1 Kjo e ruajti babain e botës,
qenien e parë të formuar nga Hyji,
kur qe krijuar vetëm
dhe qe kjo që e liroi nga gabimi i tij
2 e i dha fuqinë të zotërojë gjithësinë.
3 Por kur, në hidhërimin e vet,
një mëkatar u largua nga ajo,
sharroi për shkak të zemërimit vëllavrasës.
4 E kur, për shkak të tij, toka qe përmbytur,
përsëri e shëroi urtia
duke e drejtuar të drejtin nëpër ujëra
në një dru të pavlerë.
5 Por, edhe në atë kohë kur me përkim të së keqes
kombet mbarë u pështjelluan,
qe ajo që e njohi të drejtin
dhe e ruajti të patëmetë para Hyjit
dhe e mbajti më të fortë se dashurinë e të birit.
6 Qe kjo që e shpëtoi të drejtin
që po ikte nga të mbrapshtët të dënuar me vdekje
ndërsa zjarri po binte në Pesëqytetësh,
7 në dëshmi të paudhërisë së të cilit
toka e shkretuar ende tymon;
pemët japin fruta që kurrë nuk piqen
e për të përkujtuar kujtimin e një shpirti të pabesë,
qëndron në këmbë shtylla kripore.
8 Sepse, pasi iu shmangën udhës së urtisë,
jo vetëm se gabuan pse s’i njohën të mirat,
por ata u lanë të gjallëve kujtimin e marrisë së vet,
që gabimet e tyre të mos mund të mbesin të fshehta.
9 Kurse urtia, ata që e duan,
i ka çliruar nga provat.
10 Qe kjo që e udhëhoqi të drejtin
shtigjeve të drejta
kur iku për shkak të zemërimit të vëllait
dhe ia tregoi mbretërinë e Hyjit
e ia dhuroi dijen gjërave të shenjta;
ia dha të mbarën në mundin e tij të rëndë
dhe i shumoi frytet e punës së tij.
11 Iu gjet në ndihmë kundër dëshirimit të shfrytëzuesve
dhe e bëri të pasur.
12 E ruajti prej armiqve
dhe e mbrojti prej atyre që i vunë pritë;
i dhuroi fitoren në një luftim të fortë,
që ta kuptonte se përkushtia
është më e fortë se çdo gjë.
13 Kjo s’e braktisi të drejtin e shitur,
por e ruajti nga mëkati;
14 bashkë me të zbriti në burg
e nuk e lëshoi dore as ndër pranga
deri sa nuk ia solli skeptrin mbretëror
dhe pushtetin mbi ata që e ndrydhnin,
i qiti gënjeshtarë ata që iu shpifën
dhe ia dhuroi lavdinë e përhershme.
15 Urtia e liroi popullin e shenjtë, farën e patëmetë,
prej popujve që atë e ndrydhnin.
16 Ajo hyri në shpirtin e shërbëtorit të Hyjit
e, në saje të mrekullive e të shenjave,
u bëri ballë mbretërve të tmerrshëm.
17 Shenjtërve ua dha shpagimin e
mundimeve të tyre,
u priu një shtegu të mrekullueshëm,
ditën u bë për ta mbulesë freskimi
e natën dritë ndriçuese yjesh.
18 I kaloi nëpër Detin e Kuq
duke i kaluar nëpër ujëra të shumta;
19 kurse armiqtë e tyre i mbyti në ujë
e pastaj i volli në breg nga thellësia e humnerës.
20 Kështu të drejtët i plaçkitën të patenzonët
dhe i kënduan lavde, o Zot, Emrit tënd të shenjtë,
e të gjithë një zëri lavdëruan dorën tënde ngadhënjyese,
21 sepse urtia e çeli gojën e memecëve
dhe e pajisi me zhdërvjelltësi gjuhën e foshnjave.