1 Në kishën vendase të Antiokisë kishte disa profetë e mësues. Ishin Barnaba, Simoni, i quajtur Niger, Luci prej Cirenës, Manaeni, që kishte qenë edukuar bashkë me Herodin tetrark dhe Sauli.
2 Një ditë, ndërsa po kryenin shërbesën hyjnore e po agjëronin, Shpirti Shenjt tha: “M’i ndani Barnabën e Saulin të kryejnë veprimtarinë për të cilën i kam thirrur.”
3 Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i lejuan të shkojnë.
Apostujt predikojnë në Qipro
4 Barnaba, pra, e Sauli, të dërguar prej Shpirtit Shenjt, zbritën në Seleuci e, prej andej, lundruan për Qipro.
5 Kur arritën në Salaminë, filluan të predikojnë fjalën e Hyjit në sinagogat e judenjve. Me vete kishin edhe Gjonin si ndihmës.
6 Pasi e përshkuan mbarë ishullin deri në Paf, takuan atje një njeri, magjistar, profet të rrejshëm judeas, që quhej Barjesu,
7 e i përkiste rrethit të prokonsullit Sergj Paulit, që ishte njeri i mençur. Ky i fundit i grishi Barnabën e Saulin dhe shprehu dëshirën të dëgjojë fjalën e Hyjit.
8 Porse u kundërshtoi Elimi, magjistari ‑ këtë kuptim ka emri i tij ‑ duke u munduar ta largojë prokonsullin prej fesë.
9 Atëherë Sauli, që quhet edhe Pal, plot me Shpirt Shenjt, ia nguli sytë
10 dhe i tha: “O njeri plot gënjeshtra e dredhi, bir i djallit, armik i betuar i çdo drejtësie, a nuk do të pushosh së shtrembëruari udhët e drejta të Zotit?
11 Ja, pra, tani dora e Zotit mbi ty: do të verbohesh e deri në urdhrin tjetër, nuk do ta shohësh më dritën e diellit!” Aty për aty ra mbi të terr e errësirë: ecte andej e këndej duke kërkuar t’ia japë ndokush dorën.
12 Kur prokonsulli pa se çka ngjau, besoi i bindur plotësisht në mësimin e Zotit.
Pali e Barnaba në Antiokinë e Pisidisë
13 Nga Pafi, ku hipën në barkë, Pali e shokët e tij, arritën në Pergë të Pamfilisë. Gjoni u nda prej tyre dhe ktheu në Jerusalem.
14 Ata u nisën nga Perga e arritën në Antiokinë e Pisidisë. Të shtunën hynë në sinagogë dhe u ulën.
15 Pas leximit të Ligjit dhe të Profetëve, përgjegjësit e sinagogës dërguan t’u thonë: “Vëllezër, nëse keni ndonjë fjalë ngushëllimi për t’ia drejtuar popullit, flisni!”
16 Atëherë Pali u ngrit, dha shenjë me dorë e tha:
“Burra izraelas dhe ju që besoni në Hyjin, dëgjoni!
17 Hyji i këtij populli ‑ i Izraelit ‑ i zgjodhi etërit tanë. Ai e bëri të madh këtë popull kur ende ishte në dheun e huaj, në tokën e Egjiptit, dhe me dorë të pushtetshme e nxori nga ajo.
18 Afërsisht për dyzet vjet e rrethoi me kujdes në shkretëtirë.
19 Pastaj, pasi i zhduku shtatë kombësi në tokën e Kanaanit, ua dha në pronë me short tokën e tyre:
20 kjo zgjati reth katërqind e pesëdhjetë vjet. Pastaj u dha Gjyqtarët ‑ deri te Samueli profet.
21 Atëherë kërkuan mbretin dhe Hyji për dyzet vjet u dha Saulin, birin e Kishit, prej fisit të Beniaminit.
22 Pastaj, pasi hoqi këtë, për mbret u ngriti Davidin, për të cilin edhe dëshmoi: “Gjeta Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të bëjë gjithçka dua unë.’
23 Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin.
24 Para ardhjes së Jezusit Gjoni i predikoi mbarë popullit të Izraelit pagëzimin e kthimit.
25 E kur Gjoni po i jepte fund misionit të vet, thoshte: ‘Unë nuk jam ai që ju mendoni se jam! Por, ja, pas meje po vjen, ai, të cilit unë nuk jam i denjë t’ia zgjidh sandalet.’
