1 Ndërkaq uria e ndrydhte shumë rëndë mbarë tokën.
2 Kur u mbaruan ushqimet që i kishin sjellë prej Egjiptit, Jakobi u tha të bijve: “Kthehuni dhe na bleni pak ushqime”.
3 Juda iu përgjigj: “Ai njeri na tha fare qartë: ‘Nuk guxoni të më dilni para syve, po qe se nuk e sillni me vete edhe vëllanë tuaj më të vogël’.
4 Nëse, je pra, i mendimit që vëllai ynë të niset me ne, do të shkojmë të blejmë ushqimet e domosdoshme për ty.
5 Por, nëse nuk e lëshon, nuk do të shkojmë atje, sepse ai njeri ‑ si thamë shpesh herë ‑ na u kërcënua: “Nuk guxoni të më dilni para syve nëse vëllai juaj më i vogël s’do të jetë me ju”.
6 Atëherë Izraeli u tha: “Po pse ma bëtë këtë të zezë që i treguat se keni edhe një vëlla tjetër”?
7 Ata i përgjigjën: “Ai njeri na pyeti me radhë për ne dhe për familjen tonë: a është baba gjallë, a kemi vëlla tjetër? Ne na u desh t’i përgjigjemi sipas pyetjeve që na bëri. Vallë a mund të na e merrte mendja se do të thotë: Silleni me vete vëllanë tuaj më të vogël”?
8 Edhe Juda i tha t’et, Izraelit: “Lëshoje djalin me mua. Të çohemi e të nisemi që të mund të mbesim gjallë e të mos vdesim ne e ti e fëmijët tanë.
9 Unë jam dorëzanë për djalin: lype prej dorës sime! Nëse nuk do ta sjell dhe nuk do ta kthej te ti, unë do të jem fajtor ndaj teje për gjithë jetën.
10 Paj , po të mos e kishim shtyrë udhëtimin aq, tani do të ishim kthyer për herë të dytë”.
11 Prandaj, Izraeli, baba i tyre, u tha: “Nëse nuk bën assesi ndryshe, bëni siç doni. Merrni e shtini në thasë frytet më të zgjedhura të këtij dheu dhe çojani atij njeriu dhuratë: pak rrëshinë, mjaltë, balsam, erëra të mira, lajthia e bajame.
12 Po edhe paratë, merrni me vete dy fish më shumë, edhe ato që i gjetët në grykë të thasëve, ktheni se ndoshta kanë bërë ashtu prej gabimit.
13 Merreni edhe vëllanë tuaj dhe shkoni tek ai njeri.
14 Hyji im i gjithëpushtetshëm e zbuttë me ju atë njeri dhe e lëshoftë me ju vëllanë tuaj që e mban në burg, po edhe këtë, Beniaminin. E unë, nëse duhet të mbetem pa djem, s’kam ç’të bëj”.
15
16 Ai kur i pa ata dhe Beniaminin me ta, i urdhëroi kujdestarit të shtëpisë së vet: “Futi këta njerëz në shtëpi dhe therre një bagëti dhe bëje bukën gati, sepse këta njerëz do ta hanë sot me mua drekën”.
17 Shërbëtori bëri siç i qe urdhëruar, i futi njerëzit në shtëpinë e Jozefit.
18 Këtu këta u trembën dhe i thanë njëri ‑ tjëtrit: “Për shkak të parave që më parë i morëm në thasët tanë na sollën këtu mbrenda që të sulen në ne dhe të na bëjnë skllevër ne dhe gomarët tanë”.
19 Për këtë arsye mu në hyrje të shtëpisë iu afruan kujdestarit të shtëpisë
20 dhe i thanë: “Po të lutemi, zotëri, na e dëgjo një fjalë! Ne kemi qenë edhe më parë këtu për të blerë ushqime.
21 Por, pasi i blemë, kur arritëm në bujtinore, i hapëm thasët dhe në grykën e tyre i gjetëm paratë. Tani e sollëm po atë peshë të tyre.
22 Ne veç, sollëm edhe para të tjera për të blerë çka kemi nevojë. Nuk e dimë kush i futi paratë në thasët tanë”.
23 Por, ai u përgjigj: “Paqja me ju, mos kini frikë! Hyji juaj e Hyji i atit tuaj ju dhuroi thesare në thasët tuaj; paratë tuaja unë i kam arsyetuar”. Pastaj e solli te ta edhe Simonin.
24 Si i futi në shtëpi, u solli ujë dhe i lanë këmbët. Ai u qiti të hanë edhe gomarëve të tyre.
25 Duke pritur të vijë Jozefi ata i bënin gati dhuratat, sepse e kishin marrë vesh se aty do të hanin drekën.
26 Kur, pra, Jozefi hyri në shtëpinë e vet, këta ia paraqitën dhuratat që i mbanin në duar dhe i bënë nderim duke u përkulur me fytyrë përdhe.
27 Po edhe ai, duke ua kthyer me njerëzi përshëndetjet e tyre, i pyeti: “A është mirë ati juaj i moshuar, për të cilin më keni folur? A është gjallë”?
28 Ata i përgjigjën: “Shërbëtorit yt, baba ynë, është shëndosh, është ende gjallë”. Dhe u përkulën në shenjë nderimi.
29 Jozefi i çoi sytë dhe pa Beniaminin, vëllanë e vet, birin e nënës së vet, e tha: “A është ky vëllai juaj i vogël, për të cilin më keni folur”? Dhe vazhdoi: “Perëndia ‑ tha ‑ biri im, pastë mëshirë për ty”!
30 Dhe shpejtoi të dalë përjashta, sepse zemra iu trazua nga malli i madh për vëllanë e vet. E pa se po i shpërthenin lotët, hyri në një dhomë e u shkreh në vaj.
31 Pasi i lau faqet, doli prej dhomës, u kthye përsëri e, duke e shtrënguar veten, urdhëroi: “Sillni të hamë”!
32 Pasi u sollën në tryezë, veçmas Jozefit e veçmas vëllezërve, po ashtu veçmas edhe egjiptianëve që s’hanë bashkë me hebrenj, për ta do të ishte një shenjtdhunim nje gosti e tillë.
33 U ulën në tryezë pranë tij prej të parëlindurit deri te më i riu, secili sipas moshës së vet, e kishin mbetur shtang nga habia.
34 Jozefi urdhëroi t’u çohen pjesët e ushqimit prej tryezës së vet, por pjesa e Beniaminit ishte pesë herë më e madhe se ajo e të tjerëve. Pinë bashkë me të deri që u bënë në qejf.