Duke ngarkuar...

< Jer 52 Vaj 2 >
Lexim prej librit të Vajtimeve(Vaj 1)
1

1 Ehu, si mbet kështu, qyqe‑vetëm, Qyteti dikur plot popull! Mbeti e vejë Zonja e Madhe e kombeve! Sundimtarja e krahinave iu nënshtrua edhe ajo punës së detyruar!

2 Nata i kalon në vajtim, lot rrëke mollëzave i rrjedhin. Prej të gjithë dashnorëve të saj: s’del kush që ta ngushëllojë e përbuzën të gjithë miqtë e saj, erdhën e iu bënë armiq.

3 I pikëlluar, nën peshë të skllavërimit, dëbohet Juda prej atdheut; ndër paganë e kalon jetën dhe nuk gjen kund vend pushimi të gjithë përndjekësit e tij e zunë nëpër gryka të ngushta!

4 Në zi janë udhët e Sionit se askush më në festë nuk vjen! Dyert e tij u shpartalluan, priftërinjtë e tij rënkojnë, në pikëllim janë virgjërat e tij e atë e ndrydh hidhërimi.

5 Kundërshtarët iu bën zotërinj, gëzojnë qetësi armiqtë e tij, sepse Zoti e bëri të mjerë për shkak të fajeve të tij pa numër; fëmijët e tij u çuan në skllavëri, vënë përpara i ka armiku.

6 U zhduk prej Bijës së Sionit e tërë lavdia e saj. Krerët iu bënë porsi kaprojtë që s’gjejnë kullosa: pa fuqi hapat i ndërrojnë para atij që u grah.

7 I kujtohen Rruzalemit në ditë mjerimi të endjes së vet të gjitha të mirat që i pati dikur në ato kohët e hershme, kur pop’lli ra në dorë të armikut e askush s’e mori ndore; e panë mirë armiqtë e tij e u zgërdhinë për rrënim të tij.

8 Rëndë mëkatoi Jerusalemi, këndej dhe u bë i neveritshëm: të gjithë ata që e lavdëronin, e përbuzën, pse ia panë lakuriqësinë: ai dënes e kthehet prapazi.

9 Ndyrësia e tij në skundijtë e petkut të tij, s’mendoi si do t’i dalë fundi; u mposht tmerrshëm e s’ka askënd që ta ngushëllojë. “Shikoje, Zot, mjerimin tim, se çoi tepër krye armiku!”

10 Armiku e shtriu dorën mbi të gjitha të mirat e tij: i shikoi me sy paganët si hyjnë në Tempullin e tij, për të cilin ti kishe urdhëruar të mos hyjnë në tubimin tënd.

11 Mbarë populli i tij gjëmon: kërkon bukë; për ushqim dhanë ç’patën të çmueshme veç për të mbajtur frymën gjallë. “Shiko, o Zot, e shqyrto se në ç’gjendje çnjerëzore jam!

12 O ju të gjithë që udhës kaloni, shikoni e shihni a ka dhimbje si dhimbja ime, sikur kjo që po më mundon, me të cilën Zoti më ndëshkoi në ditë të zemërimit të furisë së vet.

13 Prej së larti e dërgoi zjarrin dhe e përshkoi në eshtrat e mi; shtriu rrjetën nën këmbë të mia e më përplasi në kokërr të shpinës, më bëri grusht në pikëllim të përhershëm.

14 Vërejti rreptë mbi faje të mia, me dorë të vet i lidhi barrë, i ngarkoi në qafën time e krejtësisht më la pa fuqi. Më lëshoi Zoti në një dorë të tillë, prej të cilës më nuk mund të ngrihem.

15 M’i përbuzi Zoti trimat që i kisha në mesin tim; kundër meje thirri mbledhjen për t’i shuar të rinjtë e mi. Në presë e shtrydhi i Lumi Zot virgjërën, Bijën e Judës.

16 Për këtë punë rri duke qarë, syri im derdhet në lot pse m’u largua ngushëlluesi që frymën do të ma përtërinte. Sharruan të gjithë bijtë e mi, pse armiku qe më i fortë.

17 Sioni i shtrin duart e veta, por ngushëllues për të nuk ka! I çon Zoti kundër Jakobit gjithkund përreth armiqtë e tij: erdhi e u bë Jerusalemi sukull i ndytë në mesin e tyre.

18 I drejtë është Zoti, se i kundërshtova fjalës së tij. Më dëgjoni, ju lutem, popuj, mirë vërejeni dhimbjen time: vashat e mia e të rinjtë e mi në skllavëri shkuan!

19 U rashë ndore miqve të mi, por ata të gjithë më tradhtuan. Priftërinjve të mi e pleqve të mi brenda në qytet u doli shpirti duke kërkuar bukë për vete që ta mbanin frymën gjallë.

20 Shih, o Zot, se në ç’të vështirë jam, përbrendëset më janë përzier, tronditur është në mua zemra, se s’dëgjova, për të mos dëgjuar. Përjashta më shoi farën shpata, kurse brenda në shtëpi ‑ vdekja.

21 Dëgjo se sa fort dënes e askush nuk më jep ngushëllim. Armiqtë dëgjuan për të keqen time: u kënaqën pse ti ma çove. Sille ditën që ti e shpalle, le të bëhen të ngjashëm me mua!

22 Të mbërrijë te ti fajësia e tyre bëjua edhe ti atyre siç ma bëre mua! Për shkak të t’gjitha paudhësive të mia, të shumta janë dënesjet e mia; zemra ime është në pikëllim.”



Fjala e Zotit