ta lëshojë dritën e vet,

yjet do të bien nga qielli

e trupat qiellorë do të lëkunden.’

30 Atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; atëbotë të gjitha fiset e dheut do qajnë dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe me madhëri të madhe. 31 Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me bori të madhe për t’i bashkuar të zgjedhurit e tij nga katër anët e botës, prej njërit skaj të qiellit në tjetrin.”

Mësimi nga shëmbëlltyra e fikut

(Mk 13, 28‑31; Lk 21, 29‑33)

32 “Kuptojeni krahasimin që jep shëmbëlltyra e fikut: posa t’i njomësohen degët e të qesë gjethet, e dini se vera është afër. 33 Kështu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto, dijeni se Biri i njeriut është afër ‑ te dera! 34 Për të vërtetë po ju them: s’do të kalojë kjo brezni pa shkuar në vend të gjitha këto. 35 Qielli e toka do të zhduken, por fjalët e mia nuk do të bien poshtë.”

Dita dhe ora e panjohur

(Mk 13, 32‑37; Lk 17, 26‑30; 34‑36)

36 “E kur do të jetë ajo ditë dhe ajo orë, askush s’di gjë, as engjëjt e qiellit, as Biri, me përjashtim vetëm të Atit! 37 Dhe, si qe në ditët e Noehit ‑ ashtu do të jetë edhe Ardhja e Birit të njeriut, 38 dhe, sikurse në ditën para përmbytjes, njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e gratë burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë, 39 e nuk ua preu mendja se do t’u ndodhte gjë derisa erdhi përmbytja e i fshiu: ashtu do të jetë edhe në Ardhjen e Birit të njeriut.

40 Atëherë, prej dy vetëve, që kanë për t’u gjetur në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet,

41 prej dy grave që do të bluajnë në mokër, njëra do të merret e tjetra do të lihet.

42 Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj! 43 E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia.

44 Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.”

Shërbëtori besnik

(Lk 12 41‑48)

45 Vallë, cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, që zotëria e vuri përmbi shërbëtorët e vet për t’u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 46 I lumi ai shërbëtor, që, kur të vijë zotëria, e gjen duke vepruar kështu! 47 Për të vërtetë po ju them: do t’ia besojë mbarë pasurinë e vet!

48 Por në qoftë se shërbëtori i keq thotë në zemrën e vet: ‘zotëria im vonon të vijë’ 49 e fillon t’i rrahë shokët e vet e të hajë e të pijë me pijaneca; 50 zotëria i këtij shërbëtori do të vijë pikërisht atë ditë, kur ky s’e pret, pikërisht në atë orë, kur ky s’e di; 51 do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’ia caktojë vendin me shtiracakët, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.”

Mateu: 25. Shëmbëlltyra e dhjetë vajzave

25

1”Atëherë Mbretëria e qiellit do t’u përngjajë dhjetë virgjërave, të cilat i morën dritëzat e veta e i dolën para dhëndrit. 2 Pesë prej tyre ishin marroqe e pesë të mençura. 3 Tashti, këto marroqet, morën me vete dritëzat, por nuk morën vajin. 4 Ndërsa ato të mençurat, morën me vete bashkë me dritëzat e veta edhe vaj në enë.

5 Pasi dhëndri u vonua, u kotën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Rreth mesnatës u dha lajmi: ‘Ja, dhëndri! Dilini përpara!’ 7 Atëherë të gjitha virgjërat u çuan dhe i rregulluan dritëzat e veta. 8 Atëherë marroqet u thanë të urtave: ‘Na jepni prej vajit tuaj se po na ndalen dritëzat.’ 9 Të mençurat u përgjigjën: ‘ Assesi! Që të mos na mungojnë neve dhe juve, më mirë shkoni te tregtarët e bleni për vete!’

10 Kur ato shkuan të blejnë, erdhi dhëndri e ato që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë dhe u mbyll dera. 11 Më vonë ia behën edhe virgjërat e tjera e thanë: ‘Zotëri, o zotëri, na e çel derën!’ 12 Por ai iu përgjigj: ‘Përnjëmend po ju them: nuk ju njoh!’

