1 “Vëllezër dhe etër, më dëgjoni çka tani do t’ju them në mbrojtjen time.”
2 Kur dëgjuan se po fliste hebraisht, heshtja u bë shumë më e thellë. Pali vazhdoi:
3 “Unë jam hebre, i lindur në Tarsin e Cilicisë, por që u rrita në këtë qytet e te këmbët e Gamalielit u edukova sipas Ligjit të të vjetërve: isha zelltar i Hyjit ashtu siç jeni edhe ju sot e kësaj dite.
4 Këtë Udhë e kam salvuar deri në vdekje, i kam hedhur në pranga dhe kam burgosur burra e gra,
5
si mund të ma bëjnë dëshmi edhe kryeprifti dhe paria. Prej atyre kam marrë edhe letrat për të burgosur vëllezërit në Damask dhe qesh nisur që edhe ata atje t’i bie të lidhur në Jerusalem për t’i ndëshkuar.”
Pali tregon kthimin e vet
(Vap 9, 1‑19; 26, 12‑18)
6 “Ndërsa po udhëtoja dhe po i afrohesha Damaskut, papritmas, rreth mesditës, prej qiellit më shndriti një dritë e madhe,
7 unë rashë për dhe e dëgjova një zë që më tha: ‘Saul, Saul, pse po më salvon?’
8 Unë u përgjigja: ‘Kush je, o Zot?’ Ai më tha: ‘Unë jam Jezusi, Nazarenasi, të cilin ti e salvon!’
9 Ata që ishin me mua, dritën njëmend e panë, por zërin e atij që fliste me mua nuk e dëgjuan.
10 Atëherë thashë: ‘Çka duhet të bëj, o Zot?’ E Zoti më tha: ‘Çohu e shko në Damask e atje do të të thuhet çka duhet të bësh.
11 Pasi prej shkëlqimit të asaj drite më nuk shihja, shoqëruesit e mi më morën për dore e arrita në Damask.
12 Një farë Ananie, zbatues besnik i Ligjit, i cili gëzonte zë të mirë ndër hebrenj që banonin atje ‑
13 erdhi tek unë dhe, si m’u afrua më tha: ‘Vëlla Saul, rifitoje dritën e syve!’ Dhe unë, aty për aty e rifitova të parët e syve.
14 Ai vijoi: ‘Hyji i etërve tanë caktoi ta njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin e ta dëgjosh zërin prej gojës së tij,
15 sepse do të jesh dëshmitari i tij para të gjithë njerëzve për të gjitha ato që ke parë e dëgjuar.
16 Ç’ke që ngurron? Ngrihu, pagëzohu dhe laji mëkatet e tua duke e thirrur në ndihmë Emrin e tij!’”
Pali dërgohet ndër paganë
17 “Pasi u ktheva në Jerusalem dhe, ndërsa një ditë po lutesha në Tempull, pata një vegim
18 dhe pashë Zotin. Ai më thoshte: ‘Ngrihu e me të shpejtë dil nga Jerusalemi, sepse nuk do ta pranojnë këtu dëshminë tënde për mua.’
19 Unë i thashë: ‘O Zot, ata e dinë mirë se unë i kam burgosur dhe i kam frushkulluar në sinagoga ata që besojnë në ty.
20 Po edhe kur u derdh gjaku i Shtjefnit, dëshmorit tënd, aty isha edhe unë dhe isha i mendimit së bashku me ta për ta vrarë. Vrastarëve unë ua ruajta petkat.’
21 Por, Zoti më tha: ‘Shko, unë po të dërgoj larg, në mes të paganëve!’”
Pali dhe tribuni romak
22 Çifutët e dëgjuan deri këtu. Në këto fjalë filluan të bërtasin: “Zhduke prej faqes së dheut një njeri të tillë! Ky nuk meriton të jetojë!”
23 Filluan të bërtisnin më fort, të shqyenin petkat e të hidhnin pluhur në ajër.
24 Atëherë tribuni urdhëroi të shtihet Pali në kështjellë dhe dha urdhër ta bëjnë të flasë me frushkuj që ta merrte vesh pse bërtitnin ashtu kundër tij.
25 E kur ushtarët po e lidhnin me rripa për ta frushkulluar, Pali i tha centurionit që ishte pranë: “A thua keni leje ta rrahni me frushkuj qytetarin romak, madje edhe të pagjykuar?”
26 Kur centurioni e dëgjoi, iu afrua tribunit e i tha: “Çka mendon të bësh? Ky njeri është romak!”
27 Tribuni iu afrua dhe i tha:
“Më thuaj a je ti romak?”
“Po!” ‑ iu përgjigj Pali.
28 “Unë ‑ tha tribuni ‑ e kam blerë shtrenjtë këtë nënshtetësi.”
Pali iu përgjigj:
“Unë kam lindur me të!”
29 Prandaj, me të shpejtë u larguan prej tij ata që do ta merrnin në pyetje. Po edhe tribunit i hyri frika kur e mori vesh se ishte nënshtetas romak e ky e kishte lidhur në hekura.
Pali para Këshillit të Lartë
30 Tribuni ditën e nesërme, duke dashur të dijë pikërisht të vërtetën, përse çifutët e paditnin Palin, e zgjidhi, dha urdhër të mblidhen në kuvend kryepriftërinjtë dhe mbarë Këshilli i Lartë, urdhëroi të sillet edhe Pali dhe e ballafaqoi me ta.