1 Gjithashtu edhe në Ikon hynë në sinagogën e hebrenjve. Folën aq mirë sa që një shumicë e madhe hebrenjsh e grekësh e pranuan besimin.
2 Porse hebrenjtë që nuk e pranuan besimin, i ngacmuan dhe i çuan peshë paganët kundër vëllezërve.
3 Megjithatë Pali e Barnaba u ndalën aty për një kohë të gjatë, të mbështetur në ndihmën e Zotit, i cili e dëshmonte fjalën e hirit të vet duke premtuar që përmes duarve të tyre të bëheshin mrekulli dhe shenja të çuditshme.
4 Banorët e qytetit u ndanë: njëra pjesë ishte me hebrenj e pjesa tjetër me apostuj.
5 Paganët dhe hebrenjtë me krerët e vet u bënë gati për t’i salvuar apostujt e për t’i vrarë me gurë.
6 Apostujt, kur e morën vesh, ikën në qytete të Likaonisë: në Listër, në Derbë e në rrethina.
7 Atje vazhduan predikimin e Ungjillit.
Pali e Barnaba në Listër
8 Ishte në Listër një njeri i sëmurë këmbësh, çalaman që prej lindjes, i cili kurrë nuk kishte ecur.
9 Ky e dëgjoi Palin duke folur. Pali ia hodhi sytë e, duke parë se ka fe për të qenë shëruar,
10 i tha me zë të lartë: “Drejtohu në këmbët e tua!” Ai i dha vetes dhe eci.
11 Turma, kur pa çka bëri Pali, bërtiti në gjuhë likaone: “Hyjnitë kanë zbritur ndër ne në trajtën e njerëzve”
12 Barnabën e quajtën Zeus e Palin Hermes, sepse Pali fliste.
13 Atëherë prifti i Zeusit, tempulli i të cilit ishte para dyerve të qytetit, solli para derës së qytetit mëzetër e kurorë e bashkë me qytetarë deshi të flijojë.
14 Kur morën vesh apostujt, Barnaba e Pali, i shqyen petkat e veta e hynë mes popullit duke bërtitur.
15 ”Ç’po bëni kështu, bre burra!? Po edhe ne jemi njerëz të vdekshëm si ju! Ne ju predikojmë të ktheheni prej këtyre kotësive kah Hyji i gjallë, i cili krijoi qiellin e tokën, detin e gjithçka është në ta.
16 Në breznitë e shkuara ai i la mbarë paganët të ndjekin udhët e tyre.
17 Megjithatë nuk e la pa e dëshmuar veten me anë të bamirësive: ju dërgoi nga qielli shi e stinë të begatshme, ju mbushi me ushqime e zemrat tuaja i mbushi me gëzime.”
18 Duke folur kështu mezi e ndalën që të mos u kushtojnë fli.
19 Ndërkaq arritën disa hebrenj prej Antiokisë e prej Ikonit dhe e çuan peshë . E gjuajtën me gurë Palin, e qitën zvarrë jashtë qytetit duke kujtuar se kishte vdekur.
20 Por, kur e rrethuan nxënësit, ai u drejtua dhe hyri në qytet. Të nesërmen shkoi me Barnabën në Derbë.
Kthimi në Antioki të Sirisë
21 Pasi e kumtuan Lajmin e gëzueshëm në atë qytet, dhe, pasi bënë një numër të madh nxënësish, kthyen në Listër, në Ikon e në Antioki.
22 I përforconin zemrat e nxënësve në qendresë të fesë, sepse ‑ thoshin ‑ na duhet të kalojmë nëpër shumë vështirësi për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit.
23 Pasi luteshin e agjëronin, secilës kishë i emëronin udhëheqësin dhe ia porositnin Zotit, në të cilin kishin besuar.
24 Atëherë kaluan nëpër Pisidi e erdhën në Pamfili.
25 Pasi e predikuan fjalën në Pergë, zbritën në Atali.
26 Aty hipën në barkë e udhëtuan për Antioki, prej nga patën qenë dërguar të porositur hirit të Hyjit për veprën që kryen.
27 Kur arritën, bashkuan Kishën dhe treguan gjithçka Hyji bëri me anë të tyre dhe se si Hyji ua hapi paganëve derën e fesë.
28 Këtu qëndruan për një kohë të gjatë bashkë me nxënës.