13 Prandaj: rrini zgjuar se nuk e dini ditën as orën!”

Shëmbëlltyra e talentave

(Lk 19, 11‑27)

14 “Sepse do të vijë sikurse ai njeriu që, kur deshi të niset për dhe të largët, i thirri shërbëtorët e vet e ua dorëzoi pasuritë e veta. 15 Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy e të tretit vetëm një: secilit sipas zotësisë së tij e u nis për udhëtim. 16 Menjëherë ai që mori pesë talenta u çua dhe i futi në punë e me ta fitoi edhe pesë të tjerë. 17 Po ashtu, edhe ai që mori dy talenta, fitoi edhe dy tjerë. 18 Kurse ai që mori vetëm një, shkoi, çeli një gropë në dhe, dhe e fshehu paranë e zotërisë së vet.

19 Pas një kohe të gjatë, u kthye zotëria i atyre shërbëtorëve dhe kërkoi llogari prej tyre. 20 E si doli para ai që kishte marrë pesë talenta, i nxori para edhe pesë të tjerë e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë pesë talenta, ja, edhe pesë të tjerë që i fitova.’ 21 Iu përgjigj zotëria i tij: Të lumtë, shërbëtor i mirë e besnik! Pse u dëftove besnik në gjëra të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’

22 U afrua pastaj edhe ai që kishte marrë dy talenta e tha: ‘Zotëri, ti më pate dhënë dy talenta, ja, edhe dy të tjerë që i fitova!’ 23 Iu përgjigj zotëria i tij: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë, e besnik! Pse u dëftove besnik në gjëra të vogla, do të bëj të parë mbi pasuri të mëdha: hyr në gëzimin e zotërisë tënd!’

24 Kur u afrua ai që kishte marrë vetëm një talent, tha: ‘Zotëri, duke të njohur se je njeri i ashpër, se korr ku nuk mbolle e mbledh ku nuk hodhe, 25 u frikësova e shkova dhe e fsheha talentin tënd në dhe: ja, tani gjënë tënde!’ 26 Zotëria i tij iu përgjigj me këto fjalë: ‘Shërbëtor i keq dhe përtac! E ke ditur se korr ku s’mbolla, mbledh ku nuk hodha, 27 prandaj të është dashur ta shtiesh paranë time në bankë e në kthimin tim kisha marrë gjënë time me kamatë. 28 Prandaj merrjani këtij talentin e jepjani atij që ka dhjetë talenta! 29 Sepse, atij që ka do t’i jepet më e do të ketë me shumicë, e atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka! 30 E shërbëtorin e pavlefshëm nxirreni përjashta në terr, ku do të jetë vaj dhe kërcëllim dhëmbësh!’“

Gjyqi i fundit i mbarë botës

31 “E kur të vijë Biri i njeriut në madhërinë e vet e me të gjithë engjëjt, do të ulet mbi fronin e vet të madhërueshëm. 32 Atëherë para tij do të mblidhen të gjithë popujt dhe ai do t’i ndajë njërin prej tjetrit, sikurse bariu ndan delet prej cjepve. 33 Delet do t’i vërë në të djathtën e vet e cjeptë në të majtën.

34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: ‘Ejani të bekuarit e Atit tim! Merrni në pronë Mbretërinë që u bë gati për ju që prej fillimit të botës! 35 Sepse pata uri e më dhatë të ha, pata etje e më dhatë të pi, isha shtegtar e më përbujtët, isha i zhveshur e më veshët, 36 i sëmurë e erdhët të më shihni, isha në burg e erdhët tek unë.’

37 Të drejtët atëherë do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur e të dhamë të hash, të etshëm e të dhamë të pish? 38 Kur të pamë shtegtar e të përbujtëm, të zhveshur e të veshëm? 39 Ose, kur të pamë të sëmurë ose në burg e erdhëm te ti?’ 40 Mbreti do të përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.’

