< Zan 32 Zan 34 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 33)
33

1 Jakobi i çoi sytë dhe pa se po vinte Ezau me katërqind vetë. I ndau bijtë e Lisë, të Rakelës e të dy shërbëtoreve.

2 Dy shërbëtoret dhe bijtë e tyre i qiti të para, Linë dhe bijtë e saj të dytë, kurse Rakelën e Jozefin në fund.

3 Ai doli para tyre dhe me fytyrë për dhe e nderoi shtatë herë, derisa u afrua tek i vëllai.

4 Ezau u lëshua vrap në takim me të vëllanë dhe e përqafoi. Duke e shtrënguar ngryka‑ngrykas e puthte dhe qanin të dy.

5 Kur i çoi sytë, i pa gratë dhe fëmijët e tyre e tha: “Çka i ke ti këta”? Jakobi u përgjigj: “Janë fëmijët e mi që m'i dhuroi Perëndia, mua shërbëtorit tënd”.

6 U afruan shërbëtoret dhe fëmijët e tyre, u përkulën në nderim.

7 U afrua edhe Lia me fëmijët e saj dhe u përkulën në nderim. Të fundit e përshëndetën duke u përulur Jozefi dhe Rakela.

8 “Çka janë ato turma ‑ i tha ‑ që i pashë udhës”? iu përgjigj: “Që të gjej mirëkuptim para teje, imzot”.

9 Ai i tha: “Kam mjaft, or vëlla! Lëri për vete”!

10 Jakobi foli: “Mos ma prish, po të lutem, por, nëse kam gjetur hir para syve të tu, merri si dhuratëz prej dorës sime! M’u bë, kur e pashë fytyrën tënde, si ta kisha parë fytyrën e Perëndisë, pasi dëftove mirëkuptim për mua!

11 Merre, po të lutem, bekimin që ta solla, sepse Hyji ka pasur dhimbje për mua e kam gjithçka”.

Dhe, pasi u përpoq ta bindë me ngulm, ai pranoi

12 e tha: “Po shkojmë së bashku dhe do të jem shok udhëtimi me ty”.

13 Jakobi iu përgjigj: “Ti po sheh, imzot, se i kam fëmijët e njomë me vete edhe delet e lopët pëlleja! Po i mundova tepër në të ecur vetëm edhe një ditë, do të më cofin të gjitha grigjat.

14 Le të shkojë para meje imzoti, e unë do të vij pas ngadalë, sipas mundësisë të ecjes së gjësë së gjallë dhe sipas ecjes të të vegjëlve deri të arrij tek imzoti në Seir”.

15 Ezau iu përgjigj: “Po të lutem që së paku ndokush prej njerëzve që janë me mua të shoqërojnë në udhëtim”. “Po nuk është nevoja ‑ iu përgjigj Jakobi ‑ kam nevojë vetëm për një gjë: që të jem i pajtuar me imzotin”!

16 Po atë ditë Ezau u kthye rrugës së vet në Seir.

17 Jakobi erdhi në Sukot, ku për vete ndërtoi shtëpinë dhe per bagëti ndërtoi kasolla. Atë vend e quajti Sukot (d. m. th. Tëbanet).

18

Jakobi, pasi erdhi prej Padanaramit arriti shëndosh e mirë në qytetin e Sikemit, që është në Kanaan. Nguli, banesën përballë qytetit.

19 Prej bijve të Hemorit, të atit të Sikemit, e bleu për njëqind para argjendi atë copë tokë ku nguli çadrën e vet.

20 Aty e ndërtoi një lter dhe e quajti: “Hyji është Hyj i Izraelit”.



Fjala e Zotit