< Zan 1 Zan 3 >
Lexim prej librit të Zanafillës(Zan 2)
2

1 Kështu u kryen qielli e toka dhe mbarë ushtria e tyre.

2 Të shtatën ditë Hyji e kreu punën e vet që kishte bërë. Të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë.

3 Hyji e bekoi të shtatën ditë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë kishte pushuar prej çdo pune që Hyji kishte bërë duke krijuar.

4 Kjo është zanafilla e qiellit dhe e tokës, kur qenë krijuar.

@@@

Atë ditë, kur Zoti Hyj krijoi tokën e qiellin

5 para se të mbinte në tokë ndonjë shkurre fushe, para se të gjelbëronte ndonjë bimë tokësore: sepse Zoti Hyj nuk kishte lëshuar ende shi mbi tokë e nuk kishte njeri që ta punonte tokën;

6 megjithatë, një burim dilte nga toka dhe e ujiste mbarë sipërfaqën e saj,

7 atëherë Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i futi frymën e jetës e njeriu u bë qenie e gjallë.

8 Zoti Hyj mbolli një kopsht në Eden, në lindje e në të e vendosi njeriun që e kishte krijuar.

9 Zoti Hyj bëri që prej toke të mbijë çdo lloj peme, e bukur për t’u parë dhe e shijshme për t’u ngrënë e në mes të parrizit pemën e jetes e pemën e dijes të mirës e të së keqes.

10 Një lumë buronte nga Edeni për ta ujitur kopshtin. Prej andej ndahej e formonte katër krahë.

11 Njëri quhet Pison: ky dredhon rreth mbarë tokës së Hevilatit ku ka ar ‑

12 ari i asaj toke është shumë i mirë ‑ po ka edhe bdel dhe gur onikin.

13 Lumi i dytë quhet Geon. Ky i sillet rreth mbarë tokës së Etiopisë.

14 Kurse lumi i tretë quhet Tigris: ky rrjedh në lindjen e Asirisë. E lumi i katërt është Eufrati.

15 Zoti Hyj e mori njeriun dhe e vendosi në kopshtin Eden që ta punojë e ta ruajë atë:

16 Zoti Hyj i urdhëroi njeriut dhe i tha: “Ha prej çdo peme të kopshtit;

17 por prej pemës së dijes - të së mirës dhe të së keqes, ruaj se ha. Sepse, atë ditë që ke për të ngrënë prej saj, do të vdesësh”.

18 Zoti Hyj tha edhe: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm: do t’ia bëj një ndihmë që t’i përngjajë”.

19 Pasi Zoti Hyj i kishte formuar prej dheut të gjitha kafshët e gjalla të fushës dhe të gjithë shpendët e qiellit, i solli te njeriu, për të parë, se si do t’i quajë, sepse secila kafshë e gjallë do të mbante atë emër, me të cilin do ta quante njeriu.

20 Njeriu ia ngjiti emrin përkatës secilës bagëti, secilit shpend të qiellit dhe secilës egërsirë të fushës; por për njeriun nuk gjendej një ndihmës që t’i përngjante atij.

21 Prandaj, Zoti Hyj i lëshoi njeriut një gjumë të rëndë. Pasi e zuri gjumi, ia nxori një brinjë dhe vendin e saj e mbushi me mish.

22 Zoti Hyj e përftoi gruan prej brinjës që ia kishte nxjerrë njeriut dhe e solli te njeriu.

23 Atëherë njeriu klithi:

“Kjo tani është ashti i eshtrave të mi

dhe mishi i mishit tim!

Le të quhet Grua,

sepse kjo u mor nga njeriu”.

24 Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm.

25 Të dy ishin të zhveshur: njeriu dhe gruaja e nuk ndjenin farë turpi.



Fjala e Zotit