41 Pastaj do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtën: ‘Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, të përgatitur për djallin e për engjëjt e tij! 42 Sepse isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, 43 isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë.’

44 Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen: ‘Zotëri, kur të pamë të uritur, a të etshëm, a shtegtar, a të zhveshur, apo të sëmurë, në burg e nuk t’u gjetëm në nevojë?’ 45 E ai do t’u përgjigjet: ‘Për të vërtetë po ju them: çkado s’bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, nuk e bëtë për mua.’

46 Këta do të shkojnë në mundim të përjetshëm, kurse të drejtët në jetën e pasosur.”

Mateu: 26. Komploti kundër Jezusit

26

1 Jezusi, kur i kreu të gjitha këto fjalime, u tha nxënësve të vet:

2 “Ju e dini se edhe dy ditë janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t’u kryqëzuar.”

3 Atëherë kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit bënë mbledhje në pallatin e kryepriftit që quhej Kajfa, 4 dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti e ta mbysin. 5 Por thoshin:

“Jo në të Kremte që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull.”

Lyerja i Jezusit në Betani

(Mk 14, 3‑9; Gjn 12, 1‑8)

6 Kur Jezusi po gjendej në Betani, në shtëpinë e Simonit të Gërbulur, 7 ndërsa po rrinte në tryezë, iu afrua një grua me një enë alabastri plot parfum të shtrenjtë dhe ia zbrazi mbi kokë. 8 Nxënësit, kur e panë, u zemëruan e thanë:

“Pse gjithë ky shpenzim! 9 Mundi të shitej shtrenjtë e t’u jepej skamnorëve!”

10 Jezusi e hetoi këtë gjë e u tha:

“Po pse po ia prishni kësaj gruaje? Ajo bëri vepër të mirë ndaj meje. 11 Skamnorët i keni gjithmonë me vete, e mua nuk më keni gjithmonë. 12 Ajo, vërtet, duke e zbrazur këtë parfum mbi trupin tim, e bëri atë që të më bëjë gati për varrim. 13 Për të vërtetë, po ju them: kudo që do të predikohet ‑ në botën mbarë ‑ Ungjilli, do të thuhet në përkujtimin e saj edhe kjo që bëri.”

Juda bie në ujdi me kryepriftërinjtë për të tradhtuar Jezusin

(Mk 14, 10‑11; Lk 22, 3‑6)

14 Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 15 dhe u tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta. 16 Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

Përgatitja e Darkës së Pashkëve

(Mk 14, 12‑21; Lk 22, 7‑14; 21‑23; Gjn 13, 21‑30)

17 Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën:

“Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?”

18 Ai u tha:

“Shkoni në qytet te filani dhe thuajini: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.”

19 Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve.

20 Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. 21 Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” 22 Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit:

“A mos jam unë, Zotëri?”

23 Ai iu përgjigj:

“Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë ‑ ai do të më tradhtojë. 24 Po, Biri i njeriut patjetër po shkon siç është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!”

25 Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij:

“A mos jam unë, Mësues?”

“E the vetë!” ‑ iu përgjigj Jezusi.

Themelimi i Eukaristisë

(Mk 14, 22‑26; Lk 22, 15‑20; 1 Kor 11, 23‑25)

26 Ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, i dha lavdi Hyjit, e theu, ua dha nxënësve të vet e tha:

“Merrni, hani: ky është trupi im!”

27 Pastaj mori kelkun, u falënderua, ua dha e tha:

“Pini prej tij të gjithë, 28 sepse ky është gjaku im ‑ gjaku i Besëlidhjes ‑ që do të derdhet për të gjithë në shpërblim të mëkateve. 29 Unë po ju them: që tani nuk do të pi më kësi fryti hardhie deri atë ditë, kur, bashkë me ju, do të pi ‑ një verë të re ‑ në Mbretërinë e Atit tim.”

