< Zak 8 Zak 10 >
Lexim prej librit të Zakarise(Zak 9)
9

1 Profeci.

Toka e re

Fjala e Zotit është në dheun Hadrak,

në Damask e ka pushimin,

sepse Zotit i përket syri i Aramit

pikërisht porsi fiset e Izraelit.

2 Edhe Emati është në kufijtë e tij,

Tiri edhe Sidoni, urtia e të cilit është e madhe.

3 Tiri ndërtoi fortesën e vet,

bashkoi argjend porsi pluhur

dhe ar porsi baltën e rrugëve.

4 Ja, Zoti po e merr për pronë

e në det do ta hedhë fuqinë e tij,

kurse atë do ta rrëmbejë zjarri.

5 Do të shohë Askaloni e do të trembet,

në dhimbje të mëdha do të përdridhet Gaza,

edhe Akaroni sepse në rrenë e la shpresa.

Do të mbarojë mbreti i Gazës,

Askaloni do të mbesë pa banorë.

6 Bastardhat do të banojnë në Azot,

do ta zhdukë krenarinë e filistenjve.

7 Prej gojës do t’ia heq gjakun,

iritë e tija do t’ia nxjerr prej dhëmbësh.

Edhe ai do të jetë Tepricë për Hyjin tonë,

do të jetë porsi një prijës në Judë,

Akaroni porsi Jebuseu.

8 Si mur mbrojtës do ta rrethoj Shtëpinë time

kundër atyre që vijnë e shkojnë,

tagrambledhës s’do të kalojë n’për të,

sepse tanie shikoj me sy të mi.”

Mesia

9 Gëzo me gjithë shpirt, Bija e Sionit,

galdo, Bija e Jerusalemit!

ja, mbreti yt, po vjen te ti:

është i drejtë e Shpëtimtar,

por i përvuajtur e në shpinë të gomarit,

në shpinë të gaçit, zogut të gomarit!

10 Nga Efraimi do ta zhdukë karrocën,

kalin nga Jerusalemi.

Do të copëtohet harku i luftës.

Kombeve do t’u shpallë paqen.

Sundimi i tij prej detit në det

prej Lumit në skajet e tokës!

Rivendosja e Izraelit

11 Edhe ty, në saje të gjakut të Besëlidhjes sate,

do t’i nxjerr nga liqeni

që s’ka ujë

të burgosurit e tu!

12 Kthehuni në qytezë,

o të burgosur plot me shpresë,

sepse sot unë vetë po e shpall:

dyfish do të të shpaguaj!

13 Sepse e ngreha Judën porsi harkun,

e armatosa me Efraimin:

po i çoi në këmbë bijtë e tu, Sion,

kundër bijve të tu, Greqi,

shpatë heroi ty do të bëj!

14 Përmbi ta Zoti do të duket,

vetëtimë shigjeta e tij do të jetë!

Zoti Hyj do t’i bjerë trompetës,

hap e pash n’për thellimin e jugut!

15 Do t’i mbrojë Zoti i Ushtrive,

do t’i përpijnë, do t’i shqelmojnë

gurët e bahes,

do të pinë gjak, si me verë do të dehen,

do të mbushen si kupat, si brirët e lterit.

16 Zoti, Hyji i tyre, atë ditë

do t’i shpëtojë

porsi delet që janë populli i tij,

si gurë të paçmueshëm përmbi kezë

do të shkëlqejnë mbi tokë të tij!

17 Oh sa i mirë, sa i bukur do të jetë!

Gruri do të bëjë të rriten djemtë,

kurse virgjërat vera e ëmbël!



Fjala e Zotit