< Zan 21 Zan 23 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 22)
22

1 Pas këtyre ngjarjeve Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham”! Ai iu përgjigj: “Tek jam”!

2 I tha: “Merre djalin tënd të dëshirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën Moria, e atje ma kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër malet që do të ta tregoj”.

3 Abrahami u ngrit heret në mëngjes, e shiloi gomarin e vet, mori me vete dy shërbëtorë të vet dhe Izakun, djalin e vet. Pasi më parë i preu drutë për fli shkrumbimi, u nis për në atë vend që Hyji i kishte treguar.

4 Të tretën ditë, pasi Abrahami i lartësoi sytë, e vështroi atë vend prej së largu.

5 U tha shërbëtorëve të vet: “Ju pritni këtu me gomar. Unë e djali po shkojmë deri atje për të adhuruar dhe do të kthehemi te ju”.

6 Mori edhe drutë e flisë së shkrumbimit e ia ngarkoi Izakut, birit të vet, kurse ai mbante në dorë zjarrin e thikën. Ndërsa të dy po ecnin së bashku,

7 Izaku i tha Abrahamit, babait të vet: “Baba!” Ai u përgjigj: “Çka do, biro? ‑ Qe ‑ tha ‑ zjarri e drutë, po ku është flia e shkrumbimit”?

8 Abrahami iu përgjigj: “Vetë Hyji do ta gjejë flinë e shkrumbimit për vete, biri im”!

Dhe të dy vazhduan udhën së bashku.

9 Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar, Abrahami aty e ndërtoi lterin dhe mbi të i renditi drutë. Pastaj e lidhi Izakun, djalin e vet, e vendosi mbi lter mbi turrën e druve,

10 shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet.

11 Dhe ja, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham”! Ky iu përgjigj: “Urdhëro”!

12 Engjëlli i tha: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë dëmi! Tani po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkakun tim nuk e kurseve as djalin tënd të dëshirit”.

13 Abrahami i çoi sytë lart dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre. E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit.

14 Atë vend e quajti: “Zoti sheh.” Këndej edhe sot e kësaj dite thuhet: “Në malin Zoti shihet”.

15 Engjëlli i Zotit e thirri Abrahamin për të dytën herë prej qiellit e i tha:

16 “Pasha mua ‑ është fjala e Zotit ‑ pasi e bëre këtë gjë dhe nuk t’u dhimbs djali yt i dëshirit,

17 unë po ta fal bekimin tim dhe do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi rëra në bregun e detit. Ndërsa pasardhësit e tu do t’i pushtojnë dyert e armiqve të vet

18 dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës pasi ti ma dëgjove fjalën”.

19 Atëherë Abrahami u kthye te shërbëtorët e vet. U çuan dhe, së bashku, shkuan në Bersabè. Abrahami banoi në Bersabè.

20

Pas këtyre ngjarjeve e lajmëruan Abrahamin se edhe Melka i kishte lindur Nahorit, vëllait të tij, disa djem:

21 Husin, të parëlindurin, Buzin, vëllanë e tij, Kamuelin, trungun e Aramit,

22 Kasedin, Azaun, Feldasin, Jedlafin

23 dhe Batuelin, prej të cilit lindi Rebeka. Këta të tetët i lindën prej Melkës, Nahorit, vëllait të Abrahamit.

24 Kurse gruaja e tij pa kurorë që quhej Romë, i lindi Tabeen, Gahamin, Tahasin dhe Maahanë.



Fjala e Zotit