1 Duani drejtësinë, ju që gjykoni dheun,
ushqeni ndjenja mirësie ndaj Hyjit
dhe kërkojeni atë në thjeshtësinë e zemrës,
2 sepse atë e gjejnë ata që s’e tundojnë
dhe Ai u dëftohet atyre që besojnë në Të.
3 Sepse mendimet dhelparake na ndajnë nga Hyji,
kurse Gjithpushtetësia e vënë në provë
i ndëshkon të patenzonët.
4 Sepse urtia nuk hyn në shpirtin keqbërës
dhe nuk banon në trupin skllav të mëkatit.
5 Sepse shpirti mësues shenjterimi ikën nga shtiracaku,
largohet nga mendimet e marra
dhe errësohet porsa vjen papritur paudhësia.
6 Urtia është shpirt që i do njerëzit,
por s’e lë pa ndëshkuar atë që fyen me buzë,
sepse dëshmitari i veshkave të tija është Hyji,
shqyrtuesi i vërtetë i zemrës së tij
e ndjen ç’thotë gjuha e tij.
7 Vërtet shpirti i Zotit e mbush gjithësinë
dhe ai që pushton gjithçka,
di gjithë çka thuhet.
8 Së këndejmi, kush thotë paudhësi s’mund të fshihet
dhe s’do ta kursejë drejtësia shpaguese.
9 Sepse do të shqyrtohen mendimet e të mbrapshtit,
zëri i fjalëve të tija deri te Zoti do të arrijë
për dënim të paudhësive të tija.
10 Sepse është një vesh që me kujdes dëgjon gjithçka
saqë as pëshperitja e nynykamave s’i shpëton.
11 Ruhuni, pra, nynykames së kotë,
rrudheni gjuhën nga shpifjet,
sepse as fjala e fshehtë nuk do të shkojë huq
dhe goja që gënjen, shpirtin e mbyt.
12 Mos e kërkoni vdekjen me gabimet e jetës suaj
dhe mos e rrënoni veten me vepra të duarve tuaja,
13 sepse Hyji nuk e krijoi vdekjen
dhe nuk i gëzohet humbjes së të gjallëve.
14 Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë;
dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse
e në to nuk ka vrer shkatërrues
dhe Nëntoka nuk e sundon tokën:
15 sepse drejtësia është e pavdekshme.
16 Por keqbërësit e thërrasin vdekjen me dorë e me fjalë,
duke e mbajtur për mikeshë, shkrihen për të,
me të bëjnë besëlidhje,
sepse janë të denjë t’i përkasin asaj.