Galatasve: 1. Përshëndetje

1

1 Pali ‑ apostull, jo prej njerëzve as me anë të ndonjë njeriu, por me anë të Jezu Krishtit edhe të Hyjit Atë, që e ngjalli Jezusin prej të vdekurve ‑ 2 dhe të gjithë vëllezërit që janë me mua:

Kishave të Galacisë.

3 Paçi hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë dhe prej Zotit Jezu Krisht, 4 i cili e flijoi vetveten për mëkatet tona për të na shpëtuar nga shekulli i tashëm i keq, në përkim me vullnetin e Hyjit, Atit tonë, 5 i cili qoftë lavdëruar në shekuj të shekujve! Amen.

Nuk ka veçse një Ungjill

6 Fort po çuditem që kaq shpejt po e lini Atë, që ju thirri në hir [të Krishtit], për të kaluar në një Ungjill tjetër. 7 E pra, Ungjill tjetër nuk ka! Por po, ka asi njerëzish që ju turbullojnë dhe që duan ta shndërrojnë Ungjillin e Krishtit. 8 Tashti, në qoftë se edhe ne vetë ose edhe ndonjë engjëll prej qiellit ‑ ju predikon një Ungjill tjetër, të ndryshëm nga ai, që ju patëm predikuar ne ‑ qoftë mallkuar! 9 Siç ju thamë më parë, po ju them edhe tani përsëri: nëse ndokush ju shpall një ungjill tjetër, të ndryshëm nga ai, që e pranuat ‑ qoftë mallkuar!

10 Pse, a mos ndoshta unë kërkoj të fitoj përkrahjen e njerëzve e jo të Hyjit? A mos kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Po të mundohesha ende t’u pëlqeja njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit.

Si u thirr Pali apostull

11 Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni: Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish; 12 sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti.

13 Keni dëgjuar sigurisht për sjelljen time të dikurshme në judaizëm: si e salvoja mbi çdo masë Kishën e Hyjit dhe mundohesha ta shkretoja atë 14 e, ngaqë isha tepër i dhënë pas traditave të të parëve të mi, i tejkalova në judaizëm shumicën e moshatarëve në kombin tim. 15 Porse, kur Atij, që më zgjodhi që në kraharorin e nënës dhe më thirri me hirin e vet, i pëlqeu 16 ta zbulojë në mua Birin e vet për ta shpallur ndër paganë ‑ unë, menjëherë, pa u këshilluar me asnjë njeri 17 e pa u ngjitur aspak në Jerusalem te ata që para meje ishin apostuj, shkova në Arabi dhe përsëri u ktheva në Damask. 18 E vetëm pas tri vjetësh u ngjita në Jerusalem, për t’u njohur me Kefën e ndenja te ai pesëmbëdhjetë ditë. 19 Të tjerë prej apostujve, përveç Jakobit, vëllait të Zotit, nuk pashë asnjë. 20 Për çka po ju shkruaj betohem para Hyjit se nuk ju rrej. 21 Pastaj kalova në krahinat e Sirisë e të Cilicisë. 22 Personalisht isha i panjohur për Kishat e Krishtit në Jude. 23 Ato vetëm kishin dëgjuar: “Ai që dikur na salvonte, tani shpall fenë që dikur e shkretonte, ” 24 dhe e lavdëronin Hyjin për shkak tim.

Galatasve: 2. Apostujt e pranojnë Palin

2

1 Pastaj, pas katërmbëdhjetë vjetësh, përsëri u ngjita në Jerusalem bashkë me Barnabën. Mora me vete edhe Titin. 2 Dhe u ngjita pse i nxitur nga një zbulesë. Ua parashtrova në këshillim ‑ posaçërisht më të rëndësishëmve ‑ Ungjillin që predikoj ndër paganë, që ndoshta të mos veproja ose të mos kisha vepruar kot.

3 Tashti, as Titi që ishte me mua, edhe pse grek, nuk qe shtrënguar të rrethpritej, 4 e kjo për shkak të vëllezërve të rrejshëm që e fusin hundën kudo, të cilët u futën padrejtësisht për të na e cenuar lirinë që na e jep Jezu Krishti ‑ për të na bërë skllevër. 5 Këtyre as për një çast të vetëm nuk u lëshuam pe as nuk u nënshtruam që të ruhej e pacenuar e vërteta e Ungjillit ndër ju.

