< Zan 28 Zan 30 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 29)
29

1 Atëherë Jakobi mori rrugën dhe shkoi në dheun e bijve të Lindjes.

2 Në fushë pa një pus dhe tri grigja delesh në mriz rreth tij, sepse prej tij pinin delet dhe grykën e kishte të mbyllur me një gur të madh.

3 Ishte zakon që, kur të mblidheshin të gjitha delet, të hiqej guri dhe, pasi ta shuanin etjen grigjat, guri të vihej përsëri në grykën e pusit.

4 Jakobi u tha barinjve: “Prej nga jeni, vëllezër”? Ata i përgjigjën: “Prej Karranit”.

5 I pyeti: “A mos e njihni Labanin, birin e Nahorit”? I thanë: “E njohim”.

6 “A është shëndosh?”, u tha. “Mirë është ‑ i thanë ‑ dhe, ja, Rakela, bija e tij po vjen me grigjë”.

7 Tha: “Ka edhe shumë ditë dhe nuk është koha të bashkohen delet. Jepuni të pinë dhe ktheni në kullotë”!

8 Ata përgjigjën: “Nuk mundemi derisa të mblidhen të gjitha bagëtitë e ta heqim gurin prej grykës së pusit; atëherë do t’u japim ujë grigjave”.

9 Ata ende po flisnin me të, dhe ja, Rakela po vinte me delet e të atit. Ishte bareshë.

10 Kur Jakobi e pa Rakelën, bijën e Labanit, ungjit të vet, dhe delet e Labanit, ungjit të vuet, u afrua, e hoq gurin prej grykës së pusit

11 dhe i dha ujë grigjës së Labanit, ungjit të vet. Atëherë Jakobi e përqafoi Rakelën dhe qau me zë të lartë.

12 I tregoi se ishte vëllai babait të saj dhe biri i Rebekës. Ajo, duke nxituar, e lajmëroi të atin.

13 Ai, posa dëgjoi se kishte ardhur djali i motrës, Jakobi, vrapoi për t’i dalë para. E përqafoi dhe e mbuloi me të puthura dhe i priu në shtëpi të vet. Pasi i dëgjoi të gjitha ç’kishin ngjarë,

14 tha: “Vërtet qenke ashti dhe mishi im”!

Kështu qëndroi tek ai një muaj.

15

Atëherë Labani i tha: “A thua pse je im vëlla do të më shërbesh falas? Më trego sa duhet të jetë shpërblimi yt”!

16 Labani kishte dy vajza. E madhja quhej Lia, kurse e vogla quhej Rakelë.

17 Lia i kishte sytë e sëmurë me gloq, kurse Rakela ishte e bukur dhe e pashme.

18 Jakobi e donte këtë dhe tha: “Do të të shërbej shtatë vjet për vajzën tënde të voglën, Rakelën”.

19 Labani u përgjigj: “Më mirë është ta jap ty se sa një njeriu tjetër. Rri me mua”!

20 Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën. Iu duk si të ishin pak ditë prej dashurisë së madhe ndaj saj.

21 Atëherë Jakobi i tha Labanit: “Ma jep të fejuarën time, sepse u plotësua koha e dua të martohem”.

22 Labani i thirri në bukë të gjithë njerëzit e atij vendi dhe bëri dasmë.

23 Kur u bë mbrëmje, Labani mori vajzën e vet Linë dhe ia dha Jakobit. Ky u bashkua me të.

24 Labani ia dha vajzës shërbëtoren që quhej Zelfë.

Kur zbardhi drita... ç’të shohësh? Ishte Lia!

25 Jakobi i tha vjehrrit të vet: “Çfarë më bëre kështu? A nuk të shërbeva për Rakelën? Përse më gënjeve”?

26 Labani iu përgjigj:

“Ndër ne nuk ështe zakon ta martojmë vajzën e vogël para të madhes.

27 Le të kalojë kjo javë dasme dhe do ta jap edhe tjetrën si shpërblim për shërbim që do të më bësh për shtatë vjet të tjera”.

28 Jakobi pranoi dhe, pasi kaloi java e dasmës, Labani ia dha edhe vajzën tjetër, Rakelën, për grua.

29 Kësaj ia dha për shërbëtore Bilhën.

30 Jakobi u martua edhe me Rakelën dhe e deshi më shumë se Linë. I shërbeu Labanit edhe shtatë vjet të tjera.

31

Zoti duke parë se Jakobi e përbuzte Linë, atë e bëri të pëlleshme, kurse Rakelën beronjë.

32 Lia mbeti në e rëndë dhe lindi djalin, të cilit ia dhanë emrin Ruben, sepse thoshte: “Zoti e pa përvujtërinë time, tani do të më dojë burri im”.

33 Ngjizi përsëri dhe lindi djalin e tha: “Ndjeu Zoti se isha e lënë pas dore dhe ma dhuroi edhe këtë djalë”. Ia ngjiti emrin Simon.

34 Mbeti edhe të tretën herë shtatzënë dhe lindi edhe një djalë e tha: “Ketë herë burri im do të kthehet kah unë, sepse i linda tre djem”, prandaj e quajti Levi.

35 Ngjizi edhe të katërtën herë dhe lumnoi një djalë e tha: “Këtë herë do t’i jap lavdi Zotit”! Për këtë arsye e quajti Judë. Dhe pushoi të lindë.



Fjala e Zotit