1 Atëherë Pali arriti në Derbë e në Listër. Atje ishte një nxënës, me emër Timote, biri i një hebrejeje të pagëzuar dhe i një greku.
2 Vëllezërit prej Listrës dhe prej Ikonit flisnin shumë mirë për të.
3 Pali dëshironte që ai të shkojë me të, prandaj e mori e, për shkak të hebrenjve që ishin në ato vende, e rrethpreu, sepse të gjithë e dinin se e kishte babain grek.
4 E nëpër qytetet që kalonin i njoftonin besimtarët me vendimet që kishin marrë apostujt e pleqtë e Jerusalemit dhe i porositnin t’i mbanin.
5 Kështu Kishat forcoheshin në fe dhe dita ditës rriteshin në numër.
Pali sheh në vegim maqedonasin
6 E kaluan Frigjinë dhe krahinën e Galacisë sepse Shpirti Shenjt ua ndaloi ta predikojnë fjalën në Azi.
7 Kur arritën në kufijtë e Mizisë, deshën të hyjnë në Bitini, por ua ndaloi Shpirti i Jezusit.
8 Atëherë kaluan vetëm nëpër Mizi e zbritën në Troadë.
9 Një natë Pali pati këtë vegim: një burrë maqedonas po qëndronte para tij dhe i bëri këtë lutje: “Kalo në Maqedoni e na ndihmo!”
10 Pas këtij vegimi u munduam që menjëherë të kalojmë në Maqedoni, të bindur se Hyji na thërret që t’u predikojmë Ungjillin.
Kthimi në besim i Lidisë
11 Lundruam, pra, prej Troadës dhe u nisëm drejt Samotrakës e të nesërmen për Neapol.
12 Prej andej në Filipe ‑ qytet kryesor i asaj province të Maqedonisë, i banuar prej romakësh. Në këtë qytet zumë vend disa ditë.
13 Të shtunën dolëm jashtë derës së qytetit, në breg të lumit, ku e çmonim se do të bashkohen në lutje. U ulëm e zumë t’u predikojmë disa grave që ishin mbledhur.
14 Po dëgjonte kështu njëra prej tyre që e kishte emrin Lidi, grua që besonte në Hyjin, shitëse stofrash të purpurtë prej qytetit të Tiatirit. Kësaj Zoti ia hapi zemrën dhe pranoi çka thoshte Pali.
15 Kur e mori pagëzimin ajo dhe familja e saj, ajo edhe na u lut: “Nëse më çmoni se jam besimtare e vërtetë e Zotit, ejani e banoni në shtëpinë time.” Na u desh të shkojmë.
Palin e Silën i burgosin në Filipe
16 Një ditë, ndërsa po shkonim për t’u lutur, na takoi një skllave që kishte shpirtin e magjisë, dhe, duke ushtruar mjeshtrinë e magjisë, zotërinjve të vet u sillte shumë fitesë.
17 Kjo skllave shkonte pas Palit e pas nesh dhe bërtiste: “Këta njerëz janë shërbëtorët e të Lartit Perëndi; këta ju shpallin udhën e shëlbimit!”
18 Bënte kështu për shumë ditë e dikur e mërziti Palin, ky u soll drejt saj dhe i urdhëroi shpirtit: “Po të urdhëroj në Emër të Jezu Krishtit, dil prej saj!” Dhe aty për aty doli prej saj.
19 Kur zotërinjtë e saj panë se u humbi shpresa e fitesës së tyre, i kapën Palin e Silën e i çuan në treg para krerëve të qytetit;
20 e duke i nxjerrë para pretorëve, thanë: “Këta njerëz po na e trazojnë qytetin. Janë judenj
21 dhe shtrijnë zakone, të cilat ne, romakët, nuk mund t’i pranojmë as nuk mund t’i zbatojmë.”
22 Turma e popullit u turr kundër tyre. Pretorët, pasi ua hoqën petkat, urdhëruan të rrahen me frushkuj.
23 Pasi i rrahën e i copëtuan i hodhën në burg dhe i urdhëruan rojtarit t’i ruajë me kujdes të madh.
24 Ky, pasi mori një urdhër të tillë, i futi në pjesën e brendshme të burgut dhe këmbët ua lidhi në pranga.
25 Rreth mesnate Pali e Sila luteshin duke i kënduar Hyjit himne. Të burgosurit i dëgjonin.
26 Kur, papritmas, u bë tërmet i rëndë, sa që u lëkundën themelet e burgut, përnjëherë u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve u ranë prangat.
27 Rojtari i burgut u zgjua e, kur i pa dyert e burgut të hapura, nxori shpatën e, duke kujtuar se i kanë ikur të burgosurit, deshi të vrasë veten.
28 Por Pali bërtiti me sa zë pati: “Mos i bëj gjë të keqe vetes sepse të gjithë jemi këtu!”
29 Ai lypi dritën, hyri vrik brenda, ra duke u dridhur para Palit e Silës
30 dhe, pasi i nxori jashtë, u tha: “Zotërinj, çka duhet të bëj për t’u shëlbuar?”
31 “Beso në Jezusin Zot ‑ i thanë ata ‑ dhe do të shëlbohesh ti edhe familja jote.”
32 Dhe i predikuan fjalën e Zotit atij e mbarë familjes së tij.
33 Po në atë orë të natës rojtari i mori, ua lau plagët e menjëherë u pagëzua ai dhe të gjithë të tijtë.
34 Atëherë i futi në shtëpi, u shtroi tryezën dhe me të gjithë anëtarët e familjes u gëzua që kishte besuar në Hyjin.
35 Pretorët, kur zbardhi drita, dërguan liktorët për t’i thënë rojtarit të burgut:
“Lëshoji ata njerëz!”
36 Roja i burgut ia përcolli këto fjalë Palit:
“Pretorët kanë urdhëruar t’ju lëshoj! Dilni, pra, tani e shkoni në paqe!”
37 Por Pali tha:
“Botërisht na kanë frushkulluar pa na pasë gjykuar, ne, që jemi nënshtetas romakë, dhe na kanë futur në burg! E tani duan fshehtas të na lirojnë? Assesi! Por le të urdhërojnë e të vijnë vetë të na lëshojnë!”
38 Liktorët i lajmëruan pretorët për këto fjalë. Ata, kur morën vesh se ishin nënshtetas romakë, u trembën.
39 Prandaj erdhën për t’ju t’u kërkuar ndjesë, i nxorën nga burgu dhe i lutën ta lënë qytetin.
40 Pali e Sila, si dolën nga burgu, shkuan në shtëpi të Lidisë, i panë vëllezërit, u dhanë zemër e shkuan.