< Zb 19 Zb 21 >
Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull(Zb 20)
20

1 Pastaj pashë: një engjëll tjetër po zbriste prej qiellit me çelësin e Humnerës dhe me hekura të mëdha në dorë.

2 Ai e kapi Dragoin - Gjarprin e vjetër - Djallin, Satanin - dhe e lidhi në hekura për një mijë vjet.

3 E plandosi në Humnerë, e mbylli dhe e vulosi derën mbi të që të mos i ngashnjejë njerëzit derisa të plotësohen një mijë vjetët.

Atëherë duhet të zgjidhet për pak kohë.

4 Pastaj pashë edhe fronet: Atyre që ndenjën në to u qe dhënë pushteti të gjykojnë.

Pashë edhe shpirtrat e atyre që ishin prerë për shkak të dëshmisë së Jezusit dhe për shkak të Fjalës së Hyjit, po ashtu edhe ata që nuk e adhuruan Egërsirën dhe truporen e saj dhe nuk e morën vulën në ballë as në dorë të tyre.

Ata u kthyen në jetë dhe bashkë me Krishtin mbretëruan një mijë vjet.

5 Të vdekurit e tjerë nuk u ngjallën derisa u plotësuan një mijë vjet.

Kjo është ngjallja e parë.

6 I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ngjalljen e parë! Mbi ta vdekja e dytë s’ka pushtet: ata do të jenë priftërinjtë e Hyjit dhe të Krishtit dhe bashkë me Të do të mbretërojnë për një mijë vjet.

Shpartallimi i Satanit

7 Pasi të kryhen një mijë vjet, Satani do të zgjidhet nga burgu i tij

8 dhe do të dalë të ngashnjejë popujt nga katër anët e botës - Gogë dhe Magogë - dhe do t’i bashkojë në luftë: numri i tyre është porsi rëra e detit.

9 Edhe këta u tubuan në fushën e gjerë të botës, e rrethuan fushimin e shenjtërve dhe qytetin e dashur. Por, nga qielli zbriti zjarri dhe i përpiu.

10 Djalli - ngashnjyesi i tyre, që plandosur në liqenin e zjarrtë dhe të sulfurt, aty ku gjendet Egërsira dhe Profeti i rrejshëm: aty do të vuajnë ditë e natë në shekuj të shekujve.

Gjyqi para fronit të lartë dhe të bardhë

11 Atëherë pashë një fron të madh dhe të bardhë edhe Atë që rri në të. Para tij u zhduk toka e qielli pa lënë farë gjurme.

12 Pashë edhe të vdekurit: të mëdhenj dhe të vegjël, në këmbë para fronit. Atëherë u hapën librat. U hap edhe një libër tjetër: libri i jetës.

Të vdekurit u gjykuan sipas shkrimeve që ishin në libra - sipas veprave të tyre.

13 Deti i ktheu të vdekurit që ishin në të, po ashtu edhe Vdekja dhe Nëntoka i kthyen të vdekurit që ishin në to: të gjithë qenë gjykuar sipas veprave të veta.

14 Atëherë edhe Vdekja dhe Nëntoka qenë hedhur në liqenin e zjarrtë.

Liqeni i zjarrtë është vdekja e dytë.

15 Kushdo nuk u gjet i shkruar në librin e jetës qe plandosur në liqenin e zjarrtë.



Fjala e Zotit