6 E ata që janë diçka ‑ çka ata ishin dikur, unë s’i jap kësaj rëndësi ‑: Hyji nuk sheh kush është kush, këta njerëz me rëndësi në Kishë, kurrgjë nuk kërkuan të shtohet. 7 Por përkundrazi, ata panë se më qe besuar predikimi i Ungjillit ndër paganë, pikërisht sikurse edhe Pjetrit ndër të rrethprerë ‑ 8 pasi Ai që kishte vepruar në Pjetrin për apostullim ndër të rrethprerë, po ashtu kishte vepruar edhe në mua për të mirën e paganëve 9 dhe, duke njohur hirin që më qe dhënë, Jakobi, Kefa e Gjoni ‑ që çmohen shtyllat e fesë ‑ na i shtrinë të djathtat e veta, mua dhe Barnabës, në shenjë të bashkësisë, kështu që ne të shkonim ndër paganë e ata ndër të rrethprerë. 10 Vetëm na porositën t’i kujtojmë të vobektët ‑ gjë që jam kujdesuar ta bëj në mënyrë të veçantë.

Pali i kundërshton Pjetrit

11 Kur Kefa erdhi në Antioki i kundërshtova ndër sy haptas, sepse e meritoi dënimin. 12 E njëmend, para se të arrinin disa njerëz prej rrethit të Jakobit, hante bashkë me paganë, por, kur erdhën ata, nisi të tërhiqej e të ndahej, pse i druante të rrethprerët. 13 Pas shembullit të tij shkuan edhe judenjtë e tjerë, kështu që edhe Barnaba u gënjye prej shtirësisë së tyre.

14 Pra, kur pashë se nuk po ecnin drejtë sipas së vërtetës së Ungjilit, i thashë Kefës para të gjithëve: “Nëse ti, që je hebre, jeton si paganët e jo si hebre, përse paganët i detyron të jetojnë si hebrenj?”

Hebrenjtë e paganët shëlbohen me anë të fesë

15 Ne jemi prej natyre hebrenj, e jo “mëkatarë nga paganizmi.” 16 Dhe e dimë [tashti] se njeriu nuk shfajësohet në saje të veprave të Ligjit, por vetëm në saje të fesë në Jezu Krishtin. Prandaj ne besuam në Jezu Krishtin, që ta fitojmë drejtësinë nga feja e Krishtit e jo nga veprat e Ligjit, sepse ‘askush nuk do të mund ta fitojë drejtësinë’ me anë të veprave të Ligjit.

17 Por, nëse, duke kërkuar të fitojmë drejtësinë në Krishtin ‑ doli në shesh se edhe ne jemi mëkatarë, a mos është atëherë edhe Krishti në shërbim të mëkatit?

Prite Zot! 18 Porse, vërtet, në qoftë se përsëri ndërtoj, çka më parë rrënova, dëshmoj për vetvete se jam kundërvajtës. 19 Sepse, me anë të Ligjit, vdiqa për Ligjin që të jetoj për Hyjin; u kryqëzova bashkë me Krishtin; 20 jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë jetë që tani e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua. 21 Jo, unë nuk e hedh poshtë hirin e Hyjit, sepse, në qoftë se shfajësimi fitohet me anë të Ligjit, atëherë Krishti ka vdekur kot.

Galatasve: 3. Ligji dhe feja

3

1 Po kush, o galatas të pamendë, jua mori

mendtë, kurse para syve tuaj Jezu Krishti u përshkrua i kryqëzuar? 2 Vetëm kaq dua të di prej jush: a e morët Shpirtin Shenjt në saje të veprave të Ligjit, apo pse e pranuat fenë? 3 Po a kaq të marrë jeni?! Filluat me Shpirtin Shenjt e të mbaroni me trup?! 4 Po a thua kot i përjetuat të gjitha këto gjëra? Oh të kishin qenë kot! 5 Po a thua Ai që ju jep Shpirtin Shenjt dhe bën ndër ju vepra të mrekullueshme, i bën këto pse ju i kryeni veprat e Ligjit e jo pse e keni dëgjuar Mësimin e fesë?

6 Kështu, pse Abrahami “i besoi Hyjit, kjo gjë iu numërua për drejtësi.” 7 Dijeni, pra, mirë: ata që besojnë janë bijtë e vërtetë të Abrahamit. 8 E Shkrimi i shenjtë, duke paraparë se Hyji do t’i shfajësojë paganët me anë të fesë, që më parë ia dha Abrahamit këtë lajm të gëzueshëm: ‘Në ty do të jenë të bekuar të gjithë popujt!’ 9 Kështu, pra, ata që besojnë janë të bekuar bashkë me Abrahamin besimtar.

