< Ur 7 Ur 9 >
Lexim prej librit të Urtise(Ur 8)
8

1 Ajo e shtrin fuqinë skaj më skaj të botës
dhe e drejton rruzullin me mirësi të këndshme.

2 Këtë e desha dhe e kërkova që prej rinisë sime,
bëra të pamundurën për ta marrë bashkëshorte
dhe u dashurova në bukurinë e saj.

3 Bujarinë e saj ia madhëron bashkëjetesa me Hyjin
sepse e do Zotëruesi i gjithësisë.

4 Sepse ajo është mësuesja e dijes së Hyjit
dhe zgjedhësja e veprave të tija.

5 Nëse pasuria është kamje e dëshirueshme në këtë jetë,
çka është atëherë më e dobishme se urtia
që gjithçka prodhon?

6 E në qoftë se është mendja ajo që vepron,
cili ndër qeniet është më mjeshtër se ajo?

7 Nëse ndokush e do drejtësinë,
virtytet janë rrjedhoja e veprimit të saj:
sepse ajo e mëson përkoren e mençurinë,
drejtësinë e trimërinë shpirtërore,
që në jetë për njerëz asgjë s’ka më të dobishme.

8 Nëse ndokush dëshiron dije më të lartë,
ajo njeh të kaluarën, e parasheh të ardhmen,
di të shtjellojë fjalët e urta e të zgjidhë enigmat,
i parasheh shenjat e mrekullitë
si dhe rrjedhën e epokave dhe të kohëve.

9 Këndej edhe vendosa ta marr për shoqe jete,
sepse e di se do të më jetë këshilltare në të mira
dhe ngushëllimtare në kujdese e në vuajtje.

10 Në saje të saj zë të mirë do të kem në popull
e ndër pleq nder, megjithëse jam i ri;

11 në pleqërime do të dal i hollë,
e të mëdhenjtë, kur të më shohin, do të mrekullohen.

12 Kur të hesht, do të presin të flas,
kur të flas, sytë s’do të m’i ndajnë,
nëse do ta zgjas fjalën time,
gojës së vet do t’i vënë dorën.

13 Me anë të saj do të fitoj pavdekësinë,
do t’u lë kujtim të përhershëm
atyre që pas meje do të vijnë.

14 Do t’i sundoj popujt
dhe kombet do të më jenë të nënshtruara.

15 Do të tremben mbretërit e tmerrshëm
kur për mua të dëgjojnë.
Me popullin tim do të jem i mirë
kurse në luftë trim i fortë.

16 Kur në shtëpi të kthehem pranë saj do të pushoj,
sepse në shoqëri me të
s’mund të ketë mërzi,
bashkëjetesa me të nuk sjell vuajtje,
por gëzim dhe hare.

17 Duke i përbluar këto mendime në vete
dhe duke përkujtuar në zemrën time
se pavdekësia është afër me urtinë,

18 në miqësinë e saj gëzim i pastër,
në duart e punës së saj pasuri e pashtershme,
në grindje bisede me të mençuria,
zë i mirë në shkëmbim bisedimi me të,
vend s’lashë pa kërkuar për ta marrë atë.

19 Isha djalosh me natyrë bujare
e pata fat ta kisha shpirtin e mirë,

20 madje, pasi isha i mirë,
kisha hyrë në trup të pandotur,

21 dhe, duke e ditur se ndryshe s’do ta kisha fituar
vetëm nëse do të ma dhuronte Hyji

e mençuri ishte vetë kjo gjë
të dija se dhuratë e kujt është –
u solla kah Zoti dhe iu luta
dhe me gjithë shpirt i thashë:



Fjala e Zotit