1 Saraja, gruaja e Abramit, nuk po lindte fëmijë. Mirëpo, ajo kishte një shërbëtore egjiptiane që quhej Agarë,
2
dhe i tha burrit të vet: “Ja, Zoti më bëri beronjë. Fli me skllaven time, ndoshta prej saj do të kem djem”. Abrami e pranoi parashtrimin e Sarajës.
3 Dhjetë vjet pasi që Abrami zuri vend në dheun e Kanaanit, Saraja e mori Agarën, skllaven egjiptiane dhe ia dha burrit të vet për grua.
4 Ai fjeti me të dhe ajo ngjizi. Kur pa se ishte shtatzënë, e përbuzi zonjën e vet.
5 Saraja i tha Abramit: “Po vepron keq kundrejt meje. Unë ta dhashë në gji skllaven time, e cila sa pa se mbeti shtatzënë, zuri të më përbuzë. Zoti gjykoftë ndërmjet meje e teje”!
6 Abrami iu përgjigj: “Ja, ‑ i tha ‑ shërbëtorja jote është në duart të tua! Bëj me të si të duash!” Atëherë Saraja e mori aq me të keq sa që ajo u largua.
7 Engjëlli i Zotit e gjeti te një burim në shkretëtirë, te burimi në rrugën e Surit,
8 dhe i tha: “Agarë, skllave e Sarajës, nga po vjen dhe kah po shkon”? Ajo iu përgjigj: “Po iki prej Sarajës, zonjës sime”.
9 Engjëlli i Zotit i tha. “Kthehu te zonja jote dhe ji e përvuajtur kundrejt pushtetit të saj”!
10 Dhe engjëlli i Zotit shtoi: “Aq shumë do ta shtoj farën tënde sa që nuk do të mund të numërohet fare”!
11 Dhe vazhdoi engjëlli i Zotit:
“Ja, se je shtatzënë,
do të lindësh djalë
dhe ngjitja emrin Ismael,
sepse Zoti e dëgjoi vuajtjen tënde.
12 Ky djalë, bishë mali do të jetë:
dora e tij kundër të gjithëve do të jetë
edhe dora e të gjithëve kundër tij do të jetë!
Do ta ngulë çadrën përballë të gjithë vëllezërve të vet”.
13
Agara e quajti emrin e Zotit që po fliste me të: “Ti je Hyji që më sheh”. Sepse tha: “Vërtet, këtu e pashë pas shpine Atë që më sheh”!
14 Këndej edhe quhet ai pus Lahairoi (që do të thotë: Pusi i atij që jeton dhe më sheh). Pusi është ndërmjet Kadesit dhe Baradit.
15 Agara i lindi Abramit djalë. Ai djalit të vet që e lindi Agara, ia ngjiti emrin Ismael.
16 Abrami kishte tetëdhjetë e gjashtë vjet, kur prej Agarës i lindi Ismaeli.