< Vaj 1 Vaj 3 >
Lexim prej librit të Vajtimeve(Vaj 2)
2

1 Oh, si e nxiu në zemërim të vet Zoti

Bijën e Sionit!

Nga qielli për tokë e flaku

nderin e Izraelit,

s’iu kujtua shtroja e këmbëve të veta

ditën e zemërimit të vet!

2 Zoti i shkretoi pa mëshirë

mbarë kullosat e Jakobit;

i rrafshoi në zemërim të vet

fortesat e Bijës së Judës;

për tokë e rrëzoi, e mallkoi

mbretërinë e krerët e saj!

3 Në flakën e zemërimit të vet

Izraelit i theu çdo pushtet,

e tërhoqi të djathtën e vet

para fytyrës së armikut,

flakë e ndezi në Jakob zjarrin

që përpin gjithçka përreth.

4 Si armik e ngrehu harkun,

s’iu dridh dora më se kundërshtarit,

për pa vrarë nuk la asgjë

të bukur për shikim

në tendën e Bijës së Sionit:

zemërimin si zjarr e shfreu.

5 U bë Zoti si të ishte armik,

e përpiu Izraelin,

ia përpiu të gjitha fortesat,

ia rrafshoi të gjitha kullat,

e shtoi mbi Bijën e Judës

pikëllimin edhe trishtimin.

6 Kopsht të shthurur ia bëri Tempullin,

e shkatërroi Tendën e vet:

bëri Zoti të harrohen në Sion

e kremtja edhe e shtuna,

i përbuzi në furi të vet

mbret e prift!

7 Iu mërzit lteri i vet,

Shenjtëroren e vet mallkoi;

i lëshoi në dorën e armikut

muret e shtëpive të saj:

krisi britma në Shtëpi të Zotit

porsi ditën e festimit!

8 Vendosi Zoti të rrënojë

murin e Bijës së Sionit,

e ngrehu për masë konopin,

nuk e ndali dorën nga rrënimi:

në zi i veshi avlli e mur,

të dy së bashku po rrëzohen.

9 Dyert e saj i mbuloi dheu;

i theu, i copëtoi shtatkat e saj.

Mbreti e princat të humbur ndër paganë,

u zhduk Ligji!

As profetët më nuk kanë

vegim prej anës së Zotit!

10 Rrinë në pluhur edhe heshtin

pleqtë e Bijës së Sionit,

me pluhur e pluhuruan kokën

e u ngjeshën me grathore;

për tokë ulin kokën e vet

virgjërat e Rruzalemit!

11 Sytë e mi prej lotësh u verbuan,

u përzien përbrendëset e mia;

u derdh për tokë mëlçia ime

se u shkatërrua bija e popullit tim,

ndërsa meket foshnja dhe ferishtja

nëpër sheshet e Qytetit.

12 U thoshin nënave të veta:

“Ku është drithi, ku është vera?”

E mekeshin si të plagosur

nëpër rrugët e Qytetit

e shpirti atyre u dilte

n’prehrin e nënave të veta.

13 Me kë të të krahasoj? Kujt të them se i përngjan,

o Bija e Jerusalemit?

Me kë të të barazoj për të të

ngushëlluar,

Bukuroshja Bijë e Sionit?

I madh si deti është rrënimi yt,

kush mund të të sjellë shërim?

14 Profetët e tu për ty patën vegime

të rreme e të marra;

s’ta zbulonin fajësinë tënde,

që ta ndërronin fatin tënd,

por të treguan profeci trillimesh,

rrene e edhe ngashnjimi.

15 Përmbi ty shuplakat rrahin

të gjithë ata që udhës kalojnë,

fërshëllejnë dhe kokat lëkundin

përmbi Bijë të Jerusalemit:

“Ky është Qyteti ‑hijeshia e

përsosur‑

hareja e botës mbarë?!”

16 Hapin gojën kundër teje

të gjithë kundërshtarët e tu,

fërshëllejnë, me dhëmbë kërcëllojnë

e thonë: “E përpimë!

Ja, dita që kaherë prisnim:

ia mbërritëm me sy ta shohim!”

17 E çoi në vend Zoti ç’vendosi,

e plotësoi fjalën e vet,

të urdhëruar që qëmot:

rrënoi e nuk pati mëshirë!

Bëri të gëzojë mbi ty armiku,

armiqve të tu fuqinë ua rriti.

18 T’i klithë Zotit zemra jote

përmbi muret e Bijës së Sionit,

lër rrëke le të derdhen lotët

ditë e natë!

Mos i jep pushim vetvetes,

të mos pushojë qepalla e syrit tënd!

19 Ngrihu e natën gjëmo

kur fillon turni i rojës,

zbraze si ujët zemrën tënde

përpara fytyrës së Zotit!

Lartësoji drejt tij duart e tua,

kërko ndihmë për foshnjat e tua

që po meken nga uria

në krye të të gjitha udhëve.

20 “Këqyr, o Zot, e deh, shiko,

me kë u solle der tani kështu?

Vallë të hanë gratë frytin e vet,

foshnjat që duhet të rriten?

Thua të vriten në Shenjtërore të Zotit

priftërinjtë edhe profetët?

21 Dergjen për tokë në rrugë të madhe

fëmijë e plak,

virgjërat e të rinjtë e mi

ranë prej shpatës:

i vrave ditën e zemërimit tënd,

i godite dhe nuk pate mëshirë.

22 Ti i mblodhe si për ditë feste

tmerruesit e mi përreth;

ditën e zemërimit të Zotit

kush s’shpëtoi, askush gjallë s’mbeti

të cilët i mëkova dhe i ushqeva:

armiku im farën ua treti!”



Fjala e Zotit