1 Në fillim Hyji krijoi qiellin e tokën.
2
Toka ishte e shkretë dhe e zbrazët; terri e mbulonte humnerën dhe fryma e Hyjit endej përmbi ujëra.
3 Hyji tha: “Le të bëhet drita”! Dhe drita u bë.
4 Hyji pa se drita ishte gjë e mirë dhe e ndau dritën nga terri.
5 Hyji e quajti dritën ‘ditë’, kurse terrin ‘natë’. Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e parë.
6 Hyji tha edhe: “Le të bëhet ndërmjet ujërave kupa e qiellit dhe le t’i ndajë ajo ujërat prej ujërave”.
7 Hyji bëri kupën e qiellit dhe i ndau ujërat që ishin nën kupën e qiellit prej atyre që ishin përmbi kupën e qiellit. Dhe u bë ashtu.
8 Hyji e quajti kupën e qiellit ‘qiell’. Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e dytë.
9 Hyji tha prapë: “Le të bashkohen ujërat, që janë nën qiell, në një vend të vetëm. E le të duket teriku!”. Dhe u bë ashtu.
10 Hyji terikun e quajti ‘tokë’ kurse ujërat e bashkuara i quajti ‘dete’. Dhe Hyji pa se ishte gjë e mirë.
11 Dhe Hyji tha: “Le të qesë toka bar të gjelbër e bar që qet farë e lëndë frytdhënëse që jep fryte sipas llojit të vet që ta ketë farën e vet në vetvete përmbi tokë”! E u bë ashtu.
12 Toka qiti barin e gjelbër, barin që qet farë sipas llojit të vet, dhe lëndën frytdhënëse sipas llojit të vet, që ka më vetvete farën sipas llojit të vet. Hyji pa se ishte gjë e mirë.
13 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e tretë.
14 Hyji tha: “Le të bëhen ndriçues në kupën e qiellit, që ta ndajnë ditën e natën dhe të shërbejnë si shenja për stinë, ditë dhe vite:
15 që të ndriçojnë në kupën e qiellit dhe të ndrisin tokën”. Dhe u bë ashtu.
16 Hyji bëri dy dritëdhënës të mëdhenj: dritëdhënësin më të madh që të sundojë ditën e dritëdhënësin më të vogël që të sundojë natën dhe yjet.
17 Hyji i vendosi në kupën e qiellit që të ndriçojnë mbi tokë,
18 që ta sundojnë ditën dhe natën e ta ndajnë dritën prej errësirës. Hyji pa se ishte gjë e mirë.
19 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e katërt.
20 Hyji tha edhe: “Le të vlojnë ujërat vrumull me qenie të gjalla e shpendët le të fluturojnë përmbi tokë, nën kupën e qiellit”!
21 Hyji krijoi përbindësh të mëdhenj deti dhe çdo lloj qenie të gjallë që lëviz rrëshqanthi e gëlojnë sipas llojit të vet si edhe çdo shpend sipas llojit të vet. Hyji pa se ishte gjë e mirë.
22 Hyji i bekoi dhe tha: “Shtohuni e shumohuni, mbushni ujërat e detit; po edhe shpendët le të shumohen përmbi tokë”!
23 Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e pestë.
24 Përsëri Hyji tha: “Le të prodhojë toka qenie të gjalla, secilën sipas llojit të vet: bagëti, zvarranikë dhe egërsira sipas llojit të tyre”! Dhe u bë ashtu.
25 Hyji krijoi çdo lloj egërsire, bagëtie dhe zvarraniku të tokës. Hyji pa se ishte gjë e mirë.
26 Hyji tha: “Le ta bëjmë njeriun në shëmbëlltyrën e në përngjasimin tonë që të jetë zotërues i peshqve të detit, i shpendëve të qiellit, i kafshëve, i mbarë tokës, dhe i çdo zvarraniku që zvarritet mbi tokë”!
27 Hyji krijoi njeriun në përngjasimin e vet,
e krijoi në përngjasimin e Hyjit;
i krijoi mashkull e femër.
28 Hyji i bekoi dhe u tha:
“Shtohuni e shumohuni e mbusheni tokën
dhe sundojeni atë!
Bëhuni zotëruesit e peshqve të detit, të shpendëve të qiellit dhe të çdo gjallese që lëviz përmbi tokë”!
29 Hyji tha edhe: “Ja, çdo bimë që qet farë mbi tokë dhe të gjitha pemët që kanë në vetvete frytin e pemës që qet farë: le të jenë ushqimi juaj”!
30 Të gjitha kafshëve mbi tokë, çdo shpendi të qiellit e çdo gjëje që lëviz mbi tokë, në të cilat është fryma e jetës, i jap për ushqim të gjitha barërat e gjelbëra. Dhe u bë ashtu.
31 Hyji shikoi gjithçka kishte bërë dhe, ja, ishin shumë të mira!” Dhe u bë mbrëmje e mëngjes ‑ dita e gjashtë