< Vap 1 Vap 3 >
Lexim prej Veprat të Apostujve(Vap 2)
2

1 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend.

2 Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin.

3 Atyre atëherë iu dukën gjuhë, si të ishin prej zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre.

4 Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.

5 Dhe asohere në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës.

6 Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet.

7 Të gjithë çuditeshin e mrekulloheshin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas?

8 Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare?

9 Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë,

10 të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit e të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma,

11 judenj e proselitë, kretas e arabë ‑ të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.”

12 Të gjithë kishin mbetur të habitur e, të marrë mendsh, pyesnin njëri‑tjetrin: “Çfarë do të jetë kjo punë?”

13 Disa të tjerë, duke shpotitur, thoshin: “Janë dehur me musht!”

Predikimi i Pjetrit ditën e Rrëshajëve

14 Atëherë Pjetri bashkë me të Njëmbëdhjetët u çua në këmbë, e ngriti zërin dhe tha:

“Burra judeas dhe ju të gjithë që banoni në Jerusalem, mirë ta dini këtë gjë e me kujdes dëgjojini fjalët e mia!

15 Këta njerëz nuk janë të dehur, siç po mendoni ju ‑ ju po shihni se është ora tre e mëngjesit ‑

16 por po shkon në vend fjala që parafoli Joeli profet:

17 ‘Në ditën e fundit ‑ thotë Hyji:

‘Do ta ndikoj shpirtin tim në çdo njeri

dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë,

djelmoshat tuaj do të shohin vegime,

e pleqtë tuaj do ëndërrojnë.

18 Madje, edhe mbi shërbëtorë e shërbëtore të mia atë ditë do ta ndikoj Shpirtin tim

e do të profetizojnë.

19 Do të tregoj mrekulli lart në qiell

dhe shenja përmbi tokë poshtë

gjak e zjarr e shtylla tymi.

20 Dielli do të kthehet në errësirë

e hëna në gjak

para se të agojë dita e Zotit e madhe

(dhe e lavdishme).

21 Dhe kushdo atëherë ta thërrasë në ndihmë

Emrin e Zotit, do të shëlbohet.’

22 Burra të Izraelit, dëgjojini këto fjalë: Jezusin Nazarenas ‑ njeri që Hyji e përforcoi para jush me vepra të madhërueshme, me mrekulli dhe me shenja, që siç e dini ‑ me anë të tij i bëri ndër ju;

23 këtë, të tradhtuar sipas vullnetit të caktuar dhe parapamjes së Hyjit ‑ ju e kryqëzuat dhe e vratë me duar të të pafeve.

24 Por Hyji e ngjalli duke e shpëtuar nga tmerri i vdekjes, sepse s’ishte e mundur që vdekja ta mbante nën sundimin e vet.

25 E njëmend, për të Davidi thotë:

‘Zotërinë e kam gjithmonë para sysh,

sepse Ai më rri në anë të djathtë që të mos rrëzohem.

26 Prandaj galdon zemra ime dhe brohorit gjuha ime,

po dhe trupi im do të pushojë me shpresë,

27 sepse Ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Nëntokë as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet.

28 Ti ma tregove udhën që shpie në jetë:

në praninë tënde do të më mbushësh me gëzime.’

29 Vëllezër, më lejoni t’jua them haptas: Davidi patriark vdiq, u varros dhe varri i tij është edhe sot e kësaj dite ndër ne.

30 Por ai, pasi ishte profet dhe pasi e dinte se Hyji, iu përbetua me betimin se një nga pasardhësit e tij do të hipte në fronin e tij,

31 që më parë e parapa dhe paralajmëroi ngjalljen e Krishtit, kur tha:

‘Nuk qe lënë në Nëntokë

as trupi i tij nuk e provoi kalbëzimin.’

32 Po këtë Jezus Hyji e ngjalli! Të gjithë ne e dëshmojmë këtë gjë!

33 E djathta e Hyjit, pra, e lartësoi, prej Atit e mori Premtimin ‑ Shpirtin Shenjt dhe e ndikoi ashtu siç po shihni e po dëgjoni [edhe] ju vetë.

34 E pra, Davidi nuk qe ngritur në qiell, e megjithatë thotë:

‘I tha Zoti Zotit tim:

rri në të djathtën time

35 derisa t’i vë armiqtë e tu

shtrojë të këmbëve të tua!’

36 Le ta dijë, pra, pa farë dyshimi mbarë populli i Izraelit se mu këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi.”

37 Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve të tjerë:

“Çfarë duhet të bëjmë ne, o vëllezër?”

38 Pjetri u dha përgjigje:

“Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet e atëherë do ta merrni dhuratë ‑ Shpirtin Shenjt.

39 Sepse ky Premtim u bë për ju, për fëmijët tuaj e për të gjithë ata prej së largu, të gjithë ata që Zotëria, Hyji ynë, do t’i thërrasë.”

40 Por edhe me shumë fjalë të tjera prore i përbente dhe i nxiste duke thënë:

“Shpëtohuni nga kjo brezni e mbrapshtë!”

41 Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan e kështu, atë ditë, u kthyen rreth tri mijë vetë.

Bashkësia e parë e të krishterëve

42 E ishin vazhdimisht të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhjet vëllazërore, në ndarjen e bukës e në lutje.

43 Një frikë e madhe pushtonte çdo njeri: apostujt bënin shumë mrekulli dhe shenja të bindshme.

44 Të gjithë ata që besuan, qëndronin së bashku dhe gjithçka kishin të përbashkët.

45 Shitnin pronat dhe pasuritë që kishin dhe ua ndanin të gjithëve sipas nevojës së secilit.

46 Për çdo ditë shkonin së bashku e rregullisht në Tempull, në shtëpi ndanin bukën dhe me hare e me thjeshtësi ushqeheshin së bashku.

47 I jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte fort për hir. Vetë Zoti çdo ditë i shtonte bashkësisë nga ata që shëlbohen.



Fjala e Zotit