< Zb 3 Zb 5 >
Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull(Zb 4)
4

1 Pastaj pashë: dhe ja, në qiell një derë e hapur! Edhe zëri që e dëgjova më parë, që fliste me mua si zë trumbete, më tha: »Hip këtu dhe do të të tregoj çka do të ndodhë pas kësaj!«

2 Menjëherë kalova në vegim me anë të Shpirtit Shenjt.

Dhe ja, në qiell ishte froni dhe Dikush ndenjur në fron.

3 Atij që rrinte në fron i shkëlqente fytyra në përngjasim të gurit të paçmueshëm të jaspisit dhe të sardit.

Rreth e reth fronit ylberi që i ngjante smaragdit.

4 Përreth fronit edhe njëzet e katër frone të tjera.

Mbi frone rrinin njëzet e katër udhëheqës të veshur me petka të bardha e në kokë kezat e arta.

5 Nga froni dilnin vetëtima, zëra dhe rrufe. Para fronit digjeshi shtatë vravashka të ndezura, d. m. th. shtatë shpirtra të Hyjit.

6 Përpara fronit diçka si det qelqi në ngjasim të kristalit.

Në mes të fronit dhe përreth fronit katër Gjallesa plot me sy para dhe pas.

7 Gjallesa e parë i përngjante luanit,

Gjallesa e dytë i përngjante mëzatit,

Gjallesa e tretë kishte fytyrë njeriu dhe Gjallesa e katërt ishte porsi shqiponja në fluturim.

8 Këta katër Gjallesa kishin secila nga gjashtë krahë gjithkah përrreth dhe përbrenda ishin plot me sy.

Ata nuk pushonin ditë as natë duke shpallur:

»Shenjt! Shenjt!

Zoti, Hyji i Gjithëpushtetshëm.

Ai që ishte, Ai që është dhe Ai që do të vijë!«

9 Dhe sa herë që Gjallesat i jepnin lavdi, nder dhe falënderim Atij që rri në fron, të Gjithëpushtetshmit të shekujve,

10 njëzet e katër udhëheqësit bienin përmbys para Atij që rri në fron dhe adhuronin Atë që jeton në shekuj të të shekujve. Ata i ulnin para fronit kezat e veta duke thënë:

11 »I denjë je, o Zot, Hyji ynë, të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin, sepse ti krijove gjithçka dhe me vullnetin tënd gjithçka u bë dhe u krijua!«



Fjala e Zotit