< Vap 11 Vap 13 >
Lexim prej Veprat të Apostujve(Vap 12)
12

1 Në ato ditë Herodi mbret filloi të salvojë disa anëtarë të Kishës.

2 Me shpatë e preu Jakobin, të vëllanë e Gjonit.

3 E kur hetoi se kjo gjë po u pëlqente judenjve, mendoi të burgosë edhe Pjetrin (ishin ditët e Bukëve të pabrume).

4 E pasi e kapi, e futi në burg dhe ua dha ta ruajnë katër skuadra, secila e përbërë nga katër ushtarë, me qëllim që pas pashkëve ta qesë para popullit.

5 Kështu pra, Pjetri ruhej në burg, por lutja e përzemërt e Kishës ngritej vazhdimisht para Hyjit për të.

Lirimi i Pjetrit nga burgu

6 Atë natë, para ditës që Herodi kishte caktuar ta nxirrte para popullit, Pjetri flinte mes dy ushtarëve, i lidhur në dy palë hekura e para derës rojtarët ruanin burgun.

7 Dhe ja, engjëlli i Zotit u duk dhe një dritë e ndriçoi dhomën. Engjëlli i ra Pjetrit në ijë, e zgjoi dhe i tha: “Çohu shpejt!” Prej duarve i ranë hekurat.

8 Engjëlli i tha: “Ngjeshu dhe lidhi sandalet!” Ai bëri ashtu. Përsëri i tha engjëlli: “Vishe petkun tënd dhe eja pas meje!”

9 Pjetri doli dhe po i shkonte pas. Nuk ishte i vetëdijshëm se çka po ndodhte me anë të engjëllit ishte e vërtetë, por ai kujtonte se kishte një vegim.

10 Kaluan rojën e parë edhe të dytën edhe arritën te dera e hekurt që shpie në qytet. Kjo u hap vetvetiu. Ata dolën, kaluan një rrugë e atëherë papritmas engjëlli u nda prej tij.

11 Atëherë Pjetri erdhi në vete e tha: “Tani me të vërtetë po e di se Zoti e paska dërguar engjëllin e vet e më shpëtoi nga dora e Herodit dhe prej gjithçka që priste populli i judenjve.”

12 Posa u mendua pakëz, u nis drejt shtëpisë së Marisë, nënës së Gjonit që quhet Mark, ku shumë ishin bashkuar në lutje.

13 Ky trokiti në derën e jashtme. Një shërbëtore, me emrin Rozë, u afrua për të hetuar kush ishte.

14 Si e njohu zërin e Pjetrit, prej gëzimit as nuk ia çeli derën, por u kthye turravrap brenda dhe lajmëroi se ishte Pjetri pas dere.

15 “Ti je e marrë!” ‑ i thanë ata, por ajo pohonte se ashtu ishte. Atëherë ata thanë: “Do të jetë, pra, engjëlli i tij.”

16 Pjetri vazhdonte trokitjen. Kur e hapën derën dhe e panë, u mrekulluan.

17 Ai u dha shenjë me dorë, që të heshtnin, u tregoi si Zoti e nxori nga burgu dhe shtoi: “Tregojini Jakobit dhe vëllezërve!” Atëherë doli e shkoi në një vend tjetër.

18 Kur zbardhi drita, u bë një pështjellim jo i vogël në mes të ushtarëve: vallë, ç’u bë Pjetri?

19 Herodi zuri ta kërkojë e, kur nuk e gjeti, pasi i mori në pyetje rojtarët, dha urdhër të vriteshin. Atëherë zbriti nga Judeja në Cezare e aty banoi.

Vdekja e Herodit

20 Herodi ishte shumë i zemëruar kundër tirëve e sidonëve. Ata erdhën së bashku e, pasi e përfituan për vete Blastën, oborrtarin e mbretit, kërkuan paqe, sepse vendi i tyre i merrte ushqimet prej territorit të mbretit.

21 Ditën e caktuar, Herodi, i veshur me petkun mbretëror, hipi në fron dhe po u fliste.

22 Populli i brohoriste: “Është zë i një hyji e jo i një njeriu!”

23 Por aty për aty, engjëlli i Zotit e ndëshkoi, sepse nuk i dha lavdërim Hyjit e, i brejtur nga krimbat për së gjalli, vdiq.

24 Ndërkaq fjala e Hyjit rritej e shtrihej.

25 Barnaba e Sauli, pasi e kryen misionin e vet në Jerusalem, u kthyen duke marrë me vete Gjonin, që quhet Mark.



Fjala e Zotit