1 Si dëgjoi Jakobi se në Egjipt po shiteshin ushqime, u tha të bijve: “Pse rrini si hu e shikoni njëri‑tjetrin”?
2 E vazhdoi: “Dëgjova se po shitet drithë në Egjipt. Shkoni e na blini sa na duhet që të mbetemi gjallë e të mos vdesim urie”!
3 Kështu, pra, u zbritën dhjetë vëllezërit e Jozefit për të blerë drithëra në Egjipt.
4 Jakobi e ndali në shtëpi Beniaminin, vëllanë e Jozefit. Ai u tha vëllezërve të tij: “Që të mos pësojë rastësisht ndonjë të keqe udhës.”
5 Bijtë e Izraelit hynë në dheun e Egjiptit bashkë me të tjerët që shkonin të blejnë drithëra. Sepse, uria mbretëronte në dheun e Kanaanit.
6 Tashti Jozefi ishte prijës në dheun e Egjiptit, ishte ai që i shiste drithëra popullit. Kur erdhën vëllezërit e tij dhe iu përkulën në nderim me fytyrë për dhe,
7 Jozefi i njohi, u foli më ashpër se njerëzve të tjerë nga se mbahej si i huaj. I pyeti: “Prej nga po vini?” Ata i përgjigjën: “Prej dheut të Kanaanit! Erdhëm që të blejmë ushqimet e domosdoshme.”
8 Edhe pse Jozefi i njohi vëllezërit , ata nuk e njohën atë.
9 Iu kujtuan ëndrrat, që i kishte parë dikur për ta. Prandaj, u tha: “Ju jeni hetues! Keni ardhur të hetoni pikat e dobëta të këtij dheu”!
10 Ata i përgjigjën: “Jo, o zotëri, nuk është ashtu! Shërbëtorët e tu erdhën vetëm të blejnë ushqime.
11 Të gjithë ne jemi bijtë e njërit. Jemi njerëz të ndershëm dhe shërbëtorët e tu nuk kanë shestuar kurrë asgjë të keqe”!
12 Por, ai u përgjigj: “Ndryshe është puna! Jo, po erdhët të brimoni pikat e ligshta të këtij dheu!”
13 E ata prapë: “Shërbëtorët e tu ‑ thanë ‑ jemi dymbëdhjetë vëllezër, të gjithë të një ati. Jetojmë në dheun e Kanaanit. Më i vogli është me babain tonë, kurse një tjetër nuk është më”.
14 “He, pra, ashtu është, siç thashë unë ‑ u tha. ‑ Ju jeni hetues!
15 Dhe, ja, prova që do të jepni: pasha jetën e faraonit, nuk do të dilni prej këndej, derisa të mos vijë vëllai juaj më i vogël!
16 Dergoni njërin prej jush që ta sjellë, kurse ju të tjerët në burg derisa të vërtetohen fjalët tuaja a janë të vërteta apo të rreme. Ndryshe, pasha jetën e faraonit, jeni spiunë”!
17 Dhe i ndryu në burg tri ditë.
18 Të tretën ditë i nxori nga burgu dhe u tha: “Unë jam njeri që e druaj Hyjin. Bëni çka po ju them dhe do të mbeteni gjallë.
19 Nëse jeni njerëz të ndershëm, njëri vëlla prej jush do të mbesë në burg, kurse ju të tjerët shkoni dhe çoni ushqimet që i bletë në shëpitë tuaja,
20 atëherë ma sillni vëllanë tuaj më të vogël që të mund t’i vërtetoj fjalët tuaja e të mos ju shkojë koka”.
Bënë krejt ashtu si u tha
21 dhe i thonin njëri-tjetrit: “E merituam t’i heqim këto, sepse hymë në mëkat kundër vëllait tonë. E pamë se sa ngusht ishte shpirti i tij kur na lutej e ne nuk e dëgjuam. Prandaj, na ra mbi kokë gjithë ky pësim”!
22 Atëherë Rubeni tha: “Po a nuk ju pata thënë: ‘Mos hyni në mëkat kundër djaloshit’? Ju nuk më dëgjuat. Tani po kërkohet gjaku i tij”!
23 Ata nuk e dinin se Jozefi i merrte vesh, sepse ai fliste me ta me anë të përkthyesit.
24 Atëherë u largua paksa e qau. Pastaj u kthye e bisedoi me ta.
25 E mori dhe e lidhi Simonin ndër sy të tyre.
@@@
Jozefi u dha urdhër shërbëtorëve që t’ua mbushin thasët me drithë dhe t’ua vënë paratë secilit në grykën e thesit dhe t’ju japin edhe ushqime për rrugë. Ata vepruan ashtu.
26 Ata i ngarkuan drithërat në gomarët e vet dhe u nisën.
27 Kur njëri prej tyre e hapi thesin për t’i dhënë tagji gomarit në bujtinore, si i pa paratë në grykë të thesit,
28 u tha vëllezërve: “M’i kanë kthyer paratë! Ja, tek janë në thes”! Të habitur dhe të trazuar, i thanë njëri ‑ tjetrit: “Çka do të thotë kjo? Ç’po bën Perëndia me ne kështu”?
29 Kur erdhën tek i ati i tyre, Jakobi, në dheun e Kanaanit, i treguan gjithë ç’u kishte ndodhur. I thanë:
30 “Sundimtari i vendit na foli rëndë dhe ështe i bindur se ne jemi hetues të vendit”.
31 Ne i përgjigjëm: “Jemi njerëz të ndershëm dhe se nuk kemi shestuar kurrë kurrfarë të keqeje.
32 Jemi dymbëdhjetë vëllezër të lindur të një ati. Njëri nuk është më, kurse më i vogli është me babain tonë në dheun e Kanaanit.
33 Ai njeri na tha, zotëria i atij vendi:
“Kështu do t’ju sprovoj a jeni të sinqertë: lëreni njërin prej vëllezërve tek unë. Ju të tjerët merrni ushqimet e nevojshme për shtëpitë tuaja dhe shkoni.
34 Vëllanë tuaj më të voglin silleni tek unë që ta di se nuk jeni spiunë e që ta merrni këtë që është në pranga e ashtu do të mund ta qarkulloni dheun lirisht”.
35 Si thanë kështu, kur po zbraznin drithërat, secili gjeti në grykën e thasëve paratë e lidhura. Të gjithë i kapi një frikë e madhe
36 dhe i ati Jakobi tha: “Më latë pa djem! Jozefi nuk është më, Simoni është në burg e Beniaminin po ma merrni! Ç’më ranë mbi kokë të gjitha këto të zeza”!
37 Atëherë iu përgjigj Rubeni: “Vriti të dy djemtë e mi në qoftë se nuk do ta kthej djalin! Ma dorëzo mua dhe unë do ta kthej”.
38 Por, ai u përgjigj: “Djali im nuk do të shkojë atje me ju! Vëllai i tij i vërtetë, vdiq! Ai mbeti i vetëm! Po i ndodhi diçka e keqe në udhë, kokën tim të thinjur do ta çoni në nëndhe me dhimbje”!