10 E njëmend, ata që mbështeten në veprat e Ligjit, janë nën mallkim, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: “Qoftë mallkuar secili që nuk mban e nuk zbaton gjithçka është shkruar në Librin e Ligjit!” 11 E se askush s’mund të shfajësohet para Hyjit me anë të Ligjit është e qartë, sepse: “I drejti do të jetojë me anë të fesë.” 12 Tashti Ligji nuk është prej fesë, por: “Kush e mban në të do të gjejë jetën.”

13 Krishti na shpërbleu prej mallkimit të Ligjit duke u bërë Ai vetë Mallkim ‑ sepse është shkruar: “I mallkuar është gjithkush varet në kryq, ” ‑ 14 që përmbi paganë të arrijë bekimi i Abrahamit në Krishtin Jezus: që Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt ‑ ta marrim me anë të fesë.

Ligji dhe premtimet

15 Vëllezër, po marr shembull nga jeta njerëzore: një testament të thjeshtë njerëzor, të bërë në rregull, askush nuk e zhbën as nuk i shton gjë. 16 Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e “Pasardhësit të tij.” Nuk thuhet: “Pasardhësve të tij” si për shumë pasardhës, por për një të vetëm: “Dhe pasardhësit tënd”. Ky është Krishti. 17 Ja, çka dua të them: Besëlidhjen që Hyji e ka bërë në mënyrë të rregullt, nuk e zhbën Ligji që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më vonë dhe nuk i hedh poshtë premtimet. 18 E njëmend, nëse trashëgimi fitohet me anë të Ligjit, nuk mund të fitohet me anë të premtimit. Tashti, Abrahamit Hyji ia dha dhuratën e vet me anë të premtimit.

19 Po atëherë ç’u lyp Ligji;

Qe vënë shtuar për arsye të kundërvajtjeve derisa të vinte Trashëgimtari, të cilit iu bë premtimi; Ligji u shpall prej engjëjve me anë të një ndërmjetësi. 20 Tashti, ndërmjetës nuk ka ku është vetëm një. E Hyji është një i vetëm!

Skllevërit dhe bijtë

21 A thua atëherë Ligji është kundër premti‑ meve [të Hyjit]?

Prite Zot! Por, po të ishte dhënë një ligj, i cili do të mund të jepte jetë, atëherë me siguri drejtësia do të vinte nga Ligji. 22 Por Shkrimi i shenjtë gjithçka ndryn nën mëkat që, me anë të fesë në Jezu Krishtin, t’u jepej premtimi atyre që besojnë.

23 Para se të vinte feja, ruheshin të ndryrë nën Ligj, për fenë që do të zbulohej. 24 Kështu, pra, Ligji ishte mbikëqyrësi ynë derisa të vinte Krishti që ne të shfajësoheshim me anë të fesë. 25 Por, që kur erdhi feja, nuk jemi më nën mbikëqyrës.

26 Prandaj, të gjithë jeni bijtë e Hyjit në fuqi të fesë në Jezu Krishtin, 27 sepse, gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin ‑ me Krishtin jeni veshur.

28 Nuk ka më: hebre ‑ grek!

Nuk ka më: skllav ‑ i lirë!

Nuk ka më: mashkull ‑ femër!

Të gjithë ju jeni NJË në Krishtin Jezus!

29 Nëse jeni të Krishtit, jeni pasardhësit e Abrahamit, trashëgimtarë në fuqi të premtimit.

Galatasve: 4. Kujdesi i Palit për galatasit

4

1 Dua të them: Derisa trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet në asgjë nga skllavi edhe pse është pronari i të gjithë pasurisë. 2 Ai është nën kujdestarë e mbarështues deri në atë ditë që ka caktuar i ati. 3 Po kështu edhe ne. Kur ishim të mitur, ishim skllevër të parimeve fillestare të shekullit.

4 Por, kur erdhi koha e caktuar,

Hyji dërgoi Birin e vet,

të lindur prej gruaje,

të nënshtruar Ligjit,

5 që t’i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit,

që ne ta fitonim bijësinë në shpirt.

6 E, ngaqë vërtet jeni bij:

Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet,

i cili gërthet: Abba ‑ o Atë!

7 Këndej, më nuk je skllav, por bir;

e, pasi je bir,

atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar.

Kujdesi i Palit për galatasit

8 Dikur, kur ende nuk e njihnit Hyjin, u shërbenit hyjnive, që, për kah natyra e tyre, nuk janë hyjni. 9

Por tani, kur e njohët Hyjin ‑ më mirë të them: kur Hyji ju njohu ju ‑ si tani rishtas të ktheheni te parimet e dobëta e të mjera dhe prapë rishtas doni të bëheni skllevër të tyre? 10 I kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë e vite! 11 Gjithë po trembem se kot hoqa keq mes jush!

