< Jd 1 Zb 2 >
Lexim prej Zbulesës së Shën Gjonit apostull(Zb 1)
1

1 Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën ia dha Hyji Atij për t’i vënë në dijeni shërbëtorët e vet lidhur me ato që së shpejti do të ndodhin.

Ai bëri të dihen duke ia dërguar engjëllin e vet Gjonit, shërbëtorit të vet,

2 i cili dëshmon gjithçka ka parë është fjalë e Hyjit dhe dëshmi e Jezu Krishtit:

3 I lumi ai që i lexon

edhe ata që i dëgjojnë fjalët e kësaj profecie

dhe zbatojnë ato që janë të shkruara në të.

Sepse, koha e caktuar është afër!

4 Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi:

paçi hir dhe paqe

prej Atij që është, që ishte dhe që po vjen

dhe prej shtatë shpirtrave që janë para fronit të Tij

5 dhe prej Jezu Krishtit, Dëshmitarit besnik, të Parëlindurit ndër të vdekur, Sunduesit të mbretërve të tokës!

Atij që na do, që na çliroi nga mëkatet tona me gjakun e vet,

6 që na bëri Mbretëri, priftërinj për Hyjin, Atin e vet,

- Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj [të shekujve].

Amen

7 Ja, po vjen me re

dhe do ta shohë çdo sy

edhe ata që e shporuan

dhe të gjitha fiset e tokës do të vajtojnë për shkak të Tij.

Po! Amen!

8 Unë jam Alfa dhe Omega - thotë Zoti Hyj, - Ai që është, që ishte dhe që po vjen, i Gjithëpushtetshmi.

Gjoni sheh Krishtin

9 Unë Gjoni, vëllai juaj dhe bashkë me ju pjesëtar në vuajtje, në mbretëri dhe në qëndresë në Jezusin: isha për shkak të fjalës së Hyjit dhe të dëshmisë së Jezusit në ishullin që quhet Patmos.

10 Një ditë të Diel pata vegim prej Shpirtit Shenjt dhe pas meje dëgjova një zë të madh, porsi zë trumbete,

11 që më thoshte: »Çka po sheh, shkruaj në libër dhe dërgojua shtatë kishave: në Efes, në Smimë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice!«

12 U solla ta shoh zërin që po fliste me mua; si u ktheva, pashë shtatë shandanë të artë

13 dhe në mes të shandanëve dikë si Birin e njeriut, të veshur me petk të gjatë dhe të ngjeshur me brez ari rreth parzmës,

14 kokën e tij dhe flokët i kishte të bardhë porsi leshi i bardhë, porsi bora e sytë e tij porsi flaka e zjarrit;

15 këmbët e tij ishin porsi bronzi i lëmuar, i skuqur në furrë; zëri i tij porsi ushtima e ujërave të mëdha;

16 në dorën e djathtë mbante shtatë yje, nga goja e tij dilte një shpatë dy tehesh, e mprehtë, fytyra e tij porsi dielli kur ndriçon me plot fuqinë e vet.

17 Kur e pashë, rashë para këmbëve të tij porsi i vdekur. Ai vuri mbi mua të djathtën e vet e tha: »Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Fundit,

18 i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve dhe unë i kam çelësat e Vdekjes dhe të Nëntokës!

19 Shkruaj, pra, çka pe: çka është dhe çka do të ndodhë më vonë!

20 Lidhur me fshehtësinë e shtatë yjeve që i pe në të djathën time dhe lidhur me shtatë shandanët e artë: shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, kurse shtatë shandanët janë shtatë kishat.



Fjala e Zotit