< Zak 1 Zak 3 >
Lexim prej librit të Zakarise(Zak 2)
2

1 Atëherë i lartësova sytë e, ja, pashë katër brirë.

2 E pyeta engjëllin që fliste me mua: ‘Çka janë këta?’ Ai m’u përgjigj: “Këta janë brirët që e shpërndanë Judën, Izraelin e Jerusalemin.”

3 Atëherë Zoti më dëftoi edhe katër farkëtarë.

4 Unë pyeta: ‘Po këta çfarë erdhën të bëjnë?’ Ai u përgjigj: “Ata janë brirët që e kanë shpërndarë Judën sa që asnjë të mos guxojë të çojë më kokë. Këta erdhën t’i trembin e t’ua thyejnë brirët paganëve që e përdorën fuqinë e vet kundër Judës për ta shpërndarë.”

Vegimi i tretë: matësi

5 I çova sytë dhe pashë: ja, një njeri që mbante në dorë konopin e matjes.

6 Pyeta: “Kah po ja mban? Ai m’u përgjigj: ‘Për ta matur Jerusalemin e për të parë sa është gjerësia e tij e sa gjatësia.’”

7 Dhe, ja, engjëlli që fliste me mua, doli dhe një engjëll tjetër iu afronte në takim:

8 i tha atij: “Vrapo e thuaj këtij djaloshi: Jerusalemi duhet të jetë pa mure për shkak të një shumice të madhe njerëzish e bagëtish që do të jenë në të.

9 Unë do të jem ‑ thotë Zoti ‑ mur i zjarrtë përreth tij dhe Lavdia e tij në mesin e tij.”

Dy grishje të shpërngulurve

10 “Hej, hej! Ikni nga toka e Veriut ‑ thotë Zoti ‑ sepse unë ju pata tretur në katër erërat e qiellit ‑ thotë Zoti ‑ .

11 O Sion, ku e lë, ik ti që banon te bija e Babilonit!

12 Sepse kështu thotë Zoti i Ushtrive, Lavdia e të cilit më dërgoi ndër popuj, të cilët ju patën rrëmbyer: Kush t’ju prekë ju, prek beben e syrit tim!

13 Ja, unë po e lartësoj dorën time kundër tyre dhe ata do të bëhen preja e skllevërve të vet! “Kështu do ta kuptoni se më ka dërguar Zoti i Ushtrive.

14 Gëzo e galdo, bija e Sionit,

sepse, ja, unë po vij

e do të banoj në ty,

‑ thotë Zoti.

15 Atë ditë popuj të shumtë

do t’i mbështeten Zotit

e do të jenë populli i tij.

Do të banoj në mesin tënd

e do ta kuptosh se Zoti i Ushtrive

më dërgoi te ti.

16 Juda prapë do të bëhet prona e Zotit

‑ pjesa e tij mbi Tokën e shenjtë,

do ta zgjedhë rishtas Jerusalemin.

17 Çdo i vdekshëm të heshtë para Zotit,

sepse u zgjua nga banesa e tij e shenjtë!”



Fjala e Zotit