12 Po ju lutem, o vëllezër, bëhuni si unë, se edhe unë u bëra si ju. Me asgjë nuk më fyet! 13 Ju e dini se me rastin e një sëmundjeje të trupit tim për herën e parë ju kam kumtuar Ungjillin; 14 dhe trazimin që jua bëri trupi im i sëmurë nuk e përbuzët dhe nuk treguat pakënaqësi, por, përkundrazi, më pranuat porsi engjëllin e Hyjit, porsi Jezu Krishtin. 15 Ku është tani ai gëzimi juaj i dikurshëm? E pra, unë ju dëshmoj se, të kishte qenë e mundshme, sytë tuaj i kishit nxjerrë për të m’i dhënë! 16 Kështu? A thua u bëra armiku juaj pse ju them të vërtetën?

17 Ata dëftojnë gjasme kujdes për ju, por jo në mënyrë të ndershme ‑ pse duan t’ju ndajnë [prej meje] ‑ që ju pastaj të jepeni me zell pas tyre. 18 Mirë është të jeni të rrethuar me kujdes qëllimmirë gjithmonë e jo vetëm kur jam pranë jush, 19 o fëmijët e mi, që unë ju rilind me dhimbje rishtas derisa Krishti të formohet në ju. 20 Oh, sa dëshiroj të gjendem tani ndër ju, për të gjetur fjalën e përshtatshme për ju, sepse nuk jam në gjendje të vendos ç’të bëj me ju!

Alegoria me Agarën e me Sarën

21 E ju që dëshironi të jeni nën Ligj, më thoni, a nuk dëgjoni çka thotë Ligji? 22 Sepse, në Shkrimin e shenjtë thuhet se Abrahami pati dy djem: njërin prej skllaves e tjetrin prej të lirës. 23 Ai prej skllaves është i lindur natyrisht, kurse ai prej gruas së lirë, në fuqi të premtimit. 24 Kjo është alegori: këto gra paraqesin dy Besëlidhjet: njëra Besëlidhjen që vjen nga Mali Sinaj ‑ e cila lind për skllavëri ‑ e paraqitur me Agarën; 25 e Agara do të thotë Mali Sinaj, që është në Arabi dhe i përgjigjet Jerusalemit të tanishëm ‑ sepse është në skllavëri me gjithë fëmijët e vet. 26 Ndërsa Jerusalemi ‑ ai lart ‑ është i lirë, ai është Nëna jonë. 27 Sepse në Shkrimin e shenjtë është:

“Galdo, beronjë, ti që nuk lind fëmijë,

gërthit në britmë hareje,

ti, që nuk i sprovon dhimbjet e lindjes,

sepse e përbuzura ka më shumë fëmijë

se ajo që e ka burrin!”

28 Kurse ju, o vëllezër, jeni porsi Izaku ‑ fëmijët e premtimit. 29 Dhe, sikurse asohere, ai që ishte i lindur natyrisht e salvonte atë që ishte i lindur sipas Shpirtit, ashtu ndodh edhe tani.

30 Porse, çka thotë Shkrimi i shenjtë;

“Dëboje skllaven edhe djalin e saj, sepse biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar me djalin e gruas së lirë!”

31 Këndej, o vëllezër, nuk jemi bijtë e skllaves, por të së lirës!

Galatasve: 5. Fryti i Shpirtit Shenjt dhe veprat e mishit

5

1 Krishti na liroi që të mbeteshim vërtet të lirë. Qëndroni, prandaj, e mos lejoni t’ju zënë në zgjedhën e skllavërisë!

2 Ja, unë, Pali, po ju them: në qoftë se rrethpriteni, Krishti më s’do t’ju vlejë asgjë! 3 Përsëri dua t’ju vë në dijeni: çdo njeri që rrethpritet, e detyron vetveten ta zbatojë mbarë Ligjin. 4 I këputët marrëdhëniet me Krishtin, ju që e themeloni shfajësimin në Ligj: keni rënë nga hiri. 5 Sepse ne nëpër Shpirtin Shenjt e presim me anë të fesë drejtësinë që e shpresojmë. 6 E njëmend, në Jezu Krishtin nuk vlen gjë as rrethprerja as parrethprerja, por ‑ feja që vepron me dashuri.

7 Aq bukur vraponit! Po kush qe ai që ju pengoi e tani nuk i nënshtroheni më të vërtetës? 8 Një bindje e tillë me siguri nuk vjen prej Atij që ju grish! 9 Pak tharm e mbrun të gjithë brumin. 10 E, lidhur me ju, shpresoj në Zotin, se nuk do të merrni një drejtim tjetër. E ai që ju turbullon, kushdo qoftë, do ta marrë dënimin.

