< Zb 20 Zb 22 >
Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull(Zb 21)
21

2 Pashë edhe qytetin e shenjtë - Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet.

3 Atëherë dëgjova një zë të fortë që vinte nga froni:

»Ja Tenda e Hyjit me njerëz! 

Hyji do të banojë me njerëz!

Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta [Hyji i tyre]«.

4 Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As Vdekja më s’do të jetë, as vaj, as ofshamë, as dhimbje më s’do të ketë, [sepse] bota e mëparshme mori fund.

5 Atëherë Ai që rri mbi fron tha: »Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!«.

Dhe shtoi: »Shkruaj! Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!«

6 Pastaj më tha: »U bënë! Unë jam Alfa dhe Omega! Fillimi dhe Mbarimi! Atij që ka etje unë do t’i jap falas nga burimi i jetës.

7 Ngadhënjyesi do t’i trashëgojë këto edhe unë do të jem Hyji i tij e ai biri im.

8 Kurse frikacakët, të pafetë dhe të ndytët, vrastarët e fëlligështarët, shortarët dhe idhujtarët dhe të gjithë rrenacakët trashëgimin e kanë në liqenin që digjet me zjarr dhe me sulfur«.

Kjo është vdekja e dytë.

Jerusalemi i ri

9 Atëherë u afrua njëri nga shtatë engjëjt që mbanin shtatë gotat plot me shtatë plagët e fundit dhe më tha:

»Eja, do të ta tregoj të fejuarën, Gruan e Qengjit!«

10 Më kaloi në shpirt në majë të një mali të lartë dhe ma tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin: po zbriste nga qielli, prej Hyjit!

11 Shkëlqente nga Lavdia e Hyjit: i shndritshëm porsi guri i paçmueshëm, porsi guri jaspis, kristalor.

12 Rreth e rreth me mure të mëdha e të larta; kishte dymbëdhjetë dyer e në dyer dymbëdhjetë engjëj dhe të shkruar emrat e dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.

13 Në lindje tri dyer, në veri tri dyer, në jug tri dyer e në perëndim tri dyer.

14 Muret e qytetit kishin dymbëdhjetë themele e mbi to dymbëdhjetë emrat e dymbëdhejtë apostujve të Qengjit.

15 Engjëlli që fliste me mua kishte masën - një kallam ari - për të matur qytetin, dyert e tij dhe muret e tij.

16 Qyteti ishte katror: gjatësia e tij e barabartë me gjerësinë. Qytetin e mati me kallam: dymbëdhjetë mijë stadje: gjatësia, gjerësia dhe lartësia të barabarta.

17 I mati edhe muret e tij: njëqind e dyzet e katër kutë!

Engjëlli përdori masën që përdorin njerëzit.

18 Muret e qytetit janë të ndërtuara me jaspis, kurse vetë qyteti me ar të pastër që i përngjan qelqit të pastër.

19 Themelet e qytetit janë të stolisura me çdo lloj margaritari: themeli i parë prej jaspisit, i dyti prej safirit, i treti prej kalcedonit, i katërti prej smaragdit,

20 i pesti prej sardoniksit, i gjashti prej sardit, i shtati prej krizolitit, i teti prej berilit, i nënti prej topazit, i dhjeti prej krizoprazit, i njëmbëdhjeti prej hiacintit, i dymbëdhjeti prej ametistit.

21 Dymbëdhjetë dyert - dymbëdhjetë margaritarë: secila derë ishte prej një margaritari të vetëm.

Sheshi i qytetit - ar i kulluar, i tejdukshëm porsi kristali.

22 Në qytet tempull nuk pashë: sepse tempulli i tij është Zoti, Hyji, i Gjithëpushtetshmi edhe Qengji.

23 Qyteti s’ka nevojë për diell as për hënë për t’u ndriçuar, sepse ndriçon Lavdia e Hyjit, kurse llamba e tij është Qengji.

24 Popujt do të ecin në dritën e tij e mbretërit e dheut në të do ta sjellin lavdinë e vet.

25 Dyert e tij nuk do të mbyllen ditën - natë aty më nuk do të ketë!

26 Në të do të sillet nderi dhe lavdia e popujve.

27 Në të s’do të hyjë asgjë që nuk është e pastër, as ai që bën punë të liga ose gënjen; por vetëm ata që janë të shkruar në librin e Jetës së Qengjit.



Fjala e Zotit