< Zb 17 Zb 19 >
Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull(Zb 18)
18

1 Pastaj thashë: një tjetër engjëll po zbiste nga qielli dhe kishte pushtet të madh dhe mbarë toka shndriti prej shkëlqimit të tij.

2 Ai bërtiti me një zë të fortë: »Ra, ra Babilonia e madhe! U bë banesë e djajve, strofull shpirtrash të ndytë, i të gjithë shpendëve të ndytë e të urrejtur,

3 sepse me verën e hidhërimit të fëlligështisë së saj u dehën popujt mbarë, me të bënë fëlligështi mbarë mbretërit e tokës dhe prej luksit të pamasë të saj u pasuruan tregtarët e botës«.

4 Dëgjova edhe një tjetër zë nga qielli, që thoshte: »Dilni prej saj, populli im që të mos bëheni pjesëtarë në mëkatet e saj, të mos ju gjejnë të këqijat e saj!

5 Sepse, mëkatet e saj arritën deri në qiell dhe Hyjit i ranë në mend padrejtësitë e saj.

6 Hakmerruni dhe gjë mos i lini mangut, shpaguajani dyfish sipas veprave të saj, në gotën që ajo ju ndikonte - dyfish ndikoni!

7 Sa ajo u mbulua me lumturi dhe luks, aq kthejani ju me mundime e me dhimbje! Sepse ajo thoshte në zemrën e vet: ‘Rri në fron si mbretëreshë dhe askurrë s’do të mbetem e vejë, kurrë nuk do të sprovoj ç’është vuajtja!’

8 Prandaj në të njëjtën ditë do të vijnë mbi të plagët: vdekja, e vaji, e zia e bukës, dhe krejtësisht do të digjet në zjarr. Sepse i fuqishëm është Zoti, Hyji, Gjykatësi i saj!

9 Mbi të do të qajnë dhe do të vajtojnë mbretërit e dheut që me të bënë fëlligështi dhe jetuan në qejfe, kur do ta shohin tymin e zjarrit të saj.

10 Duke ndenjur larg nga frika e vuajtjeve të saj do të qajnë: »Vaj, vaj qyteti i madh! Babiloni, qytet i fortë! Të doli mjaft një çast për të të gjetur dënimi!«

11 Po edhe tregtarët e dheut e qajnë dhe e vajtojnë, sepse akush më nuk ua blen tregtinë:

12 as ar, as argjend, as xhevahirë, as perla, as pupur, as mëndafsh, as kadife, as dru erëndshëm, as enë elefanti, as kurrfarë ene druri të çmueshëm, bronzi, hekuri, apo mermeri;

13 as cinamom, as balsam, as erëra të mira, as mirrnë, as kem, as verë as vaj, as miell të bardhë, as grurë; as lopë as dele, as kuaj as qerre, as robër, as shpirt njeriu të gjallë!

14 Po edhe pemët që i dëshironte shpirti yt, ikën prej teje, çdo stoli dhe madhështi humbi për ty! Jo, askurrë më nuk do të gjendet!

15 Tregtarët që me këto tregtonin e ajo i pasuroi, larg do të rrinë nga frika e mundimeve të saj duke qarë e duke vajtuar

16 e do të thonë: »Vaj, vaj! Qyteti i madh, i veshur me li, me purpur me kadife, i stolisur me gur të paçmueshëm dhe me margaritarë!«

17 Sa shpejt mbaroi gjithë kjo pasuri! Po edhe çdo timonier, të gjithë ata që lundrojnë afër brigjeve, çdo detar dhe kush punon në lundrim, qëndrojnë larg

18 dhe bërtasin duke parë tymin e zjarrit të saj: »Cili qytet ishte i ngjashëm me qytetin e madh?«

19 Dhe hodhën pluhur mbi kokë të vet e bërtisnin duke qarë dhe duke vajtuar: »Vaj, vaj për qytetin e madh! Pasuria e tij pasuroi të gjithë ata që kishin anije deti, dhe ja - përnjëherë u shkatërrua!«

20 Gëzo, o qiell, për rrënimin e tij, edhe ju të gjithë shenjtërit, apostujt dhe profetët, sepse Hyji, duke e dënuar atë, juve ju dha drejtësi.

21 Atëherë një engjëll i fuqishëm mori një gur të madh, si gur mulliri, dhe e flaku në det duke thënë: »Kështu do të flaket poshtë rrëmbyeshëm Babilonia, qyteti i madh dhe askurrë më nuk do të gjendet!

22 Këngë harpistësh e muzikantësh, fyelltarësh dhe trumbetarësh më në ty s’do të dëgjohet!

Kurrfarë mjeshtri të çdo mjeshtrie në ty më kurrë jo nuk do të gjendet! Ushtimë mokre në ty më s’do të dëgjohet!

23 As dritë pishe në ty, jo, nuk do të shihet! Jo zë dhëndri as zë nuseje të re kurrë në ty më s’do të dëgjohet. Sepse tregtarët e tu ishin princat e botës, sepse shortitë e tua gënjyen mbarë kombet,

24 në ty u gjet gjaku i profetëve dhe i shenjtërve dhe i të gjithë atyre që mbi tokë u prenë!«



Fjala e Zotit