< Zan 6 Zan 8 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 7)
7

1 Atëherë Zoti i tha Noehit: “Hyr në arkë ti dhe gjithë familja jote, sepse ty të gjeta të drejtë para syve të mi në këtë brezni.

2 Prej të gjitha kafshëve të pastra merr nga shtatë e shtatë ‑ mashkull e femër ‑ kurse prej të papastrave dy nga dy ‑ mashkull e femër.

3 Po ashtu edhe prej shpendëve të qiellit shtatë e shtatë ‑ mashkull e femër, që të shpëtojë fara mbi mbarë sipërfaqen e tokës.

4 Sepse, edhe shtatë ditë e do të bëj të bjerë shi përmbi tokë për dyzet ditë e dyzet net dhe do të shfaros çdo gjë të gjallë që krijova mbi sipërfaqen e tokës.

5 Noehi bëri krejt ashtu si i urdhëroi Zoti.

6 Noehi kishte gjashtëqind vjet kur ujërat e përmbytjes vërshuan mbi sipërfaqen e tokës.

7 Noehi hyri në arkë me të bijtë e tij, gruan e tij dhe gratë e bijve të tij për shkak të ujërave të përmbytjes.

8 Prej kafshëve të gjalla të pastra e të papastra, prej shpendëve dhe prej çdo gjallese që lëviz përmbi tokë,

9 hynë dy nga dy me Noehin në arkë ‑ mashkull e femër, siç kishte urdhëruar Zoti.

10 Si kaluan shtatë ditë, ujërat e përmbytjes vërshuan mbi tokë.

11 Të gjashtëqindin vit të jetës së Noehit, në muajin e dytë, të shtatëmbëdhjetën ditë të muajit, plasën të gjitha burimet e humnerës së madhe e u hapën pendat e qiellit.

12 Përmbi tokë ra shi për dyzet ditë e dyzet net.

13 Po atë ditë hynë në arkë Noehi, Semi, Kami e Jafeti, bijtë e tij, gruaja e tij dhe me ta tri gratë e bijve të tij,

14 ata dhe çdo frymor, sipas llojit të vet, çdo lloj kafshe, sipas llojit të vet dhe çdo zvarranik që lëviz përmbi tokë, sipas llojit që i përket, e çdo fluturues sipas llojit, të gjithë shpendët dhe të gjitha kafshët që fluturojnë,

15 hynë me Noehin në arkë dy e dy nga çdo qënie në të cilin ishte fryma e jetës.

16 Ata që kanë hyrë, hynë mashkull e femër prej të gjitha qënieve të gjallë sikurse Hyji i kishte urdhëruar Noehit. Zoti nga jashtë ia mbylli derën.

17 Atëherë u bë përmbytje mbi tokë gjatë dyzet ditëve e ujërat u shumuan dhe e ngritën arkën lart nga toka.

18 Sepse u rritën shumë dhe mbuluan gjithçka mbi sipërfaqen e tokës, kurse arka notonte përmbi ujë.

19 Ujërat u bënë gjithnjë e më të furishme mbi tokë, dhe u mbuluan të gjitha malet e larta nën qiell.

20 Uji qe më i lartë pesëmbëdhjetë kutë përmbi malet që kishte mbuluar.

21 Mbaruan të gjithë frymorët që lëvizin përmbi tokë: shpendët, kafshët, egërsirat, si dhe të gjithë zvarranikët që hiqen zvarrë përmbi tokë dhe të gjithë njerëzit;

22 gjithçka në tokë që kishte frymën e jetës sharroi.

23 Shfarosi çdo gjallesë që ishte përmbi tokë: prej njeriut deri në bagëti, deri në zvarranikë edhe në shpendët e ajrit; u shqimën nga faqja e dheut. Mbetën gjallë vetëm Noehi edhe ata që ishin me të në arkë.

24 Ujërat e pushtuan tokën njëqind e pesëdhjetë ditë.



Fjala e Zotit