1 Atëherë njëri nga shtatë engjëjt, që kishin shtatë gotat, m’u afrua dhe më tha: »Eja e do të të dëftoj Gjyqin kundër Lavires së madhe që rri mbi ujërat e mëdha,
2 me të cilën bënë fëlligështi mbretërit e tokës dhe u dehën me verën e fëlligështisë së saj banorët e dheut«.
3 Në vegim më çoi në shkretëtirë. Pashë një Grua që rrinte kaluar mbi Egërsirën e kuqe, që është plot me emra blasfemie, me shtatë kokë dhe me dhjetë brirë.
4 Gruaja ishte e veshur me purpur e me petk të kuq si gjaku, e ngrirë në ar, me gur të paçmueshëm e me perla. Në dorë kishte një gotë ari plot me kobësi dhe me ndyrësi të fëlligështisë së vet.
5 Në ballë kishte të shkruar emrin - mister: »Babilonia e madhe, nëna e lavireve dhe e të gjitha kobësive të botës!«
6 Pastaj pashë: Gruaja ishte e dehur me gjak të shenjtërve dhe me gjak të dëshmitarëve të Jezusit. Kur e pashë, mbeta shtang nga habia e madhe.
7 Por engjëlli më tha: »Pse po çuditesh? Unë do të ta tregoj misterin e kësaj Gruaje dhe të Egërsirës që e mbart në shpinë, të Egërsirës që ka shtatë kokë e dhjetë brirë.
8 Egërsira që pe, ishte e më nuk është; ajo do të ngrihet nga Humnera dhe do të mbarojë. Dhe do të habiten mbarë banorët e tokës - ata, emrat të cilëve që në krijimin e botës nuk u shkruan në librin e jetës - kur të shohin se Egërsira ishte dhe nuk është më, dhe prapë është aty.
9 Këtu lypet mendje e hollë, o ti që ke dijen! Shtatë kokët janë shtatë kodrat ku rri Gruaja; janë gjithashtu edhe shtatë mbretër:
10 pesë ranë, njëri është, kurse një tjetër ende s’erdhi, por, kur të vijë, do të qëndrojë pak kohë.
11 Po edhe Egërsira që ishte e nuk është, edhe ajo është i teti mbret, është një në numrin e të shtatëve dhe shkon në humbje.
12 Po edhe dhjetë brirët që ti pe, janë dhjetë mbretër që ende nuk e kanë marrë mbretërinë, por do ta marrin pushtetin si mbretër vetëm për një orë bashkë me Egërsirën.
13 Nuk kanë veçse një qëllim: ta vënë në shërbim të Egërsirës pushtetin e vet dhe fuqinë.
14 Ata do të bëjnë luftë me Qengjin - por Qengji do t’i mundë, sepse Ai është Zotëria i zotërinjve dhe Mbreti i mbretërve. Bashkë me Të do të ngadhënjejnë edhe të grishurit, të zgjedhurit, besimtarët«.
15 Pastaj më tha: »Ujërat që pe, mbi të cilat rri Lavirja, janë popujt, turmat, paganët, gjuhët.
16 Kurse dhjetë brirët që pe dhe Egërsira, do ta urrejnë Laviren, do ta shkretojnë dhe do ta zhveshin, do t’ia hanë mishin dhe do ta djegin në zjarr,
17 sepse Hyji ua mbushi mendjen ta çojnë në vend synimin e tij, një synim të vetëm: ta vënë mbretërinë e tyre në shërbim të Egërsirës derisa të plotësohen fjalët e Hyjit.
18 Gruaja që pe, paraqet qytetin e madh që mbretëron mbi mbretërit e dheut«.