< Zan 7 Zan 9 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 8)
8

1 Hyjit i ra ndër mend për Noehin dhe për të gjithë frymorët e bagëtitë që ishin me të në arkë, solli erën përmbi tokë dhe ujërat ranë.

2 U mbyllën burimet e humnerës e pendat e qiellit edhe u ndaluan shirat nga qielli.

3 Ujërat u tërhoqën nga toka pak nga pak. Pas njëqind e pesëdhjetë ditëve ujërat filluan të pakësohen.

4 Të shtatin muaj, të shtatëmbëdhjetën ditë të muajit u ndal arka mbi malet Ararat.

5 Por ujërat vazhdimisht shkonin duke u ulur deri në muajin e dhjetë. Të dhjetin muaj, ditën e parë të muajit, u panë majet e maleve.

6 Pasi kaluan dyzet ditë, Noehi e hapi dritaren e arkës që kishte pasë punuar dhe lëshoi korbin.

7 Ky dilte: shkonte e kthehej derisa u terën ujërat mbi tokë.

8 E lëshoi edhe pëllumbin për të parë a është hequr ujët përmbi sipërfaqen e tokës.

9 Ky, duke mos gjetur ku ta pushojë këmbën e vet, u kthye tek ai në arkë: sepse ujërat ishin mbi mbarë tokën. Noehi e shtriu dorën, e kapi dhe e futi në arkë.

10 Pasi priti edhe shtatë ditë të tjera, përsëri e lëshoi pëllumbeshën prej arke.

11 Atëherë ajo erdhi tek ai në mbrëmje dhe e solli në sqep të vet një gem ulliri me gjethe të gjelbëra. Noehi e mori vesh se ujërat ishin tërhequr prej toke.

12 Megjithatë, priti edhe shtatë ditë të tjera. Atëherë e lëshoi pëllumbeshën; kjo nuk u kthye më.

13 Ishte viti gjashtëqind e një, muaji i parë, dita e parë e muajit, kur ujërat u thanë përmbi tokë. Noehi e hoqi mbulesën e arkës, shikoi dhe, ja, sipërfaqja e tokës ishte tharë.

14 Të dytin muaj, të njëzeteshtatën ditë të muajit, toka u ter.

15

Atëherë Hyji i tha Noehit:

16 “Dil ti e gruaja jote nga arka, e me ty bijtë e tu e gratë e bijve të tu.

17 Qiti me ty edhe të gjitha kafshët e gjalla të çdo lloji që i ke me ty: shpendët, bagëtitë ashtu edhe të gjithë zvarranikët që zvarriten përmbi tokë, që të shpërndahen e të përhapen përmbi tokë, të rriten e të shtohen e të shumohen mbi tokë”.

18 Doli, pra, Noehi e me të bijtë e tij, gruaja e tij e gratë e bijve të tij.

19 Po ashtu nga arka dolën edhe të gjithë gjallorët sipas llojeve të tyre: bagëtitë, shpendët dhe zvarranikët që zvarriten përmbi tokë.

20 Noehi ndërtoi në nder të Zotit një lter, mori prej të gjitha kafshëve të pastra e prej shpendëve të pastër dhe i kushtoi fli shkrumbimi në lter.

21 Zoti i mori erë erës së këndshme dhe tha në zemrën e vet: “Nuk do ta mallkoj më kurrë tokën për shkak të njerëzve, sepse mendimi i zemrës së njeriut është i prirur kah e keqja që prej rinisë së tij; nuk do t’i ndëshkoj më të gjithë frymorët si bëra.

22 Derisa toka të jetë

mbjelljet dhe korrjet,

të ftohtët e të nxehtët,

vera e dimri,

dita e nata

kurrë s’do të pushojnë”.



Fjala e Zotit