< Zb 2 Zb 4 >
Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull(Zb 3)
3

1 Shkruaji edhe engjëllit të Kishës në Sard: »Kështu thotë Ai që ka shtatë shpirtrat e Hyjit dhe shtatë yjet: I di veprat e tua: thuhet se jeton, por je i vdekur!

2 Rri zgjuar dhe forcoje tepricën që gati ka vdekur!

Sepse nuk i gjeta veprat e tua të përsosur para Hyjit tim.

3 Të të bjerë në mend, pra, si e ke marrë fjalën dhe e ke dëgjuar, ashtu edhe ruaje - dhe kthehu! Po nuk qëndrove zgjuar, do të vij si vjedhësi dhe nuk do të dish në ç’orë do të vij kundër teje.

4 Megjithatë i ke në Sard disa njerëz që nuk i përlyen petkat e veta.

Ata do të më përcjellin të veshur me petka të bardha, sepse janë të denjë.

5 Kështu edhe ngadhënjyesi do të mbajë petka të bardha; nuk do ta fshij emrin e tij prej librit të jetës dhe do ta dëshmoj emrin e tij para Atit tim dhe para engjëjve të tij.

6 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave«.

Letra drejtuar Kishës në Filadelfi

7 Edhe engjëllit në Kishën e Filadelfisë shkruaji:

»Kështu thotë Shenjti, i Vërteti.

Ai që ka çelësin e Davidit,

Kur ai çel askush s’mund të mbyllë,

kur ai mbyll askush s’mund të çelë:

8 I di veprat e tua!

Ja, e hapa para teje derën që akush s’mund ta mbyllë.

Njëmend pak fuqi ke dhe megjithatë e ruajte fjalën time dhe nuk i re mohit Emrit tim.

9 Ja, unë do t’i sjell disa nga sinagoga e Satanit - që e mbajnë veten për judenj e nuk janë, por rrejnë - ja, do t’i bie përdhuni para teje për t’u përkulur deri në dhe para teje, që ta marrin vesh se unë të dua.

10 Dhe pasi e mbajte me qëndrueshmëri fjalën time, dhe unë të të ruaj ty nga ora e provës që do të vijë mbi mbarë botën për t’i sprovuar banuesit e tokës.

11 Do të vij së shpejti!

Ruaje mirë çka ke, që askush të mos e rrëmbejë kezën tënde!

12 Ngadhënjyesin do ta bëj shtyllë në tempullin e Hyjit tim dhe prej andej ai s’do të dalë më kurrë!

Në të do ta shkruaj Emrin e Hyjit tim edhe emrin e qytetit të Hyjit tim, të Jerusalemit të ri, që zbret nga qielli, prej Hyjit tim, edhe Emrin tim të ri.

13 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!«

Letra e drejtuar Kishës së Laodicesë

14 Shkruaji edhe engjëllit të Kishës në Laodice:

»Kështu thotë Ameni, Dëshmitari, Besniku i vërtetë, Parimi i krijesës së Hyjit:

15 i di veprat e tua: nuk je as i ftohtë as i nxehtë!

Oh, të ishe i ftohtë ose i nxehtë!

16 Por, pasi je i vakët - as i ftohtë as i nxehtë - do të vjell prej gojës sime!

17 Dhe pasi thua: »Jam i pasur! U bëra pasanik!

Asgjë nuk më mungon!» e, pasi nuk di se je i mjerë, i ngratë, skamnor, i verbër, i zhveshur,

18 po të këshilloj: blej prej meje ar të pastruar në zjarr që të pasurohesh, blej petka të bardha që të vishesh dhe të mos shihet turpi i lakuriqësisë sate; blej edhe barin për të lyer sytë që të shohësh!

19 Unë i qortoj dhe i ndëshkoj ata që i dua. Ji, pra, i zellshëm dhe kthehu!

20 Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua.

21 Ngadhënjyesin do ta vë të rrijë me mua në fronin tim, sikurse edhe vetë ngadhënjeva dhe ndenja bashkë me Atin tim në fronin e tij.

22 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!«



Fjala e Zotit