< Ur 6 Ur 8 >
Lexim prej librit të Urtise(Ur 7)
7

1 Edhe unë s’jam tjetër, por një njeri i
vdekshëm si të gjithë,
pasardhës i qënies së parë të trajtuar nga dheu,
i krijuar njeri në kraharorin e nënës,

2 gjatë dhjetë muajsh i ngjizur në gjak
në fuqi të farës së mashkullit e të kënaqësisë
përcjellëse të gjumit.

3 Edhe vetë, i porsa lindur, mora frymë ajrin e përbashkët,
rashë në tokë që njësoj mbart gjithçka
dhe, si për të gjithë, zëri im i parë qe vaji.

4 Qeshë rritur në shpërgënj e me kujdes;

5 asnjë mbret nuk ka tjetër fillim të qenies:

6 hyhet në jetë dhe dilet prej saj
në të njëjtën mënyrë për të gjithë.

7 Prandaj u luta e më qe dhuruar mençuria,
u përluta e më erdhi shpirti i urtisë.

8 E çmova atë më shumë se mbretëritë e selitë,
për asgjë e mbajta pasurinë në krahasim me të.

9 Gurin e paçmueshëm as që e krahasove me të,
sepse i gjithë ari në krahasim me të është si pak rërë,
e argjendi për krah saj vlerësohet si baltë.

10 E desha më tepër se shëndetin e bukurinë
dhe e parapëlqeva më fort se dritën,
sepse shkëlqimi i saj nuk di të shuhet kurrë.

11 Bashkë me të m’erdhën të gjitha të mirat e nëpër duar të saja pasuri të
panumërueshme.

12 I gëzova të gjitha këto sepse urtia u prin
dhe nuk e dija se është nëna e të gjithave.

13 Çka mësova pa dredhi e dhuroj pa smirë,
nuk e fsheh pasurinë e saj.

14 Sepse ajo është për njerëzit thesar i
pashtershëm;
kush e fiton, fiton miqësinë e Hyjit,
të porositur nga dhuratat e mësimit të saj.

15 Dhëntë Hyji e folsha sipas pëlqimit të tij
që të jap mendime të denja për dhuratat e tija,
sepse ai është prijësi i urtisë
dhe ai që i udhëheq të urtët.

16 Në duar të tija jemi ne dhe fjalët tona,
gjithë urtia jonë dhe aftësia e veprimit.

17 Sepse Ai ma dha urtinë e vërtetë
të gjërave që janë,
për ta njohur përbërjen e rruzullit
dhe fuqitë e elementeve të para,

18 fillimin e mbarimin dhe mesin e kohës,
ndryshimet e diellit dhe rrjedhën e stinëve

19 rrjedhën e vitit e pozicionin e yjeve,

20 natyrat e kafshëve dhe sedrën e egërsirave,
fuqitë e shpirtrave dhe mendimet e njerëzve
llojet e bimëve e veçoritë e rrënjëve.

21 Di gjithçka është e fshehtë e gjithçka është e zbuluar,
sepse më mësoi urtia, mjeshtre e të gjitha gjërave.

22 Sepse në të është shpirti kuptues,
i shenjtë, unik, i shumëfishtë, i hollë,
i shkathtë, përshkues, i patëmetë,
i ndritshëm, i pafajshëm,
dashamirës, i mprehtë,

23 i papengueshëm, bamirës, njerëzor,
njeridashës, i qëndrueshëm,
i vërtetë, i sigurt,
që i ka të gjitha virtytet,
që përshkon gjithçka,
depërtues i të gjithë shpirtrave
të dijshëm, të pastër, tejet të hollë.

24 Sepse urtia është më e lëvizshme se çdo lëvizje,
në saje të pastrisë së vet përshkon e depërton gjithçka.

25 Sepse ajo është frymë e fuqisë së Hyjit,
burim i pastër i lavdisë së të
Gjithëpushtetshmit,
prandaj asnjë papastërti në të nuk mund të depërtojë:

26 Është bredhje e dritës së amshueshme,
pasqyrë e panjollë e pushtetit të Hyjit,
përngjasimi i mirësisë së tij.

27 E, pasi është një e vetme, mundet gjithçka,
e, duke qëndruar në vetvete, përtërit çdo gjë.
Gjatë breznive, duke hyrë në shpirtra të shenjtë,
trajton miq të Hyjit e profetë,

28 sepse Hyji nuk do përveç atë që jeton me urti.

29 Ajo në të vërtetë është më e bukur se dielli,
tejkalon në ndriçim çdo hyllësi,
krahasuar me dritë është më e shndritshme,

30 sepse drita ia lëshon vendin territ,
kurse e keqja s’mund të ngadhënjejë mbi urtinë.



Fjala e Zotit