1 Atëherë erdhi kjo fjalë e Zotit të Ushtrive:
2 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:
“Flakë jam ndezur me dashuri ziliqare për Sionin,
digjem në të mirën e tij nga zemërimi.”
3 Kështu thotë Zoti:
“Po kthehem në Sion,
dua të banoj në Jerusalem.
Jerusalemi do të quhet Qyteti i Besnikërisë
e Mali i Zotit të Ushtrive
Mali i Shenjtërisë.
4 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:
Pleq e plaka prapë do të rrinë
në sheshe të Jerusalemit:
secili do ta ketë në dorë shkopin
për shkak të moshës së thellë!
5 Sheshet e qytetit do të mbushen plot
me meca e me cuca
që do të luajnë nëpër tregjet e tija!
6 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:
Nëse kjo duket një gjë e vështirë
për sytë e Tepricës së këtij populli
për ato ditë,
pse a do të jetë e vështirë
edhe për sytë e mi? ‑
thotë Zoti i Ushtrive.
7 Kështu thotë Zoti i Ushtrive:
Ja unë po shpëtoj popullin tim
prej tokës së lindjes
dhe prej tokës së perëndimit.
8 Do t’i kthej
e do të banojnë në Jerusalem.
Ata do të jenë populli im
e unë do të jem Hyji i tyre
në besnikëri e në drejtësi.
9 Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Le t’u forcohen duart tuaja ‑ të gjithëve, e ju që në këto ditë po i dëgjoni këto fjalë nga goja e profetëve, në këtë ditë kur u hodhën themelet e Shtëpisë së Zotit të Ushtrive për rindërtimin e Tempullit!
10 Sepse, para këso dite,
nuk i paguhej paga mëditësit,
pagë nuk kishte as për kafshë,
s’kishte paqe prej armikut për atë që hynte o dilte,
prej të gjithë njerëzve hoqa dorë
të bëjë secili çka të dojë kundër tjetrit!
11 Kurse tani, ndaj Tepricës së këtij populli,
nuk do të jem si në ditë të mëparshme
‑ thotë Zoti i Ushtrive.
12 Por do të jetë fara e paqes:
hardhia do të japë frytin e vet,
edhe toka do ta japë prodhimin e vet.
Pronare të të gjitha këtyre
do ta bëj Tepricën e këtij populli.
13 Dhe siç ishit Mallkim ndër kombe, o shtëpi e Judës e shtëpia e Izraelit, po ashtu do t’ju shpëtoj e do të jeni Bekim.
14 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive: Siç vendosa t’ju ndëshkoj, kur më kanë bërë të zemërohem etërit tuaj ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑,
15 dhe nuk pata mëshirë, po ashtu, i kthyer, vendosa në këto ditë, ta bekoj Jerusalemin dhe shtëpinë e Judës: mos kini frikë!
16 Ja, pra, se çka ju duhet të bëni: thoni të vërtetën secili vëllait të vet dhe gjykoni drejtësisht në dyert tuaja.
17 Askush në zemrën e vet të mos ia mendojë të keqen mikut të vet dhe mos e doni përbetimin në rrenë: për të vërtetë unë i urrej të gjitha këto” ‑ thotë Zoti.
Përgjigjja që ka të bëj me agjërimin
18 Atëherë më qe drejtuar kjo fjalë e Zotit:
19 “Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Agjërimi i muajit të katërt, agjërimi i të pestit, agjërimi i të shtatit dhe i të dhjetit për shtëpinë e Judës do të jetë gëzim, galdim e festë në shenjë. Por, dojeni të vërtetën e paqen!”
Shpëtimi pritet prej Mesisë
20 Kështu thotë Zoti i Ushtrive: “Edhe popuj të tjerë do të vijnë dhe banorë të shumë qyteteve.
21 Banorët e një qyteti do të shkojnë në një tjetër e do të thonë: ‘Të shkojmë të lutemi para fytyrës së Zotit e ta kërkojmë Zotin e Ushtrive! Po shkoj edhe vetë!’
22 Kështu do të vijnë shumë popuj e kombe të forta për ta kërkuar Zotin e Ushtrive në Jerusalem e për t’u lutur para fytyrës së Zotit.
23 Kështu thotë Zoti i Ushtrive: Në ato ditë do ta kapin për kindit të petkut dhjetë vetë prej çdo gjuhe të kombeve do ta kapin hebreun e do t’i thonë: “Po vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar se Hyji është me ju. ’”