< Jer 52 Vaj 2 >
Lexim prej librit të Vajtimeve(Vaj 1)
1

1 Ehu, si mbet kështu, qyqe‑vetëm,

Qyteti dikur plot popull!

Mbeti e vejë

Zonja e Madhe e kombeve!

Sundimtarja e krahinave

iu nënshtrua edhe ajo punës së detyruar!

2 Nata i kalon në vajtim,

lot rrëke mollëzave i rrjedhin.

Prej të gjithë dashnorëve të saj:

s’del kush që ta ngushëllojë

e përbuzën të gjithë miqtë e saj,

erdhën e iu bënë armiq.

3 I pikëlluar, nën peshë të skllavërimit,

dëbohet Juda prej atdheut;

ndër paganë e kalon jetën

dhe nuk gjen kund vend pushimi

të gjithë përndjekësit e tij e zunë

nëpër gryka të ngushta!

4 Në zi janë udhët e Sionit

se askush më në festë nuk vjen!

Dyert e tij u shpartalluan,

priftërinjtë e tij rënkojnë,

në pikëllim janë virgjërat e tij

e atë e ndrydh hidhërimi.

5 Kundërshtarët iu bën zotërinj,

gëzojnë qetësi armiqtë e tij,

sepse Zoti e bëri të mjerë

për shkak të fajeve të tij pa numër;

fëmijët e tij u çuan në skllavëri,

vënë përpara i ka armiku.

6 U zhduk prej Bijës së Sionit

e tërë lavdia e saj.

Krerët iu bënë porsi kaprojtë

që s’gjejnë kullosa:

pa fuqi hapat i ndërrojnë

para atij që u grah.

7 I kujtohen Rruzalemit

në ditë mjerimi të endjes së vet

të gjitha të mirat që i pati

dikur në ato kohët e hershme,

kur pop’lli ra në dorë të armikut

e askush s’e mori ndore;

e panë mirë armiqtë e tij

e u zgërdhinë për rrënim të tij.

8 Rëndë mëkatoi Jerusalemi,

këndej dhe u bë i neveritshëm:

të gjithë ata që e lavdëronin,

e përbuzën,

pse ia panë lakuriqësinë:

ai dënes e kthehet prapazi.

9 Ndyrësia e tij në skundijtë e petkut të tij,

s’mendoi si do t’i dalë fundi;

u mposht tmerrshëm

e s’ka askënd që ta ngushëllojë.

“Shikoje, Zot, mjerimin tim,

se çoi tepër krye armiku!”

10 Armiku e shtriu dorën

mbi të gjitha të mirat e tij:

i shikoi me sy paganët

si hyjnë në Tempullin e tij,

për të cilin ti kishe urdhëruar

të mos hyjnë në tubimin tënd.

11 Mbarë populli i tij gjëmon:

kërkon bukë;

për ushqim dhanë ç’patën të çmueshme

veç për të mbajtur frymën gjallë.

“Shiko, o Zot, e shqyrto

se në ç’gjendje çnjerëzore jam!

12 O ju të gjithë që udhës kaloni,

shikoni e shihni

a ka dhimbje si dhimbja ime,

sikur kjo që po më mundon,

me të cilën Zoti më ndëshkoi

në ditë të zemërimit të furisë së vet.

13 Prej së larti e dërgoi zjarrin

dhe e përshkoi në eshtrat e mi;

shtriu rrjetën nën këmbë të mia

e më përplasi në kokërr të shpinës,

më bëri grusht në pikëllim të

përhershëm.

14 Vërejti rreptë mbi faje të mia,

me dorë të vet i lidhi barrë,

i ngarkoi në qafën time

e krejtësisht më la pa fuqi.

Më lëshoi Zoti në një dorë të tillë,

prej të cilës më nuk mund të ngrihem.

15 M’i përbuzi Zoti trimat

që i kisha në mesin tim;

kundër meje thirri mbledhjen

për t’i shuar të rinjtë e mi.

Në presë e shtrydhi i Lumi Zot

virgjërën, Bijën e Judës.

16 Për këtë punë rri duke qarë,

syri im derdhet në lot

pse m’u largua ngushëlluesi

që frymën do të ma përtërinte.

Sharruan të gjithë bijtë e mi,

pse armiku qe më i fortë.

17 Sioni i shtrin duart e veta,

por ngushëllues për të nuk ka!

I çon Zoti kundër Jakobit

gjithkund përreth armiqtë e tij:

erdhi e u bë Jerusalemi

sukull i ndytë në mesin e tyre.

18 I drejtë është Zoti,

se i kundërshtova fjalës së tij.

Më dëgjoni, ju lutem, popuj,

mirë vërejeni dhimbjen time:

vashat e mia e të rinjtë e mi

në skllavëri shkuan!

19 U rashë ndore miqve të mi,

por ata të gjithë më tradhtuan.

Priftërinjve të mi e pleqve të mi

brenda në qytet u doli shpirti

duke kërkuar bukë për vete

që ta mbanin frymën gjallë.

20 Shih, o Zot, se në ç’të vështirë jam,

përbrendëset më janë përzier,

tronditur është në mua zemra,

se s’dëgjova, për të mos dëgjuar.

Përjashta më shoi farën shpata,

kurse brenda në shtëpi ‑ vdekja.

21 Dëgjo se sa fort dënes

e askush nuk më jep ngushëllim.

Armiqtë dëgjuan për të keqen time:

u kënaqën pse ti ma çove.

Sille ditën që ti e shpalle,

le të bëhen të ngjashëm me mua!

22 Të mbërrijë te ti fajësia e tyre

bëjua edhe ti atyre

siç ma bëre mua!

Për shkak të t’gjitha paudhësive të mia,

të shumta janë dënesjet e mia;

zemra ime është në pikëllim.”



Fjala e Zotit