1 Pas dy vjetësh faraoni pa ëndërr. I dukej se po gjendej në breg të lumit,
2 prej të cilit po dilnin shtatë lopë të bukura dhe të majme e po kullosnin nëpër kënetë.
3 Pas tyre dilnin shtatë të tjera prej lumit, të ndyta dhe të shemtuara dhe qëndronin në bregun e lumit.
4 Këto i përlanë shtatë lopët e bukura dhe të majme. Dhe faraonit i doli gjumi.
5 E zuri gjumi përsëri dhe pa një ëndërr tjetër. Shtatë kallinj ngallitnin mbi një kërcyell. Ishin kallinj të plotë e të bukur.
6 Po aq kallinj ngallitnin të zbrazët dhe të djegur prej erës së ngrohtë,
7 dhe e përpinë mbarë bukurinë e kallinjve të parë. Faraonit i doli gjumi dhe, ja ishte ëndërr!
8 Në mëngjes ishte shumë i trazuar në shpirt dhe i thirri të gjithë sa ishin dijësit dhe dijetarët e Egjiptit. Faraoni i grishi dhe u tregoi ëndrrën, por nuk dinin ta shtjellonin.
9 Atëherë kryetari i kuptarëve u kujtua dhe tha: “Po e rrëfej një lëshim timin.
10 Një herë, kur u hidhërua mbreti me shërbëtorët e vet, dha urdhër të më hedhin në burg mua dhe kryemjeshtrin e furrtarëve në burgun e kryetarit të rojeve.
11 Po aty, ne të dy, po në një natë të vetme, pamë nga një ëndërr dhe secila prej ëndrrave kishte vështrimin e vet të veçantë që kishte të bënte me të ardhmen.
12 Aty ishte me ne edhe një djalosh hebre, shërbëtor i kryetarit të rojeve. Këtij ia treguam ëndrrat.
13 Ashtu si na i shpjegoi ashtu edhe na ndodhi. Mua vërtet më kthyen në detyrën time, kurse atë e varën”.
14 Atëherë faraoni çoi dhe e thirri Jozefin. E nxorën me të shpejtë nga burgu, e qethën, ia ndërruan petkat dhe e sollën para faraonit.
15 Faraoni i tha: “Kam parë ëndrra, por s’ka kush të m’i shtjellojë. Po më thonë se ti, kur ta dëgjosh ëndrrën, je në gjendje ta shtjellosh”.
16 Jozefi iu përgjigj: “Po edhe pa mua, Hyji do të dijë t’ia japë faraonit një përgjigje shpëtimprurëse”!
17 Pra, faraoni tregoi çfarë kishte parë: “Më dukej se po qëndroja në bregun e lumit.
18 Dhe ja, prej lumit dolën shtatë lopë ashtu sa s’ka të bukura, plot mish e dhjamë e po kullosnin gjelbërim në kënetë.
19 Por, ja, i ndoqën shtatë lopë të tjera dhe aq ishin të shemtuara e të ligshta, sa që të tilla kurrë s’kam parë në dheun e Egjiptit.
20 Këto edhe pasi i përpinë dhe i hëngrën të parat,
21 nuk dhanë asnjë shenjë se u nginë, sepse dukeshin njësoj të ligshta dhe të shemtuara. Më doli gjumi, por më zuri përsëri
22 dhe pashë ëndërr: Shtatë kallinj ngallitnin mbi një kërcyell: ishin të plotë e tepër të bukur.
23 Po prej një kërcyelli lenë edhe shtatë kallinj të tjerë të zbrazët dhe të djegur nga era djegëse.
24 Po edhe këta e përlanë bukurinë e të parëve. Ua tregova ëndrrën shtjelluesve, por askush nuk qe në gjendje të ma shtjellojë”.
25 Jozefi u përgjigj: “Ëndrra e mbretit është një ëndërr e vetme. Hyji e vë në dijeni faraonin çka mendon të bëjë.
26 Shtatë lopët e bukura dhe shtatë kallinjtë e plotë, janë shtatë vjet të begatshme: s’është, por një ëndërr e vetme.
27 Po edhe shtatë lopët e ligshta dhe të shemtuara, që dolën pas atyre, si dhe shtatë kallinjtë e zbrazët dhe të djegur prej erës djegëse, janë shtatë vjet të urise që do të vijë.
28 Dhe, ja, si do të ndodhë:
29 një herë do të vijnë shtatë vjet prodhimtarie të madhe në mbarë dheun e Egjiptit.
