1 Në atë kohë Juda u nda nga vëllezërit e vet e shkoi te një odo‑ lamas që quhej Hiram.
2 Aty e pa vajzën e një kananeu që thirrej Sue. E mori për grua dhe jetoi me të.
3 Ajo ngjizi dhe lindi djalin dhe e quajti Her.
4 Sue mbeti përsëri shtatzënë, i lindi djalë dhe e quajti Onan.
5 Lindi edhe djalin e tretë. Këtë e quajti Sela. Kjo ndodhej në Kasib, kur i lindi djali.
6 Juda e martoi djalin e parë të vetin, Herin, me një grua që quhej Tamarë.
7 Por, Heri, i parëlinduri i Judës, qe i keq para syve të Zotit, dhe Zoti e vrau.
8 Juda i tha Onanit: “Merre gruan e vëllait tënd dhe bëje shoqe për t’i ngritur trashëgimtar vëllait tënd”.
9 Ky, prejse e dinte se fëmija s’do të ishte i tij, kur hynte te gruaja e të vëllait, e derdhte farën për tokë që të mos i lindte të vëllait trashëgimtar.
10 Prandaj, edhe këtë e mbyti Zoti, sepse bëri një vepër të poshtër.
11 Për këtë arsye Juda i tha resë së vet, Tamarës: “Qëndro si vejushë në shtëpinë e atit tënd derisa të më rritet im bir Selai”. I kish hyrë frika se mos i vdes edhe ky porsi vëllezërit e tij. Ajo shkoi të jetojë në shtëpinë e të atit.
12 Kaloi shumë kohë dhe vdiq bija e Suehit, gruaja e Judës. Ky, kur kaloi koha e zisë, shkoi te qethtarët e deleve të veta bashkë me Hirasin, mikun e vet prej Odolamit, në Tamnë.
13 E lajmëruan Tamarën se vjehrri i saj po shkonte në Tamnë për të qethur delet.
14 Kjo, si i hoqi petkat e vejërise, ndërroi petkat, u mbulua me vel, u ul para derës së Enaimit në udhë që shpie në Tamnë. Bëri kështu, sepse Selai ishte rritur e nuk ia kishin dhënë për burrë.
15 Kur e pa Juda, mendoi se do të jetë lavire, sepse ajo e kishte mbuluar fytyrën.
16 Ai u drejtua kah ajo në udhë e i tha: “Më lejo të të afrohem”! Nuk dinte se ishte e reja. Ajo iu përgjigj: “Çka po më jep që të më afrohesh”?
17 Ai i tha: “Do ta çoj një edh prej grigjës”. Por, ajo i tha përsëri: “Nëse ma jep pengun derisa të ma dërgosh”.
18 Juda i tha: “Çka kërkon të jap për peng”? U përgjigj: “Vulën tënde, gjalmën dhe shkopin që ke në dorë”. Ai ia dha. Iu afrua dhe gruaja mbeti shtatzënë.
19 U çua dhe shkoi. Hoqi velin dhe u vesh me petkat e vejërisë.
20 Juda e dërgoi edhin me mikun e vet prej Odolamit, për të marrë pengun që ia kishte dhënë gruas. Ky, pasi nuk e gjeti atë,
21 i pyeti njerëzit e atij vendi: “Ku është lavirja që rrinte në Enaim, në rrugë”? e pasi të gjithë i përgjigjën: “Në këtë vend nuk ka pasur kurrë lavire”.
22 Ky u kthye te Juda e i tha: “Unë nuk e gjeta. Por, edhe njerëzit e atij vendi më thanë se aty nuk ka ndenjur kurrë lavire”.
23 Juda tha: “T’i mbajë se, ndryshe, po bëhemi gazi i dheut! Unë ia dërgova edhin që i premtova, por ti nuk e gjete”.
24 Kur ç’po ndodh?... Pas tre muajsh po i lajmërojnë Judës: “Reja jote, Tamara, është dhënë pas fëlligështisë dhe prej fëlligështisë ka mbetur shtatzënë”. Juda tha: “Qiteni përjashta dhe le të digjet”!
25 E kishin qitur për ta ndëshkuar. Kjo atëherë dërgoi t’i thonë vjehrrit: “Unë mbeta shtatzënë me atë njeri të cilit i përkasin këto. Njihi e kujt është kjo vulë, ky tej e ky shkop”.
26 Ky, si i njohi pengjet, tha: “Është më e drejtë se unë, sepse unë nuk ia dhashë për grua Selait, djalit tim”. Vërtet nuk ra më kurrë me të në shtrat.
27 Kur erdhi koha të lindë, u dukën binjakë në kraharorin e saj. Ndërsa po lindte, njëri e qiti dorën dhe mamia ia lidhi një pe të kuq e tha:
28 ”Ky doli i pari”.
29 Por, ky e tërhoqi dorën dhe doli vëllai i tij. Gruaja tha: “Ç’vrimë bëre”? Dhe për këtë arsye iu ngjit emri Fares (d. m. th. Vrima).
30 Atëherë doli i vëllai, në dorën e të cilit ishte peri i kuq. Ky u quajt Zara (d. m. th. Lindja e diellit).