1 sepse shpirti yt i paprishshëm ndodhet në gjithçka.
2 Për këtë arsye pak nga pak i ndëshkon mëkatarët,
i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre,
që ta lënë paudhësinë e të besojnë në ty, o Zot.
3 Ti i kishe bezdi banorët e mëparshëm
të tokës sate të shenjtë,
4 sepse bënin vepra të urryeshme,
vepra shortie e fli të patenzona;
5 sepse ishin vrastarë të pamëshirshëm të fëmijëve,
hanin rropullitë në gostitë
e mishit e të gjakut të njeriut,
merrnin pjesë në mistere zderhalljesh,
6 ishin prindër vrastarë të qenieve pa mbrojtje,
vendose t’i asgjësosh me dorën e baballarëve tanë,
7 që më e dashura toka jote të fitonte
një ngulim të denjë të bijve të Hyjit.
8 Por edhe ata, i kurseve sepse ishin njerëz,
dhe u dërgove, para ushtrisë sate, anëzat pararëndëse
për t’i shuar ata dalngadalë.
9 Jo pse të ishte e pamundur t’i dorëzoje
të paudhët në dorë të të drejtëve me luftim,
ose t’i asgjësoje me anë të kafshëve të egra
ose edhe me një urdhër të ashpër papritmas,
10 por, duke i ndëshkuar ngadalë, i dhuroje vend pendesës,
megjithëse e dije se ishin farë e keqe
dhe prapësinë e kishin në natyrë
e kurrë s’do të ndërrohej mendesia e tyre:
11 farë e mallkuar ishin që në fillim.
@@@
E kjo s’ngjau se kishe frikë prej ndokujt
që nuk i ndëshkoje mëkatet e tyre;
12 sepse kush do të guxojë të të thotë: “Çfarë bëre?”
Ose kush e përballon gjyqin tënd?
Ose të të fajësojë pse i shfarose popujt
që ti vetë i ke krijuar?
Ose kush do të ngritet kundër teje
si hakmarrës ndaj njerëzve keqbërës?
13 Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka
që të kujdeset për të gjithë,
para të cilit të mbrohesh se nuk gjykove drejt.
14 Asnjë mbret as sundimtar s’mund të përballojë ty
për t’i mbrojtur ata që ti i ndëshkon.
15 Por, pasi je i drejtë, gjithçka rregullon drejt,
e çmon të padenjë për pushtetin tënd
të dënosh atë që s’meriton të ndëshkohet.
16 E njëmend fuqia jote është parimi i drejtësisë
e, për arsye se je Zotëruesi i të gjithave,
pra edhe mundesh t’i kursesh të gjitha.
17 Pushtetin tënd e dëfton vetëm atëherë,
kur s’besohet në gjithpushtetësinë tënde
dhe e ndëshkon krenarinë e atyre që s’të njohin.
18 Ti, ngaqë je zotëruesi i gjithë pushtetit,
gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe:
pushtetin e ke në dorë e mund ta përdorësh kur të duash.
19 Duke vepruar në këtë mënyrë ti e ke
mësuar popullin tënd
se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm
dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë
se pas mëkatit dhuron mundësinë e
pendimit.
20 E njëmend, kur me aq maturi e butësi
i ke ndëshkuar armiqtë e shërbëtorëve të tu,
21 e me sa kujdes atëherë i ke ndrequr bijtë e tu,
prindërve të cilëve me përbetim e besëlidhje u ke dhënë premtime të mrekullueshme!
22 Kështu, pra, ndërsa ne na mëson,
armiqtë tanë i frushkullon në mënyrat më të ndryshme
që të na bjerë ndër mend mirësia jote
kur ne gjykojmë
e të shpresojmë në mëshirë
kur ne të na gjykojnë.
23 Këndej edhe ata që jetuan padenjësisht
me marrina të jetës
i mundove me turpësitë e tyre.
24 Sepse ata kishin shkuar larg në udhën e gabuar
sa që i mbanin për hyj kafshët më të ulta e më të urryera,
të çmendur në mënyrë të foshnjave të paarsyeshme.
25 Kështu porsi foshnjave të paarsyeshme
ua ke dërguar një ndëshkim përqeshës.
26 E ata, që një qortim përqeshës nuk i përmirësoi,
sprovuan ndëshkimin e denjë të Hyjit.
27 Të zemëruar ndaj kafshëve që u sillnin mundime
e, duke parë se po ndëshkoheshin me anë të shtazëve
që vetë i mbanin për zota,
panë qartë dhe e pranuan për Hyj të vërtetë,
atë që më parë s’ishin dashur ta njohin.
Prandaj edhe dënimi më i rëndë ra mbi ta.
Ecja drejt idhujtarisë. Hyjnizimi i natyrës