1 “O Hyj i etërve të mi dhe Zoti i mëshirës,
ti që me anë të fjalës sate krijove rruzullin,
2 që njeriun e krijove me anë të urtisë sate
për të sunduar krijesat që ti i përftove,
3 për ta drejtuar botën me shenjtëri e drejtësi
dhe për të gjykuar gjyqin me shpirt të drejtë:
4 ma jep urtinë që rri në fron pranë teje
dhe mos më përjashto nga numri i fëmijëve të tu,
5 sepse jam shërbëtori yt,
biri i skllaves sate,
njeri i vogël e jetëshkurtër,
i paaftë për të kuptuar gjyq e ligj.
6 Sepse, edhe po t’u gjente ndër bijtë e njerëzve
ndokush i përsosur,
por, në qoftë se i mungon urtia jote,
do të vlerësohej për asgjë.
7 Ti më zgjodhe mbret për popullin tënd
dhe gjykatës të bijve e të bijave të tua;
8 më urdhërove ta ndërtoj tempullin
në malin tënd të shenjtë
e lterin në qytetin e banimit tënd,
në imitimin e Tendës së shenjtë
që e përgatite prej fillimit.
9 Me ty është urtia që i njeh veprat e tua,
që ishte pranë edhe atëherë kur e krijove rruzullin,
dhe e dinte çfarë është e pëlqyeshme në sytë e tu
dhe çfarë është e drejtë në urdhërimet e tua.
10 Dërgoje prej qiejve të tu të shenjtë,
çoje prej selisë së madhërisë sate,
që të jetë me mua e të mundohet krah për krah me mua,
që të di çka është e pëlqyeshme para teje.
11 Sepse ajo di dhe gjithçka kupton,
të më përcjellë me maturi në veprat e mia
e të më mbrojë me lavdinë e vet.
12 Kështu veprat e mia do të jenë të pëlqyeshme,
do ta gjykoj popullin tënd me drejtësi
dhe do të jem i denjë për fronin e tim eti.
13 E njëmend cili njeri mund ta dijë synimin e Hyjit?
Kush do të mund të kujtohet se çka do Zoti?
14 Frigacake janë mendimet e të vdekshmëve
dhe të dyshimta parashikimet tona:
15 sepse trupi i shkatërrueshëm e mundon shpirtin
dhe tenda tokësore e ndrydh mendjen përsiatëse.
16 Mezi i parafytyrojmë gjërat tokësore
madje edhe gjërat që i kemi në dorë mezi i kuptojmë,
e kush atëherë do t’i shqyrtojë gjërat qiellore?
17 E kush e kishte njohur vullnetin tënd
po të mos e kishe dhuruar ti vetë urtinë
e të mos e kishe dërguar prej së larti
shpirtin tënd të shenjtë?
18 Vetëm kështu u bënë të drejta shtigjet
e atyre që janë në tokë
dhe vetëm kështu njerëzit mësuan çfarë të pëlqen
e, në saje të urtisë, qenë shëlbuar”.