< Vap 16 Vap 18 >
Lexim prej Veprat të Apostujve(Vap 17)
17

1 Duke kaluar nëpër Amfipol e Apoloni, mbërritën në Selanik, ku hebrenjtë kishin një sinagogë.

2 Pali, sipas zakonit të vet, hyri tek ata dhe për tri të shtuna rresht rragatej me ta në bazë të Shkrimit të shenjtë

3 duke ua shtjelluar e vërtetuar se Mesisë i është dashur të pësojë e të ngjallet prej së vdekuri. “Dhe Mesia ‑ u thoshte ‑ është Jezusi, të cilin unë jua predikoj.”

4 Disave prej tyre iu mbush mendja dhe u bashkuan me Palin e me Silën. Po ashtu bëri edhe një shumicë e madhe grekësh që besonin në Hyjin edhe jo pak gra të përmendura.

5 Porse judenjtë, të nxitur nga smira, i bënë për vete disa rrugaçë të këqij tregjesh, i ngacmuan dhe e çuan peshë qytetin, ranë para derës së Jasonit dhe kërkuan që Pali e Sila të nxirreshin para popullit.

6 Pasi nuk i gjetën, morën Jasonin e disa vëllezër dhe i çuan para krerëve të qytetit dhe bërtitën: “Ja, edhe këtu njerëzit që e kanë çuar peshë mbarë botën,

7 e Jasoni i pranon në shtëpi! Të gjithë këta veprojnë kundër urdhrave të Cezarit. Këta pohojnë se është një mbret tjetër ‑ Jezusi.”

8 Kështu e përzien dhe krerët e qytetit që po i dëgjonin këto fjalë.

9 Krerët, pasi morën prej Jasonit e të tjerëve dorëzaninë, i lëshuan.

Apostujt në Berejë

10 Vëllezërit atëherë, shpejt e shpjet, natën, i dërguan Palin e Silën në Berejë. Apostujt, kur arritën atje, shkuan në sinagogë të hebrenjve.

11 Këta ishin më zemërmirë se hebrenjtë e Selanikut. Pranuan fjalën me gatishmëri dhe përditë e shqyrtonin Shkrimin e shenjtë pale a është ashtu.

12 Shumë prej tyre e pranuan fenë. Po ashtu edhe prej grekëve disa gra bujare dhe jo pak burra.

13 Por, kur hebrenjtë e Selanikut morën vesh se Pali po e shpallte fjalën e Hyjit edhe në Berejë, shkuan edhe atje dhe e përzien dhe e çuan peshë edhe atje.

14 Atëherë vëllezërit e pëcollën Palin deri në det. Sila e Timoteu zunë vend aty.

15 Ata që e përcollën Palin e çuan deri në Athinë. Atëherë u kthyen prapa me urdhër për Silën e Timoteun që të shkojnë sa më parë tek ai.

Pali në Athinë

16 Ndërsa Pali po i priste ata në Athinë, thellësisht u shqetësua në shpirt sepse e shihte qytetin plot me idhuj.

17 Në sinagogë diskutonte me hebrenj dhe me ata që besonin në Hyjin, ndërsa në treg për çdo ditë me ata që takohej.

18 Me të diskutonin edhe disa filozofë epikurenj e stoikë. Disa thoshin: “Çfarë dëshiron të thotë ky papagal?” Disa të tjerë prapë: “Duket se është predikatar hyjnish së huaja!” Sepse predikonte Jezusin dhe ngjalljen nga vdekja.

19 Atëherë e morën dhe e çuan në Areopag dhe i thanë: “A mund ta dimë cili është ky mësim i ri që ti po e mëson?

20 Sepse po na i mbush veshët me disa gjëra të çuditshme. Dëshirojmë ta dimë për çka është fjala!”

21 Të gjithë athinasit dhe të huajt që banojnë aty në asgjë tjetër s’e tresin kohën sa në të treguar e në të dëgjuar të lajmeve të fundit.

22 Atëherë Pali u ngrit në mes të Areopagut e tha:

“Qytetarë të Athinës! Po shoh se në çdo pikëpamje qenkeni njerëz shumë besimtarë.

23 Sepse, duke kaluar e vërejtur monumentet tuaja të kultit hyjnor, gjeta edhe një lter, në të cilin është shkruar: ‘Hyjit të panjohur.’ Pra, Atë, të cilin ju e nderoni pa e njohur, unë jua kumtoj.

24 Hyji që krijoi botën dhe gjithçka është në të, Zotëruesi i qiellit e i dheut, Ai as nuk banon në tempuj të punuar me duar të njerëzve,

25 as nuk i shërbejnë duart e njerëzve ‑ thuajse ka ndonjë farë nevoje për çfardo gjëje ‑ Ai që u jep të gjithëve jetën, frymën e çdo gjë tjetër.

26 Prej një njeriu krijoi mbarë gjininë njerëzore, që ta banonte mbarë sipërfaqen e dheut; caktoi rendin e kohëve dhe kufijtë e vendbanimit të tyre:

27 që ta kërkojnë Hyjin e në ndonjë mënyrë të mund ta gjejnë. Ai nuk është larg asnjërit prej nesh.

28 Sepse në Të jetojmë, lëvizim e jemi, sikurse edhe disa prej poetëve tuaj thanë:

‘Sepse jemi prej rodit të tij.’

29 Nëse, pra, jemi prej rodit të Hyjit, atëherë s’bën të mendojmë se Hyjnia është e ngjashme me arin, me argjendin e me gurin e punuar nga mjeshtria dhe arti i njeriut.

30 Dhe Hyji, duke mos i marrë parasysh kohët e padijes, tani urdhëron: le të kthehen të gjithë njerëzit e çdo vendi,

31 sepse Ai e caktoi një ditë, kur me drejtësi do ta gjykojë botën me anë të një Njeriu, të cilin e caktoi për këtë gjë dhe e përforcoi para të gjithëve duke e ngjallur nga të vdekurit.”

32 Kur dëgjuan “Të ngjallurit e të vdekurve”, disa e përqeshën e disa të tjerë i thanë: “Në lidhje me këtë do të të dëgjojmë një herë tjetër!”

33 Kështu Pali u largua prej tyre.

34 Megjithatë, disa ia pëlqyen fjalën dhe besuan. Ndër ta ishte Dionizi Areopagit, një grua me emër Damarë dhe disa të tjerë.



Fjala e Zotit