< Gjn 21 Vap 2 >
Lexim prej Veprat të Apostujve(Vap 1)
1

1 Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka që Jezusi bëri dhe mësoi që prejfillimit

2 e deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet Shpirtit Shenjt.

3 Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit.

4 Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lënë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje:

5 Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.”

Të shëlbuarit – ngjitja në qiell

6 Tani, ata që ndodhën bashkë me të, e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?”

7 Ai iu përgjigj: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet.

8 Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe deri në skajin e botës.”

9 Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre.

10 Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin se si ai ngritej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre

11 dhe u thanë: “O burra galileas, pse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezus, që prej jush u ngrit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!”

Zgjedhja e pasardhësit të Judës

12 Pastaj nga mali i Ullinjve u kthyen në Jerusalem. Ky mal është afër Jerusalemit aq sa guxohet të ecet të shtunën.

13 Dhe, pasi hynë në qytet, u ngjitën në dhomën e sipërme, ku zakonisht banonin. Ishin Pjetri, Gjoni, Jakobi, Andreu, Filipi, Toma, Bartolomeu, Mateu, Jakobi i Alfeut, Simoni Zelltar dhe Juda i Jakobit.

14 Të gjithë këta ishin të përqendruar prore së bashku në lutje me disa gra, me Marinë, Nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.

15 Po në ato ditë, u ngrit Pjetri në mes të vëllezërve ‑ ishin mbledhur afërsisht njëqind e njëzet vetë ‑ dhe tha:

16 “Vëllezër, është dashur të plotësohet Shkrimi i shenjtë të cilin me gojë të Davidit e parafoli Shpirti Shenjt për Judën, i cili u bë prijësi i atyre që e kapën Jezusin.

17 Ai ishte vërtet nga numri ynë dhe kishte pjesë në këtë shërbesë.

18 Porse ai, me paratë që i paguan për krimin e tij, bleu një arë, pastaj theu qafën, plasi përmes e iu derdhën të gjitha zorrët.

19 Kjo gjë u dit prej banorëve të Jerusalemit sa që këtë arë e quajtën në gjuhën e tyre ‘Hakeldama’ d. m. th. ‘Ara e Gjakut.’

20 Dhe njëmend, në librin e Psalmeve shkruan:

‘Shtëpia e tij mbettë e shkretë,

askush në të mos banoftë!’

dhe:

‘Parësinë e tij dikush tjetër e trashëgoftë!’

21 Duhet, pra, që njëri prej këtyre njerëzve, të cilët qenë me ne gjatë tërë kohës që Zotëria Jezus jetoi në mesin tonë, ‑

22 duke filluar prej pagëzimit të Gjonit e deri atë ditë kur prej nesh u ngrit në qiell ‑ të bëhet bashkë me ne dëshmitari i ngjalljes së tij.”

23 Dhe paraqitën dy: Jozefin që quhet Barsabë me mbiemër Just dhe Matinë:

24 Atëherë u lutën:

“Ti, o Zot, që njeh zemrat e të gjithë njerëzve, trego cilin prej këtyre të dyve e ke zgjedhur

25 për të marrë vendin e kësaj shërbese apostolike, prej të cilës u tërhoq Juda për të shkuar në vendin e vet.”

26 Atëherë hodhën short e shorti i ra Matisë, e kështu u radhit në numrin e të Njëmbëdhjetë apostujve.



Fjala e Zotit