11 E unë, o vëllezër, po ta predikoja gjithnjë rrethprerjen, përse do të vazhdonin të më salvojnë? Atëherë mbetka pa fuqi skandali i kryqit! 12 E bëftë Zoti e veten e gjymtofshin ata që mbjellin turbullime ndër ju!

13 Vërtet, vëllezër, ju jeni të grishur në liri! Por, kini kujdes që kjo liri të mos bëhet shkak të jetoni si do trupi, por ‑ me dashuri shërbejini njëri‑tjetrit! 14 Sepse i tërë Ligji përmblidhet në këtë urdhër: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!” 15 Nëse njëri‑tjetrin nuk e lini në paqe me fjalë dhe ia breni njëri-tjetrit jetën me ngatërresa, hapni sytë: po e qitni fare njëri‑tjetrin!

Fryti i Shpirtit Shenjt dhe veprat e mishit

16 Dua të them: jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. 17 Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim me njëri-tjetrin që të mos bëni çka dëshironi. 18 E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar Ligjit.

19 Tashti, veprat e mishit e të gjakut janë të njohura. Ato janë: fëlligështia, papastërtia, shfrenia, 20 idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi, ngacmimet, dasitë, mospërkimet, 21 zilitë, zdërhalljet, ndejat me pije e qejfe e të tjera si këto. Lidhur me këto po ju vë në dijeni që tani, siç jua thashë më parë: kush i bën këto, nuk do ta trashëgojë Mbretërinë e Hyjit.

22 Kurse fryti i shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, 23 butësia, përkormëria. Kundër këtyre nuk ka ligj.

24 Ata që janë të Krishtit [Jezus] e kryqëzuan trupin e vet bashkë me prirjet dhe dëshirat e ulëta.

25 Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, edhe të udhëheqemi nën drejtimin e Shpirtit Shenjt. 26 Mos të jepemi pas lavdisë së kotë! Mos ta ngacmojmë njëri‑tjetrin! Mos t’ia kemi smirë njëri‑tjetrit!

Galatasve: 6. Mbartni barrën e njëri tjetrit

6

1 Vëllezër, nëse ndokush bie në faj, ju që jeni njerëz shpirtërorë, forcojeni të tillin me shpirt butësie. Ruaje veten që edhe ti të mos biesh në tundim.

2 Mbartjani njëri‑tjetrit barrën e kështu do ta plotësoni Ligjin e Krishtit.

3 Sepse, po mendoi ndokush se është diçka ‑ e nuk është asgjë ‑ ai gënjen vetveten. 4 Secili le ta shqyrtojë vetë veprën e vet e atëherë, po gjeti arsye mburrjeje, le të jetë në krahasim me vetveten ‑ e jo me të tjerët. 5 Sepse, secili do ta mbartë barrën e vet.

6 Kush merr mësim në Fjalën e Hyjit prej ndokujt, le ta bëjë mësuesin e vet pjesëtar në të gjitha të mirat e veta.

7 Mos u gënjeni: Hyji nuk lejon të vihet në lojë! Atë që njeriu mbjell, atë edhe do të korrë! 8 Kush mbjell në trup të vet, nga trupi do të korrë shkatërrimin, e kush mbjell në Shpirt, nga Shpirti do të korrë jetën e pasosur.

9 Mos të lodhemi kurrë duke bërë mirë; për të vërtetë, nëse nuk do të mejmë, patjetër në kohën e duhur, do të korrim. 10 Prandaj, derisa të kemi kohë, t’i bëjmë mirë gjithkujt, sidomos vëllezërve në fe.

Qortimet e fundit dhe bekimi

11 Shikoni se me ç’germa të mëdha po ju shkruaj me dorën time! 12 Të gjithë ata që duan të mbahen të rëndësishëm sipas parimeve të mishit e të gjakut, të tillët ju shtyjnë të rrethpriteni me qëllim që të mos jenë të salvuar për shkak të kryqit të Krishtit. 13 E pra, as vetë të rrethprerët nuk e mbajnë Ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që të mund të mburren me trupin tuaj. 14 Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër gjë, përveçse me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën. 15 Sepse s’vlen asgjë as rrethprerja as parrethprerja ‑ por krijesa e re. 16 Të gjithë ata që do ta mbajnë këtë rregull si edhe mbarë Izraeli i Hyjit, paçin paqe e mëshirë!

17 Që tani askush më të mos më trazojë, sepse unë mbart në trupin tim shenjat e Jezusit.

18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen.