1
Por mbi të paudhët ra deri në fund
zemërimi i pa farë mëshire,
sepse Hyji e dinte se çfarë do të bënin ata
2 se, pasi t’ua kishin lejuar të nisen
e madje, pasi t’i kishin nxituar të shkojnë,
do të pendoheshin e do t’i ndjeknin pas.
3 E njëmend, ndërsa ende ishin të nxënë duke vajtuar
e vajtonin te varret e të vdekurve,
morën një vendim tjetër të marrë
dhe i ndoqën si të ikur,
ata që u ishin lutur të largohen.
4 Një fat i drejtë i shtynte në këtë hap të fundit,
i bëri të harrojnë të zezat që u kishin ndodhur,
që të mos mbette pa u plotësuar edhe ai ndëshkim,
që s’e kishin pasur vuajtjet e deriatëhershme:
5 ndërsa populli yt të kalonte një udhëtim të mrekullueshëm,
ata t’i gjente një vdekje e çuditshme.
6 Krijesat mbarë, për të dëgjuar urdhërimet e tua,
edhe një herë u ritrajtuan në natyrën e vet,
që bijtë e tu të ruheshin shëndosh e mirë.
7 E njëmend reja me hije e mbuloi tëbanishten e tyre,
teriku u duk aty ku më parë ishte uji:
u bë udhë e lirë nëpër Detin e Kuq,
fushë e blertë ku më parë rrihnin valët.
8 I mbrojtur nga dora jote
nëpër të kaloi mbarë populli yt,
duke parë mrekulli të çuditshme.
9 Porsi mëzat pas kullotës,
porsi qengjat plot gëzim
të këndonin lavde, o Zot,
që i shpëtove.
10 I kujtonin ende ngjarjet e mërgimit,
si toka që në vend të bagëtive lindte miza
e në vend të peshkut lumi nxorri mori bretkocash.
11 Më vonë panë edhe një prodhim të ri shpendësh
kur, të nxitur nga dëshira, kërkuan shujta të shijshme:
12 për t’ua plotësuar dëshirën
nga deti dolën për ta shkurtat.
13 Mbi mëkatarët ranë ndëshkimet
jo pa shenja përkujtuese me rrufe të fuqishme:
pësonin me të drejtë sipas paudhësive të veta,
sepse kishin dëftuar për të huajin
urrejtje veçanërisht të egër.
14 Ndërsa ata të tjerët nuk i pranonin ardhacakët e panjohur,
këta miqtë bamirës i bënë skllevër.
15 E jo vetëm kaq: do të ketë ndëshkim për të parët,
sepse me armiqësi i pritën ardhacakët,
16 kurse këta, pasi me gëzim i pranuan,
pastaj, kur kishin marrë pjesë në të drejtat e tyre,
i ndrydhën me punë tejet të rënda.
17 Edhe këta i goditi verbësia
porsi ata para derës së të drejtit;
të rrethuar nga terri i thellë,
secili kërkonte hyrjen e derës së vet.
18 Kështu elementet i ndërronin veçoritë anasjelltas
porsi në një instrument me korda
tingujt i ndërrojnë ritmet
gjithmonë veç duke e ruajtur tonalitetin e vet.
Po kjo gjë vërtet mund të nxirret
kur shqyrtohen ngjarjet me kujdes:
19 kafshët tokësore shndërroheshin me ato të ujit,
kurse ato që notojnë kalonin në tokë.
20 Zjarri në ujë u bë më i fuqishëm
dhe uji e harroi veçantinë e vet fikëse.
21 Përkundrazi flakët nuk e digjnin mishin
e kafshëve të dobëta, që nëpër to ecnin,
as s’e shkrinin atë ushqim qiellor
të ngjashëm me brymën që aq lehtë shkrihet.
22 Po, në të gjitha mënyrat, o Zot,
e madhërove, e nderove e nuk e përbuze popullin tënd,
por iu gjete në ndihmë në çdo kohë e në çdo vend.