1 Ndërkohë që Apoloni ishte në Korint, Pali, pasi i përshkoi krahinat e epërme, erdhi në Efes. Aty gjeti disa nxënës
2 dhe u tha: “Kur e pranuat fenë, a e morët Shpirtin Shenjt?” Ata iu përgjigjën: “Ne as që kemi dëgjuar se ka Shpirt Shenjt.”
3 “Cilin pagëzim atëherë ‑ vazhdoi Pali ‑ keni marrë?” Ata u përgjigjën: “Pagëzimin e Gjonit.”
4 Pali u tha: “Gjoni ka pagëzuar me pagëzimin e kthimit, duke i predikuar popullit që të besojnë në Atë që do të vijë pas tij, d. m. th. në Jezusin.”
5 Kur dëgjuan, u pagëzuan në Emër të Jezusit Zot
6 e, kur Pali i vuri duart mbi ta, në ta zbriti Shpirti Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme e të profetizojnë.
7 Të gjithë së bashku ishin dymbëdhjetë burra.
8 Pali atëherë hyri në sinagogë dhe për tre muaj foli plot guxim: diskutonte e mundohej t’ua mbushë mendjen ta pranojnë Mbretërinë e Hyjit.
9 Por, pasi disa kokëfortë që s’donin të binden, filluan edhe të flasin keq e ta shajnë Udhën e Zotit para bashkësisë, Pali këputi marrëdhëniet me ta, i ndau nxënësit e filloi të mësojë përditë në shkollën e Tiranit.
10 Vazhdoi kështu për dy vjet. Kështu të gjithë banorët e krahinës së Azisë ‑ hebrenj e grekë ‑ e dëgjuan fjalën e Zotit.
Bijtë e Shevës
11 Hyji, përmes duarve të Palit, bënte mrekulli të jashtëzakonshme,
12 aq sa vinin shamia e petka prej trupit të Palit përmbi të sëmurë dhe prej tyre zhdukeshin sëmundjet e dilnin shpirtrat e ndytë.
13 Po edhe disa çifutë, që endeshin andej këndej dhe përbenin shpirtrat e ndytë të dilnin, sprovuan ta thërrasin Emrin e Jezusit Zot, përmbi ata që kishin në trup shpirtrat e ndytë. Thoshin. “Po ju përbej në Jezusin, të cilin e predikon Pali.”
14 Këtë e bënin shtatë bijtë e një farë Sheve, kryepriftit çifut.
15 Por shpirti i keq ua ktheu: “Jezusin e njoh dhe Palin e di, por ju kush jeni?”
16 Dhe njeriu, në trupin e të cilit ishte djalli, u lëshua në ta, i mundi të gjithë dhe, të zhveshur e të plagosur, ikën prej asaj shtëpie.
17 Dëgjuan për këtë ngjarje banorët e Efesit ‑ çifutë e grekë ‑ dhe të gjithë i kapi tmerr i madh dhe madhërohej Emri i Zotërisë Jezus.
18 Shumë nga ata që besuan, vinin e rrëfenin ballafaqe dhe i tregonin veprimet e veta të shortisë.
19 Shumë prej atyre që kishin ushtruar mjeshtrinë e magjisë, i sillnin librat dhe i digjnin para të gjithëve. Kur e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se vlenin pesëdhjetë mijë drahma argjendi.
20 Kështu, me fuqinë e Zotit, fjala shtrihej vazhdimisht e fitonte në fuqi.
Rrëmujë në Efes
21 Pas këtyre ngjarjeve, Pali vendosi të shkojë nëpër Maqedoni e Akajë për Jerusalem. Tha: “Pasi të gjendem atje, do të shkoj ta shoh edhe Romën.”
22 Atëherë dërgoi në Maqedoni dy ndihmësit e vet, Timoteun e Erastin, kurse ai kaloi edhe disa kohë në Azi.
23 Disi në atë kohë ndodhi një rrëmujë jo e vogël kundër Udhës.
24 Një argjendar, që quhej Dhimitër, punonte tempuj të vegjël të Artemidës dhe kështu u sillte fitesë jo të vogël mjeshtërve.
25 Ky i bashkoi këta dhe të gjithë të tjerët që merreshin me këtë veprimtari dhe u tha: “Burra, ju e dini se fitesa jonë varet nga kjo mjeshtëri,
26 e po shihni se ky Pali, jo vetëm në Efes, por pothuajse edhe në mbarë Azinë, ia ka mbushur mendjen dhe e ka larguar një shumicë të madhe populli duke mësuar se nuk ka hyjni të punuara me dorë njeriu.
27 Kështu, jo vetëm është në rrezik mjeshtëria jonë, por edhe tempulli i Artemidës, hyjneshës së madhe, s’ka për t’u çmuar më dhe do të mbarojë madhëria e asaj, të cilën e nderon krejt Azia dhe bota mbarë.”
28 Kur e dëgjuan, u hidhëruan dhe zunë të bërtasin: “E madhe është Artemida e Efesit!”
29 Pështjellimi zotëroi mbarë qytetin. Të gjithë së bashku u lëshuan në teatër duke i hequr zvarrë maqedonët, Gajin e Aristarkun, bashkudhëtarët e Palit.
30 Pali vetë deshi të parqitej para popullit, por nuk ia lejuan nxënësit.
31 Madje edhe disa aziarkë, miq të tij, çuan njerëz tek ai e iu lutën që të mos duket në teatër.
32 Ndërkaq, disa bërtitnin një gjë, disa një tjetër: të bashkuarit ishin pështjelluar plotësisht, aq sa shumë prej tyre, as pse kishin shkuar atje s’dinin më.
33 Disa prej popullit ia mbushën mendjen të flasë një farë Aleksandri. Këtë hebrenjtë e nxitnin të dalë para mbledhjes. Aleksandri dha shenjë me dorë e deshi të mbrohej para popullit.
34 Kur e morën vesh se ishte hebre, të gjithë njëzëri nisën të bërtasin pa pushuar për dy orë: “E madhe është Artemida e Efesit!”
35 Atëherë sekretari ia doli ta qetësojë dhe tha:
“Burra të Efesit! Cili njeri nuk e di se qyteti i Efesit është rojtari i tempullit të Artemidës së Madhe dhe i trupores së saj që ra nga qielli?
36 Pra, pasi kjo gjë s’mund të mohohet, duhet të qetësoheni, në mënyrë që të mos bëni ndonjë vepër për ngut.
37 I sollët këta njerëz, që s’janë as vjedhës të gjërave të shenjta e as që e kanë blasfemuar hyjneshën tonë.
38 Po qe se Dhimitri e mjeshtrat e tjerë të tij kanë ndonjë ankesë kundër ndokujt, gjyqet punojnë, e këtu janë edhe prokonsujt: le të paditen!
39 Nëse kërkoni ndonjë gjë tjetër, do t’i jepet fund në kuvend të rregullt.
40 Sepse kështu e vëmë veten në rrezik që të na çmohet kjo ngjarje e sotme si kryengritje, pasi s’kemi kurrfarë arsyeje, me anë të së cilës të mund ta përligjim këtë pështjellim.” Posa foli kështu, e shpërndau kuvendin.