30 Këta do t’i ndjekin shtatë vjet të tjera të një paprodhimtarie të tillë buke, sa që do të harrohet krejtësisht e tërë bagatia e mëparshme. Zia e bukës do ta shkretojë mbarë dheun,
31 dhe do ta zhdukë begatinë e madhe, zia e madhe.
32 E pasi e pe të dytën herë ëndrrën që ka po të njëjtin kuptim, është shenja se Hyji e ka caktuar dhe se nuk do të vonojë ta çojë në vend.
33 Prandaj faraoni të kujdeset të gjejë një njeri të mençur e të dijshëm dhe ta vërë prijës mbi mbarë dheun e Egjiptit.
34 Të vërë gjithashtu prijës për çdo krahinë dhe të mbledhë në drithnikë të pestën pjesë të prodhimeve të shtatë vjetëve të begatisë
35 që do të vijnë. Tërë gruri të vihet në pushtetin e faraonit dhe të ruhet në qytete.
36 Le të bëhen gati për shtatë vjetët e urisë së ardhshme që do të rëndojë mbi Egjipt e kështu nuk do të shkretohet dheu prej urisë”.
37
38 Faraoni u tha: “Vallë, a mund ta gjejmë një njeri porsi ky që të jetë plot me Shpirtin e Hyjit”?
39 Prandaj, i tha Jozefit: “Pasi Hyji t’i tregoi gjithë çka the, a thua mund ta gjej një njeri më të mençur ose të ngjashëm me ty?
40 Ti do të jesh mbi gjithë shtëpinë time, dhe urdhrave të tu do t’u bindet mbarë populli im. Më i madh se ti do të jem unë vetëm për sa i përket fronit të mbretërisë.”
41 Faraoni i tha përsëri Jozefit: “Shiko! Po të vë në krye të mbarë dheut të Egjiptit”!
42 Atëherë e hoq unazën prej gishtit të vet dhe ia vuri në gisht Jozefit. E veshi me petk të bukur dhe në fyt ia vuri vargjet e arit.
43
Endej ai me karrocë si zëvendësi i faraonit, ndërkaq, para tij klithnin: “Abrek!” që të gjithë të binin para tij në gjunjë dhe ta dinin se ishte prijësi i mbarë dheut të Egjiptit.
44 Mbreti i tha edhe këtë Jozefit: “Unë jam faraoni, por pa lejen tënde, askush në dheun e Egjiptit, nuk do të luajë as dorë as këmbë”.
45 Ai edhe ia ndërroi emrin dhe e quajti në gjuhën egjiptianë Safanet Fanek (që përkthehet Shpëtimtari i botës) dhe ia dha për grua Asenetën, bijën e Putifarit, priftit të Heliopolit.
Jozefi doli nëpër mbarë dheun e Egjiptit ‑
46 kishte tridhjetë vjet kur iu paraqit faraonit mbretit të Egjiptit. E duke u larguar prej faraonit, i ra fund e krye dheut të Egjiptit.
47 Erdhi begatia e shtatë vjetëve, e Jozefi, për ato shtatë vjet i mblodh të gjitha prodhimet bujqësore në drithnikë të Egjiptit,
48 duke i venduar në çdo qytet drithërat e fushave të rrethit.
49 Dhe, vërtet, qe një begati shumë e madhe drithërash sa që të mund të krahasohet me rërën e detit dhe aq shumë qe sa që më s’mundi të matet.
50
51 Të parëlindurit ia ngjiti emrin Manase. Tha: “Perëndia deshi t’i harroj të gjitha mundimet e mia dhe shtëpinë e tim ati.”
52 Djalit të dytë ia ngjiti emrin Efraim. Tha: “Perëndia deshi e më shtoi në dheun e mjerimit tim”.
53 Kështu, si kaluan shtatë vjetët e begatisë që ishin në Egjipt,
54 nisën të vijnë shtatë vjetët e urisë që i kishte parakallëzuar Jozefi. Mbarë botën e kapi uria, kurse në dheun e Egjiptit kishte bukë.
55 Por, kur mbaroi buka, populli me zë të madh kërkoi bukë prej faraonit, ai u përgjigj: “Shkoni te Jozefi dhe bëni ashtu si t’ju thotë ai”!
56 Uria u përhap në mbarë dheun e Egjiptin. Jozefi i hapi të gjithë drithnikët dhe egjiptianët i furnizoi me drithë, sepse edhe ata i kishte kapur uria.
57 Njerëzit vinin nga të gjitha vendet në dheun e Egjiptit për të blerë ushqime te Jozefi, sepse skamja e bukës e kishte ngushtuar mbarë dheun.