Hagai: 1. Rindërtimi i Tempullit

1

1 Në vitin e dytë të mbretit Dari, në të gjashtin muaj, të parën ditë të muajit, me anë të profetit Agje, i qe drejtuar fjala e Zotit Zorobabelit, birit të Salatielit, qeveritarit të Judës, edhe Jezuait, birit të Jozedekut, kryepriftit: 2 “Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Ky popull po thotë: ‘Ende s’ka ardhur koha të ndërtohet Shtëpia e Zotit. ’” 3 Këndej edhe erdhi fjala e Zotit me anë të profetit Agje: 4 “Vallë, për ju qenka koha të banoni në shtëpi të tavanosura e kjo Shtëpi të mbesë shkretë? 5 Tani, pra, kështu thotë Zoti i Ushtrive: Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë: 6 mbollët shumë, por bashkuat pak, hëngrët, por nuk u ngitë, pitë, por jo sa ju deshi zemra, u veshët, por nuk u ngrohët e, ai që punoi me mëditje, e vuri në qese të shqyer. 7 Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Vërjani mendjen mirë udhës që keni marrë! 8 Ngjituni në mal, sillni dru e ndërtojeni Shtëpinë; kjo gjë do të më pëlqejë e do ta dëftoj lavdinë time ‑ thotë Zoti.

9 Shpresuat se do t’ju bëhet shumë dhe, ja, u bë pak: edhe aq sa sollët në shtëpi, unë fryva e jua treta. E përse ‑ thotë Zoti i Ushtrive? Sepse Shtëpia ime është rrënojë e ju secili kujdesoheni për shtëpinë tuaj! 10 Prandaj u qe urdhëruar qiejve të mos japin vesë edhe tokës i qe urdhëruar të mos e japë frytin e vet. 11 Këndej unë e çova thatësinë përmbi tokë, përmbi bjeshkë, përmbi drith, përmbi verë, vaj dhe përmbi çdo prodhim të tokës, mbi njerëz e mbi bagëti e përmbi çdo punë dore.”

12 Zorobabeli, biri i Salatielit, Jezuai, biri i Jozedekut, kryeprifti, dhe mbarë Teprica e popullit, e dëgjuan zërin e Zotit, Hyjit të vet, dhe fjalët e profetit Agje, në atë për çka Zoti, Hyji i tyre, e kishte dërguar atë tek ata. Populli pati frikë prej Zotit.

13 Atëherë Agjeu, lajmëtari i Zotit, kështu i tha popullit sipas urdhrit që kishte prej Zotit: “Unë jam me ju, thotë Zoti!” 14 Zoti e zgjoi shpirtin e Zorobabelit, birit të Salatielit, qeveritarit të Judës, dhe shpirtin e Jezuait, birit të Jozedekut, kryepriftit, dhe të mbarë Tepricës tjetër të popullit e ata erdhën e ia hynë punës në Shtëpinë e Zotit të Ushtrive, Hyjit të vet. 15 Ishte e njëzetekatërta ditë e muajit të gjashtë, viti i dytë i mbretërimit të Dariut.