26 Burra e vëllezër, bij të Abrahamit dhe ju të tjerët që besoni në Hyjin e vërtetë, neve na ka qenë drejtuar kjo fjalë shëlbimi.
27 Sepse banorët e Jerusalemit dhe krerët e tyre nuk e pranuan Jezusin dhe, duke e dënuar me vdekje, i çuan në vend fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë.
28 Edhe pse nuk gjetën në të kurrfarë arsyeje për ta dënuar, kërkuan prej Pilatit që të vritej.
29 Pasi kryen gjithçka shkruan për të, e ulën nga kryqi dhe e shtinë në varr.
30 Porse Hyji e ngjalli prej të vdekurish.
31 Jezusi iu dëftua i gjallë për shumë ditë atyre që bashkë me të qenë ngjitur prej Galilesë në Jerusalem, të cilët [tani] janë dëshmitarët e tij para popullit.
32 E ne u shpallim Lajmin e Gëzueshëm se premtimin që Hyji ua pati dhënë etërve
33 na e plotësoi neve, bijve të tyre, duke e ngjallur Jezusin, siç shkruan në Psalmin e dytë:
‘Ti je biri im,
unë sot të linda.’
34 Se e ngjalli prej të vdekurish dhe se kurrë më nuk do të kalbet, e ka thënë me këto fjalë:
‘Juve do t’jua plotësoj premtimet e sigurta dhënë Davidit.’
35 Për këtë arsye edhe thotë në një vend tjetër:
‘Ti s’do ta lësh Shenjtin tënd
të kalbet.’
36 Tani, Davidi, pasi në jetën e vet u shërbeu planeve të Hyjit, vdiq dhe qe varrosur pranë etërve të vet, dhe trupi i tij u kalb,
37 kurse Jezusi, të cilin Hyji e ngjalli, nuk u kalb.
38 Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpër Këtë ju kumtohet falja e mëkateve [dhe] në gjithçka nuk qe e mundur të shfajësoheni me anën e Ligjit të Moisiut,
39 me anën e Jezusit, secili që beson shfajësohet.
40 Vëriani mendjen të mos të plotësohet në ju çka qe thënë në Profetë:
41 “‘Shikoni, o përbuzës,
mrekullohuni e zhdukuni!
Sepse unë do ta bëj një vepër të atillë në ditët tuaja,
vepër të cilën s’do ta besonit, po t’jua tregonte ndokush. ’”
42 Kur po dilnin jashtë i lutnin që të shtunën e ardhshme t’u flisnin përsëri për këtë gjë.
43 Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë judenj dhe proselitë të përshpirtshëm shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët i porositnin dhe i nxitnin të qëndrojnë në hirin e Hyjit.
44 Të shtunën e ardhshme ngarendi pothuajse mbarë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit.
45 Judenjtë, kur panë të gjithë atë shumicë populli, i kapi smira, zunë t’u kundërshtojnë me të shara fjalëve të Palit.
46 Atëherë Pali e Barnaba u thanë plot guxim: “Më së pari është dashur t’u shpallet juve fjala e Hyjit. Por, pasi ju e përbuzni dhe veten nuk e çmoni të denjë për jetën e pasosur, atëherë ne po u drejtohemi paganëve.
47 Sepse kështu na ka urdhëruar Zotëria:
‘Të kam caktuar të jesh dritë për paganët,
që ta çosh shëlbimin deri në skajin e tokës.’
48 Paganët, kur i dëgjuan këto, gëzoheshin dhe e madhëronin fjalën e Zotit dhe të gjithë ata që e ndienin veten të caktuar për jetën e pasosur, u bënë besimtarë.
49 E fjala e Zotit hapej nëpër mbarë atë krahinë.
50 Por hebrenjtë ngacmuan disa gra në shenjë që besonin në Hyjin dhe krerët e qytetit e shkaktuan një salvim kundër Palit e Barnabës dhe i dëbuan prej vendit të tyre.
51 Ata atëherë e shkundën pluhurin e këmbëve të veta si dëshmi kundër tyre dhe shkuan për Ikon.
52 Ndërkaq nxënësit mbusheshin me gëzim dhe me Shpirt Shenjt.