1 Engjëlli të Kishës në Efes shkruaji: »Kështu thotë Ai që mban në të djathtën e vet shtatë yjet, Ai që ecën mes shtatë shandanave të artë:
2 I njoh veprat e tua, mundin tënd dhe qëndresën tënde dhe e di se nuk mund t’i durosh të këqijtë. I vure në provë ata që mbahen për apostuj e nuk janë, dhe i gjete gënjeshtarë.
3 Je i qëndrueshëm ke vuajtur për shkak të Emrit tim dhe nuk e bore guximin.
4 Por kam diçka kundër teje: e le dashurinë tënde të parë!
5 Kujtohu, pra, se prej ku re! Kthehu dhe bëji veprat e mëparshme! Përndryshe do të vij te tij dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi i tij, nëse nuk kthehesh.
6 Por e ke këtë të mirë: i urren veprat e Nikollaitëve, të cilat i urrej edhe unë.
7 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!
Ngadhënjyesit do t’i jap të hajë nga pema e jetës që është në parajsën e Hyjit!«.
Letra e dërguar Kishës së Smirnës
8 Edhe engjëllit të Kishës në Smirnë, shkruaji: »Kështu thotë i Pari dhe i Fundit, Ai që pati vdekur, por u ngjall:
9 E di vuajtjen tënde dhe varfërinë - por je i pasur - i di edhe fyrjet e atyre që thonë se janë judenj, e nuk janë: janë sinagoga e Satanit!
10 Mos i druaj fare vuajtjet që do t’i pësosh: ja, djalli do të shtijë disa prej jush në burg për t’iu vënë në provë.
Do të gjendeni në vuajtje për dhjetë ditë.
Qëndro besnik deri në vdekje dhe do të ta jap kezën e jetës.
11 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!
Ngadhënjyesin nuk do ta dëmtojë vdekja e dytë!«
Letra e dërguar Kishës së Pergamit
12 Edhe engjëllit të Kishës në Pergam shkruaji: »Kështu thotë Ai që ka shpatën dy tehesh, të mprehtë:
13 ‘E di ku banon: aty ku është froni i Satanit - por qëndroni palëkundshëm në Emrin tim dhe nuk e mohove fenë time as në ditët kur Antipa, dëshmitari im, besniku im, u vra mes jush - aty ku banon Satani.
14 Por kam diçka pak kundër teje: janë disa te ti që e ndjekin mësimin e Balaamit, i cili e udhëzoi Balakun t’u vinte leqe bijve të Izraelit për të ngrënë mishin e flijuar idhujve dhe të jepen pas fëlligështisë.
15 Po ashtu edhe ti ke disa që ndjekin mësimin e Nikollaitëve.
16 Kthehu, pra!
Përndryshe, së shpejti do të vij te ti dhe do t’i luftoj me shpatën e gojës sime.
17 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!
Ngadhënjyesit do t’i jap manën e fshehur, do t’i jap edhe një gur të bardhë dhe mbi gur të shkruar një emër të ri që askush nuk e njeh përveç atij që e merr«.
Letra e drejtuar Kishës së Tiatirës
18 Edhe engjëllit të Kishës në Tiatirë shkruaji: »Kështu thotë Biri i Hyjit - Ai që ka sytë si flaka e zjarrit edhe këmbët në përngjasim të bronzit të lëmuar:
19 ‘I di veprat e tua, dashurinë, fenë, shërbesën dhe qëndresën tënde - edhe veprat e tua të fundit më të shumta se të parat -.
20 Por kam diçka kundër teje: e duron Jezabelën - një grua që thotë për vete se është profeteshë - të mësojë dhe të gënjejë shërbëtorët e mi që të bëjnë fëlligështi dhe të hanë mish të kushtuar idhujve.
21 Unë i dhashë kohë të kthehet, por ajo nuk do të kthehet nga lavirësia e saj.
22 Ja, po e hedh në shtratin e lëngimit, edhe fëlligështarët e saj në vështirësi të madhe, në qoftë se nuk kthehen prej veprave të saj.
23 Fëmijët e saj do t’i ndëshkoj me vdekje dhe të gjitha kishat do ta dinë: unë jam ai që shqyrton veshkat dhe zemrat - secilin prej jush do ta shpërblej sipas veprave të tij -.
24 Juve ju them: - ju të tjerëve në Tiatirë, që nuk e ndiqni këtë mësim dhe nuk i njohët kështu të quajturat »thellësi« të Satanit, nuk ju vë tjetër barrrë,
25 por atë që keni: mbajeni mirë derisa të vij!
26 Ngadhënjyesit, atij që deri në fund do t’i kryejë veprat e mia unë do t’i jap pushtet mbi paganë,
27 dhe do të sundojë mbi ta me skeptër hekuri dhe do t’i thyejë porsi enë argjilore,
28 ashtu sikurse edhe vetë e mora pushtetin prej Atit tim.
Dhe do t’ia jap Yllin e Dritës.
29 Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!«.