< Vap 17 Vap 19 >
Lexim prej Veprat të Apostujve(Vap 18)
18

1 Pastaj Pali e la Athinën e shkoi në Korint.

2 Aty gjeti një çifut që quhej Akuil, me prejardhje nga Ponti, që posa kishte arritur prej Italisë me Prishilën, bashkëshorten e tij, sepse Klaudi kishte pasë dhënë urdhër ta linin Romën të gjithë hebrenjtë. Pali shkoi te ta

3 e, pasi kishin të njëjtën zeje, banonte te ta dhe punonte. Ishin mjeshtër tendash.

4 Pali çdo të shtunë e merrte fjalën në sinagogë dhe mundohej t’i bindë hebrenjtë e grekët.

5 Kur Sila e Timoteu arritën prej Maqedonisë, Pali iu kushtua krejtësisht fjalës, duke dëshmuar para hebrenjve se Jezusi është Mesia.

6 Por, pasi ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi petkat dhe u tha: “Gjaku juaj mbi kokën tuaj! Unë nuk kam faj! Që tani unë po u drejtohem paganëve!”

7 U largua prej andej dhe shkoi në shtëpinë e një njeriu që besonte në Hyjin. Ky quhej Ticje Just, shtëpia e të cilit ishte afër sinagogës.

8 Krispi, kryetari i sinagogës, besoi në Zotin, ai dhe krejt familja e tij. Po edhe shumë korintas, duke dëgjuar Palin, pranonin besimin dhe pagëzoheshin.

9 Një natë Zoti i tha Palit në vegim: “Mos u tremb, por fol e mos hesht!

10 Unë jam me ty! Askush s’do të guxojë të vërë dorë në ty për të salvuar, sepse në këtë qytet kam një popull të madh!”

11 Kështu Pali zuri vend aty një vit e gjashtë muaj duke predikuar ndër ta fjalën e Hyjit.

12 Kur Galioni ishte prokonsull i Akajës, çifutët në përkim të plotë u çuan kundër Palit, e nxorën në gjyq

13 dhe thanë: “Ky nxit njerëzit që ta nderojnë Hyjin kundër Ligjit.”

14 Pikërisht kur Pali deshi të flasë, Galioni u tha judenjve: “Po të ishte çështja e ndonjë delikti apo e ndonjë vepre të keqe, ju kisha vështruar, o hebrenj, siç e kërkon e drejta;

15 porse, pasi çështja është lidhur me fjalë, emra e Ligjin tuaj, rregullojeni ju vetë; lidhur me këso gjërash unë nuk dëshiroj të bëhem gjykatës.”

16 Dhe i dëboi nga gjykatorja.

17 Por ata të gjithë e kapën kryetarin e sinagogës, Sostenin, dhe filluan ta rrahin para gjykatores. Galioni aspak nuk e çau kokën për këtë gjë.

Pali kthehet në Antioki

18 Pali qëndroi në Korint edhe mjaft kohë, pastaj u përshëndet me vëllezërit dhe me barkë u nis për Siri bashkë me Prishilën e me Akuilën, pasi në Kenhrejë e qethi kokën, sepse e kishte bërë kusht.

19 Kur mbërritën në Efes, ata i la aty e vetë hyri në sinagogë për të diskutuar me çifutë.

20 Këta i bënë lutje të qëndronte tek ata për një kohë të gjatë, por ai nuk deshi,

21 e, duke u përshëndetur, u tha: “Në dashtë Zoti do të vij te ju një herë tjetër.”

Dhe u nis prej Efesit.

22 Kur arriti në Cezare, u ngjit të përshëndesë Kishën e atëherë zbriti në Antioki.

23 Edhe aty ndenji disa kohë. Pastaj u nis të përshkojë krahinën e Galacisë e të Frigjisë duke i përforcuar në fe të gjithë nxënësit.

Apoloni predikon në Efes

24 Një farë hebreu që quhej Apolon, me prejardhje nga Aleksandria, kishte ardhur në Efes. Ishte njeri gojëmbarë dhe njohës i mirë i Shkrimit të shenjtë.

25 Ishte i njoftuar me Udhën e Zotit dhe me plot zell të shpirtit fliste dhe mësonte me kujdes për Jezusin, edhe pse dinte vetëm për pagëzimin e Gjonit.

26 Ai, pra, filloi të flasë plot guxim në sinagogë. Kur e dëgjuan Prishila e Akuila, e morën në shtëpi të tyre dhe ia shpjeguan imtësisht Udhën e Hyjit.

27 Kur iu mbush mendja të shkojë për Akajë, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan nxënësve që ta presin mirë. Kur arriti atje, për hir të Zotit, u vlejti shumë besimtarëve

28 sepse me aftësi të madhe i hidhte poshtë judenjtë duke ua vërtetuar me anë të Shkrimit të shenjtë se Jezusi është Mesia.



Fjala e Zotit