1 Rakela, duke parë se nuk po mund të lindte fëmijë, i pati smirë motrës dhe i tha burrit: “Bëj të kem fëmijë, ndryshe do të vdes”!
2 Jakobi i hidhëruar, iu përgjigj: “Pse a mos jam unë në vend të Hyjit që ty ta mohoi frytin e barkut”?
3 Por, ajo tha: “Ja, shërbëtorja ime Bilha: bjer me të, që të lindë në prehrin tim dhe të kem edhe unë prej saj bij”.
4 Dhe ia dha Bilhën, shërbëtoren e vet për grua.
5 Kjo, pasi e mori Jakobi, ngjizi dhe lindi djalë.
6 Rakela tha: “Hyji ma dha të drejtën dhe ma dëgjoi edhe mua lutjen, sepse më dhuroi djalin”. Prandaj e quajti me emër Dan.
7 Bilha, shërbëtorja e Rakelës, mbeti përsëri shtatzënë dhe i lindi Jakobit nje djalë tjetër.
8 Rakela tha: “Luftimet e Hyjit i luftova me motrën time dhe ngadhënjeva”, prandaj e quajti Neftali.
9 Lia, kur pa se nuk po mund të lindte më, mori Zelfën, shërbëtoren e vet dhe ia dha Jakobit për grua.
10 Edhe kjo i lindi Jakobit djalë.
11 Dhe Lia klithi: “Ç’fat të mirë”!
Prandaj e quajti Gad.
12 Zelfa, shërbëtorja e Lisë, i lindi Jakobit edhe një djalë tjetër.
13 Dhe Lia klithi prapë: “Për lumturinë time! Sepse gratë do të më shpallin të lume”! Prandaj e quajti Aser.
14 Në kohën e korrjes së grurit Rubeni doli në fushë, gjeti mullaga dhe ia solli Lisë, nënës së vet. Rakela i tha: “Më jep pak mullaga që t’i solli djali”.
15 Ajo iu përgjigj: “A po të duket pak që ma rrëmbeve burrin e po do të m’i marrësh edhe mullagat e djalit tim”? Rakela i tha: “Le të flejë sonte me ty për mullagat e djalit tënd”.
16 Kur Jakobi u kthye në mbrëmje nga fusha, Lia i doli përpara e i tha: “Sonte fli tek unë, sepse të kam paguar me mollët e dashurisë së djalit tim”. Dhe ai fjeti me të atë natë.
17 Hyji e vështroi Linë, ngjizi dhe i lindi Jakobit djalin e pestë
18 dhe tha: “Perëndia më shpërbleu, pse ia dhashë burrit tim shërbëtoren time”. Prandaj e quajti djalin Isahar.
19 Lia mbeti përsëri shtatzënë dhe i lindi Jakobit djalin e gjashtë
20 dhe tha: “Perëndia më dhuroi dhuratë të mirë. Kësaj here do të më nderojë burri im, sepse i linda gjashtë djem”. Prandaj e quajti djalin Zabulon.
21 Pas këtij lindi edhe vajzën me emër Dinë.
22 Hyjit i ra ndërmend edhe për Rakelën; Hyji ia plotësoi dëshirën dhe e bëri të pëlleshme.
23 Edhe kjo ngjizi dhe lindi djalë. Tha: “Hyji ma hoqi turpin!”
24 Dhe e quajti me emër Jozef duke shtuar: “Më shtoftë Zoti edhe me një djalë tjetër”!
25
26 M’i jep gratë dhe fëmijët e mi, për të cilat të shërbeva, që të shkoj e ti e di shërbimin që të kam bërë”.
27 Labani i tha: “Nëse të kam mik... Me ca shenja mësova se Hyji më bekoi në saje tënde.
28 Caktoje shpërblimin tënd që do të ta jap”.
29 Jakobi iu përgjigj: “Ti e di se si të kam shërbyer dhe sa t’u shtuan grigjat në duart e mia.
30 Ç’ke pasur para se të vija unë te ti? E tani shih sa ështe shtuar. Pate bekimin e Zotit që kur erdha unë. E tani, është koha të punoj edhe për shtëpinë time”?
31 Labani i tha: “Çka do të të jap”? Ai iu përgjigj: “S’dua të më japësh asgjë; por, nëse bën çka të kërkoj unë, do t’i kullos dhe do t’i ruaj përsëri bagëtitë e tua.
32 Sot më lejo t’u hyj të gjitha grigjave të tua, që të ndaj të gjitha bagëtitë ngjyrash të ndryshme e me lara dhe, cilado që të jetë galë ndër dele dhe kracë e lacë ndër dhi, do ta marr për shpërblimin tim.
33 Nesër do të më përgjigjë drejtësia ime. Kur të vish për ta parë pagën time, të gjitha dhitë që nuk do të jenë laca e kraca dhe ndër dele të mos jenë gala, le të vlerësohet si të vjedhura”.
34 Labani i tha: “Mirë, na qoftë si po thua ti”!
35 Po atë ditë i ndau cjeptë kracana e lacana si dhe të gjitha dhitë kraca e laca, të gjitha që kishin pika të bardha, dhe ndër berre çdo kokërr që ishte galë dhe ua dha djemve të vet.
36 I çoi tri ditë rrugë larg ndërmjet tij dhe Jakobit. Jakobi ruante pjesën tjetër të bagëtive të Labanit.
37 Atëherë Jakobi mori thupra të njoma plepi, bajameje dhe rrapi dhe ua hoqi pjesërisht lëkurën, kështu që atyre që ua hoqi lëkurën t’u dukej të bardhët.
38 Thuprat që i kishte shkruar pjesërisht me vija, i vuri në lugje, ku i ujonte që, kur të vinin grigjat për të pirë ujë, t’i kishin para sysh thuprat dhe, duke shikuar ato, të mbarësoheshin.
39 Kështu mbarësoheshin duke shikuar thuprat dhe bënë edha ngjyrash të ndryshme, kraca e laca.
40 Po edhe për sa u përket deleve, edhe ato Jakobi i ndau e bënte ashtu që, ndërsa ndërzeheshin, të shikonin të larmet dhe të zezat që ishin në grigjën e Labanit. Kështu bëri grigja të veta dhe nuk i bashkoi me grigjat e Labanit.
41 Sa herë që mbarësoheshin bagëtitë e shëndosha, Jakobi vinte thuprat në lugjet e ujit para syve të tyre që të mbarësoheshin duke i shikuar ato.
42 Kur mbarësoheshin bagëtitë e nevojme, nuk i vinte. Kështu të nevojmet i takonin Labanit e të fortat Jakobit.
43 Kështu ai u pasurua jashtëzakonisht dhe bëri grigja të mëdha, shërbëtore e shërbëtorë, gamile e gomarë.