Hagai: 2. Lavdia e Tempullit

2

1 Më njëzet e një të të shtatit muaj qe zbuluar kjo fjalë e Zotit me anë të profetit Agje: 2 ”Fol me Zorobabelin, birin e Salatielit, qeveritarin e Judës, me Jezuain, birin e Jozedekut, kryepriftin, dhe me Tepricën e popullit, e pyeti: 3 A është ndokush ndër ju që e ka parë këtë Shtëpi në lavdinë e saj të parë? E tani në ç’gjendje po e shikoni? Pse a nuk është ashtu në sytë tuaj sikurse të mos ishte fare? 4 Por edhe tani, zemër, o Zorobabel, thotë Zoti, zemër, o Jezus, biri i Jozedekut, kryeprift, zemër, o mbarë populli i vendit, thotë Zoti i Ushtrive! Hyrini punës, sepse unë jam me ju, thotë Zoti i Ushtrive! 5 Besa që e lidha me ju kur dolët nga dheu i Egjiptit dhe shpirti im qëndron mes jush: mos u trembni! 6 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive: Edhe pak e unë do ta tund qiellin e tokën, detin e terikun! 7 Do t’i tund të gjitha kombet e atëherë do të vijnë të gjitha visaret e popujve dhe këtë Shtëpi do ta mbush me lavdi, thotë Zoti i Ushtrive. 8 Imi është argjendi, imi është ari, thotë Zoti i Ushtrive. 9 Lavdia e ardhshme e kësaj Shtëpie do të jetë më e madhe se e para, thotë Zoti i Ushtrive, e në këtë vend unë do ta dhuroj paqen, thotë Zoti i Ushtrive!”

Këshillim me priftërinjtë

10 Më njëzet e nëntë të muajit të nëntë, në të dytin vit të Dariut, i qe drejtuar profetit Agje kjo fjalë e Zotit:

11 “Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Pyeti priftërinjtë lidhur me Ligjin e thuaj: 12 ‘Nëse ndokush mbart në kindin e petkut të vet mish të shuguruar e me kindin e petkut prek bukën, shujtën ose verën ose vajin ose çfarëdo ushqimi, a thua edhe këto do të bëhen të shuguruara?” Priftërinjtë iu përgjigjën e thanë: “Jo!” 13 Agjeu atëherë shtoi: “Po nëse dikush që u bë i papastër pse preku kufomën, i prek të gjitha këto, a do të bëhen të papastra?” Priftërinjtë u përgjigjën e thanë: “Bëhen të papastra!” 14 Atëherë Agjeu vazhdoi fjalën e tha: “I tillë është ky popull, i tillë është ky komb para syve të mi, thotë Zoti ‑ dhe e tillë është çdo punë e duarve të tij, madje edhe gjithçka që flijojnë këtu është e papastër.”

Premtim mirëqenieje bujqësore

15 Tani vërjani mendjen mirë prej ditës së sotme e në të ardhmen: Para se të vinit gur mbi gur në Tempullin e Zotit, 16 në ç’gjendje ishit? I afroheshit grumbullit që kujtonit se do të ketë njëzet masë grurë e kishte dhjetë, i afroheshi tinarit për të nxjerrë pesëdhjetë masë verë e kishte vetëm njëzet! 17 Unë ju frushkullova me thatësi, vrug e me breshër dhe të gjitha veprat e duarve tuaja, por prej jush nuk u gjet asnjë që të kthehet tek unë, thotë Zoti. 18 Vërjani mendjen prej ditës së sotme e në të ardhmen, prej ditës së njëzetekatërt të të nëntit muaj, prej ditës në të cilën u shtinë themelet e Tempullit të Zotit, vërjani mendjen mirë, 19 a ka më farë në grunar dhe ende vreshti, fiku, shega e ulliri nuk dhanë fryte? Por prej kësaj dite unë do t’i bekoj!”

Premtime Zorobabelit

20 Fjala e Zotit i qe drejtuar edhe një herë të dytë Agjeut më njëzet e katër të këtij muaji: 21 ”Thuaji Zorobabelit, qeveritarit të Judës: Unë do t’i tund qiell e tokë, 22 do t’i përmbys fronet e mbretërve, do ta asgjësoj fuqinë e mbretërve paganë, do t’i rrëzoi karrocat e luftës e luftëtarët në to, do të rrëzohen kuajt dhe kalorësit e tyre secili i shporuar me shpatën e të vëllait. 23 Atë ditë, thotë Zoti i Ushtrive, do të të marr ty, o Zorobabel, biri i Salatielit, shërbëtori im, thotë Zoti, e do të të bëj vulë, sepse ty të zgjodha, ” ‑ thotë Zoti i Ushtrive.