30 Dhe, pasi kënduan himnin, dolën për të shkuar në Malin e Ullinjve.

Jezusi parakallëzon mohimin e Pjetrit

(Mk 14, 27‑31;Lk 22, 31‑34; Gjn 13, 36‑38)

31 Atëherë Jezusi u tha:

“Të gjithë ju sonte do ta humbni besimin në mua. Sepse Shkrimi i shenjtë thotë:

‘Do t’i bie bariut

e delet e tufës do të shpërndahen!’

32 Porse, kur të ngjallem, do të shkoj para jush në Galile.”

33 Atëherë Pjetri iu përgjigj:

“Po qe se edhe të gjithë do ta bjerrin besimin në ty, unë assesi nuk do ta bjerr besimin në ty!”

34 Jezusi i tha:

“Për të vërtetë po të them: pikërisht sonte, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh!”

35 Pjetri i tha:

“Po edhe në qoftë se duhet të vdes bashkë me ty, nuk do të të mohoj!”

Kështu thanë edhe të gjithë nxënësit e tjerë.

Lutja në Gjetseman

(Mk 14, 32‑42; Lk 22, 39‑46)

36 Atëherë Jezusi mbërriti me nxënës në një kopsht, që quhej Gjetseman dhe u tha:

“Rrini këtu, derisa unë të shkoj atje e të lutem.”

37 Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut. Atëherë filloi të trishtohej e të ngushtohej.

38 E u tha:

“Shpirtin ma kaploi një trishtim që çon në vdekje. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua!”

39 Pastaj u largua pakëz, ra me fytyrë për dhé e lutej: “Ati im, nëse është e mundur, largoje prej meje këtë kelk mundimesh! Megjithatë, le të bëhet, jo si dua unë, por si do ti.”

40 Dhe u kthye te nxënësit, i gjeti fjetur dhe i tha Pjetrit:

“Si kështu, s’mundët të rrini zgjuar me mua as për një orë të vetme? 41 Rrini zgjuar e lutuni të mos bini në tundim! Shpirti, vërtet, është i gatshëm, por trupi është i ligshtë.”

42 Prapë shkoi të dytën herë e u lut:

“Ati im! Nëse s’mund të kalojë ky kelk mundimesh pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!”

43 U kthye përsëri dhe i gjeti fjetur, sepse gjumi ua kishte rënduar sytë. 44 I la, prapë u largua dhe u lut edhe të tretën herë duke përsëritur të njëjtat fjalë.

45 Atëherë u kthye te nxënësit e u tha:

“Flini tashmë e pushoni! Ja, arriti ora, kur Biri i njeriut po u bie në dorë mëkatarëve. 46 Ngrihuni të shkojmë! Ja, po afrohet tradhtari im!”

Jezusin e tradhton Juda dhe e kapin

(Mk 14, 43‑50; Lk 22, 47‑53; Gjn 18, 3‑12)

47 Ndërsa ai ende po fliste, ja, erdhi Juda ‑ njëri prej të Dymbëdhjetëve, e me të një turmë e madhe e armatosur me shpata e me shkopinj. E kishin dërguar kryepriftërinjtë e pleqtë e popullit. 48 Tashti tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: “Ai që do të puth unë ‑ u kishte thënë ‑ ai është! Atë kapeni!” 49 Menjëherë iu afrua Jezusit e i tha: “Të falem, Mësues!” ‑ dhe e puthi. 50 Jezui i tha: “Mik, kryej punën tënde!” Atëherë u afrua turma. Çuan dorë në Jezusin dhe e kapën.

51 Dhe ja, njëri prej atyre që ishin me Jezusin, çoi dorën, nxori shpatën e vet, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.

52 Atëherë Jezusi i tha:

“Ktheje shpatën tënde në vend të vet! Sepse të gjithë ata që kapen për shpate, prej shpatës edhe do të vdesin. 53 A ndoshta ti kujton se unë nuk mund t’i lutem Atit tim dhe se Ai nuk kishte për të m’i dërguar menjëherë dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54 Mirëpo, si atëherë do të plotësoheshin fjalët e Shkrimit të shenjtë, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?”

55 Atëherë Jezusi iu drejtua turmës:

“Dolët me shpata e me shkopinj të më zini si të isha unë cub. E pra, ditë për ditë rrija me ju duke mësuar në Tempull, e nuk më kapët. 56 Por, të gjitha këto ndodhën për të shkuar në vend Shkrimet e profetëve.”

Atëherë të gjithë nxënësit e lanë e ikën.

Jezusi para Këshillit të lartë (Sinedrit)

(Mk 14, 53‑65; Lk 22, 54‑55;63‑71; Gjn 18, 13‑14; 19‑24)

57 Tashti, ata që e kapën Jezusin, e çuan te kryeprifti Kajfë, ku ishin tubuar skribët e pleqtë. 58 Pjetri e ndoqi prej së largu deri në oborr të kryepriftit. Hyri brenda dhe po rrinte me shërbëtorët për të parë si do të merrte fund puna.

59 Krerët e priftërinjve e tërë Këshilli i lartë kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezusit për ta vrarë. 60 Por nuk gjetën, edhe pse u paraqitën shumë dëshmitarë të rrejshëm. Në fund u paraqitën dy 61 e thanë: “Ky njeri ka thënë: ‘Unë mund ta rrënoj Tempullin e Hyjit e mund ta ndërtoj rishtas për tri ditë.’”

62 Atëherë u çua kryeprifti e i tha: “Ti s’po përgjigjesh fare për sa këta po dëshmojnë kundër teje?”

63 Por Jezusi heshtte.

E kryeprifti i tha:

“Po të përbej me Hyjin e gjallë, na thuaj, a je ti Mesia, Biri i Hyjit?”

64 Jezusi iu përgjigj:

“Ti the! E unë po ju them: Pas kësaj do ta shihni

Birin e njeriut duke ndenjur në të djathtën e

të Gjithëpushtetshmit

dhe duke ardhur mbi retë e qiellit.’”

65 Atëherë kryeprifti i shqeu petkat e veta e tha:

“Shau Hyjin! Ç’na duhen më dëshmitarët? Ja, pra, vetë e dëgjuat blasfeminë. 66 Ç’ju thotë mendja?”

“Meriton të vdesë!” ‑ iu përgjigjën ata.

67 Atëherë filluan ta pështyjnë në fytyrë, t’i bien grushta e disa të tjerë shuplaka 68 dhe i thoshin: “Na trego, o Krisht, kush të ra?”

Pjetri mohon Krishtin

(Mk 14, 66‑72; Lk 22, 56‑62; Gjn 18, 15‑18; 25‑27)

69 Ndërkaq Pjetri rrinte përjashta, në oborr. Dhe ja, iu afrua një shërbëtore e i tha: “Edhe ti ishe me Jezu Galileasin.” 70 Por ai, para të gjithëve, i ra mohit me këto fjalë: “Nuk di ç’po thua!” 71 Dhe, ndërsa po i afrohej derës për të dalë jashtë, e vuri re një shërbëtore tjetër e u tha të pranishmëve: “Ky ishte me Jezu Nazarenin.” 72 E ai prapë e mohoi me be: “As që e njoh atë njeri!” 73 Pakëz më vonë, u afruan ata që ishin aty e i thanë Pjetrit: “Vërtet, edhe ti qenke një prej tyre! Ja, edhe mënyra e të folurit tënd të zbulon!” 74 Atëherë Pjetri ia nisi të lëshojë be e rrufe se nuk e njihte atë njeri. S’vonoi, këndoi gjeli! 75 Atëherë Pjetrit i ra në mend fjala që ia pati thënë Jezusi: “Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më biesh mohit.”

Doli përjashta dhe qau me lot për faqe.

Mateu: 27. Jezusi para Pilatit

27

1 Kur zbardhi drita, të gjithë kryepriftërinjtë e Pleqësia e popullit u mblodhën në kuvend kundër Jezusit për ta dënuar me vdekje. 2 E, pasi e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Pilatit, qeveritarit të vendit.

Vdekja e Judës

(Vap 1, 18‑19)

3 Atëherë Juda ‑ ai që e tradhtoi, kur pa se e dënuan Jezusin, i brejtur nga ndërgjegjja, ua ktheu kryepriftërinjve e pleqve të popullit tridhjetë siklat e argjendta 4 e tha:

“Mëkatova që dorëzova gjakun e pafaj!”

“Ç’na lypet neve! ‑ iu përgjigjën ata. ‑ Punë për ty!”

5 Juda i hodhi siklat e argjendta në Tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar.

6 Kryepriftërinjtë i mblodhën siklat e argjendta e thanë: “S’është e lejueshme të shtihen në arkë të Tempullit, sepse janë çmim gjaku.” 7 Dhe, pasi u këshilluan, blenë me to arën e një vorbëtari për varreza të shtegtarëve. 8 Prandaj ajo arë quhet deri më sot: ‘Ara e Gjakut’. 9 Kështu shkoi në vend fjala e Jeremisë profet:

‘Morën tridhjetë sikla argjendi, çmimin e të Çmuarit, që e çmuan bijtë e Izraelit 10 dhe e shpenzuan për arën e vorbëtarit, sikurse më urdhëroi vetë Zoti.’

Pilati merr në pyetje Jezusin

(Mk 15, 2‑5; Lk 23, 3‑5; Gjn 18, 32‑38)

11 E qitën, pra, Jezusin para qeveritarit. Qeveritari e pyeti:

“A je ti mbreti i judenjve?”

Jezusi iu përgjigj:

“Vetë po thua!”

12 E ndërsa kryepriftërinjtë e pleqtë e paditnin, ‑ s’u përgjigj asnjë fjalë. 13 Atëherë e pyeti Pilati: “A nuk po dëgjon sa rëndë po dëshmojnë kundër teje?” 14 Jezusi nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që qeveritari u habit për së tepërmi.

Jezusin e dënojnë me vdekje

(Mk 15, 6‑15; Lk 23, 13‑25; Gjn 18, 39‑19, 16)

15 Për të kremten e Pashkëve qeveritari e kishte zakon t’ia falë popullit atë të burgosur, që populli kërkonte. 16 Tashti, asohere, ishte i burgosur një njeri i përmendur për të keq, që quhej (Jezus) Baraba. 17 Atëherë Pilati u tha atyre që ishin mbledhur aty: “Cilin dëshironi ta liroj: (Jezus) Barabën, apo Jezusin që quhet Krisht?” 18 Sepse e dinte fare mirë se Jezu Krishtin e kishin dorëzuar prej smire.

19 Ndërsa qeveritari po rrinte në gjykatore, gruaja e tij e porositi: “Mos u përziej assesi në çështje të atij të drejti, sepse sot pësova shumë në ëndërr për shkak të tij.”

20 Por kryepriftërinjtë e pleqtë ia mbushën mendjen popullit të kërkonte çlirimin e Barabës e Jezusin ta vriste. 21 Atëherë qeveritari i pyeti: “Cilin ndër këta të dy doni t’jua liroj?”

“Barabën” ‑ iu përgjigjën ata.

22 E Pilati i pyeti:

“Ç’të bëj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?”

Të gjithë u përgjigjën:

“Të kryqëzohet!”

23 Por ai u tha:

“Ç’të keqe bëri?”

Por ata bërtitnin edhe më fort: “Të kryqëzohet!”

24 Kur Pilati pa se s’po arrinte asgjë e se pështjellimi shkonte duke u shtuar, mori ujë dhe, në sy të popullit, i lau duart duke thënë: “Unë jam i pafajshëm për këtë gjak! E heqshi ju!”

25 Mbarë populli tha:

“Gjaku i tij rëntë mbi ne e mbi fëmijët tanë!”

26 Atëherë ua liroi Barabën, kurse Jezusin, pasi e frushkulloi, ua dorëzoi të kryqëzohet.

Ushtarët e përqeshin Jezusin

(Mk 15, 16‑20; Gjn 19, 2‑3)

27 Atëherë ushtarët e qeveritarit e shtinë Jezusin në pallatin e qeveritarit dhe mblodhën rreth tij tërë kohortën. 28 E zhveshën dhe i hodhën krahëve një mantel të kuq. 29 Pastaj gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në kokë, ndërsa në dorën e djathtë i dhanë një kallam. Pastaj binin në gjunj para tij për ta vënë në lojë dhe i thoshin: “Të falemi, mbreti i judenjve!” 30 e pështynin, ia morën kallamin e me të i binin kresë kokës. 31 Pasi e vunë në lojë, ia hoqën mantelin e kuq, e veshën me petkat e tij dhe e çuan për ta kryqëzuar.

Jezusin e kryqëzojnë

(Mk 15, 21‑32; Lk 23, 26‑43; Gjn 19, 17‑27)

32 E ndërsa po dilnin në rrugë, takuan një njeri nga Cirena që quhej Simon dhe e detyruan ta mbarte kryqin e tij.

33 Kur arritën në vendin e quajtur Golgotë ‑ d.m.th. Vendi i Kafkës ‑ 34 i dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth e, pasi e kërkoi, s’deshi ta pijë.

35 Atëherë e gozhduan në kryq dhe me short i ndanë mes tyre petkat e tij. 36 Pastaj ndenjën dhe e ruanin. 37 Mbi kokë ia vunë shkresën e arsyes së dënimit: “Ky është Jezusi, mbreti i judenjve.” 38 Bashkë me të kryqëzuan dy cuba, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.

39 Kalimtarët, pastaj, e shanin duke luajtur me kokë në shpoti 40 dhe thoshin: “Ti që e rrënon Tempullin e për tri ditë e rindërton, shpëto vetveten! Nëse je Biri i Hyjit, zbrit nga kryqi!” 41 Po ashtu edhe kryepriftërinjtë me skribë e me pleq, duke e përqeshur, i thoshin:

42 “Të tjerët i shpëtoi, vetveten s’po mundet ta shpëtojë! Është mbreti i Izraelit! Le të zbresë tani prej kryqit e do t’i besojmë! 43 Ka shpresuar në Hyjin, le ta lirojë tani, nëse e do përnjëmend!’ Sepse vetë tha: ‘Jam Biri i Hyjit!’“

44 Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin të kryqëzuar me të.

Vdekja e Jezusit

(Mk 15, 33‑41; Lk 23; 44‑49; Gjn 19, 28‑30)

45 Që prej orës gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi mbarë tokën. 46 Rreth orës nëntë, Jezusi klithi me zë të madh: “Eli, Eli! Lema sabakthani? ‑ që d.m.th: Hyji im, Hyji im! Përse hoqe dorë prej meje!” 47 Disa prej të pranishmëve, kur dëgjuan, thanë: “Ky po thërret Elinë!”

48 Aty për aty u turr njëri prej tyre, mori një shpuzë, e zhyti në uthull, e vari në kallam e ia shtriu ta pinte. 49 Të tjerët i thoshin: “Lëre të shohim pale a po vjen Elia për ta shpëtuar!”

50 E Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të madh e ‑ dha shpirt.

51 Dhe, ja, veli i Tempullit u shqye në dy pjesë, prej majës e deri në fund; toka u lëkund e shkëmbinjtë plasën, 52 varret u hapën e u ngjallën shumë trupa të drejtësh që kishin vdekur. 53 Pas ngjalljes së Jezusit dolën prej varreve, erdhën në Qytetin e shenjtë dhe iu dëftuan shumëkujt.

54 Një frikë e madhe e kapi centurionin dhe ata që bashkë me të po e ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, thanë: “Me të vërtetë ky paska qenë Biri i Hyjit!”

55 Aty ndodheshin e vërenin prej së largu shumë gra, të cilat Jezusin e kishin përcjellë që prej Galilesë dhe i kishin shërbyer. 56 Ndër to ishte Maria Magdalenë, Maria nëna e Jakobit dhe e Jozefit edhe nëna e bijve të Zebedeut.

