< Zb 15 Zb 17 >
Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull(Zb 16)
16

1 Atëherë dëgjova një zë të fortë që, nga tempulli, u thoshte shtatë engjëjve: »Dilni e zbrazni mbi tokë shtatë gotat e hidhërimit të Hyjit!«

2 Shkoi i pari dhe e zbrazi gotën e vet mbi tokë: një çiban i keq, i tmerrshëm u doli të gjthë njerëzve që kishin vulën e Egërsirës dhe që adhuronin truporen e saj.

3 Edhe engjëlli i dytë e zbrazi gotën e vet mbi det: deti u bë si gjaku i të vdekurit dhe çdo gjallesë në det cofi.

4 Edhe i treti engjëll e zbrazi gotën e vet në lumenj dhe në burimet e ujërave: edhe ato u bënë gjak.

5 Atëherë dëgjova engjëllin, mbikëqyrësin e ujërave, duke thënë: »Je i drejtë Ti që je e Ti që ishe, o Shenjti vetë, pse me të drejtë vendose kështu,

6 sepse ata e patën derdhur gjakun e të drejtëve dhe të profetëve! Tani u jep të pijnë gjak! E kanë merituar!«

7 Dhe dëgjova lterin duke thënë: »Po, o Zot, Hyj i gjithëpushtetshëm, gjyqet e tua janë të drejta dhe të vërteta!«

8 Edhe engjëlli i katërt e zbrazi gotën e vet mbi diell: diellit iu dha pushteti t’i djegë njerëzit me zjarr.

9 Njerëzit qenë përvëluar nga nxehtësia e madhe, shanin Emrin e Hyjit që ka pushtet mbi këto plagë; e nuk u kthyen për t’i dhënë Atij lavdi.

10 Edhe i pesti e zbrazi gotën e vet mbi fronin e Egërsirës: mbretërinë e saj e mbuluan errësirat, njerëzit prej vështirësish hanin gjuhën e vet,

11 e shanin Hyjin e qiellit për arsye të mundiveve që hiqnin, për shkak të çibanëve të vet; por nuk u kthyen nga veprat e veta.

12 Edhe engjëlli i gjashtë e zbrazi gotën e vet mbi Eufratin, lumin e madh: uji u shter për t’u hapur udhën mbretërve të Lindjes.

13 Atëherë pashë: nga goja e Dragoit, nga goja e Egërsirës dhe nga goja e Profetit të rrejshëm dilnin tre shpirta të ndytë - si bretkosa.

14 Këta, në të vërtetë, janë shpritra djajsh që bëjnë shenja të çuditshme.

Shkuan të bashkojnë në luftë mbretërit e mbarë botës, për Ditën e madhe të Hyjit të gjithëpushtetshëm.

15 Ja, po vij si vjen vjedhësi! I lumi ai që rri zgjuar dhe i ruan petkat e veta që të mos ecë zhveshur dhe të mos i shihet trupi!

16 Dhe i bashkuan në një vend që hebraisht quhet »Harmagedon«.

17 Edhe i shtati engjëll e zbrazi gotën e vet në ajër. Atëherë nga tempulli, prej fronit, doli një zë i madh që thoshte: »U krye«.

18 E vetëtoi, e bubulloi, e ranë rrufe, e ra tërmet i madh, aq madh sa që një tërmet i tillë nuk qe që kur njeriu u duk përmbi tokë - kaq i madh qe ai tërmet!

19 Qyteti i madh plasi në tri pjesë e qytetet pagane u rrafshuan për dhe.

Atëherë Hyjit i ra ndër mend për Babiloninë e madhe për t’i dhënë të pijë nga gota e verës së hidhërimit plot zemërim hyjnor.

20 U zhduk çdo ujdhesë, mal më kund s’u pa

21 e mbi njerëz nga qielli ra breshër i madh sa talenti! Njerëzit e shanin Hyjin për shkak të plagës së breshërit, sepse vërtet ishte një plagë e rëndë.



Fjala e Zotit