Jezusin e varrosin

(Mk, 15, 42‑47; Lk 23, 50‑56; Gjn 19, 38‑42)

57 Kur u bë natë, erdhi një pasanik nga Arimateja, që quhej Jozef. Ishte edhe ky nxënës i Jezusit. 58 Jozefi shkoi te Pilati dhe ia lypi trupin e Jezusit. Pilati urdhëroi t’i jepej trupi. 59 Jozefi mori trupin, e mbështolli në pëlhurë të pastër 60 dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që e kishte çelur në shkëmb. Pastaj rrokullisi në derë një gur të madh dhe shkoi.

61 Aty ishin Maria Magdalenë edhe Maria tjetër; rrinin përballë varrit.

Roja e varrit të Jezusit

62 Të nesërmen, që ishte dita pas Përgatitjes ‑ u bashkuan kryepriftërinjtë e farisenjtë te Pilati 63 dhe i thanë:

“Zotëri, na ra në mend se ai gënjeshtar, sa ishte ende gjallë, tha: ‘Pas tri ditësh do të ngjallem.’

64 Prandaj urdhëro të ruhet varri deri të tretën ditë, që të mos vijnë nxënësit e tij, ta vjedhin e t’i thonë popullit: ‘U ngjall së vdekuri.’ E gënjeshtra e fundit do të jetë më e zezë se e para.”

65 “Rojën e keni! ‑ u përgjigj Pilati ‑ Shkoni e merrni masat e sigurimit si jua merr mendja.”

66 Ata shkuan dhe e siguruan varrin: vulosën gurin dhe vunë rojën.

Mateu: 28. Të ngjallurit e Jezusit

28

1 Pas të shtunës, në të zbardhur të dritës ‑ të ditës së parë të javës, shkuan Maria Magdalenë dhe Maria tjetër për të parë varrin. 2 Dhe ja, ra një tërmet i madh, sepse engjëlli i Zotit zbriti nga qielli, u afrua, rrokullisi gurin dhe u ul mbi të. 3 Fytyra e tij ishte porosi vetëtima e petku i tij i bardhë porsi bora. 4 Rojtarët, prej frikës së tij, u dridhën dhe u bënë si të ishin të vdekur. 5 Atëherë engjëlli u tha grave:

“Ju mos u trembni! E di se kërkoni Jezusin e kryqëzuar! 6 Ai nuk është këtu! U ngjall sikurse tha! Ejani e shikoni vendin ku qe vënë 7 e pastaj nxitoni të shkoni e t’ua tregoni nxënësve të tij: u ngjall së vdekuri dhe, ja, po shkon para jush në Galile. Atje do ta shihni. Ja, ju tregova!”

8 Ato menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t’u lajmërojnë nxënësve të tij. 9 Dhe ja, u doli Jezusi përpara e u tha:

“Ju falem!”

Ato u afruan, e përqafuan dhe e adhuruan.

10 Atëherë Jezusi u tha:

“Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.”

Rojtarët lajmërojnë ngjalljen e Jezusit

11 Ndërsa gratë po shkonin, dhe ja, disa nga rojtarët arritën në qytet dhe i lajmëruan kryepriftërinjtë për krejt çka ndodhi. 12 Këta u tubuan në këshillim me pleqtë, morën shumë të holla, ua dhanë ushtarëve 13 dhe u thanë:

“Thoni: nxënësit e tij erdhën natën e, ndërsa ne po flinim, e vodhën. 14 Po qe se kjo fjalë i shkon në vesh qeveritarit, ne do të kujdesemi t’ia mbushim mendjen e juve s’do t’ju ndodhë asnjë e keqe.”

15 Ata i morën paratë e bënë ashtu si i mësuan. Kjo përrallë është e përhapur ndër judenj edhe sot e kësaj dite.

Jezusi i dërgon apostujt në mbarë botën

(Mk 16, 14‑18; Lk 24, 36‑49; Gjn 20, 19‑23; Vap 1, 6‑8)

16 Ndërkaq të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. 17 Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan.

18 Jezusi u afrua e u tha:

“Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. 19 Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! 20 Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!”